Albspirit

Media/News/Publishing

Edi Rama: Për 8 pikat dhe jo vetëm

Është momenti për të ndarë me ju disa mendime, në kushtet kur prej 9 ditësh, universiteti është vënë në qendër të vëmendjes së të gjithë opinionit publik. Ka një protestë të studentëve, që shoqërohet me një debat të vazhdueshëm dhe ju nuk jeni asgjëkundi. Kam parë gjithfarë njerëzish të përfshirë në këtë debat, studentë, pedagogë, politikanë, gazetarë, qytetarë, qeveria, në mënyrë të pashmangshme, por asnjëri nga ju s’është dukur asgjëkundi.

Natyrisht, këtë nuk e them për të kërkuar pse ndodh një gjë e tillë, sepse ju jeni të zgjedhur nga radhët e universitetit dhe patjetër që nuk merrni urdhra nga qeveria. Por, sidoqoftë, kjo është një çudi për mua, që unë dua ta shpreh edhe publikisht. Ndërkohë që, nëse nisemi nga 8 pikat që studentët kanë kërkuar, një pjesë jo e vogël e atyre pikave i takojnë universitetit, ju takojnë juve si përfaqësues të universitetit, bazuar në ligjin e ri për Arsimin e Lartë. Më vjen mirë që në dy ditët e fundit, disa senate janë vënë në lëvizje. Më vjen keq që kanë publikuar deklarata hipokrizie dhe që nuk adresojnë themelin e çështjes.

Nuk po hyj në aspektin tjetër të protestës, që është aspekti që faktikisht përbën edhe shqetësimin më të madh dhe që nuk përfshihet në 8 pikat e kërkesave të adresuara, që lidhet me frustrimin e tmerrshëm që kanë studentët për korrupsionin universitar.

Përpara sesa të hynim në këtë fazë, protesta nisi me një shkak konkret, lidhur me një tarifë. Tarifa e provimeve të mbartura është një tarifë e kërkuar nga ju dhe ju këtë, as mund ta mohoni dhe as mund të bëni sikur e keni harruar në momentin kur ajo bëhet problem. Është një tarifë e propozuar nga ju, për të cilën ministrja e Arsimit, si në të gjitha rastet, qysh në krye të herës, ka kërkuar konsensusin mes jush.

Unë nuk hyj në meritën e atij vendimi, pse e keni marrë dhe si e keni marrë, por një gjë është e sigurt, që ai vendim që është marrë në maj nga qeveria nuk ka qenë i ditur për studentët. Është njësoj si Parlamenti të kalojë një buxhet dhe një paketë fiskale dhe detyrimet fiskale të qytetarëve dhe të bizneseve të mos bëhen të ditura dhe shteti t’iu shkojë në shtëpi dhe t’u thotë, më sill këto para, se m’i ke detyrim, pa e informuar më parë se e ka detyrim.

Në vetvete, kjo edhe mund të ndodhë njëherë, që një tarifë e vendosur nuk u përcoll si informacion te studentët, por që të çohen në protestë studentët e universitetit dhe të kërkojnë publikimin e buxheteve dhe të shpenzimeve online, është fundi. Kjo të rreshtohet te kërkesat që i bëhen qeverisë, ndërkohë që kjo është jo “A”-ja, se “A”-ja fillon kur fëmija shkon në shkollë, kjo është e para gjë që i bëhet fëmijës kur vjen në jetë. Ja, sesi janë buxhetet, ja sesi shkojnë sot. E vërteta është që disa i kanë. Nuk është e vërtetë që të gjithë universitetet nuk i kanë, por fakti është që studentët nuk i dinë.

Thënë këto, mos mendoni se kam ardhur këtu të shkarkoj mbi ju përgjegjësitë që janë të qeverisë, por një gjë dua t’jua them, në leximin tim, protesta e studentëve është një shuplakë për qeverinë, është një grusht për opozitën, është një shpresë për opinionin publik. Se çfarë është për ju, ju do ta gjeni vetë, nuk më takon mua t’ua them, sepse unë respektoj jo vetëm autonominë tuaj me ligj, por edhe autonominë tuaj të të nxjerrit të konkluzioneve të vetes tuaj, por dhe të universitetit. Me siguri është për ju diçka dhe me siguri, hap pas hapi, ju do të shikoni që kjo protestë lidhet në radhë të parë me ju, në thelbin e vet. Kur them me ju, nuk flas për personat, flas për universitetet.

Vijmë tek tarifat, që sigurisht janë përgjegjësi e universiteteve për t’i propozuar dhe përgjegjësi e qeverisë për t’i pranuar.

Si ka mundësi që sot e gjithë ditën, studentët nuk e dinë fare se çfarë janë tarifat, nuk e dinë fare sesa është kostoja e secilit prej tyre për shtetin, nuk e dinë fare që 75% të kostos së tyre e mbulon buxheti i shtetit dhe nuk e dinë fare se nga burojnë tarifat?!

Çfarë i kushton universiteteve, çfarë i kushton secilit prej jush që Senati Akademik të funksionojë me fuqi të plotë dhe me kompetencat e plota që jep ligji për Arsimin e Lartë?

Ligji për Arsimin e Lartë e thotë shprehimisht, që i takon Senatit, jo vetëm të ketë dijeni, por të ketë dhe vendimmarrje mbi këto tema.

Jemi të gjithë të vetëdijshëm, të paktën, – besoj, – këtu në këtë sallë, që nuk ka debat, që ligji ri për Arsimin e Lartë i ka dhënë një hapësirë të re autonomie universiteteve.

Janë në të drejtën e tyre shumë studentë, janë në të drejtën e tyre dhe shumë qytetarë që të mos e kuptojnë kur unë them që është e pamundur për mua, është e pamundur për qeverinë që t’i zgjidhin nga lart poshtë disa çështje kyçe, sepse universiteti ka autonomi. Por nëse ka ardhur dita që ju të fshiheni, kur duhet t’i dilni ju përballë studentëve për disa çështje që kanë të bëjnë me universitetin, nëse ka ardhur dita që ju të shkelni syrin dhe të mbyllni dyert që studentët të dalin në rrugë, nëse ka ardhur dita që trupat brenda të ndahen në “të partive” dhe për llogari të partive të nxisin studentët të dalin në rrugë dhe nëse ka ardhur dita që t’ia lini rrugës fatin e studentëve dhe të mos merrni pjesë, jo në marrëdhënien e krijuar mes protestuesve dhe qeverisë, se nuk jam fare për këtë këtu, por në marrjen e përgjegjësive në një situatë ku përgjegjësia është shumë e qartë, – të paktën për mua dhe për qeverinë është shumë e qartë, edhe për ju, – atëherë, më falni, por duhet ta rishikojmë autonominë universitare.

Mbase ka qenë e parakohshme, mbase ka qenë e nxituar që ne të sanksiononim një autonomi universitare që e bën rektorin, e bën dekanin, e bën drejtuesin e universitetit krejtësisht të pavarur dhe të paprekshëm nga qeveria.

Kam dëgjuar që ka një argument, që Bordi i Administrimit ka shumicë të zgjedhur nga qeveria. Është e vërtetë, ka shumicë të zgjedhur nga qeveria, sepse qeveria është financuesi kryesor. Ashtu sikundër është e vërtetë edhe tjetra, që, ligi i ri për Arsimin e Lartë, që të gjithë strukturat, që Bordi i Administrimit, që vetë universiteti, sot janë më mirë seç ishin dje, kjo nuk diskutohet, s’ka të krahasuar me dje, por ama janë shumë larg së qeni aty ku ne do të kishim dashur dhe duam të ishte sot.

Kam kërkuar të di një rast në një universitet, kur ka ardhur një propozim për Bordin e Administrimit dhe është penguar nga shumica, që e ka qeveria. Asnjë rast. Në asnjë rast, shumica në Bordin e Administrimit nuk është përdorur nga qeveria, apo nuk është përdorur nga anëtarët në Borde, për të penguar një vendimmarrje si rezultat i një propozimi të ardhur nga Senati, apo nga kushdo qoftë.

Nuk po them që Bordi i Administrimit ka funksionuar shumë mirë. Unë nuk e mbroj këtë mendim. Madje, unë mbroj mendimin që Bordi i Administrimit për sa i përket qeverisë duhet të shkarkohet i gjithi dhe ata që janë përfaqësues të Bordit të Administrimit duhet të zëvendësohen me persona publikë, me profile publike. Shumë dakord!

Por pyetja është që në këto kushte, autonomia universitare është bërë arratisje nga përgjegjësia e universiteteve. Domethënë, kur mendoj që rektori i Universitetit të Tiranës është një person i arratisur nga përgjegjësia, është një person që akoma sot nuk është i vetëdijshëm që ka bllokuar disa dekanate, vetëm e vetëm për arsye të mos arsyes, për tendera, kjo mua më shpëton nga kapaciteti për të kuptuar se ku jetojmë. Nuk kam absolutisht asnjë arsye të akuzoj dhe asnjë arsye ta ngarkoj me përgjegjësi që nuk i ka dhe kur them për tendera, nuk aludoj për asgjë, por thjesht konstatoj me keqardhje të madhe që rektori i Universitetit të Tiranës nuk ka kuptuar ligjin për Arsimin e Lartë, nuk ka kuptuar që është aty për politikat.

Si shpjegohet që Universiteti i Tiranës harxhon 6 milionë euro për roje sigurie, ndërkohe që të gjitha institucionet e arsimit harxhojnë vetëm 200 000 euro dhe zero për kërkim shkencor. Zero!

Kam parë të dhënat e buxheteve, zëri kryesor në buxhete është automjete dhe orendi për zyrat. Kam parë specifikim nga një universitet ku dekani kërkon veturë 76 mijë euro. Nuk ka problem, le ta ketë, por këto gjëra duhet t’i dinë të tjerët. Nëse senati mblidhet dhe thotë, dekani ynë meriton një avion dhe voton dhe kjo publikohet online dhe studentët duartrokasin sepse dekani është një njeri, i cili ka nisur të mendojë sesi do çojë në hënë trupën e tij, atëherë të blejë avionin, madje të bëhet një protestë që dekani të pajiset me një avion, por të shohësh shpenzimet e universitetit dhe këto disbalanca ekstreme, më falni por ku hyn qeveria këtu.

Jo për të hequr përgjegjësinë, e përsëris, por për t’ju thënë që, nëse deri më sot jam i gatshëm të marr përgjegjësitë e mia dhe jam i gatshëm ta pranoj atë pjesë të shuplakës mbi qeverinë që ka dhënë kjo protestë, pasi kam besuar më shumë sesa duhet tek ajo autonomia universitare, nuk jam më i gatshëm.

Studentët kërkojnë t’u rritet pesha e votës në zgjedhje. Ju si mendoni, se ky është një debat. Se është shumë kollaj të fshihesh, por është njësoj si t’i fshihesh një zjarri që ka rënë në katin e parë, duke qëndruar në katin e tretë, ndërkohë që zjarri shkon për lart, nuk shkon për poshtë.

Unë nuk po flas për gjëra që i takojnë qeverisë, po flas për gjëra që lidhen drejtpërdrejtë me mënyrën e funksionimit të universitetit. Ma thoni ju lutem, si i përgjigjeni ju dhe si përgjigjem unë dhe si i përgjigjet një qeveri e tërë, një turme protestuesish që thotë, “nuk dua dialog, por e dua këtë kështu”. Nga 10% në 50% peshën e studentëve në zgjedhje.

Nuk kam ardhur t’ju kërkoj të bëni punën time dhe të lehtësoni komunikimin, në kushtet kur po ndodh diçka e pa ndodhur. Hera e parë që një protestë studentësh mbahet gjallë, duke refuzuar zgjidhjen dhe kjo nuk është mister, nuk do as shkencë e nuk ka nevojë të jesh as politolog për të kuptuar se kush e ka mbjellë këtë farë. Fakti që pjesa më e madhe e studentëve, jo ata që qëndrojnë atje para Kryeministrisë, por pjesa më e madhe e studentëve që dolën, që janë mbështetje, që presin zgjidhjen me të drejtë e jo vetëm për këto, por dhe për shumë gjëra të tjera, a nuk e meritojnë vallë një reflektim?

Këtu ka protagonistë të lëvizjes studentore të ’90-s. Unë i njoh disa. Ajo që ka kërkuar lëvizja studentore e ’90-s, që doli për të shembur një regjim, ishte dialogu dhe aty dolën ata që patën më shumë zemër, nuk ishte se kërkohej konsensusi i gjithë dynjasë që ishte në shesh se është një absurd, por a nuk meriton një reflektim kjo, se deri ku i kemi lënë ne studentët e deri ku është niveli i kuptimit të demokracisë dhe ku është niveli i kuptimit të forcës së tyre si individë dhe jo si pjesë e një turme, sado e nderuar dhe e respektuar të jetë kauza e turmës.

Mendimi i universiteteve është i rëndësishëm, është i rëndësishëm mendimi i studentëve, por është i rëndësishëm dhe mendimi i pedagogëve. Por pedagogët, disa janë fshehur, disa janë nën akuzë, disa të tjerë e shikojnë këtë punë me kënaqësi, disa të tjerë shpallen të proceduar nga policia, ndërkohë që policia nuk ka bërë asnjë procedim penal. Policia nuk ka bërë asnjë procedim penal për asnjë protestues dhe për asnjë pedagog dhe është një lajm i rremë i përhapur gjithandej si një e vërtetë. Tjetër anë, përgjegjësia e policisë që nuk ka bërë përgënjeshtrimin në kohën e duhur.

Ky proces nuk mund të përjashtojë trupën pedagogjike e aq më pak t’ju përjashtojë juve. Si mund të vendos unë, si mund të vendosi qeveria dhe si mundet unë ta bëj gabimin fatal që t’i përgjigjem këtij lloj ultimatumi me “po” dhe me “jo”?

Ndërkohë që djalli është në detaje, thonë dhe çdo pikë nga këto nuk ka nevojë për një “po”, ose për një “jo”, se unë i kam “po” të gjitha pikat, por ka nevojë për “si”. Do bësh këtë, por si?

Ata kërkojnë rishikimin e titujve akademikë. Keni tre vjet autonomi universitare. Çfarë keni bërë për titujt akademikë? Kush do ta bënte? Ta bëja unë, apo Ministria?

Shumëkush që e shikon nga jashtë universitetin ka tendencën të thotë që gjërat kanë shkuar më keq. Jo, gjërat kanë shkuar më mirë. Patjetër, por kanë shkuar më mirë brenda zonës ku nuk është mirë fare. Pra, nga thellësia e atij ferri ku ishte universiteti ka filluar të spostohet për më lart, por as nuk e ka arritur atë pikën ku del drita, përkundrazi është shumë larg. Ama ne i dhamë fund një kohe kur titujt vendoseshin nga Ministria, apo jo? Që i certifikonte Ministria titujt akademikë. Ia lamë universitetit. Më thoni që e kemi bërë gabim që ia kemi hequr Ministrisë, ia kemi hequr influencës politike të Kryeministrit që të ndajë doktoratura e të ndajë indulgjenca akademike. Se sot, të gjithë thoshin masiviteti i madh përpara Kryeministrisë, – ka më shumë doktorë e profesorë universiteti, sesa ka protestues para Kryeministrisë – që është një dramë. Kush ta bëjë këtë, unë?

Unë jam absolutisht i bindur që kjo nuk mund të lihet më kështu. E e ka pasur universiteti dhe ne gjykuam që inteligjenca në universitet ka shumë më tepër kapacitet dhe integritet, sesa çdo burokrat i ministrisë dhe sa çdo figurë politike e influencuar nga axhenda politike në një traditë mizerabël, ku titujt janë bërë indulgjenca e nuk kanë fare lidhje me shkencën, një pjesë e madhe e tyre. Ne gjykuam që gardiani i cilësisë dhe i procedurës së titujve duhet të jetë universiteti, nuk mund të jetë Ministria, siç ishte deri dje. Po tani, ju ku jeni këtu? Se kjo është një çudi e madhe, vijnë i kërkojnë tek ne.

Kërkojnë përfaqësi në Bordin e Administrimit. Përfaqësi në Bordet e Administrimit është diçka që ne mund ta konsiderojmë shumë seriozisht, edhe pse nuk është praktikë, por do duhet të largojmë ata që janë nga universiteti nga Bordet e Administrimit. Se qeveria nuk mund ta lëshojë kontrollin, aq më tepër pas gjithë këtyre gjërave që janë verifikuar, nuk mund të lëshojë kontrollin mbi financat dhe ata të Bordeve të Administrimit meritojnë të shkarkohen, jo se kanë penguar ushtrimin e veprimtarisë apo autonominë, por sepse janë bërë edhe ata pjesë e një mënyre të pari apo të gjykuari që është inercia që ne kemi dashur dhe që ligji i ri frenon në të vërtetë.

Por prapëseprapë, kjo nuk është diçka që bëhet se ndodhi një protestë, apo se ecuria është e tillë, apo se ku di unë se çfarë. Kjo është diçka që duhet bërë me largpamësi. Do një diskutim dhe më e bukura është që në gjithë këtë, unë mendoj që më shumë se unë, të interesuar për dialogun jeni ju, se është dialog për universitetin.

Nuk është në interesin tuaj të bëni mbledhje farsë senatesh e të bëni sikur po merrni në konsideratë kërkesat. Edhe fakti që ju mblidhini senatin dhe thoni që senati vendosi të marrë në konsideratë kërkesën tregon që janë kërkesa që ju duhet t’i kishit marrë ju në konsideratë me kohë se nuk janë kërkesa që i ka qeveria, por kjo është pozitive.

Më mirë vonë se kurrë, por ajo që ne na duhet është që të reflektojmë lidhur me kush është hapi tjetër. Jo me protestën, me universitetin. Se nuk mund t’ia lejojmë vetes që të ikin dhe tre vjet të tjera dhe të kthehemi prapa e të themi, ku ishim? Asgjëkund. Çfarë bëmë? Asgjë. Përkundrazi, ne e kemi përgjigjen edhe për këtë, por dëshira dhe vullneti im është që përgjigja të jepet në sintoni me të gjithë.

Ata kërkojnë ndërtimin e bibliotekave. Po të shohësh raportin e shpenzimeve për automjete, vetura, për roje, – se çfarë i kërcënon universitetet që duhet të kenë kaq shumë roje sigurie, unë nuk e di, se çfarë sekretesh të punës shkencore për armët atomike, apo kimike, apo inteligjencën artificiale fshihen në universitete që duhen kaq shumë roje, unë nuk e di, mbase ka se unë nuk jam në brendi, mbase zhvillohen studime sekrete, – por që të angazhosh kaq shumë roje për të mbrojtur dokumente doktoraturash me titullin “Folklori shqiptar dhe politika e jashtme e Shqipërisë në rajon” më duket shpenzim i madh. Nëse rojet vihen që këto lloj doktoraturash të mos influencojnë negativisht publikun, pra, të mos bien në dorën e askujt, sepse kush i lexon, mund të çatrafiloset, kjo është nga pikëpamja humane e pranueshme si një akt vetëdije dhe humanizmi, por përndryshe, çfarë e ka penguar universitetin që t’i bëjë disa gjëra e nuk po flasim për gjëra të mëdha.

Ka dhe një gjë tjetër që kërkojnë studentët dhe kjo është gjëja më spektakolare për mua, që tregon sa të dëshpëruar janë studentët, asnjëra nga ato të tjerat, që ajo është kulmi i dëshpërimit, sesa të qorruar janë nga dëshpërimi. I kërkojnë qeverisë vlerësimin e performancës në mësimdhënie. Është një nga pikat. Më falni, si e vlerëson qeveria performancën në mësimdhënie? Në tekste dhe në kërkim shkencor.

Gjatë këtyre viteve, dy herë më ka ndodhur të më thonë s’duam të dëgjojmë. Një herë kur doja të bëhesha kryetar i Partisë Socialiste, që nuk më pranonin dhe tani që jam Kryeministër.

Po marr mesazhe, përpiqem të dëgjoj njerëz dhe përpiqem të kuptoj çfarë kërkoni këtu, ku hyn qeveria tek cilësia e performancës së mësimdhënies dhe dëgjoj për librat e pedagogëve që shiten me zor, që kondicionojnë notën, që janë përkthime keq. Dëgjoj për histori nga më të çuditshmet. Po ku hyn qeveria?! Si mund ta bëjë Kryeministria, Ministria e Arsimit, vlerësimin e cilësisë së teksteve të mësimdhënies, etj., që do të thotë që duhet një qasje e përbashkët dhe komplekse. Nuk është e thjeshtë.

Që do të thotë që hapat që kemi bërë, me të cilat në një mënyrë ose në një tjetër, nuk po them të kënaqemi se unë nuk kënaqem asnjëherë, por e konsiderojnë pozitiv rezultatin e punës, nuk mjaftojnë. Por ajo që për ne është pozitive, për ata që e konsumojnë sot produktin e këtij pozitiviteti është krejt e pamjaftueshme.

Ndërkohë që universitetet kanë një kufi të vendosur nga qeveria, jo më shumë se 33% e librit të pagave duhet të shkojë për personel jopedagogjik, joakademik, janë 1000 e kusur punonjës që paguhen nga buxheti i universitetit dhe që nuk kanë asnjë lloj titulli dhe asnjë lloj lidhje me pedagogjinë dhe janë punonjës.

Çfarë jeni ju, kryetar komunash?! Kryetarët e komunave që ne zhbëmë, apo kryetarët e bashkive nëpër provinca që shfrytëzojnë buxhetet për të punësuar njerëz kot. Do më thoni që kjo është histori e ligjit?! S’ka lidhje fare. Do më thoni që kjo është një histori e Bordeve të Administrimit? Dakord, por ne këtu kemi qenë dhe nuk besoj që këtu ka një nga ju, një frymë të gjallë këtu që mund të çohet e të më thotë se ministrja e Arsimit, apo Kryeministri aq më pak, më kanë ndërhyrë për një gjë të vetme. Janë njëmijë e ca punonjës. Nëse ju çoheni dhe thoni këtu sinqerisht, se një frymë të vetme e keni futur në punë se ju ka ndërhyrë ministrja e Arsimit, apo se ju ka ndërhyrë Kryeministri, atëherë ma lini mua fajin dhe jam unë që i kërkoj ndjesë popullit dhe iki.

Por njëmijë e ca rroga, ndërkohë që dalin studentë e verbër, që s’kanë as lehtësinë më të vogël dhe nuk wshtw ngritur ky problem një herë. Unë nuk e kam dëgjuar. U desh protesta që unë të dëgjoja që studentët e verbër s’kanë gjënë më minimale.

Për mua, 8 pikat e ngritura janë vetëm parathënia e një libri që është shumë i ngatërruar, por që patjetër duhet kaluar i gjithë dhe duhet korrigjuar i gjithë. Nuk diskutohet që gjithçka dhe gjithkush që nga ana e qeverisë ka pasur lidhje me Arsimin e Lartë ka përgjegjësi. Ky është gjykimi im.

Nuk jam unë që duhet t’ju them juve sesa përgjegjësi keni. Jeni ju që duhet ta nxirrni përgjegjësinë tuaj.

Unë nuk jam më ai që isha përpara kësaj historie, në raport me universitetin.

Protesta do të mbarojë një ditë, studentët do të kthehen prapë në gjendjen normale, kurse mua, sa të jem kryeministër, do më keni protestues për çështjet e universitetit. Nëse mundësitë janë të kufizuara, të gjithë kuptojmë, por, nëse brenda mundësive të kufizuara, t’i loz me tjetrin, askush nuk kupton. Nëse ti ke 5 lekë, të gjithë kuptojnë se me 5 lekë nuk bëhet një punë për 500 lekë. Por nëse nga 5 lekë, 4 lekë ti i çon për lumë, askush s’të merr vesh.

Kjo është historia e universitetit!

Jam marrë me universitetin vetëm në një moment, kur kam parë 4 dekanë të shqetësuar, të alarmuar për mosmarrëveshje me Rektoratin. Kam takuar rektorin, dekanët dhe jam përpjekur të ndihmoj dhe kam kuptuar një ngërç të madh që vjen jo nga ligji, por që vjen nga mungesa e mbase dëshirës, kapacitetit, të dyjave bashkë për t’iu nënshtruar ligjit dhe jam përgjegjës unë, sepse nuk kam mundur dhe s’kam ditur si ta çoj më tutje, përderisa është diçka në zonën e autonomisë universitare. Por kjo nuk do të vazhdojë më kështu.

Midis të qenit i tërhequr përballë mureve të larta të universitetit, në emër të autonomisë universitare dhe rrezikut të të qenit bashkëfajtorë për çfarë ndodh brenda mureve, unë do të zgjedh gjithmonë të luftojë me këtë rrezikun. Çfarë ju kërkoj juve është, mos u fshihni më. “Mos u fshihni” nuk do të thotë dilni në TV dhe mbështesni qeverinë. Këtë nuk duhet ta bëni sepse na dëmtoni në këtë faze, fatkeqësisht, sepse për shkak të reputacionit mizerabël të një pjese të stafit pedagogjik, ju po merrni përditë hijen misterioze të fajtorit, padrejtësisht për shumë nga ju këtu. Por ajo që unë dua të them me “mos u fshihni” është që këtu nuk është në lojë një gjë e vogël, është fati i universitetit. Që do të thotë se universiteti nuk mund të jetë më siç ishte, pas kësaj. Këtë do ta bëjmë sëbashku dhe në këtë, ju keni një rol kryesor.

Nëse studentët kanë arsyet e mosarsyes për të qëndruar kaq të distancuar, për të pasur frikë nga dialogu me mua, ju nuk mund t’i rrini larg dhe ju nuk mund të mos flisni me ta për disa të vërteta që po ngatërrohen edhe ato. Të ruhen disa të vërteta që janë të vërtetat e një ecurie pozitive dhe të ruhen disa të vërteta që janë të vërtetat e qëllimeve të mira dhe e rrugës së mbarë që ka përvijuar ligji i Arsimit të Lartë. Këto duhet të ruhen.

Nuk ka nevojë për TV, por ka nevojë për ngrohtësi, për komunikim, që atyre njerëzve t’u jepet mundësia të kuptojnë që nuk janë numra. Nuk janë as ushtarë nëpër kazerma, nuk janë as masa të paakomodueshme për shkak se në 2009-ën, për të njëjtën infrastrukturë u trefishua numri i studentëve. UBT ishte po ai, Universiteti “Ismail Qemali” ishte po ai, UT ishte po ai dhe papritur e pakuptuar u futën trefishi i njerëzve. Kjo është një bombë demografike brenda universiteteve dhe kjo i ktheu studentët në numra dhe i bëri kapacitetet menaxhuese të shpirtrave krejtësisht të pamundura dhe kapacitetet menaxhuese të mendjeve shumë të vështira, jam shumë dakord.

Por në këtë moment është koha për të mos u fshehur më. Ky është mesazhi im dhe sigurisht që s’ka qenë problem asnjëherë dhe s’është problem dialogu me ju. Kjo që po bëj nuk është një zëvendësim i dialogut që duhet me studentët, por dialogu duhet sepse 8 pikat, plus të tjerat nuk janë “Po”, “Jo”, janë “Po dhe si”.

Ata që e kanë mbjellë farën e keqe të bllokimit të dialogut e kanë një qëllim. Qëllimi është na e jep me shkrim, pafolur. Nëse unë ta jap me shkrim, pa folur, futem në ciklin “thellohu, thellohu”, ju e dini çfarë është. Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë, por kjo është temë tjetër.

Unë ju falënderoj dhe shumë respekt që erdhët në një kohë kaq të shkurtër. Shpresoj që, duke qenë shumë i sinqertë dhe drejtpërdrejtë me ju, të kem qenë mjaftueshmërisht edhe i qartë, lidhur me çfarë realisht po kalon në këndvështrimin tim, raporti mes studentëve, qeverisë, universitetit dhe publikut. Pozicionin tuaj në këtë konfiguracion, përgjegjësinë tuaj dhe kontributin tuaj e përcaktoni ju vetë. Ju nuk vareni nga qeveria dhe nuk është absolutisht e drejta dhe detyra ime që të them që ti s’po punon mire, ti po punon keq, por ama njerëzit duhet ta kuptojnë që në këtë histori kemi të bëjmë me një zonë autonome të veprimtarisë shoqërore, ku qeveria ka patjetër rolin dhe përgjegjësinë e saj, por ku barra kryesore në menaxhimin e të gjithave i takon universitetit.

Please follow and like us: