Albspirit

Media/News/Publishing

Viron Kona: Lopa e paturp 

 

 

 

Rrëfenjë

 

 

 

Udhëtonin tre liderë botërorë,

Rusvelti, Çërçilli dhe Stalini,

po shkonin në një konferencë,

hallet e rruzullit të zgjidhnin.

 

Befas një lopë u doli përpara,

sa gjatë-gjerë u shtri në xhade,

shoferi i binte pareshtur borisë,

por lopa e kishte marrë me nge’.

 

Shtruar për “shtatë palë qejfe”,

mbllaçitej  e shihte pafajshëm:

-Pse këta liderë e shqetësonin,

xhadenë e kishin t’përbashkët?!

 

-Nuk largohet jo, -psherëtiu shoferi,

duke u ndjerë i pafuqishëm e fajtor,

mbante përgjegjësi në orar t’i çonte,

të tre liderët më t’fuqishëm botërorë.

 

-Po provoj unë, tha Çërçilli dhe doli,

iu afrua lopës qetësisht e buzagaz:

“Zonjë, ju lutem, na e hapni rrugën,

ngutemi e s’presim dot asnjë çast”!

 

-Muuuu, – pëlliti lopa me zhurmë,

s’dua të lëviz, mos më shqetësoni,

kam ngrënë shumë, jam e lodhur,

po përtyp ushqimin, s’më shikoni?

 

-Shkoj unë, – tha butësisht Rusvelti,

-respekt dhe ngrohtësi do ajo e gjorë,

le të sillemi me takt, si xhentëlmenë,

meriton dhe ajo të drejta n’këtë botë.

 

“Zonjë, ju lutemi, veç një çast lëvizni,

keni nderin edhe për ne të mendoni,

sapo të kalojmë ju kthehuni përsëri,

qetësohuni, flini, bëni qejf sa të doni”!

 

-Muuuuu! – iu kthye lopa e nervozuar,

qenkeni t’çuditshëm, n’qejfin tim jam,

shihet qartë se para jush kam ardhur,

apo doni t’iu mësoj të drejtat që kam!?

 

-Ç`lopë e paturp!-tha nëpër dhëmbë Stalini,

dhe pa e zgjatur doli vrullshëm nga vetura,

i vajti pranë lopës, në vesh diç i pëshpëriti,

ajo shpejt e gjithë frikë u largua nga rruga!

 

-E dhunove! – e qortuan Rusvelti e Çërçilli,

Stalinin, që llullën mbante qetësisht në gojë.

-Jo, veçse i thashë, që nëse s’na hapte rrugë,

urgjent n’kooperativën bujqësore do ta çojë!

 

Please follow and like us: