Gëzuar Festën e Flamurit, nga të gjitha gjuhët e botës
Festa e flamurit sigurisht që ndezi zemrat e mjaft shqiptarëve dhe «skuqi» sheshe të shumë shteteve botërore. Nuk kish si të mungonte edhe atmosfera në Kanada. Shqiptarët në Montreal gëzuan në mënyrën e tyre duke e respektuar ditën e Pavarësisë. U organizuan mbrëmje shqiptare festive, të cilat mblodhën mjaft atdhetarë. Është nga të paktat ditë kur në i përkulemi plotësisht me nderim luftës dhe sakrificave të të parëve. Kur jeton në Montreal, nuk është fare e vështirë të kesh në shoqërinë tënde të ardhur të tjerë që u përkasin komuniteteve të tjera. Unë studioj pranë Cegep «Maire-Victorin» në Montreal. Unë jam e vetmja shqiptare. Miqtë e mi sigurisht që janë nga e gjithë bota, ka studentë nga Rusia, Kolumbia, Brazili, Kina, Haiti, India e Irani, doemos edhe nga të tjera vende. Kam gëzimin tim t’u tregoj atyre se sot është Dita e Flamurit të Shqipërisë. Gjatë pushimit, u tregova për vendin tim, ngjyrat e flamurit dhe cilat janë karakteristikat tona. Sigurisht që ndër tyre ka nga ata që na njohin pak, por ka edhe të tjerë që mund ta identifikojnë Shqipërinë nëpërmjet Nënë Terezës. Euforia ime për të ndarë me ta kujtimet e mia me atdheun nuk kish kaluar pa u vënë re. Vajza nga Kina, me të cilën ndaj bangën më pyeti se pse e kisha lënë atdheun kur jam kaq patriote. Qesha, më erdhi mirë që më kish dëgjuar. Edhe që ma bëri pyetjen më erdhi mirë. I thashë se unë do t’i kem përjetë sytë nga kam ardhur. I tregova se edhe kur kam qenë në Tiranë, çdo nëntor flamuri shqiptar valëviste në ballkonin tim. E kam ruajtur si traditë, dua t’ua mësoj fëmijëve. Jo vetëm në nëntor, por edhe në dekoret e shtëpisë sime nuk mungojnë detaje me motive tradicionale shqiptare. U tregova rrugëtimin e flamurit, historinë e nëntorit që fati e desh të përsëeritej te herë, u thashë sa e rëndësishme është ta kemi Kosovën sërish. Folëm shumë gjatë… U kërkova miqve të klasës të bënim një foto. U tregova simbolin e shqiponjës. Ai ishte momenti ideal, e mësuan, e deshë, e demonstruan. Të gjithë më uruan, më uruan Ditën e Flamurit dhe Pavarësinë e Shqipërisë. Më lumturoi fakti që edhe ata e mësuan, mësuan diçka nga vendlindja ime, mësuan flamurin, simbolin, mësuan ku bie Shqipëria./albanian montreal press/