Albspirit

Media/News/Publishing

Ylli Xhaferri: ZOGU I GABUAR

 

 

Tregim i vërtetë

Biseda sa vinte e bëhej më e rrezikshme dhe më e thepisur, si dhe rruga alpine që përshkoja. Edhe pse jashtë ishte acar e zharrimë, shumë gradë nën zero, e vendi ishte mbuluar nga dëbora që kishte ngrirë kallkan prej thëllimit të egër, brenda në kabinë ishte sëkëlldi, një vapë mbytëse…Kjo ngaqë aty kishin filluar të fliteshin fjalë dykuptimëshe…S’isha i sigurtë nëse zagushia dhe angushtia vinte prej temperaturave të larta të motorrit ”Skoda” që uturinte mundimshëm bërrylave të rrugës së Vorenit drejtë Kalisit, apo dilemave përgjuese në udhëkryqet e monopateve të bisedës që kishte hyrë e dalë kaçakshe nëpër hulli e brazda të frikshme.

Djali ishte ushtar i ri, “rul” siç i thonin ato në zhargonin e tyre. Kthehej me leje. – Komisari, – vazhdoi ai me një naivitet fëminor, – na tregoi gjatë ditës fshatin grek që shtrihej në shpat të Melesinit. Po hapnim bunkerë artilerie në Leskovik, ngjitur me klonin, ku fshatrat e grekut dukeshin, ja, si në pëllëmbë të dorës. – bëri me shenjë djali. Ne, të tjerët, heshtnim. Lumjani, plaku thinjosh me një plagë të thellë në faqen e majtë, tundi paksa kokën, bëri “aha” me njëfarë shkujdesjeje…Dukej që mezi po e përmbante veten. – Kur ra nata, për habi, burra, – vazhdoi djali,- gjithë ai fshat sikur nuk ishte më. E përpiu terri. Një dritë këtu, një atje, pa kurrëfarë shprese. Atëherë, komisari na vuri në rrjeshtë, dha komandën për t’u vendosur në pozicion luftimi me front nga kufiri…-Shihni!- tha, me një gjest krenarie. – Afendikoi, njërit i jep dritë, tjetrit jo. Pabarazi. Marrin dritë vetëm të pasurit, sundimtarët…Kurse tek ne, tregoi me dorë fshatrat…Për të bërë çudi, burra, pse jo, ishte për të vënë kujën! Jetonin ma zi se sa ne në kohë të Zogut!- përfundoi djali dhe u mbështet krenar në krahun nga pasqyra, ku vështronte veten i gëzuar.

Pallavrahone!- tha shoferi nëpër dhëmbë, pa u marr vesh saktë se cilët ishin të tilla, fjalët e komisarit apo entuziazmi i djalit. – Pallavra! – shtoi mëdyshas, mesa dukej penduar për çka tha.- Kapitalizëm, njeriu për njeriun është ujk e çakall!…Pastaj frenoi fort teksa bëri një kthesë të furishme që gati desh na nxori nga rruga. – Dhelpra!- thirri, – nuk e patë? Vërtetë, në dëborë dallova siluetën e saj të zezë teksa zbriste nga mezhda e lartë e pashqetësuar nga frenimi i rëndë i makinës. E ka shurdhuar u-ja!- ndërhyri thinjoshi. – Është mbushur mali me dhelpra e ujq…Mua m’u bë sikur desh tha vendi.

Në kabinën e ngushtë ra përsëri qetësia. Unë mendoja për dhëlprën, pse jo edhe ujqërit…Për ku, vallë, ishin nisur!? Në kotecin apo vathën e kujt kishin për të mësyer dhe bërë hatanë! Shoferi ishte përqëndruar i tëri në timon, kurse lumjani thinjosh lëvizi duart si heshtja të qe gëzof, me të cilin përpiqej të mbulohej.

Eh, more bir!- iu drejtua thinjoshi ushtarit, por duke na rrokur edhe ne me vështrimin e tij të mprehtë. Kjo ndodhi ka bërë vaki në një fshat pa emër, por fshat i madha, ama. Pse jo, mund dhe të jetë fqinj me fshatin që ti ke parë…Fshati kishte një pyll të madh pranë. Pylli si pylli, më, në të ka zogj lloje-llojesh. Por fshati I bënte hyzmet dhe ushqente vetëm zogun më të bukur, si do zoti bilbilin. Ushqimin ia çonin banorët me radhë, derë pas dere. Një ditë radha i erdhi një djali të ri, që nuk kishte parë zog me sy në jetën e tij. Pra që nuk njihte asnjë lloj fluturaku…I thanë të bënte kujdes dhe bukën t’ia hidhte vetëm zogut më të bukur…Djali mori bohçen dhe bëri për në pyll. Hyri nëpër të, sipas porosisë nuk shihte as majtas e as djathtas. Gjuante dhe ruante t’i shfaqeshin zogjtë. Mundi iu shpërblye shpejt…Për herë të parë ndeshte një zog të vërtetë. Kokëmadh, symadh, sqepkërrusur, me një zë të çjerrë…Djali, pa njohur zog tjetër, ai iu bë më i bukuri i gjindjes së shpendve. Kështu që pa një e pa dy, hapi bohçen dhe thërmoi bukën sa zogu u ngop paqë. Djali i kënaqur që e realizoi detyrën u kthye për në fshat…

Në lëmë priste fshati…Mezi prisnin, kështu që veshëngrehur e pyetën njëzëri. Djali u tregoi fije e për pe gjithçka kishte parë e bërë. Ua përshkroi zogun në detaje e imtësi. Fshatarët shqyen sytë. Prej zogut më të bukur djali nuk po thonte gjë. As ngjyrat, as elegancën e qafës, as delikatesën e trupit, as embëlsinë hyjnore të zërit. Po ti paske ushqyer zogun e gabuar, more, bufin.!?- u hodhën të nervozuar. Fshati heshtte, i zemëruar dhe armiqësor. Jo! S;ka faj djali!-ndërhyri plaku më i motshëm me një mjekërr të bardhë. Fajin e kemi vetë, dërguam për një mision të lartë njeriun që nuk kishte parë kurrë zog me sy. Të parin dhe të vetmin që iu dha mundësia ta shihte, e quajti dhe më të bukurin. S’ka faj! Sy i pamësuar! Atëherë, ç’mund të zgjedhë.!?

Kjo ndodhi e viteve 80 të shekullit të shkuar më kishte dalë nga mendja. Por koha e sotme ma riktheu të gjallë, si dhe atëherë. Historia qenka si bari I keq, grami, u përsëritka po nuk ia shkule rrënjët…

Please follow and like us: