Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Mos hidhni gurë drejt Evropës!

Historia jonë kombëtare- pësimet dhe vuajtjet që kemi përjetuar në të kaluarën e largët dhe të afërt- janë shkollë për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Sa herë që jemi larguar nga Europa, kemi përfunduar në robëri. Sot, Europa dhe figurat përfaqësuese të saj, janë shndërruar në kontejnerë, ku shoqëria jonë, po i derdhë pasionet negative dhe frustrimet. E di, kemi arsye të kritikojmë. Të nervozohemi. Madje, shumë! Por jo të shajmë dhe të fyejmë

Duke sharë e fyer, ju po e forconi litarin që shqiptarët do t’i tërheqë prej Europës, dika tjetër. Dijeni: ky litar, për fat të keq, për çdo ditë po ndihmohet të forcohet, nga forca të brendshme dhe të jashtme. Pa dyshim, kjo do të ishte fitorja më e madhe e Serbisë dhe armiqve tanë. Njerëz, ndaluni dhe kultivojeni kujtesën. Dikur, të dalldisur, kështu brohoritej ndër shqiptarë: “Ne do të mbrojmë parimet marksizëm-leninizmit, dhe sikur të detyrohemi të hamë vetëm bar”.  Por, mendoni se çfarë kanë sjellë këtë gërvallje: Vuajtje, varfëri, vrasje, tmerre dhe një zymtësi që ende nuk arrijmë ta zbardhim. Për fat të keq, shkolla marksisto-lennisiste, duket qartë që, ka lënë gjurmë të thella në psikologjinë shqiptare, të Kosovës dhe të Shqipërisë. Duke na deformuar dhe shëmtuar në shumë aspekte. Ne, në vend se të shkëputemi nga kjo mendësi, e kultivojmë atë.  Kujt i duhet kjo armiqësi e shqiptarëve me Europën? Ku na çon ky diskurs kaq i egër? Pse duhet të përbuzim deri në këtë shkallë banale, figurat e BE-së, para këmbëve të së cilëve, deri dje jemi përulur? Çfarë tregon kjo mendësi? Këto pyetje, nëse nuk shtrohen sot, do të shtrohen nesër. Nga ata që do t’i gjykojnë veprimet dhe mosveprimet tona. Prandaj, shtiracakë, lini përrallat. Mos thoni që e doni Amerikën dhe e urreni Europën. Amerika është derivim i Europës. Është Europë. Edhe një gjë: vetëm në sistemet me prirje jodemokatike, tentohet me çdo kush të gjendet një armik, në mënyrë që të armiqësohet populli me dikë. Sot, kujt po i intereson një armiqësi e tillë?

***

Europa, nuk është Hahni, Brukseli, Mogherini, Berlini, etj. Europa jemi ne. Është liria jonë. Është e tashmja dhe e ardhmja, prandaj, të sulmosh atë, domethënë të mjegullosh total të ardhmen tonë. Duhet ta përsërisim vazhdimisht, sepse ne kemi kujtesë të shkurtë: ne jemi këtu ku jemi, pikërisht në saje të solidaritetit dhe vlerave europiane. Prandaj, Europa nuk është zgjidhje, është diçka jetike. Ndërkaq, në anën tjetër, po ashtu duhet ta përsërisim: për shqiptarët, sa herë nuk ka pasur Europë, ka pasur robëri.Prandaj, ndaluni dhe bëhuni më racional. Mosni me parulla- mos hidhni gurë e dru në Europë. Ne, nuk i kemi vlerat dhe zërin kumbues të Fishtës, që nëpërmes artit sulmonte Europën. Nejse, sot, të ndihmosh litarin që do t’i tërheqë shqiptarët kundër Europës, për mua është, të thërrasësh robërinë. E di, një ditë do të pendohen të gjitha ata që kukurisin kundër Europës, por mund të jetë vonë.  Në vend se t’ i ngulim shtizat kundrejt saj, duhet të kthemi prapa dhe të gjykojmë për veprimet tona të marra politike, gazin, dhunën, pazotësinë dhe terrorin. Fan Noli, dikur thoshte, këta tanët sillen si dhija e zgjebosur me bishtin përpjetë. Sot, më duket më aktual se kurrë ky mendim.

Please follow and like us: