PËRSE KAMBANAT E PROTESTAVE NË FRANCË, MBËRRITËN EDHE NË TIRANË…!?
Ilir Çumani
Ka më shumë se një muaj që banorët e unazës se re protesojnë ditë e natë, në mbrojtje të banesave të tyre. Ata po bëjnë rezistencën më të pashembullt përballë një qeverie, arrogante e arbitrare, e cila, vetëm dhunon dhe nuk pranon të dëgjoj zërin qytetar.
Kambanat e protestave jelekë – verdhë dhe të studentëve në Francë, kumbuan aq fortë, sa u dëgjuan e mbërritën me shpejtësinë e erës edhe në Tiranë ….!
Pre ditësh, uragani studentor vërshon rrugëve të kryeqytetit të trazuar në këtë pragdimër të ftohtë, në një protestë krejtësisht legjitime, paqësore dhe apolitike, kundër një padrejtësie që e ka emrin “LUBI”.
Qeveria, u gjend e papërgatitur, e befasuar dhe e hutuar përballë protestave masive të studentëve, një situatë kjo e paprecedentë pas ngjarjeve të viteve ’90 – të, e cila, ka gjasa të përshkallëzohet edhe më tej nëse ajo vazhdon ende të bëjë shurdhmemecin e radhës.
Duhet të presim edhe pak, sa ti dalë plotësisht “anestezia” qytetarëve të këtij vendi, ajo “narkozë” e shpëlarjes së trurit që kryeministri i vendit e ka hedhë me shumicë nga mëngjesi deri në darkë, në gjithë këto vite të qeverisjes autoritariste dhe arrogante, përmes propagandës së shfrenuar në 95 % të mediave të blera prej tij, me ne krye me ERTV – në!
Kohë më parë, në një nga emisionet e radhës të gazetarit Arian Çani, në “Zonë e Lirë”, i ftuar ishte kryeministri Rama, i cili në një moment u shpreh:
“…. E dini kush është dallimi midis një të djathti dhe të majti…!? Kur i djathti shikon një lypës në rrugë, thotë: Ai, aty e meriton të jetë, sepse aq ka. Kur i majti shikon një lypës në rrugë, thotë: Ka diçka që nuk shkon me këtë shoqëri që ai është aty….”.
Dhe kush e bën këtë deklaratë? Cili është ai që e jep këtë leksion morali me zë e figurë në një media me audiencë kaq të lartë të ndjekjes dhe shikueshmërisë…!? Dëshpërimisht dhe fatkeqësisht, është Kryeministri i vendit, ai që ka prishur të gjitha balancat dhe ekuilibrat socialë të shoqërisë, duke e çuar atë në polarizim ekstrem.
Ai që ka krijuar një marëdhënie të ftohtë dhe vrastare me të vobektit e vendit më të varfër në europë, që bezdiset dhe sëkëlldiset nga mëngjesi e deri në mbrëmje prej tyre, ai, hipokriti dhe demagogu i pashembullt, që nuk lë pa përdorë e shfrytëzuar çdo hapësirë dhe mjet propagandistik për t’u shfaqur ai që nuk është, me synimin e vetëm, për të mbajtur dhe ruajtur pushtetin që i’a ka parë hairin, si askush politikan tjetër në Shqipëri.
Ai, që ka hapur gropën më të zezë sociale në këto 5 vjetët e qeverisjes, përmes një politike represive dhe antihumane në dëm të më të varfërve dhe në favor të më të pasurve.
Ai pra, Kryeministri i vendit, i cili, për të kaluar lehtë situatat e konflikteve dhe krizave që vetë i shkakton, sa herë që ndodhet ngushtë, shkon në garderobën kryeministrore, zhvesh kostumet super të shtrejnta dhe vesh çitjanet (brekushet) e tij karakteristike për të nisur lojën e aktrimit politik.
Me petktun e “bamirësit” në publik, sillet rrotull nëpër Shqipërinë e luksit dhe të mjerimit ekstrem, shtiret kinse me “përulësi” herë si kryetar OJF – je, herë si plaku i Vitit të Ri, dhe herë si një “filantrop” babaxhan në ndihmë të nevojtarëve, të cilët e shohin atë si vetë Zotin.
Betohet e “përgjërohet” përmes leksikut, gjesteve dhe batutave me lot krokodili në “mbështetje” për të pamundurit dhe të sëmurët, përmes programeve të formatit “Show” mediatik të stisura prej tij, i kuruar në mënyrë skrupuloze në çdo detaj, për tu dukur i kujdesshëm dhe i besueshëm në atë që thotë e bën.
E gjitha kjo, me synimin e vetëm, për të deformuar situatën dhe perceptimin publik mbi realitetin, për të magjepsur pas vetes shqiptarët e dëshpëruar dhe për ti mallëngjyer ata, që në fakt janë viktimat eskluzive të qeverisë së tij kakistokrate.
Ai, që e ka çuar vendin në humnerën më të rrezikshme sociale, duke nxjerrë dhunshëm, me pa të drejtë dhe pa asnjë studim të mirëfilltë analitik nga skema e ndihmës ekonomike plotë 20.000 familje të varfëra.
Ai, që e ka mbytur popullin e tij në taksa, dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë kanë përfunduar dhe përfundojnë djallëzisht në pak duar të miqve të tij përmes PPP – ve.
Ai, që e ka rritur borxhin publik duke i’a lënë në kurriz faturën e barrës financiare të këtij borxhi të frikshëm edhe brezave që vijnë, fëmijëve të këtij vendi që ende nuk kanë lindur.
Ai, që përdhosi dinjitetin njerëzor dhe prishi që në embrion ëndrrat, vrau shpresën e të rijnve, duke dëbuar nga vendi nëpër udhëkryqet e evropës e të botës plot 500.000 shqiptarë.
Ai, që burgosi më të mjerët e vendit, më të pamundurit, pleq e fëmijë, që donin pakëz dritë, pakëz ngrohje në të ftohtin e acartë, por që mjerisht, për shkak të varfërisë ekstreme që kryeministri u’a uli këmbëkryq në vatra çdo shqiptari, nuk mundën ta paguanin dot energjinë ekektrike.
Ai, që me policë bashkiakë, ka bërë dhe bën terror duke tërhequr zvarrë fshatarët, gra e fëmijë, shqelmon tezgat e tyre të vobekëta duke i konfiskuar atë çikë prodhimi të kopshteve familjare që e shesin sa për të nxjerrë bukën e gojës.
Ai, që tallet me 635.000 pensionistët e urtë, fjalëpak e fisnik të vendit, duke u’a ngushtuar edhe më shumë lakun deri në fyt, me një pension qesharak, që ua jep si lëmoshë sa për të blerë vetëm ilaçe dhe kjo nuk u mjafton.
Ai që tallet dhe bizdiset nga 6700 invalidët që ka vendi, dhe nuk u siguron atyre as minimumin e shërbimit dhe të mbështetjes ekonomike nga shteti për të përballuar denjësisht vështirësitë fizike dhe shëndetësore që ata kanë.
Ai, që vetëm taksën e ajrit që thithim nuk ka mundur të tarifojë deri tani, dhe këtë është gati ta bëjë në çdo moment.
Ai, që largon me dhunë nga strehimoret e konvikteve – geto të rijntë jetimë, të papunë, të pastrehë e të pambrojtur, u heq ndihmën ekonomike, i nxjerr në rrugë të madhe dhe i detyron nga sytë këmbët, të marrin rrugët e Evropës pa patur asnjë orientim se ku…(!)
Ai, që me paratë e taksapaguesve shqiptarë, në mungesë të një transparence të plotë, tenton të shpenzoj miliona euro për realizimin e një vepre publike, e me fadromat dhe rruspat e pushtetit që zotëron, shkatëron shtëpitë e qytetarëve duke nxjerrë në rrugë të madhe plot 350 familje me gra, pleq e fëmijë në pikun e të ftohtit, pa i kompensuar, (është detyrim ligjor dhe kushtetues kompesimi i shpronësimeve).
Ky veprim flagrant dhe arbitrar, vjen në kundërtshtim të hapur me Kartën Universale të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, me parimet më elementare të humanizmit dhe të jetës, që ka të bëjë me të drejtën që ka çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, si në çdo vend të botës, të ketë një strehë mbi kokë.
Së fundmi, ai, që pangopshmërisht dhe në mënyrë të pacipë, tentoi ditët e fundit të fusi duart në xhepat e zbrazura të studentëve më të varfër të Evropës dhe provokoi me këtë gjest, krizën sociale dhe depresionin më të madh kolektiv tek pjesa më e brishtë e shoqërisë.
Ai, pra, Edi Rama, dëshpërimisht Kryeministri i vendit tim, i yti, i joni, i juaji, i të gjithëve ne, tashmë i përket vetëm një të shkuare të trishtë, një bërthame njerëzish ekstremisht radikalë, pa kurrfarë lidhje me një forcë përparimtare politike të moderuar të së majtës.
Ai, nuk ka patur dhe nuk ka asnjë aspiratë dhe ideal të së majtës, të doktrinës së saj në mbrojtje të më të varfërve, të të pamundurve, të më të dobtëve në një shoqëri demokratike.
Sepse, në fakt, vetëm të majtë nuk ka sot Shqipëria. Ka vetëm një çetë të babëziturish e të pangopurish kleptokratë, që në shpërdorim të pushtetit, me politika shtypëse e represive dhunon dhe varfëron dita ditës qytetarët, duke i futur duart në xhepa popullit më të varfër të Evropës….!
Dhe tani, kam vetëm disa pyetje për të nderuarin dëshpërimisht Kryeministër të vendit tim! Ju lutem, mundet të na thoni se, cili homolog i juaj në detyrë, në rajon, Evropë dhe në botë, shpenzon kaq shumë energji duke vënë në dorë dhe manipuluar 95 % të medias…!?
Cili është ai kryeministër i përgjegjshëm për fatet e vendit, që ka si mision të vetëm mirëqënien e popullit dhe begatinë e tij, që një pjesë të madhe të kohës së punës, shmangë vëmendjen që duhet ti kushtojë problemeve kyçe të vendit, dhe si një adoleshent fluturak, tekanjoz, inatçor dhe qarraman, kacavirret 24 orë në 24 orë pas “kazanit mediatik”, (Facebook, Twitter, media vizive dhe ato të shkruara,), për qëllime propagandistike e deliri, me synimin e vetëm, për të ruajtur sa më gjatë pushtetin e tij me një staturë artifice, për të fituar imunitet nga zullumet e keqqeverisjes në dëm të vendit, në dëm të popullit…!?
Cili pra, është ai kryeministër serioz, i vetëdijshëm për barrën e madhe që mban mbi supe, që, për hakmarrje provinciale dhe infantile, i qepet këmba – këmbës të gjithë atyre qytetarëve dixhital, gazetarëve dhe mediave që nuk i vijnë pas oreksit, duke i shantazhuar dhe i kërcënuar me gjoba me të ashtuquajturën: “paketë antishpifje”…!?
Në cilin vend të botës demokratike, një kryeministër në detyrë, që administron përmes pushtetit pa kufi, të gjitha paratë publike, del e bërtet ashtu siç bën kryeministri i vendit tim, nga mëngjesi deri në mbrëmje…!?
Kryeministri ynë, kapardiset, fryhet si gjel, shan dhe ironizon me një cinizëm vanitoz figura të nderuara publike, diplomatë, artistë, politikanë, deputetë, gazetarë, opozitarë, njerëz të thjeshtë, poshtëron të gjithë ata që nuk janë në një mendje me të, kërcënon dhe denigron pushtetin e katërt, e në mënyrën më të paskrupull, guxon dhe bëhet i vetmi nismëtarë për të nxitur të ashtuquajturën “paketë antishpifje”, ngase kërkon të nxjerrë me çdo kusht ligje represive për të shuar zërin e kriticizmit, të drejtën e fjalës, për të ngushtuar hapësirat e lirisë…
Nëse e gjitha kjo është një nismë e nevojshme që duhet bërë, le të bëhet nga institucione të specializuara dhe të pavarura, por jo nga ju zoti Rama.
Sepse, le ta themi troç: ju jeni në konflikt të pastër dhe të hapur të interesit si kryeministër, ngase të gjitha zullumet e mbrapshta të vendit nisin nga ju, duke filluar nga korrupsioni administrativ dhe deri tek ai politik!
Ndaj, me këtë nismë, bëheni akoma edhe mosbesues, qesharak dhe aspak serioz, sepse në fakt, keni kohë që ndjeheni i frikësuar dhe jeni i futur në panik!
Ja përse kambanat e protestave në Francë, mbërritën edhe në Tiranë.
Protestat e ligjshme të studentëve, nuk mund të manipulohen dhe të çbëhen me tërheqje apo lëvizje strategjike të qeverisë, përmes anullimeve urgjente të VKM – ve dhe ulje – ngritjet e toneve të retorikës nga frika e revoltave masive, as me premtime joshëse që mund t’ju serviren atyre për momentin nga zyra e kryeministrit, sa për të zbutur rezistencën e tyre.
Tashmë, kjo revoltë, si një aparat sizmograf i kolauduar, parashikon tërmete edhe më të fuqishme.
Dhe këto tërmete që në thelb kanë krizat dhe plagët e mëdha sociale të shoqërisë, i keni krijuar ju artificialisht, për shkak të ambicieve utopike jashtë realitetit dhe fantazive tuaja të shfrenuara, kapriçove dhe egocentrizmit tuaj të pavend.
Ato janë protesta të një tjetër lloji, të pastra dhe të shëndetshme si vetë mosha e këtyre të rijnve, për një demokraci të munguar dhe të mohuar në këto tre dekada të tranzicionit të vështirë në Shqipëri. Është një lëvizje pa kthim, që nuk ka ndodhur kurrë më parë.
Janë protesta deri në zgjidhjen definitive të të drejtave të tyre legjitime, për rikthimin e dinjitetit njerëzor të nëpërkëmbur padrejtësisht nga arroganca dhe makutëria përmes keqqeverisjes, për vënien e një standardi të ri të demokracisë.
Ky, është vetëm fillimi. Ndaj, i nderuar dëshpërimisht Kryeministër i vendit tim, thërritini arsyes dhe veproni me një logjikë të ftohtë pendese. Asnjë shoqëri nuk mund të jetë e lumtur, nëse pjesa dërrmuese e saj është e varfër dhe e mjerë.
Humnera sociale ku e ke çuar vendin, asesi nuk të jep statusin e një burrështetasi që ju e pretendoni. Përkundrazi, për të gjitha këto arsye, ajo do t’ju lërë pas njollën më të zezë të turpit dhe një krimi të shëmtuar social në dëm të një populli që ju besoi sinqerisht dhe ju votoi…!