Albspirit

Media/News/Publishing

Reshat Kripa: Homazh për vëllanë tim, Myrteza Baboçi

 

I nderuar vëllai im i paharruar! Ju them vëlla se me të vërtetë kështu të kisha. Ti ishe burri i urtë, me një karakter të fortë, i pathyeshëm para tiranisë së diktatorëve dhe i papajtueshëm me prapaskenat e intrigantëve të pamoralshëm. Nuk besoja kurrë se do të isha unë ai që do të thoja këto dy fjalë të përmortëshme në përcjelljen tënde për në banesën e përjetëshme. Nuk besoja, se deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku qysh në fëmininë tonë, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për mendimin tënd, për fjalën tënde. Por ti ike. Zoti kishte vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri.
Ishim të rinj kur u detyruam të përballeshim me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Megjithatë nuk u thyem. Përkundrazi, patëm kurajon t’i kundërviheshim. Ato dallgë i përballuam me krenari dhe dinjitet. Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira. Po, i dashur vëlla, ti i mbijetove asaj kohe barbare, i mbijetove sepse në venat e tua rridhte gjak fisniku. Ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur Myrto! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj.
Por së fundi kohët ndryshuan dhe ti ishe gjithmonë në rradhën e parë të atyre që iu kushtuan demokratizimit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e sistemit gjakatar. Para syve më dalin ato ditë të zjarrta ku diskutonim për të ardhmen e atdheut tonë të përvuajtur. Diskutonim për frymën e nacionalizmit shqiptar. Këtë nuk do ta harrojë kurrë për tërë këta vite që më kanë mbetur për të jetuar.
Ti i përkisje asaj plejade që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për lirinë. Doje të jetoje i lirë, pa gjemba dhe ferra në rrugën tënde. Doje të jetoje në një botë të vërtetë. Por, për fatin e keq të atdheut, jetoje në një epokë të gabuar. Jetoje në atë epokë kur nuk mund të shprehje dot ato që ëndërroje, ato që të buronin nga zemra e madhe. Jetoje në atë epokë kur nuk mund të shprehje mendimet e lira, ndjenjat e shpirtit tënd të pastër. Jetoje në atë epokë kur kishe dëshirë për të jetuar dhe nuk të linin as të jetoje. Jetoje në atë kohë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij.
Të nderuar Familjarë! Mos derdhni lot. Nuk është zakon të derdhen lot për burrat e shquar. Atyre u thurren vargje, u këndohen këngë Myrtezai ishte një nga këta burra. Ju humbët me të vërtetë njeriun më të dashur tuajin, por edhe ne nuk kemi humbur pak. Ne humbën mikun tonë më të mirë. Humbëm mikun tonë për fjalën dhe këshillat e të cilit kishim shumë nevojë. Ne sot i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i Madh i Madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes Myrtezanë tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.
Qoftë i lehtë dheu që do i ra përsipër!

Please follow and like us: