Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Kokëdhima: Jam një nga kryengritësit për të mbrojtur banorët

Asnjë ndërtim dhe asnjë qytetar nuk mund të diskriminohet. Asnjë ndërtim bërë përpara viti 2013, nuk mund të prishet pa u legalizuar dhe pa u shpronësuar me çmimin e tregut. Ajo protestë është e ligjshme, të shndërrohet në revoltë dhe kryengritje. Pa eksplozion social nuk do të ketë përparim drejt lirisë

Kreu i Partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, në një intervistë për News 24, iu bën thirrje banorëve të Unazës së Re që të vazhdojnë qëndresën dhe të ftojnë gjithë qytetarët dhe njerëzit e dëmtuar nga qeveria, ndërkohë politikanët e dy partive të vjetra t’i mbajnë larg, sepse ato janë bashkëpërgjegjëse për shkatërrimet.

Do ta nisim fillimisht me komentet tuaja, për përplasjet për Unazën e Madhe të Tiranës. Përplasje të cilat kanë arritur kulmin sot përpara parlamentit. Tonet janë ngritur nga të dyja palët. Kryeministri Rama ka shprehur vendosmërinë e tij për të shkuar në zgjidhjen e zbatimit të ligjit, deri në fund, germë për germë. Edhe banorët duket se janë të vendosur që të mos i lënë shtëpitë e tyre pa marrë asnjë shpërblim pas. Si e shikoni ju gjithë këtë situatë?

Ajo që ndodh sot me Unazën e Tiranës, me ata banorë, dëshmon fatkeqësinë e popullit tonë. Ai është një sulm i paparë, i paprecedentë, i pashembullt, fatal mbi ata qytetarë. Ata janë në të drejtën e tyre, në të drejtën e Zotit. Ndërtimet e tyre nuk janë të paligjshme. Ato objekte janë si të gjithë ndërtimet e tjera informale të bëra në Shqipëri, në këto 25-30 vitet e shkuara. Qeveria jonë, vetëm e diskriminon popullin, ata banorë po shtypen dhe goditen fatalisht. Ata kanë të drejtë të mbrojnë pasurinë e jetës, familjet e tyre.

I përkrah partia juaj këto protesta? Do të marrë pjesë, do t’i bashkohet opozitës?

“Zgjidhja” i ka përkrahur që në fillim, të gjitha protestat, qoftë edhe të banorëve të izoluar, mbi të cilët është vënë dorë nga qeveria, për t’iu prishur shtëpitë. Kjo gjë ka ndodhur në të gjithë vendin, në Jalë, në Dhërmi, në Sarandë, në Ksamil, në Veri, kudo, nga Vermoshi në Konispol. Është një krim i pashembullt dhe një akt çnjerëzor goditja e këtyre shtëpive, të këtyre banorëve. Çfarë ndryshimi ka një shtëpi e ndërtuar atje, e palegalizuar, nga një shtëpi e ndërtuar në Transballkanike në Vlorë, nga një shtëpi e ndërtuar në një pjesë tjetër të Shqipërisë, që legalizohet? Asnjë ndryshim. Pse disa legalizohen dhe shpronësohen dhe disa jo. Programi i partisë “Zgjidhja” është shumë i qartë. Ne e kemi çështje programore këtë. Asnjë ndërtim i bërë përpara vitit 2013, nuk është i paligjshëm. Janë të gjitha njësoj. Të gjitha ndërtimet janë bërë me nxitjen e qeverive, deputetëve dhe të politikanëve. Janë toleruar në shkëmbim të votave. Banorët janë lejuar dhe janë nxitur. Ndërtimet në Shqipëri nuk kanë pasur mundësi të bëheshin në mënyrë të ligjshme, sepse mungonte kontrolli mbi territorin dhe sjellja e ligjshme e institucioneve të shtetit. Prandaj sot, çështja e atyre banorëve është çështje e të gjithë Shqipërisë. Atje ne do të shkojmë vazhdimisht.

Pra, po thoni që do t’i bashkoheni opozitës në këto protesta?

Dua të bëjë një diferencë këtu. Opozita e vjetër, opozita parlamentare, Partia Demokratike dhe partitë e vjetra, janë njësoj përgjegjëse, si Edi Rama dhe qeveria e tij, për këtë mizori, që bëhet atje. Atyre nuk u bëhet vonë. Ata janë atje vetëm për kapital politik për vete. Ata kanë qeverisur bashkë në këtë vend dhe ata i kanë lënë këta banorë informal gjithë kohën. Sepse këtu nuk bën dot legalizime. Nuk merr dot shërbime, duhet patjetër të paguash para nën dorë, duhet të të rrjepin lëkurën, qofshin të PD-së, apo të PS-së. Nuk është faji i banorëve që nuk kanë dokumente. Unë dua të ju them edhe një gjë. Politizimi në protesta, pjesëmarrja e opozitës, të partive të vjetra, të opozitës parlamentare, vetëm i dëmton ata banorë. Atje le të shkojë çdo deputet, çdo kryetar partie, çdo zyrtar i lartë, çdo politikan. Të shkojë të protestojë në heshtje, por jo të shkojë të mbajë fjalime atje. Sepse ata kanë bërë të njëjtat gjëra kur kanë qenë në pushtet, ashtu siç bën sot qeveria e Ramës dhe qeveria e PS. Edhe një herë sot këtu, dua që të ju bëjë thirrje, të gjithë shqiptarëve të dëmtuar anekënd Shqipërisë. Të gjithë njerëzve që ju janë prishur shtëpitë dhe dyqanet e tyre, të shkojnë t’i bashkohen protestës së tyre. Ajo protestë është e ligjshme, të shndërrohet në revoltë dhe kryengritje. Ata banorë duhet të mbrojnë me forcë gjakun, jetën dhe pasurinë e tyre.

Ju ku e shikoni zgjidhjen e këtij problemi?

Me këta politikanë, me këto parti, ky problem kurrë nuk do të gjejë zgjidhje. Ai është një konflikt i sajuar. Sepse këta dëshirojnë ta shtypin popullin tonë. Atje vetëm 2 km rrugë kushtojnë 40 milionë euro. Ato mjaftojnë për të ndërtuar rrugën dhe për të ndërtuar shtëpitë e të gjithë atyre banorëve.

Po, edhe ju keni ndërtuar rrugë me Edi Ramën. Jeni dhe ju në dyshim që kjo shifër, është e fryrë?

Unë nuk kam ndërtuar rrugë me Edi Ramën. Unë kam ndërtuar me kompanitë e mia. Ato çmime që përdorin ata atje, është një lloj hajdutërie. Këta janë hajdutë të paskrupullt. Me 40 milionë euro, mund të bëhej ndërtimi i të gjitha shtëpive. Dua të shtoj edhe një gjë tjetër, që ne e kemi çështje programore dhe të padiskutueshme. Nuk mund të bëjnë shpronësime me çmime qesharake, ashtu siç kanë bërë gjithandej. Këta duhet të bëjnë shpronësime vetëm me çmim tregu. Duhet të mos gënjehen banorët. Të dalë ai i korruptuari i bashkisë së Tiranës dhe të thotë që do tu japim tre vjet qira. E çuan nga dy vjet në tre vjet. Jo. Ata duhet t’i paguajnë me çmime tregu. Banorëve duhet tu japin prapë një deri në dy vite qira. Të gjitha bizneseve duhet t’u japin dy vjet qira. Nga ana tjetër, unë kam një ftesë që Lulzim Basha të mos bëjë fjalime atje, por të shkojnë dhe të rrinë në rreshtat e fundit të protestës. Sepse qeveria e Partisë Demokratike ka bërë të njëjtat gjëra dhe është bashkëpërgjegjëse me qeverinë e Ramës, për këto fatkeqësi që u ndodhin atyre banorëve. Kur kontrata sociale shkelet dhe thyhet, kur qeveria vihet kundër popullit, kur shteti përdoret për pushtetin dhe pasurinë e një grushti njerëzish, për represion dhe gjenocid mbi banorët, kryengritja e dhunshme dhe e përgjakshme është e ligjshme. Ata banorë kanë të drejtë të ngrenë krye, me çdo mjet. Policët dhe policet nuk duhet të përballen me banorët. Nuk duhet tu kundërvihen qytetarëve, por duhet t’u bashkohen me ta. Nuk duhet të ngrenë dorë mbi njerëzit, por duhet t’i kundërvihen qeverisë për këto gjëra që bën.

