Albspirit

Media/News/Publishing

“Gjon Pali dhe e bija”, lufta dhe dashuria në një foto të vitit 1913

 

 

ALMA MILE/Panorama, 29.11.2018

Ajo qëndron e ngrirë mbi trupin e të atit. Shamia e zezë i mbulon ballin. Njërën dorë ia mban mbi krye. A është ende i ngrohtë?

Është një veprim i natyrshëm i një ndarjeje të fundit apo ka pozuar…?! Rrallë e tek të ndodh që përpara një fotografie të të zgjohen kaq shumë ndjesi, pyetje, kureshtje… E me gjasë ishin pikërisht këto ndjesi, bashkë me interesin prej studiuesi, që e shtynë Qerim Vrionin t’i “vihet pas” për të gjurmuar historinë e një fotografie të shkrepur në vitin 1913 nga fotografi Kolë Maca (Shkodër 1882-1945). Në çdonjërin prej materialeve ku Vrioni e ka hasur këtë fotografi të rrallë, ajo mban poshtë shënime të ndryshme, por studiuesi e ka pagëzuar “Gjon Pali dhe e bija”. Dhe, hap pas hapi, kërkim pas kërkimi, kureshtja u kthye në një punë serioze, në një libër studimor, titulluar “Pikëllim në një foto të vjetër” (shtëpia botuese “Emal”), që prej pak ditësh i është shtuar tregut të librit.

GJURMIMI

I apasionuar pas fotografisë, me dëshirën për t’i shkuar deri në fund gjithçkaje, Qerim Vrioni e nisi rrugëtimin për te të fshehtat e një shkrepjeje, fillimisht prej kureshtjes për të mësuar më shumë rreth fotografit shkodran Kolë Maca, i shkolluar në Vjenë, pak i njohur, madje gati i “pa gjurmueshëm”.

“Nisa kërkimin e fotografive me autorësinë e Kolë Macës, në albume, organe shtypi, libra e, natyrisht, edhe internet. Së pari, gjeta ca foto të tij te disa kopje të revistës së vyer të viteve ’30, “Minerva”, të Nebil Çikës, ku ai punonte si fotoreporter”, tregon Vrioni, duke përshkruar natyrën e fotografive që realizonte Maca.

“Nga hulumtimet gjeta foton që paraqet një vajzë të përkulur mbi të atin e plagosur që po jep shpirt, në një faqe të shtojcës kulturore “La Domenica del Corriere” të gazetës së njohur italiane “Corriere della Sera”. Ajo ishte brenda një shkrimi me titull “La fine della Guerra Balcanica”, poshtë shënonte dhe emrin e autorit, Kol Maza (gabim, quhej Mazza). Më vonë pikasa foton në ballinën e librit të botuar në Itali (Milano) në qershor 1913 me titull “L’assedio di Scutari’ (“Rrethimi i Shkodrës”), të gazetarit Xhino Berri (Gino Berri), madje aty fotoja ishte edhe në ballinën e dytë dhe në faqen 133″, shprehet studiuesi, të cilin kureshtja e çoi te një tjetër burim, te libri i Ate Justin Rrotës mbi Rrethimin e Shkodrës, i cili është botuar në vitin 2010. Mes faqeve të librit ndodhej edhe fotografia e Macës, që mbante shënimin “Gjon Pali, i varruam në krye e në dorë. Te kryet e bija”. Ky shënim do t’i jepte studiuesit një tjetër informacion, emrin e burrit që dergjej në shtrat.

ÇASTI I FUNDIT, SI TRADITË ARTISTIKE

Mozaiku nis e formësohet. Studiuesi Qerim Vrioni krijon atmosferën. Na ofron një informacion mbi rrethimin e Shkodrës, ku ka mbetur i plagosur apo i vrarë edhe Gjon Pali, protagonisti i fotografisë. Por, ai nuk mbetet aty. E rëndësishme është të kuptohet se ajo shkrepje nuk është rastësore. Fiksimi i momentit të mbramë është i njohur në artin botëror, ndaj dhe autori na sjell shembuj veprash të mëdha. Një ndër to është edhe “Pieta” e Michelangelos, që gjendet në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan e ku paraqitet Shën Mëria me trupin e pajetë të Krishtit të zbritur nga kryqi. Një vepër e rrallë, që ngërthen në çdo gdhendje, dhimbjen e madhe njerëzore. Të tjera vepra me këtë temë kanë realizuar Andrea Mantegna, Annibale Carraçi, William Blake, Edvard Munch etj., për të vijuar në artet shqiptare te tabloja “Masakrat” e Zef Kolombit apo “Shokët” e Odise Paskalit. Në lëmë të fotografisë, ato, sigurisht që nuk janë të rralla, jo vetëm në traditën botërore, por edhe atë shqiptare. “Janë fotografuar pak çaste para nisjes së udhëtimit të tyre të fundit shumë shqiptarë, që nga fëmijë të vegjël deri te tëmoshuarit, vajza të veshura si nuse dhe luftëtarë duke mbajturdorën tek arma (kjo e fundit, sidomos në Shqipërinë e Veriut), gra hijerënda dhe burra nga qytetet”, thotë studiuesi, duke shpjeguar edhe karakterin e tyre familjar, atdhetar, fetar dhe shoqëror. E përbashkëta në të gjitha është dëshira për të fiksuar pamjen e fundit të fytyrës së njeriut, që është ndarë nga kjo botë.

BRENDA KUADRATIT

Pasi e vendos në një kontekst sa historik, aq edhe artistik, studiuesi Qerim Vrioni merret me analizën e fotografisë për të zbuluar nëse trimi është duke luftuar mes jetës dhe vdekjes apo ndoshta kjo e fundit tashmë e ka fituar betejën. Duke iu referuar disa kodeve zakonore, për mënyrën e të veshurit në raste vdekjesh, të gatitjes së të vdekurit, riza e zezë mbi kryet e vajzës, shamia shkuar poshtë mjekrës së burrit, rruzaret në dorë, etj., edhe vetë Vrioni është i ndërdyshur nëse fotoja ështër ealizuar para apo pas vdekjes së Gjon Palit. Por e sigurt është që kësaj fotografie, e cila është ekspozuar në një prej gazetave më të mëdha italiane, nuk i mungon estetika. Duke analizuar këndin e dritës, vendosjen e vajzës mbi trupin e të atit, këndin që krijojnë trupat e tyre, vatrat kryesore të fotografisë, pikëllimi që mbush kuadratin, Vrioni ndërton një “skenar” të mundshëm mbi mënyrën se si ështër ealizuar kjo shkrepje. Një fotografi që ka udhëtuar në kohë, prej atij viti të largët 1913 në Shkodër, për t’u publikuar në gazetën italiane, për t’u bërë pjesë e të tjera botimeve në shqip e gjuhë të huaj, për të ardhur deri më sot, si reflektim dhe dëshmi jo vetëm e një momenti të dhimbshëm, e një raporti të përjetshëm mes prindit dhe fëmijës, të dashurisë njerëzore, por gjykojmë se është edhe tjetër version për të paraqitur luftën.

Please follow and like us: