Protesta e studentëve, jehonë edhe mediat e mëdha ndërkombëtare
Mijëra studentë të universiteteve shtetërore u ngritën sot në protestë para Ministrisë së Arsimit, protestë kjo që u përshkallëzua edhe nga studentët e Durrësit, Korçës, Elbasanit e Shkodrës, ku kanë kërkuar: anulimi i VKM për tarifa shtesë, përgjysmimi i tarifës së studimit, përmirësimi i kushteve të konvikteve, Bordi i Administrimit të ketë numër të barabartë votash mes fakulteteve dhe Ministrisë së Arsimit, duke shtuar një̈ përfaqësues nga studentët në bord. Ndërkohë krahas mediave në vend, edhe mediat e huaja kanë pasqyruar atë çfarë ndodhi sot, në një shkrim me titull: Studentët shqiptar, kërkojnë heqjen e tarifës shtesë. Mediat ndërkombëtare i bënë jehonë protestës së studentëve shqiptarë që kërkuan anulimin e tarifave për provimet e mbartura, përgjysmimin e tarifës së studimit dhe përmirësimin e kushteve të studimit.
Gazeta “New York Times“, pasqyron tërheqjen e qeverisë shqiptare nga vendimin për tarifën e provimeve të prapambetura, ndërsa thekson se nuk janë plotësuar kërkesat e tjera të parashtruara nga studentët.
Gazeta “Uashington Post” thekson gjithashtu se studentët do të vazhdojnë protestat e tyre derisa të plotësohen të gjitha kërkesat e tyre.
Lajmi pasqyrohet edhe agjencia “BalkanInsight”. Me titull “Shqipëria tronditet nga zemërimi i studentëve për tarifat e shkollimit”, kjo agjenci nënvizon se studentët bllokuan hyrjen e Ministrisë së Arsimit në ditën e tretë të protestës kundër rritjes të tarifave të shkollimit dhe vështirësive ekonomike.
Mediat e huaja i janë referuar agjencisë “Associated Press” për protestën e studentëve.
Sot ministrja Lindita Nikolla doli në një konferencë për mediat ku tha se një nga pikat e kërkesave, ajo për anulimin e tarifës shtesë për provimet e mbartura do të hiqet, duke bërë kështu që studentët t’ia dilnin mbanë, por sakaq këta të fundit kanë lajmëruar vazhdim të protestës pasi kërkojnë edhe plotësimin e tre kërkesave të tjera.