Albspirit

Media/News/Publishing

Manifest për “Vetingun Akademik”

Edmond Çata, PhD

Çfarë nuk është Vetingu Akademik:

Ditët e fundit studentët protestues kanë nisur të artikulojnë kërkesën për “vetingun e pedagogëve”. Po ashtu, ata kanë identifikuar në tabela me foto, pedagogë që sipas tyre kanë marrë para nga studentët. Disa ditë më parë theksoja që gjëja më e keqe që mund të ndodhte me bërjen publike të praktikave të plagjiaturës, ishte shndërrimi i saj në gjueti shtrigash. Ky rrezik, kërcënon edhe vetë idenë e Vetingut Akademik: Vetingu Akademik nuk mund të barazohet me ndëshkimin e disa pedagogëve që marrin ryshfet! Sepse ryshfeti ka qenë i dënueshëm me ligje!

Çfarë është Vetingu Akademik

Konsiston në 6 tipare:

Së pari, ai ka në shënjestër veprimtarinë e 3 aktorëve kryesore: 1) universiteteve publike, 2) Ministrisë së Arsimit, dhe 3) Agjencive Publike që mbulojnë Arsimin e Lartë;

Së dyti, ai synon 3 gjëra: 1) spastrimin e universiteteve publike nga njerëzit e padenjë për të qenë pjesë e tij, 2) dhënien e kontributit në rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe universiteteve publike përmes futjes në system të njerëzve të denjë, ndryshimin e praktikave të deritanishme, dhe hapjen e universiteteve publike ndaj konkurrencës së lirë, dhe 3) ndryshimin e gjendjes në kërkimin shkencor përmes ekzaminimit të praktikave dhe kapaciteteve dhe hapjes rrugë të ndryshimeve konkrete;

Së treti, ai ndërmerret në mënyrë të pavarur nga këta aktorë: 1) nga universitetet, sepse i konsideron ato pjesë e problemit, jo zgjidhje e tij; 2) nga qeveria, sepse konsideron se reforma e saj në arsimin e lartë ka dështuar të prekë zemrën e problemeve; 3) nga agjencitë publike, që mbulojnë arsimin e lartë sepse i konsideron ato të paafta për ta bërë vetingun; 4) nga të gjitha partitë politike, majtas apo djathtas, të qendrës apo të periferisë, sepse i konsideron ato të gjitha njësoj përgjegjëse për situatën e sotme në arsimin e lartë dhe universitetet shqiptare;

Së katërti, ndërmarrja e tij justifikohet nga dhe ngrihet mbi 2 premisa. Premisa e parë ka të bëjë me rolin dhe rëndësinë e jashtëzakonshme të Universitetit Publik në ndikimin dhe përcaktimin e cilësisë së arsimit të lartë në përgjithësi dhe të universiteteve publike në veçanti. Rëndësia e universitetit publik shprehet në rolin e “lokomotivës” që ai luan, në traditën ku e ku më të konsoliduar 70-vjeçare që ai ka në raport me universitetet private, në diversitetin, potencialin, dhe disponueshmërinë e resurseve akademike, financiare, infrastrukturore që i ka ku e ku më të mëdha se universitetet private; dhe në faktin që universiteti publik ka qenë, është, dhe do të mbetet gjithmonë, për një numër arsyesh, zgjedhja e parë për studentin shqiptar! Premisa e dytë ka të bëjë me rolin dhe rëndësinë e sistemit të universiteteve publike (SUP). Ky sistem, në të gjithë botën, konkurron me universitetet private në cilësi, për resurse financiare dhe njerëzore, për influencë, dhe për prestigj. SUP mund të shndërrohet në burim cilësie dhe mund të përcaktojë standarde vetëm në rast se vete SUP strukturohet dhe funksionon mbi konceptin e universitetit “flamur” (“Flagship University”). Ne Shqipëri, rolin e “flagship university” dhe të lokomotivës mund ta luajë, dhe i takon ta luajë vetëm një universitet: Universiteti i Tiranës. Në këtë kontekst, vetingu akademik nënkupton bërjen të mundur të 3 gjërave: 1) që UT të vendoset në shinat e bartësit dhe përcaktuesit të cilësisë dhe standardeve të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor duke flakur jashtë vetes të gjithë ata persona dhe praktika të padenjë për të si institucion; 2) që Universiteti i Tiranës të rithemelohet në bazë të konceptit të qëndrueshmërisë financiare (“financial viability”) i cili nënkupton kombinimin e fakulteteve që “sjellin” para në buxhetin e institucionit me ato fakultete që “hanë” para nga buxheti i institucionit; dhe 3) që UT t;i nënshtrohet një ristrukturimi tërësor nga një pseudo-universitet, me pseudo-fakultete, dhe institucion-feud apo çiflik të rektorit dhe dekanëve të radhës, në një institucion me organizim dhe drejtim korporativ; ku fakulteteve aktuale të UT t’i bashkëngjiten fakultete të tjera që sot emërtohen në mënyrë qesharake si “universitete” si dhe pasurohet me 4 fakultete të reja si Fakulteti i Mjedisit dhe Turizmit, Fakulteti i Edukimit, Fakulteti i Administrimit Publik, dhe Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit. Ky ristrukturim do ta ngrinte UT në nivelin e universitetit “flagship”, do të mundësonte qeverisjen e tij mbi praktika institucionale korporatiste, do të kontribuonte në eliminimin e fenomenit të çifligarizimit të institucionit, në uljen e kostove dhe menaxhimin me të mirë të burimeve financiare.

Së pesti, në raport me universitetet publike ai shqyrton 7 aspekte: 1) kredencialet e shkollimit – sepse në universitetet publike kush nuk “jep” sot mësim; japin mësim edhe pedagogë me kredenciale të nderuara shkollimi; por janë future dhe japin mësim edhe derri edhe dosa, ata që vetëm mësim nuk mund të japin; 2) kredibilitetin e titujve akademikë – sepse sot, është mbushur Shqipëria me njerëz që mbajnë tituj doktor, profesor i asociuar, profesor por që më aftësitë e vërteta që titujt-mbajtësit kanë, kanë degjeneruar dhe bastarduar vetë nocionin, kuptimin, dhe simbolikën e këtyre titujve; 3) veprimtarinë shkencore – e keqja më e tmerrshme që ka pllakosur sot universitetet dhe shoqërinë shqiptare është mbushja e tyre me një profesorat që vetëm shkencë nuk di të bëjë; që raporton aktivitet shkencor fiktiv; që merr pjesë në konferenca pseudo-shkencore, pseudo-ndërkombëtare; që nuk është në gjendje të prodhojë kërkim shkencor në funksion as të shkencës, as shkencës aplikative, as të informimit dhe përmirësimit të politikave të qeverisjes, dhe as të tregut dhe shoqërisë; 4) përgatitjen metodologjiko shkencore – sepse sot, kur vjen puna për të shpjeguar mungesën ose cilësinë e dobët të veprimtarisë shkencore, çështja reduktohet në “ka apo nuk ka para për kërkimin shkencor”. Kur në fakt, shumica e profesoratit nga të cilët pritet, dhe supozohet se janë në gjendje të bëjnë kërkim shkencor, në fakt, janë krejt të paaftë për të bërë kërkim shkencor, qoftë prej mangësive në shkollimin e tyre, qoftë edhe për shkak të modeleve problematike të përgatitjes së shkencëtarëve dhe kryerjes së aktiviteti shkencor në institucionet shqiptare; 5) Aktivitetin si titullar institucioni – akuza më e madhe që bëhet sot ndaj universiteteve publike është abuzimi me burimet financiare, vjedhja dhe përvetësimi i fondeve për interesa individuale, shfrytëzimi i pozicionit të drejtuesve të institucionit për avancimin e interesave vetjake, bërjen e ndereve, krijimin e rretheve klienteliste, stimulimin e praktikave korruptive nga maja deri në bazë. Nisur nga postulati që “pushteti korrupton” vetingu akademik do marrë në shqyrtim pikërisht mënyrën se si elitat dhe drejtuesit akademike kanë qeverisur dhe menaxhuar mandatet e tyre drejtuese dhe vetë institucionin; 6) Aktivitetin pedagogjik – ata që vuajnë më shumë të paturit në auditor të pedagogëve të paaftë, abuzues, mit-marrës, hakmarrës janë studentët; në këtë kuptim, vetingun e këtij aspekti e obligon dështimi i universiteteve publike për të qënë serioze në politikat dhe praktikat e ndjekura se cili individ meriton të punësohet dhe lejohet të japë mësim në auditor; e obligon praktikat e shndërrimit të vendit të punës “pedagog” në një mundësi për të bërë favore, marrë në punë derra dhe dosa por jo ata që kanë mbaruar në universitete perëndimore ku e ku më të mira; e obligon nevoja për të flakur jashtë ata që vetëm pedagogë nuk mund të jenë dhe hapur mundësitë për të gjithë ata që e meritojnë; 7) Pasuria dhe asetet –  ata që akuzohen për korrupsionin më të madh nuk janë pedagogët e thjeshtë sesa elita drejtuese e universiteteve në nivelet Rektor dhe Dekan. Vetingun e pasurisë së drejtuesve të universiteteve, e obligon fakti që janë ata që kanë në dorë edhe aksesin në burimet financiare; janë ata prapa vendim-marrjes që përcakton përdorimin dhe shpërndarjen e burimeve dhe fondeve financiare.

Së gjashti, në raport me veprimtarinë e Ministrisë së Arsimit dhe agjencive publike që operojnë në fushën e arsimit të lartë, ai shqyrton 4 aspekte: 1) Marrëdhëniet dhe praktikat institucionale me universitetet– vetingun e obligon qarkullimi në publik i tezës se Ministria e Arsimit iu ka bërë institucioneve private të arsimit të lartë një trajtim preferencial dhe iu ka dhënë përparësi në kurriz të institucioneve publike; obligohet nga praktikat e Ministrisë së Arsimit që i ka vendosur universitetet publike, vetë direkt apo nëpërmjet agjencive të saj, në situatë varësie, deprivimi, dhe kufizimi të ushtrimit të kapaciteteve qeverisëse të drejtuesve të universiteteve; ai obligohet më së fundi edhe nga bllokimi i aktivitetit dhe funksionimit normal të veprimtarisë së universiteteve përmes modelit të “VKM”-ve duke bërë që universitetet në vend që të forcojnë dhe zhvillojnë kapacitetet e tyre qeverisëse dhe politikë-bërjen akademike të bien në pasivitet dhe shndërrohen në pritës të urdhrave që lëshon Ministria e Arsimit me VKM; 2) Rolin e bordeve dhe agjencive publike – vetingun e obligon qarkullimi në publik i tezës se bordet dhe agjencitë publike që operojnë në arsimin e lartë janë kthyer në vende ku përplasen interesa grupesh dhe klanesh dhe ato, në vënd të kontribuojnë në ecurinë pozitive të universiteteve janë transformuar në pengesë; 3) politikat dhe praktikat e rekrutimit të stafit për këto institucione– vetingun e obligon nevoja për të qartësuar cilësinë e stafit të këtyre institucioneve që mbajnë përsipër tyre një peshë dhe barrë shumë të rëndësishme, si janë punësuar, a kanë kapacitetin arsimor, eksperiencën profesionale dhe jetësore për tu “treguar” universiteteve çfarë duhet të bëjnë; dhe së fundi 4) Përmbajtjen e politikave – vetingun e obligon qartësimi i konceptit të qeverisë së ditës, institucioneve dhe agjencive të saj për aspekte të veçanta të arsimit të lartë, të institucioneve; e obligon nevoja për të qartësuar mënyrat se si qeveria mendon të luajë rolin e vet në raport me universitetet, zhvillimin institucional të universiteteve, mësimdhënien, kërkimin shkencor, studentët; sepse ajo që vëzhgohet, dhe komentohet, është tendenca e Ministrisë së Arsimit dhe agjencive të saj për të “mikro-manaxhuar” universitetet, publike apo private, në një kohë që ato nuk disponojnë as stafet, as Know-How, as autoritetin, dhe as mundësinë reale për të vendosur dhe përcaktuar edhe për gjërat më të vogla që iu duhet universiteteve të bëjnë në veprimtarinë e tyre të përditshme; dhe së fundi, obligohet për të verifikuar në praktikë se si dhe sa gjen shprehje dhe materizalizohet në praktikë nocione të tilla si “liri akademike” apo “autonomi institucionale”.

Please follow and like us: