Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Përtej përrallës së ujqërve që ‘pudrosen me miell’

 

 

Ka një përrallë të ujqve që ‘pudrosen me miell’. Këtë e dimë që nga fëmijëria, do të thoni. Po, por unë e kam fjalën për një përrallë të gjallë që merr jetë, që përsëritet e përsëritet dhe ditëve tona.

Në shtypin e shkruar herë pas here paditen persona të së kaluarës komuniste. Persona që na qenkan maskuar. Me jetë të dyfishtë. Kanë qenë emra në kulturë si shkrimtarë, muzikantë, piktorë, këngëtarë lirikë…por dhe bashkëpunëtorë të fshehtë të Sigurimit të Shtetit. E pakta, të tillët janë etiketuar si ‘ujq të pudrosur me miell’. Për fat të keq, këta i kemi peshqesh nga e kaluara. Nuk i shmangim dot dhe pse nuk i paskemi ditur të tillë.

Veç dhëmbët e thonjtë e përgjakur të këtyre ujqve u janë hedhur, u janë ngulur në fyt miqve të tyre artiste…

Ujq të fshehtë por me vlera artistike. Kanë kaluar vite. Këta burra tashmë janë thinjur, kërrusur, plakur. Vlerat ua mbulojnë disi thonjtë e dikurshme të ujkut, ndaj edhe durohen. Edhe tolerohen. Ata që e pësuan prej tyre, ata që dikur u burgosën, që humbën familjen, jetën, karrierën, ata viktimat harrohen. Ata i hëngri ujku i diktaturës.

Por, por, por…

Papritur dëgjon që të tillët shpallen ‘Nder i Kombit’. Kjo të revolton. Kjo nuk tolerohet. Po ndodh. Kemi persona që janë dhe spiuna dhe ‘Nder i Kombit’.

Dhe kjo përsëritet. Çdo President i Republikës në detyre shpall, NDERON mostra të tillë. Kjo është e turpshme. Të tillët, pa ua mohuar vlerat e shquara si artistë, nuk ke pse t’i shpallesh ‘Nder i Kombit’.

Kjo duhet të marrë fund.

Please follow and like us: