Ida Nurçe: Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë?
Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë?
Të qaj popullin, apo politikën në varr?
Ngjarjet e fundit po na lemerisin. Protestat nuk dinë të ndalen prej kaq ditësh. Populli më në fund e ka kuptuar, që duhet ngritur krye, kur diçka nuk shkon siç duhet. Por zemërimi ia ka verbuar sytë. Duket aq i inatosur, sa në vend të samarit po i bie gomarit. Ca punonjës policie përfunduan në spital. Njëra prej tyre humbi gishtat e dorës. Ajo tashmë do mbetet pa punë, sepse nuk është e aftë për punë. Do marrë KEMP?! Ahh sa e vështirë është! Më parë vendosin ta heqin nga memoria se sa t’i japin KEMP. Ajo e pësoi. Kushedi edhe sa të tjerë pas saj do e pësojnë! Ç’faj kanë ata, kur njëlloj si ne janë punësuar për të siguruar bukën e gojës? Edhe populli vetë, e di që nuk ka faj, por zemërimi dhe dhimbja po i tërheq zvarrë ata.
Po politika, deputetët, parlamentarët, ku janë?
Ata nuk dalin atje, as për të ndihmuar, as për të protestuar, as për të mbajtur qetësi. Ata rrinë në shtëpi, ose diku, ku ka kamera. Ata rrinë atje, ku të kenë mundësinë te flasin të qetë, pa iu bërë përshtypje, çfarë po ndodh me këtë popull.
Bir Selman i nënës, kam frikë. Kam frikë se një zemërim i tillë zor të ndalet. Të pafajshëm do e pësojnë, derisa politikanët nuk reagojnë. Reagim është te vendosësh drejtësi, jo të flasësh që në shtëpi.