Albspirit

Media/News/Publishing

Reshat Kripa: Këngë të harruara

Këngë të harruara

 

I shkrova me  zjarr,

Në vitet skëterrë,

Tani plot me mall,

Në dritë po i nxjerr.                

 

Bisedë  me  zemrën

 

Çfarë ke  zemër që rënkon? Pse  s’më thua çfarë ke?

Porse zemra  drithëron dhe përgjigje nuk më kthen,

Çfarë po fsheh ti brenda vetes? Ç’është ajo uturimë?

Thellësi e zemrës sime, nxjerr një zë si një kushtrim.

 

Deri kur do të duroj, këtu  ndrydhur brenda teje,

E dëgjon ti shkrepëtimën që ushton fort rrotull meje?

Dua jetën, bukurinë, dua edhe trimërinë,

Dua shumë begatinë, por më shumë dua  lirinë.

 

Kështu foli zemra ime e unë shumë u turbullova,

Siç isha i çoroditur, zemrës time prapë i fola:

Nuk më sheh që jam i  mitur, n’atë flakë për t’u  futur

Jam në moshë  t’ ëndërroj, për  një jetë më të bukur.

 

Ti do që  të ëndërrosh? Por më të bukur a ka?

Se të fluturosh i lirë edhe të pushtosh gjithçka.

Por si një zgalem të zhytesh, në mes dallgve uturimë,

Edhe fjala jote e zjarrtë, të buças si një kushtrim.

 

Krejt pa pritur këto fjalë, mendjen time e  kthjelluan,

Seç u ndez një zjarr përbrenda, shpirti seç u turbullua.

Një shpërthim si një vullkan, një gjëmim si një tërmet

U ndez flakë zemra ime: Zgjohu koha më nuk pret!

 

Ah,  më zgjoi nga letargjia, atje ku unë kisha rënë,

Porsi një zog fluturova, lart  diellin për të zënë.

Pëshpërita  dy-tri fjalë, ushtoj zëri si bori:

“Për liri, për Shqipëri, për flamurin kuq e zi!“

 

Vlorë, shkurt  1951

 

Kushtuar ty

 

Fale zemrën që s’guxoi të të thotë dy tri fjalë,

Është premtimi zemrës sime, e kam dhënë e do ta mbajë,

Ia dëgjon zërin  bilbilit, bukur këndon në pranverë,

Ia ndien erën trëndafiles, që lulëzon plot me  erë.

 

Kështu foli zemra  ime, nuk e di a më beson?

Po besove Perëndinë, dëgjo zemrën që premton,

Të dua, seç foli zemra, e mahnitur para teje,

Vetëm ti je imja ëndrra, që s’do  shuhet kurrë prej meje!

 

Vlorë, maj 1951.

 

 

 

 

Please follow and like us: