Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: Adhurimi i së bukurës dhe e bukura e traumatizuar

Kur individi shqiptar u ndje i lirë, domethënë shpëtoi nga puna e detyruar në ferma, fabrika primitive, taraca e aksione, ku punonte falas për ndërtimin e ferrit kolektiv, pa rreth e rrotull tij se mos gjente punën e tij të re. Kuptohet, nuk ishte e lehtë. Tani e tutje seicili do të punonte për vete. Në atë mjerim total, ky fakt ishte mjaft grishës. Individi shqiptar, në përgjithësi, nuk pamundësitë që egzistonin në vendin e tij, ndaj u derdh drejt Perëndimit me të gjitha mjetet, me çdo çmim. Tragjedia e shqiptarëve në malet e Jugut, në malet e Lindjes dhe sidomos tragjedia në Adriatik e Jon do të jetë një mallkim që do të ndjekë gjatë politikën shqiptare të shekullit që lamë pas e të këtij fillim shekulli. Ndërsa një pjesë e shqiptarëve, duke parë rreth e rrotull, nga të gjitha resurset e këtij vendi si punimi i tokës, mbjellja e vreshtave, kopshtaria, mekanika, peshkimi, ndërtimi, dalloi më të brishtën, më delikaten, atë që në fakt bën një kontrast të thellë me vrazhdësinë e jetës së këtushme, me terrenin, me psikologjinë e krijuar në shekuj, femrën.

Delikatesa, bukuria, brishtësia u kthyen për një pjesë jo të vogël të femrave shqiptare në fatkeqësi. Nisi shfrytëzimi barbar i tyre nëpër rrugët e Perëndimit. Endrra sidoqoftë qe e bukur: Do iknin larg këtij vendi të ashpër, ku butësia, delikatesa, bukuria ose nuk viheshin gjithmonë re, ose shiheshin si një peizazh mahnitës, ku mund të vije për piknik kur të doje dhe pas të lije ambalazhet e një dite të grisur, hedhur ashtu, pa kujdes. Endërronin për një botë, ku bukuria dhe butësia të mos qenë një kontrast i thellë, një lëkurë e vlefshme kunadheje, nën shënjestra gjahtarësh vulgarë. Endërronin një botë ku të kishin mundësi të punonin, ndoshta edhe shumë, por të merrnin një pagë të denjë, me të cilën të jetonin si njerëz.

A mund të gjykohet njeriu pse ëndërron? A mund të dënohet njeriu pse mendon bukur për jetën e vet?Herë-herë varfëria dhe mjedisi i mjeruar përreth ishte i tillë në familjet shqiptare, sa që vajzat kanë pranuar ta ndërrojnë atë me çdo çmim, qoftë edhe me humbjen e lirisë, trajtimin kriminal dhe daljen tek sheshi “Loreto” në Milano, i njohur sot si vendi ku u var Musolini dhe sheshi ku varen çdo ditë prostitutat shqiptare për t’u zgjedhur nga pleqtë maniakë italianë. Kalimi nga zhveshja e femrës shqiptare nga çdo lloj feminiteti, gjatë viteve të diktaturës (përfytyroni femrën e turneve të treta, kominoshet, aksionet, zboret) në ekstremin: “gjithçka është mall në këtë vend dhe mund të shitet dhe të blihet”, rezultoi traumatik për femrën shqiptare, respektivisht për shoqërinë shqiptare.

Në vitet e shkollës së mesme më ra në dorë një poezi e Eugjen Jevtushenkos për gruan. E lexonim fshehur dhe mahniteshim me bukurinë e vargjeve dhe shenjtërimin që i bënte poeti i njohur, disident rus femrës dhe gruas në përgjithësi. Ende i ruaj në kujtesë si guacka perlën dy vargje:

Kudo mund të gjendet një sup i lakuriqtë gruaje

ku të mbështetësh kokën tënde mëndjelehtë.

Atë shenjtërim të femrës e quanim si një magji thjesht artistike, ose shprehje e një bote të largët, matanë yjeve që nuk kishte asnjë lidhje me mjedisin tonë.

Është i shpjegueshëm trajtimi i ashpër i femrës në Shqipërinë e diktaturës, brenda trajtimit të të gjitha vlerave në një diktaturë, por është i pafalshëm trajtimi i femrës shqiptare në postdiktaturë. Goditja e figurës së saj është goditje që i jepet shoqërisë shqiptare. Trajtimi kriminal i vajzave në trotuaret e Europës, i dha imazhit të shqiptarit formën e përbindëshit dhe një status aspak të lakmueshëm për shqiptarin normal. Europa ka kohë që jeton e përpiqet të jetojë estetikisht. Në themel të punës tek europiani i sotëm është krijimi i së bukurës dhe përjetimi intensiv i saj. Në fakt, mesazhin e parë të të jetuarit estetik, e ka dhënë gjeniu anglez, Shekspiri. Ai krijoi figurën e famshme të Hamletit që u përpoq të jetonte estetikisht në mug të qytetërimit, në një botë që gëlonte nga e keqja dhe krimi. Këndvështrimi estetik i botës nga Hamleti (etja për pushtet, tradhëtitë, pabesitë, vrasjet para së gjithash për Princin e famshëm qenë të shëmtuara), qe revolta dhe tragjedia e tij. Dhe Europa u bë duke menduar bukur, duke punuar bukur. Përfytyroni njeriun e dëshpëruar shqiptar tek sillet në këtë mjedis.

Po nga erdhi një mëndësi e tillë në shoqërinë shqiptare? Natyrisht ky mentalitet u krijua gjatë shekujve. Vetëm mungesa e lirisë krijon deformime të tilla të genit. Mungesa e gjatë e institucioneve, e gjuhës së shkruar, e librave, e letërsisë, e artit, e filozofisë, e besimit krijoi gropa në mentalitetin tonë. Kur vë re kujdesin prekës me të cilin trajtohet një femër në Perëndim, adhurimin për të bukurën, dallon hendekun tronditës që ndan Shqipërinë me botën e qytetëruar. Atëherë kupton shenjtërinë me të cilën e vesh femrën poezia e madhe, kupton se sa e paemancipuar është shoqëria jonë, kupton se nuk ka emancipim të gruas (kujtoni marrëzinë e dikurshme të luftës për emancipimin e gruas), në një shoqëri të paemancipuar. Kupton se ky truall nuk mund të bëhet pjesë e Europës, derisa gruaja të konsiderohet si malli më fitimprurës nga një pjesë e shqiptarëve dhe pjesa tjetër ose nuk reagon, ose regon mjaft dobët, kur shteti fle, ose edhe bëhet pjesë e së keqes. Kupton se ne jetojmë në një shoqëri të dhunshme, ku e bukura dhe delikatja nuk mund të egzistojnë normalisht, por në forma traumatike, kur adhurimi për të bukurën, të brishtën konsiderohet si dobësi.

Please follow and like us: