DHUNA KUNDËR FEMRAVE – NJË PROBLEM I MADH BOTËROR
Nga Frank Shkreli/
“Për derisa gjysma e popullësisë botërore, e përfaqësuar nga gratë dhe vajzat, nuk jeton e lirë nga frika, nga dhuna dhe nga pasiguria e përditëshme, ne nuk mund të themi, me bindje, se jetojmë në një botë të barabartë”. (Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres)
Në dhjetor të vitit 1999, Asamblea e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka caktuar 25 Nëntorin si “Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër Grave dhe Vajzave”. Në deklaratën e OKB-së, dhuna kundër grave dhe vajzave përcaktohet si një, “Akt dhune drejtuar kundër femërave, që përfundon, ose ka të ngjarë të përfundojë në dëmtime fizike, seksuale ose psikologjike ndaj femërave, përfshirë kërcënime për akte të tilla, si detyrim me forcë, mohim lirie, që ndodhin në publik ose në jetën private”.
Tema e Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër Grave dhe Vajzave për fushatën Sekretarit të Përgjithëshëm të OKB-së për këtë vit, është, “UNiTE to End Violence against Women – Orange the World: #HearMeToo” — Të bashkohemi për t’i dhënë fund dhunës kundër femërave. Dita Përkujtimore kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave shënon fillimin e një periudhe aktivizmi kundër dhunës bazuar në gjini, me qëllim për të filluar një fushatë globale për të shtuar numërin e personave dhe të enteve qeveritare dhe jo-qeveritare që punojnë për të parandaluar dhe për t’i dhënë fund dhunës kundër grave dhe vajzave kudo në botë.
Dhuna kundër grave dhe vajzave është një manifestim i një mungese themelore respekti ndaj tyre, është shprehur Sekretari i Përgjithëshëm i OKB-së, António Manuel de Oliveira Guterres. Ai e cilësoi dhunën kundër femërave si një problem të madh global, “Një fyerje morale ndaj të gjitha grave dhe vajzave, një turp për të gjitha shoqëritë dhe një pengesë të madhe ndaj zhvillimit gjithë përfshirës dhe të barabartë për të gjithë”. Dhuna ndaj grave, shtoi udhëheqsi i OKB-së, përbën gjithashtu edhe një, “Dështim nga ana e burrave për të njohur dhe pranuar barazinë dhe dinjitetin e grave dhe të vajzave. Është një çështje e të drejtave të njeriut”, theksoi ai, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për zhdukjen e dhunës kundër grave dhe vajzave. Dhuna kundër femërave, nënvijoi Z. Guterres, jo vetëm që “dëmton individin e prekur nga kjo dhunë, por ka pasoja të rënda edhe për familjet dhe për shoqërinë, në përgjithësi.” Dhuna ndaj grave, u shpreh udhëheqësi botëror, është në thelb edhe një çështje politike. “Dhuna kundër grave është e lidhur me çështje më të përgjithëshme të ushtrimit të fuqisë dhe dominimit politik në shoqëritë tona. Ne jetojmë në shoqëri të dominuara nga meshkujt”, tha ai në mesazhin e tij me këtë rast. Mesazhi për të gjithë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës kundër grave dhe vajzave, porositi Z. Guterres, është se, “Për derisa gjysma e popullësisë botërore — e përfaqësuar nga gratë dhe vajzat — nuk jeton e lirë nga frika, nga dhuna dhe nga pasiguria e përditëshme, ne nuk mund të themi, me bindje, se jetojmë në një botë të barabartë, për të gjithë”.
Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Michael Pompeo, duke folur në emër të Shteteve të Bashkuara, theksoi gjithashtu në një deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër Femërave, se edhe nga pikëpamja amerikane, dhuna kundër grave dhe vajzave është një problem botëror që prekë miliona gra e vajza, anë e mbanë botës. Kryediplomati amerikan tha se çdo grua dhe vajzë duhet të ketë një jetë të lirë nga dhuna. Shtetet e Bashkuara, vazhdoi ai, janë të angazhuara që të promovojnë barazinë midis gjinive dhe të parandalojnë dhunën, ndërkohë që do t’u përgjigjen të gjitha formave të dhunës kundër grave dhe vajzave, kudo në botë. “Zhdukja e dhunës kundër femërave është detyrë e të gjithë neve”, nënvijoi Z. Pompeo, një përgjegjësi “e qeverive, e sektorit privat, e shoqërisë civile dhe organizatave fetare”. Në këtë drejtim, Shtetet e Bashkuara janë krenare të shënojnë këtë ditë ndërkombëtare kushtuar zhdukjes së dhunës kundër grave kudo në botë, tha ai në deklaratën e botuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër dhunës ndaj femërave. Për më tepër, “Shoqëritë që u bëjnë të mundur grave dhe vajzave pjesëmarrjen e plotë në jetën politike dhe ekonomike të vendit ku jetojnë, ato janë vende më të begata dhe më paqësore”, ka përfunduar mesazhin e tij Kryediplomati amerikan, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të zhdukur dhunën kundër Grave dhe Vajzave.
Siç venë në dukje jo vetëm deklaratat e Kombeve të Bashkuara dhe e Sekretarit Amerikan të Shtetit, por edhe prononcimet e qeverive dhe enteve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Zhdukur Dhunën kundër Grave dhe Vajzave — dhuna kundër grave dhe vajzave është një fenomen serioz dhe tepër i dukëshëm dhe mjaft i pranishëm edhe në shoqërinë shqiptare – qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë dhe mbarë trojeve shqiptare. Radio Evropa e Lirë në shqip, me ketë rast transmetoi një kronikë me titull, “Dhuna detyron gratë t’i shtojnë kërkesat për strehim në “Shtëpinë e sigurt”. Në raport citohet Sakibe Doli, konsulente e strehimores “Shtëpia e sigurt” në Gjakovë, të ketë thënë se numri i grave që kërkojnë strehim nëpër shtëpi të sigurta në gjithë Kosovën, është 10 për qind më i madh, krahasuar me vitin e kaluar. Sipas saj, arsyeja pse po ndodh kjo, mund të ndërlidhet me frikën që kanë për jetën e tyre gratë që përjetojnë dhunë. Radio Evropa e Lirë citon gjithashtu zyrtarë institucionalë që merren me të drejtat e grave në Kosovë, se dhuna në familje po e mposhtë drejtësinë. Sipas tyre, ndonëse në vazhdimësi janë raportuar rastet e dhunës nga ana e grave, drejtësia nuk e ka kryer punën e vet, theksohet në raportin e Radios Evropa e Lirë. Ndërsa Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe e shënoi Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër grave dhe vajzave me një raport nga Tirana mbi përpjekjet për ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare ndaj fenomenit të dhunës ndaj femrëave, duke filluar nga të rinjtë në shkolla. Si një shembull, VOA shqip pasqyroi përpjekjet që po bëhen — për ndërgjegjësimin kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave në shoqërinë shqiptare — në shkollën “Sami Frashëri”, në Tiranë e cila ka ndërmarrë një seri veprimtarishë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. Në këto takime po marrin pjesë edhe prindërit, të cilët po japin ndihmesën e tyre në këtë proces, theksohet në raportin e VOA-s shqip.
Shënimi i Ditës Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës kundër Grave dhe Vajzave edhe sivjet po shënohet si një përpjekje për t’i kujtuar botës se dhuna, e cilës do natyrë qoftë kundër grave dhe vajzave, është një shkelje e rëndë e të drejtave të tyre njerëzore, me pasoja të tmershme fizike, seksuale dhe mendore për vet femërat e prekura nga ky krim, por me pasoja negative edhe për familjet, shoqërinë dhe për vendin në përgjithësi, ku ndodhë dhuna kundër femërave. Sensibilizimi i shoqërisë ndaj këtij fenomeni të rëndë shoqëror është shumë i rëndësishëm për parandalimin dhe për zhdukjen eventuale të dhunës ndaj grave dhe vajzave, duke filluar madje edhe nga bankat e shkollës, siç është rasti i Shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë. Por sfida e madhe në luftën kundër dhunës ndaj femërave në shoqërinë shqiptare kudo, mbetet gjithnjë mungesa e zbatimit të ligjeve në fuqi, siç raporton Radio Evropa e Lirë nga Kosova. E vërteta është se ashtu siç ndodhë në mbarë botën, as në Shqipëri dhe as në Kosovë — megjithë ligjet në fuqi — nuk po bëhet mjaft nga organet kompetente qeveritare për të parandaluar dhe për të zhdukur këtë pikë të zezë të shoqërisë shqiptare — dhunën kundër grave dhe vajzave anë e mbanë trojeve shqiptare.
Por, përpjekjet e organizatave të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë viteve, përfshirë aktivizimin, në këtë fushë, të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, fatbardhësisht, kanë dalur deri diku me sukses që parandalimi dhe zhdukja e dhunës kundër grave dhe vajzave, të pakën, të tërheq vëmendjen e autoriteteve më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare, jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare kushtuar veprimtarive kundër dhunës ndaj Femërave dhe Grave, më 25 Nëntor./gazeta dielli/