Rama në spitalin e Traumës: Prerja e gishtave të polices është vija e kuqe
Kryeministri Edi Rama shkoi në spitalin e Traumës për të parë nga afër situatën e efektivëve të policisë të lënduar gjatë protestës para Kuvendit paraditen e sotme. Kujtojmë se mes policëve të plagosur, të cilët ishin në krye të detyrës, një efektive humbi 4 gishta nga shpërthimi i një kopsolleje, ndërkohë një tjetër humbi dëgjimin. Në hyrje të spitalit Rama është pritur edhe nga familjarët e protestuesve të lënduar. “Turp, turp, turp”, dëgjohet teksa brohorasin në kor familjarët e protestuesve të plagosur. “Çfarë bëri ai që e more me polici, more hajdut. Qeveri e krimit”, i drejtohet një tjetër familjare, Ramës. Pasi vizitoi të plagosurit në spital kryeministri Rama iu përgjigj interesit të medias, ndërsa e konsideroi anormale gjithë sa ndodhi paraditen e sotme. “Çdo prind dhe çdo familje e përfytyron se çfarë do të ndjente nëse vajza 24-vjeçare do të kthehej në shtëpi pa gishtat e dorës të këputur pasi ka dalë në mëngjes nga puna për të kryer detyrën. Kjo është një situatë që nuk ka ndodhur në Shqipëri qysh kur kanë filluar prishjet masive për interes publik që nga parku “Rinia” e me radhë pavarësisht kush ka qenë në qeveri, është hera e parë që një parti politike merr përsipër që bashkë me një grup njerëzish, ku një pjesë janë zaptues profesionistë trojesh dhe një pjesë tjetër janë të ngatërruar dhe të keqkuptuar pa lidhje kundër interesit publik për të frenuar zhvillimin e një vepre që nuk kanë për ta frenuar dot. Dhe prerja e gishtave të vajzës është një vijë e kuqe që është vendosur sot mes atyre që kanë marrë përsipër ti kundërvihen ligjit dhe policisë së shtetit që është në mbrojtje të ligjit dhe në mbrojtje të interesave publike dhe të komunitetit. Nuk ka shans që ligji të mos zbatohet njësoj për të gjithë dhe nuk ka shans që policia e shtetit të kthehet në target për kapsollat, për gurët apo kërcënimet e një grupi njerëzish që duhet të largohen që aty”, u shpreh Rama. Më tej ai shtoi se, “Ato që kanë letrat e pronës do të dëmshpërblehen si të gjithë në Republikën e Shqipërisë gjatë gjithë viteve, qofshin me titutj të vjetër, qofshin dhe të legalizuar ashtu si janë legalizuar, kjo nuk ka rëndësi sepse zbatohet ligji. Ata që janë aty me një strehë dhe nuk kanë gjë tjetër do të marrin bonus qiraje 3 vjet si gjithë të tjerët në këto raste, bonus qiraje që nuk e merrnin kurrë para 2013 dhe e merrnin pas 2013. Dhe të tjerët duhet të largohen sa më parë se nuk do të marrin absolutisht asnjë gjë. Përkundrazi sa më shumë i bien ndesh ligjit, aq më shumë do të përballen me ligjin”.