Albspirit

Media/News/Publishing

Janusz Bugajski: Rusia nuk është aleate, por shfrytëzuese e Serbisë

Ndryshe nga besimi i përgjithshëm, Serbia dhe Rusia nuk kanë një aleancë të ngushtë por një çiftim asimetrik në të cilin Kremlini përfiton nga dominimi i tij. Kur Moska ka nevojë që Serbia të kryejë disa detyra ndërkombëtare për përfitimin e Rusisë, ajo rrit presionin mbi Beogradin. Kjo është e dukshme në debatin aktual për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor. Ndonëse historia zyrtare thotë se Rusia ishte përcaktuese në çlirimin e Serbisë nga otomanët, ambicia e vërtetë e carëve ishte zgjerimi i Perandorisë Ruse drejt Mesdheut. Besimi ortodoks dhe pan-sllavizmi ishin mjete të dobishëm ideologjikë të krijuar për të bindur serbët se Rusia mbronte interesat e tyre kombëtare. Pas Luftës së Dytë Botërore, Stalini minoi ambiciet serbe dhe parandaloi krijimin e një federate komuniste ballkanike që bashkonte Jugosllavinë e Bullgarinë, sepse ai druhej se një shtet i fort në rajon mund të sfidonte diktatin e Moskës. Për pasojë, Jugosllavia e Titos tregoi se Beogradi nuk dëshironte që të ishte një kukull besnike kur u shkëput nga blloku sovjetik më 1948. Milosheviç dhe Jelcin nuk ishin aleatë të afërt, por shfrytëzonin ambiciet politike të njëri-tjetrit. Gjatë luftërave në ish-Jugosllavi në vitet ’90, Beogradi i bëri thirrje solidaritet rus si për ruajtjen e integritetit jugosllav, ashtu edhe për krijimin e Serbisë së madhe apo për mbajtjen e Kosovës. Moska nga ana e saj manipuloi armiqësinë e Serbisë kundër SHBA dhe NATO-s për të demonstruar se Rusia mbetej faktor madhor në çështjet evropiane. Megjithatë, që nga përmbysja e Milosheviçit, qeveritë serbe kanë adoptuar rolin e partnerit të vogël të Rusisë, duke i dhënë mundësi Putinit ta shndërronte Serbinë në një levë të Moskës në Ballkanin Perëndimor. Kremlini llogariti që në shkëmbim të bllokimit të hyrjes së Kosovës në OKB dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë ku Moska ka të drejtën e vetos, Beogradi do të bënte lëshime karshi Rusisë dhe nuk do t’u qasej institucioneve perëndimore. Plagët e ndërhyrjes së NATO-s më 1999 në Kosovë për të ndaluar gjenocidin serb nuk janë shëruar ende plotësisht për Beogradin që të mendojë anëtarësimin në NATO. Dhe, përmes armëve propagandistike Moska bën të mundur që ndjenjat anti-NATO të ushqehen vazhdimisht në radhët e opinionit serb. Media ruse përhap vazhdimisht edhe informacionin e rremë që Rusia është partneri kryesor ekonomik i Serbisë, ndonëse shkëmbimet tregtare dhe investimet ruse jo vetëm që janë xhuxhe para atyre të Bashkimit Evropian, por edhe bazohen kryesisht në marrëveshjet e errëta nga të cilat përfitojnë politikanët e korruptuar. Serbia u bind t’i jepte Gazpromit shumicën e aksioneve në kompaninë më të madhe të saj të naftës e gazit, Nish, dhe hyri në marrëveshje të tjera që e lidhin vendin ngushtë me furnizimin me energji nga Rusia. Beogradi iu nënshtrua edhe presioni për të hapur një “Qendër Humanitare Rusi-Serbi” pranë Nishit, të cilën shërbimet ruse mund ta përdorin si qendër zbulimi përballë Perëndimit. Në një rast të ri të shfrytëzimit të Beogradit, Kremlini tani por përpiqet të përfitojë nga synimi i Washingtonit për “normalizimin” e marrëdhënieve midis Serbisë e Kosovës. Teksa është diskutuar shkëmbimi i territoreve, Kremlini e ka nxitur Serbinë ta pranojë atë, pavarësisht rezistencës politike në Beograd. Takimi i paprecedent midis Presidentit Putin dhe Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi gjatë përvjetorit të Armëpushimit të Luftës së Parë Botërore në Paris, i pari midis krerëve të shteteve, shtoi presionin mbi Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Strategët e Putinit po ndjekin dy objektiva. Së pari, ndryshimet e kufijve në Ballkan të aprovuara nga fuqitë perëndimore mund të trumpetohen si precedentë të vlefshëm dhe shembuj për Krimenë, Donbasin, Transnistrinë dhe rajone të tjera të lakmuara nga Rusia. Zyrtarët mund të thonë se ndryshimet në kufirin Kosovë-Serbi thjesht futin bashkë kombasit brenda tokës nënë. Për pasojë, një proces i ngjashëm mund të përdoret për territore me popullsi të konsiderueshme ruse, përfshirë pjesë të Estonisë, Letonisë, Bjellorusisë, Ukrainës, Moldavisë dhe Kazakistanit. Së dyti, Kremlini në të njëjtën kohë llogarit edhe që ndryshimi i kufijve në Ballkan mund të krijojë konfuzion për NATO-n dhe Bashkimin Evropian duke nxitur thirrje për ndarje të tjera. Nacionalistët lokalë mund të orkestrojnë dhunë për të demonstruar se bashkekzistenca etnike nuk është e mundur dhe se kufijtë duhen ndryshuar. Efekti pasues i aspiratave territoriale nuk do të prekte vetëm vende të pa stabilizuara si Bosnjë-Hercegovina e Maqedonia, por do të trazonte edhe anëtarë të NATO-s si Kroacia, Shqipëria dhe Mali i Zi. Vuçiç do të jetë nën presionin në rritje të Perëndimit për të arritur një marrëveshje me Prishtinën por nuk do të jetë në gjendje të frenojë kundërshtimin e brendshëm nacionalist pa përkrahjen e Kremlinit. Nëse Beogradi e njeh zyrtarisht humbjen e Kosovës përmes marrëveshjes bilaterale, apeli i Rusisë për solidaritet sllavo-ortodoks mund të mos mjaftojë. Përkundrazi, dhe pavarësisht mungesës së entuziazmit të Vuçiç, Moska mund të shprehë mbështetje për ndarjen e Bonjës-Hercegovinës dhe aneksimin nga Serbia të Republika Srpska (RS). Ky do të ishte një çmim më i madh se pjesët veriore të Kosovës, sidomos për shkak se edhe liderët e RS “vdesin” të bashkohen me Serbinë. Rezultati i ndërhyrjes së Moskës do të jetë përfshirja e Vuçiç në një konflikt të ri me BE, NATO-n dhe SHBA për çështjen e Bosnjë-Hercegovinës. Kjo do t’u shërbente interesave të Kremlinit duke bllokuar rrugën e Beogradit drejt hyrjes në BE. Mësimi për Serbinë është që, nëse nuk arrin të çlirohet nga kthetrat politike të Rusisë, ajo nuk mund të arrijë potencialin e vet kombëtar dhe do të vazhdojë të shfrytëzohet si ushtare e Putinit në fushatën për shpërbërjen e Perëndimit.

* Qendra e Studimeve te Politikave Evropiane në Washington.

Please follow and like us: