Pëllumb Kulla: NIKO KIRKA, PATRIOTI DHE VEPRIMTARI I SHQUAR
In Memoriam
Sot në Nju Jork, në moshën 92 vjeçare mbylli sytë, Niko Kirka, miku im i shtrenjtë, një personazh vërtet i rrallë, shok i këtyre viteve amerikanë.
Nikoja pat lindur në truallin amerikan. Ishte bir i një patrioti shumë të fismë, Kristo Kirkës, njërit nga etërit e Vatrës, krahu i djathtë i Nolit, aktivist i shquar në emigracion sikurse dhe në atdhe pas kthimit familjarisht. Babai i Nikos shërbeu si përfaqësues në parlament dhe në detyra të ndryshme administrative, caktuar nga mbreti. Nuk u largua me ikjen e pushtuesve të huaj. Pagoi vetbesimin e tepëruar se meritat patriotike dhe e kaluara pa njollë ishin kredenciale serioze që do ta mbronin nga keqtrajtimi i mundshëm i “bijve të Stalinit” që erdhën në pushtet. dhe që Kristo Kirka, ashtu si edhe Fan Noli, i njihte mirë. Besim i kotë! Që në ditët e para komunistët atë e burgosën dhe plaku i shquar mbylli sytë në burgun famëkeq të Burelit.
Nuk e kalova masën me një jetëshkrim më tepër, teksa u ula të bëj homazh për birin e tij, Nikon. Por është dicka e veçantë, diçka e rrallë edhe kur tregon për shokun e tij të burgut. Babë e bir u bënë vërtet shokë burgu, sepse që në moshën 19 vjeçare, njeriut që u nda sot nga ne, iu hodhën hekurat. Nga burgu Niko Kirka doli pas katërmbëdhjetë vjetësh. La atje qelinë tok me babanë e tij të varrosur në humbëtirë dhe kaloi një jetë të mundimshme shtrënguar në punë të rënda në kanalet e komunales dhe vështruar shtrembër për ato që pat hequr prapa hekurave.
Nuk gjen dot kollaj një individ që të ketë sjellë kaq shumë histori kombëtare poshtë thinjave të tij të bukura. Në shoqërinë e tij të çmuar, miqtë e tij të ngushtë ku bëja pjesë edhe unë vetë, kemi mësuar më shumë se nga tërë librat e shkruar për vatranët, për autoqefalinë e Kishës Ortodokse, për Bostonin dhe “Diellin”, për pafundësinë e konflikteve shqiptaro-shqiptare mbi truallin e këtij vendi. Ky njeri të mahniste me kujtesën e tij fenomenale, me citimet e sakta me zhdërvjelltësinë e përmendjes së emrave të shumtë, datave të pagabuara që sillte ai në tregimet e tij. Ishin të shumtë njerëzit, që e vërenin me zili, siç e vëreja edhe unë, kulturën e tij historike, atë atdhetare, kulturën letrare dhe kulturën politike.
Niko Kirka është ndjerë i gjallë dhe i shqetësuar për shumë çështje që solli sidomos mënjanimi i komunizmit dhe transformimet që duhet të sillte tranzicioni. E kemi parë atë shumë luftarak, debatues dhe të papajtueshëm në qendrimin ndaj politikave paskomuniste për të përndjekurit, për mosdëshirën në rikthimin e pronave të grabitura, për mbajtjen kyçur pa skrupuj e pa shpjegim të dosjeve me mëkate, për dyfaqësinë e partive kryesore, pasardhëse të asaj enveriste…
Shëmbullor ishte angazhimi i tij pasional në kundërshtimin e përpjekjeve për të dëmtuar trashëgiminë e Peshkop Nolit dhe për mjegullimet e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare.
Dhe në shkrimet e Kirkës, (përmbledhur në vëllimin e tij dinjitoz “Për Mëmëdhenë”) lexuesit mund të venë re zhdërvjelltësinë e argumentimit, elegancën e shprehjes, gjuhën letrare dhe figurshmërinë si pajë e edukimit të shëndetshëm që mori ai në Liceun e Korçës. Aty çdokush shquan lehtësisht konseguencën e tij antikomuniste, përbuzjen ndaj inskenimeve katoviciane dhe keqardhjen për varfërinë e idealizmit, që Kirka nuk rreshtëte pa e nënvizuar edhe në intervistat e tij mbresëlënëse televizive dhe artikujt e mëvonshëm që i janë publikuar rregullisht.
Atdhetarizmi i këtij njeriu ka qenë gjithnjë i pashuar dhe frymëzues për ata që qarkonin rreth tij. Është interesant një episod në një takim me të ndjerin Ibrahim Rugova. Duke biseduar, Nikoja, pa kurrfarë bubullime, i rrëfeu atij se edhepse ishte korçar, e deshte Prishtinën po aq sa edhe Korçën. Rugova e falenderoi. “Falenderimi nuk shkon,” nuk iu ndënj pa thënë Kirkës, “Zotrote të më falenderoje po të isha francez!”
Presidenti Rugova e përqafoi dhe i kërkoi falje. Kjo dashuri e këtillë, shfaqur në brigjet e Nju Inglandit në sytë e të Parit të Kosovës e rriste personazhin tonë në përmasat e një dinosauri.
Dhe nuk kishte si të mos ishte Niko Kirka, një dinosaur nga ata që lindën në viset e Bostonit, nga ata që e morën atdhetarinë me qumështin e gjirit, dhe panë historinë e vendit, një herë që andej, pastaj nga dritaret e Liceut të Korçës, që prapa hekurave të burgut, nga fundi i kanaleve të komunales së Durrësit, nga grumbullimet plot ovacione të ndryshimeve sociale që solli fundi i shekullit… Me lirinë e fjalës si atribut i një njeriu të edukuar ashtu, i janë pranuar, herë me durim dhe herë me pezm, gërnjat kundër të metave të Vatrës së sotme, kundër Janullatosit, kundër figurave madhore shtetërore aktuale, edhepse kjo lloj drejtpërdrejtësie nuk i bënte hiç mirë interesave të tij të përditshme, atyre të këtushme dhe atyre në vendin ku lindi.
Por dinosaurët janë prehistorikë dhe duken pak të marrë, po aq sa dhe démodé duke qenë të rrallë dhe me vlera të padiskutueshme.
Ky dinosaur i vyer na la të pikëlluar me largimin e tij nga kjo jetë. Kolonia e shqiptarëve të Amerikës humbi një nga figurat karizmatike, që do të kujtohet gjatë si shëmbull për t’u ndjekur, si patriot që do të frymëzojë brezat e rinj të shqiptarëve që jetojnë fizikisht larg atdheut, por shpirtërisht nuk ndahen kurrsesi nga trualli arbëror dhe aspirojnë begatinë dhe prosperitetin e tij.
I qoftë dheu i lehtë këtij shqiptari të madh!