Por si mund të jetë zgjidhja? Jemi shumë dakord që njerëzit nuk mund të nxirren nga shtëpitë e tyre. Por këto janë mendime personale. Por si do zgjidhet. Ata ligjërisht nuk kanë leje për ato ndërtime. Përtej faktit që edhe ata që i kanë me leje, nuk u pëlqen fare dëmshpërblimi që marrin? Si zgjidhet ky problem ligjërisht?

Këtu kemi dy çështje që duhen diskutuar: E para ka të bëjë me faktin se si do të mund të zgjidhet ky problem në një shtet demokratik, në një vend normal. E dyta, si mund të zgjidhet ky problem, nën një tirani dhe nën një mizori si kjo e jona. Në një vend normal dhe në një vend demokratik ku funksionojnë liritë kushtetuese ky problem do zgjidhej në këtë mënyrë: Asnjë ndërtim dhe asnjë qytetar nuk mund të diskriminohet. Asnjë ndërtim bërë përpara viti 2013, kur pretendohet se është vënë kontrolli mbi territorin, nuk mund të prishet pa u legalizuar dhe pa u shpronësuar me çmimin e tregut. Asnjë shtëpi nuk mund të preket, pa u paguar 100 për qind paratë, me çmimin e tregut dhe pa ju dhënë një vit qira plus, sepse shtëpia është investimi i jetës. Ato nuk i gjen dot brenda natës. Duhet të mendohesh, të kërkosh, të studiosh variante. Pra, duhet t’ia japin qiratë e shtëpisë për një vit dhe duhet tu japin paratë e plota. Atij që i prishet dyqani, duhet t’i paguhet 100 për qind, me çmim tregu dyqani dhe një deri në dy vjet fitim i munguar. Sepse nuk ringrihet një biznes brenda natës.

Kryeministri Rama tha se po vepruam kështu, nuk bëjmë dot asnjë investim më. Është e vërtetës kjo sipas jush?

Kjo nuk është e vërtetë. Vetëm me 20 përqindshin që ka marrë qeveria nga të gjithë PPP, paradhënie, do të mund të bëheshin shpronësimet e 25 viteve të ardhshme në Shqipëri, me çmimin e tregut. Vetëm sikur paratë që janë në këtë vepër, vetëm në këto 2 km. 40 ml euro, mjaftojnë për të dëmshpërblyer të gjithë ata banorë, me nga një shtëpi prej 100 mijë euro secili. Ndërsa mesatarisht 10 milionë euro janë të mjaftueshme dhe teprojnë për të bërë 2 km rrugë, për ta bërë atë rrugë me standardet që bëhen sot në Amerikë dhe kudo gjetkë. Këtu bëhet fjalë për një hajdutëri të pashembullt. Për të gjitha këto PPP që po grabisin ditë e natë popullin shqiptar. Si nuk paskan të drejtë këtë njerëz që të ngrihen. Si e shkelkan ligjin këta njerëz që vidhen. Unë dëshiroj t’u them gjithë shqiptarëve, sepse të gjithëve do t’u vijë radha. Një pjesë e madhe u janë shkelur të drejtat në një qind mënyra, shkatërrohen çdo ditë shqiptarët kudo. Vdesin çdo ditë nga varfëria dhe nga shtypja, nga padrejtësia që i bën ky lloj pushteti. Prandaj, ne ju themi gjithë shqiptarëve të bashkohen. Kjo duhet të jetë pika e kthesës për të shpëtuar jetët e atyre banorëve atje dhe jetën e popullit shqiptar. Duke qenë se Shqipëria nuk është vend normal, duke qenë se vend është një tirani, ka vetëm një rrugë për ta zgjidhur situatën. Revolta mund ta shpëtojë vendin, të përmbysë këtë klasë politike. PD e Lulit bashkë me PS e Edi Ramës, kjo elitë politike e vjetër që e ka sjellë popullin në këtë gjendje, duhet të përmbyset. Pa u përmbysur këta nuk bëhen dot zgjedhje demokratike.

Kjo nuk është hera e parë që Kryeministri Rama ka probleme me qytetarët, me banorët. Ju e njihni Kryeministrin Rama. Si do te mund ta zgjidhë këtë çështje. Do të ulet. Do tërhiqet Kryeministri Rama?

Këta bëjnë të fortin në pushtet. Këtë ka bërë edhe Saliu. Gjithë ai korrupsion që është bërë mbi shqiptarët, pasi e kanë bërë të dyja palët. Sa gjera të tilla janë bërë në qeverisjen e vendit? Sa fate njerëzish janë shkatërruar, sa familje janë goditur! Janë pa fund. Po të gjurmojmë në të gjithë Shqipërinë, të dyja palët janë njësoj. Atje ata tani, janë për kapital politik. Ata bëjnë të njëjtën gjë, kur janë në pushtet. Kryetari i sotëm i PD-së dhe Sali Berisha, që është de facto kryetar në hije, i kanë shtypur demonstruesit e Shqipërisë, me dhunë dhe me gjak, me armë dhe me plumba. Nuk ka dyshim që këta bëjnë të njëjtën gjë. Këtu duhet të jemi të vërtetë në këtë histori. Sepse çfarë bën njëri në pushtet, tjetri e kundërshton në opozitë dhe pastaj, kur ky tjetri vjen në pushtet çon më përpara ato që ka bërë ai i mëparshmi. Këtu jemi në kushtet se kush do ta zgjidhë situatën e Shqipërisë, ta rrëzojë këtë tirani, ta ktheje sovranitetin në duart e popullit. Kush do t’i dalë për zot fateve të këtij populli. Është koha që njerëzit ta kuptojnë. Boll janë mashtruar, sepse është naivitet i madh, është vetëmashtrim i madh ky që bëjnë shqiptarët. Nuk i shpëton qytetarët asnjë nga këta politikanë të vjetër, të korruptuar. Këta vetëm i vjedhin dhe i shtypin shqiptarët, i plaçkitin. Shikojini sjelljet e tyre, le të shkojnë në parlament dhe të përleshen, deputetët e Partisë Demokratike dhe të LSI që shkojnë këtu. Le të shkojnë të përleshen me policinë, jo të bëjnë fjalime. Atje le të flasin banorët e cenuar dhe qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë. Këtë ftesë kam unë. Të gjithë ne do të jemi në atë protestë.

Ju pse nuk jeni atje?

Ne jemi atje për ditë. Të gjithë drejtuesit e Partisë “Zgjidhja” dhe shumë aktivistë tanët kanë shkuar çdo ditë. Por nuk kanë shkuar për të bërë fjalime. Edhe unë do të shkoj atje, jo për fjalime, por do të shkoj për protestë dhe për revoltë. Do jem një nga ata kryengritës dhe një nga ata luftëtarë atje për t’i mbrojtur këta banorë nga dhuna dhe mizoria e kësaj qeverie të pashpirt, e këtij pushteti pa ndjenja dhe pa njerëzillëk.

Duke qenë se thatë që shqiptarët mashtrohen, herë nga njëra palë dhe herë nga pala tjetër, që ndërrojnë vendet dhe u ndodh e njëjta gjë. A ka ndonjë mekanizëm që ta mbrojë publikun nga nja gjë e tillë?

Konfliktet sociale janë instrumenta lirie. Edhe ky ekzplozion do Zoti të rritet dhe të mblidhen atje të gjithë shqiptarët, dhe ta vënë përpara elitën politike dhe këtë qeveri. T’i zënë me dru dhe t’i nxjerrin këta të korruptuarit nga zyrat. Ajo është gjëja e vetme që duhet të ndodhë atje. Pa eksplozion social nuk do të ketë përparim drejt lirisë dhe demokracisë në Shqipëri. Nuk do të ketë progres drejt mirëqeverisjes dhe nuk do të ndërtohet kurrë një qeveri për popullin, e popullit, nga populli.  Na mjaftojnë 30 vite, besoj që, të gjithë ta besojnë këtë të vërtetë të thjeshtë. Na mjafton gjithë kjo dhunë, ky shkatërrim mbi sa e sa familje shqiptare, për ta kuptuar të vërtetën e hidhur të Shqipërisë dhe të qeverisjes së saj. “Zgjidhja” ka insistuar shumë herë qëllimisht, që njerëzit të kuptojnë se nga fillon zgjidhja e problemeve tona, nga mund të fillojë kjo zgjidhje, si mund të bëhet ky pushtet i njerëzishëm. Si mund të qeveriset Shqipëria pa arrogancë, pa dhunë dhe pa fatkeqësi. Nuk është e mundur që veprat e rëndësishme publike të shndërrohen në varrin e shumë banorëve, të shënojnë fatkeqësinë e këtyre njerëzve, dramat dhe tragjeditë e tyre. Jo. Kjo ndodh vetëm në këtë vend. Sepse këta duan ta shtypin dhe ta përgjakin popullin. Kur populli përgjaket, shtypet dhe varfërohet, dhimbjet e tij nuk e lënë që të merret me hajdutërinë e këtyre dhe me keqqeverisjen e tyre. Ftesa e “Zgjidhjes” është shumë e thjeshtë. Nis nga rikthimi i sovranitetit në duart e popullit. Nga rivendosja e zgjedhjeve të lira dhe të barabarta.

Pse nuk flasin për reformë zgjedhore këta? E kujtoni Lul Bashën para një viti e gjysmë kur ishte në çadër. Çfarë thoshte ai? Republika e re, thoshte. Ku fillonte Republika e re? Republika e re fillonte nga zgjedhjet e lira dhe të barabarta. E harroi Republikën e re, Lul Basha. Tani është në Republikën e marrëveshjes PS-PD, e pakteve të partive të vjetra, e konjukturës së tyre, e oligopolit të tyre. Këta janë bashkëaksionerët e kësaj historie. Këta i ndajnë paratë bashkë. Edhe paratë e Unazës së Madhe i ndajnë bashkë, të gjitha partitë e vjetra. Ata vjedhin bashkë kudo dhe manipulojnë popullin. Njëri shtyp dhe tjetri bën sikur e mbron popullin. Ndërsa kur ndërrojnë rolet, ky që është në krahun e viktimave vazhdon veprat, duke shtypur dhe shpronësuar pa para shqiptarët. Kështu që i ftoj shqiptarët të mos gënjehen nga këta. Ju bëj thirrje dhe banorëve t’i mbajnë larg manipulatorët e opozitës. T’i mbajnë nga rreshtat e fundit. Të ftojnë popullin atje, qytetarët dhe gazetarët, njerëzit e ndershëm nga e gjithë Shqipëria. Të ftojnë njerëzit e prekur dhe të goditur në Shqipëri, me qëllim që ky eksplozion social ta zmbrapsi dhunën dhe terrorin shtetëror. Por edhe ju, si gazetarë, e keni të pamundur të kuptoni këto mesazhe politike. Si mund të konkurroni ju, kur disa televizione marrin nga dhjetëra milionë euro në vit, peshqeshe nga qeveria? Si mund të konkurrojnë në një treg të tillë sipërmarrjet, kur konkurrentët marrin nga 100 milionë 200, 300, 400 milionë euro në vepra, të cilat në shumë vende të botës, do të ndërtoheshin me 20 për qind të këtyre parave. Ky vend nuk mund të funksionojë!/shekulli/

Please follow and like us: