Kleves Bitro: Pse Bode duhet të refuzojë Ramën?
Ndoshta për shkaqe të momenteve të vështira që po kalon Kryeministri Rama në shumë fronte me miqtë e tij të vjetër e relativisht të rinj anti Berishë, në fushën mediatike, por pa diskutim edhe në nivele reale të qeverisjes në raport me premtimet e mashtrimet ndaj qytetarëve, u gjet koha që të kishte një sajesë për shpërqëndrimin e vëmendjes në planin komunikativ. Pa pikën e qederit se çfarë ka broçkollitur me muaj të tërë ne Kuvend, në takime elektoralë, ne studio televizive apo përbetimet për burg pafund, Rama propozon Ridvan Boden për një vend pune në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Pa pyetur për Erion Braçen dhe për shumë e shumë të tjerë që sa nuk janë sharë nga nëna në histerinë e tyre anti Bode, për shkak të Berishës padyshim që kishte emëruar Ridvanin në krye të Financave, del Kryeministri dhe hedh në opinion një propozim jo të natyrshëm që të punësojë ish Ministrin e Financave të qeverisjes Berisha. Ky propozim vjen pas manovrës së suksesshme me rastin e Bregut, ish Ministres së Integrimit po të qeverisjes Berisha. Arsyet e Kryeministrit padiskutim janë diversive. A mund të japin rezultat? Personalisht mendoj që jo duke iu referuar rastit të Kastriot Islamit, apo punësimeve në administratë nga ana e Berishës të kundërshtarëve të Ramës, kryesisht të njerëzve të Nanos, por që nuk rezultuan ndonjë dobi domethënëse për pushtetin e Sali Berishës. Ajo që është interesante lidhet me pranimin ose jo të Ridvan Bodes të një vendi pune nga qeveria Rama. Padiskutim ky shkrim quhet sikur të mos jetë bërë nëse z.Bode ka emergjencë personale apo familjare atë vend pune për shkak të rrogës që i duhet të marrë për të paguar detyrime jetësore, kontraktuale që e çojnë në faliment apo të një situate të jashtëzakonshme. Megjithatë përveç këtyre që përmenda mbetet interesante përgjigja që do të vijë nga vete Ridvani. A bëhet fjalë për një ambicie të vazhdimit të karrierës së tij personale? Përgjigja mund të jepet me një kundërpyetje? A është pozicioni i një antari të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë më i lartë se posti i Ministrit? Jo. Atëhere nuk mund të jetë çështje karriere. A mund të jetë çështje hatërmbetjeje ndaj Lulzim Bashës dhe një rast kundërvënieje vendi i punës i ofruar nga Rama? Edhe mundet por në fund të fundit sa do e dëmtonte Bashën kjo lëvizje e karakterit të interesit personal dhe jo parimor? Në këndvështrimin tim aspak. Vetë z. Bode ka qenë gjatë gjithë kësaj periudhe i tërhequr nga përfshirja direkte aktive në opozicionin apo mbështetjen e lidershipit të ri te PD. Kjo është zgjedhje personale dhe jo e ngjashme fjala vjen me statuset kritikë nga fb që disa ish figura të PD bëjnë ndaj kreut aktual të demokratëve. Qëndrimi i Ridvanit ka qenë pra i matur gjatë gjithë kësaj kohe dhe serioz siç ka qenë qëndrimi i tij edhe si Ministër me integritet dhe shumë i palëkundur në çështjen e financave publike. Mirëpo a ka kush të drejtë t;i thotë sot Ridvanit se meqënëse ka qenë dje një ish Ministër nuk mund të kërkojë të vazhdojë të kontribojë në fushën financiare si njeri që e zotëron zanatin? Padiskutim që jo. Por a mundet ai si figurë e lartë e partisë më të madhe të opozitës të bëhet pranues i një vendi pune të ofruar aspak sinqerisht nga Rama? Padiskutim që moralisht nuk mundet dhe nuk ka pse ta bëjë. Karakteri i tij nuk besoj se e lejon dhe ecuria e tij e qëndrueshme dhe konsistente në krah të opozicionit real të Ramës kur ishte në Parlament, por edhe jashtë, nuk të lë përshtypjen se Ridvani mund të jetë një Majlindë nr 2. Nuk ka se si…