Eli Kanina: Në oqeanin e kohës
Vozitem, mbijetuese, e trishtë
Shtresëzohem prej vlerash që më rrisin
E humbur, pikëpyes për çdo ditë…
Koha nuk është më e vlerave
A vlerat e mia s’i rrinë kësaj kohe?
Ndoshta, jam një varkë Noe…
Mëdyshem
Kjo kohë po më ndryshk
Nga mosdashja e vlerave apo indiferenca
Zë myshk
Në thellësi të oqeanit të kohës
Përpiqem të cek sipërfaqen, e vetme t’ia dal
Më sfidojnë klane e korale
Dhe gjithçfarë kokolepsjesh, që fundin e kanë destin
Tulatem, mrekullinë të ndodhë pres
Për atë që jap, kërkoj, vëmendje e interes
Pres polumbarët të më zbulojnë
Më kot!
Qëkur Titaniku u fundos
Njerëzimit s’i duhen më thellësitë
Universit i janë qepur, planeteve bredhin
Hapësirave, testojnë dashuritë.
Uroj të kem fat të përfundoj në barkun e një peshku
Që i pafatë, nga peshkimi të bjerë në ndonjë rrjetë
Me mua bashkë, si guackë a perlë
Në vëmendjen e njerëzve, mjaft të më risjellë
Gjithsesi do më ndihë
Që mos mbetem përfund kohe
Që kohës prej meje diç ti ngelet
Fundja
Nëse kohën s’e kanë vlerat
Nëse kohën s’e bëjnë njerëzit…
Le të më gëlltisin peshqit!