Ibrahim Vasjari: Poema e Isuf Luzajt në librin studimor të Enver Memishajt
Në kolonadën e veprave studimore të Enver Memishajt, botimi i poemës “Prosopopea” të Isuf Luzajt, pajisur me referenca e shënime të hollësishme, analizuar me profesionalizëm dhe logjikë argumentuese bindëse, përbën pa dyshim një arritje të sukseshme për autorin. “Prosopopea” pasuron me prurje vlerash të reja kontributin e mirënjohur të E. Memishajt në fushën studimore, brenda profilit të tij tashmë të kristalizuar në rivlerësimin e figurave dhe “çminimin ideologjik” të historiografisë nga falsifikimi dhe deformimi i të vërtetave. Falë përkushtimit të tij studimor, u krye së fundi kthimi i kësaj “vajze të humbur” në gjirin familjar të epikës tradicionale shqiptare.
I angazhuar në një krijimtari të gjerë e të larmishme në shumë fusha të dijes, ndofta edhe vetë Krijuesi Isuf Luzaj e la jashtë vëmendjes atërore këtë “vajzë”, pa e kuptuar se mozaikut të tij i mbeti mangët një gur i çmuar. Por syrit hulumtues të Enver Memishajt nuk i shpëton gjë. Ai i gjurmon me këmbëngulje këta gurë rrëzëllitës, i qëmton me pasion nëpër arkiva e kujtesë brezash, i nxjerr nga jetimëria e i pastron nga “baltosja”, duke e bërë gjithnjë e më të plotë thesarin e vlerave kombëtare.
Me një strukturë të theshtë kompozicionale, por veshur artistikisht me figuracion të pasur, me një leksik të përzgjedhur në gurrën tipike labe dhe derdhur në metrikën e stilit klasik të vargëzimit, “Prosopopea” e Isuf Luzajt është njëherësh kujtesë, apel, dhimbje dhe klithmë. Autori thërret shpirtrat e kombit për të thithur e shpërndarë frymën e tyre, në një moment të hallakatur udhëkryqi historik. Mushkërritë e kohës kishin nevojë për oksigjen rilindës.
Në përshtatje me natyrën e “Prosopeas”, autori nxjerr nga bota e epikës sonë “Mrizin” e legjendave të Mujit e Halilit për të mbledhur në kuvend një “Senat të Epërm” korifejsh të kombit. Janë figura reale historike. Për t’u dhënë frymë të gjallëve, ata kapërcejnë kohën e braktisin vdekjen, rikthehen në përballje me sfidat tokësore. Diku i bren ndonjë merak a dert ende i patretur, por, të pamposhtur si dikur, përcjellin mesazhe optimiste, rrezatojnë hyjnisht energji mbijetese, forcë e besim në të ardhmen e “jetëgjatës Shqipëri”.
Në këtë poemë epiko-legjendare flasin yjet, gjëmojnë malet, harbon Lufta, “digjet flakë era dhe reja”, zgjohet e alarmuar nëntoka e fjetur. Kumti i mbitokës ngre në këmbë Plakun e Vlorës, “se shqiptarin s’e mban varri kur është ditë e Shqipërisë”. Ndërsa Bilbilin e Frashërit “nëpër ëndërr, nëpër gjumë, e thërret një zë si hije: Ngrehu, Naim se fjete shumë!”. Të emocionon veçanërisht skena danteske me Dervishin e Salarisë. Më thellë se plumbat, kryetrimin e Luftës së Vlorës e gërryen plaga e shpirtit, derti i vdekërimit pa varr, që e bën të endet përjetësisht në një kënetë.
“Prosopopea” himnizohen mjaft matirë të tjerë të kombit, idhtarë e luftëtarë të idealit kombëtar, nacionalistë të traditës rilindëse, miq e shokë armësh të autorit në ditë provash besnikërie e burrërie, si: Hysni Lepenica, Safet Butka e Neki Saliu. Së bashku me autorin, intelektualin e shquar shumëplanësh Isuf Luzaj, Kujtesa e kombit i ruan këta luftëtarë, dëshmorë e martirë nacionalistë të pastër e të pacënueshëm nga çdo “baltosje ideologjike”.
E, së fundi, një falënderim të veçantë meriton dora që tund djepin e këngëve të tilla të harruara, autori Enver Memishaj. Me botimin e “Prosopopeas”, ai i kthen mozaikut të larmishëm letrar të Isuf Luzajt gurin e munguar, duke i bërë kështu një shërbim të vyer fondit epik të letërsisë sonë, teksa zgjon edhe kureshtjen intelektuale të publikut të gjerë lexues.