Shkrimtari që rrënoi një perandori
Michael Scammell
Kur ra Bashkimi Sovjetik, në vitin 1991, ekspertët ofruan një sërë arsyesh për dështimin e tij: ekonomike, politike, ushtarake. Disa menduan të shtonin një shkak të katërt, më të pakuptueshëm: humbjen totale të kredibilitetit të regjimit.
Ky proces i vështirë për t’u matur kishte filluar në vitin 1956, kur kryeministri Nikita Hrushov mbajti fjalimin e tij të ashtuquajtur sekret para udhëheqësve të partisë, në të cilin ai denonconte spastrimet e Josef Stalinit dhe zyrtarisht zbuloi ekzistencën e sistemit të burgjeve gulage. Jo shumë kohë më pas, Boris Pasternak bëri të mundur që romani i tij “Doktor Zhivago” të botohej në Perëndim, duke hapur një vrimë tjetër në Perden e Hekurt. Pastaj, në vitin 1962, revista letrare “Novy Mir” shkaktoi sensacion me një roman që i vendoste ngjarjet në sistemin e burgjeve të gulagëve. Autori i panjohur atëherë ishte Aleksandër Isaieviç Solzhenicin.
Romani “Një ditë në jetën e Ivan Denisoviçit” u përhap në mbarë vendin dhe në botë, si një stuhi. Me një prozë të pastër dhe të qartë, ajo tregonte historinë e një dite të thjeshtë të një burri në një kamp pune, ku ai përballonte stoikisht padrejtësi të pafundme. Kjo vepër ishte aq magjepsëse saqë, kur u shfaq për herë të parë, shumë lexues në Bashkimin Sovjetik menduan se censura qeveritare ishte shfuqizuar.
Solzhenicini nuk ishte fillestar riosh. I lindur njëqind vjet më parë, më 11 dhjetor 1918, vetëm 14 muaj pas Revolucionit Bolshevik, ai kishte praktikisht të njëjtën moshë si shteti sovjetik dhe kishte përjetuar çdo fazë të zhvillimit të tij. Si një student i ri, ai ishte përfshirë në euforinë revolucionare të eksperimentit komunist dhe besonte me zjarr në idetë e marksizëm-leninizmit. Në Luftën e Dytë Botërore, ai shërbeu si komandant i një batalioni zjarri të artilerisë dhe u nderua me dy medalje.
Por karriera premtuese e Solzhenicinit u ndërpre brutalisht nga arrestimi i tij në shkurt të vitit 1945, me akuzën për veprimtari anti-sovjetike; ai u dënua me shpejtësi me tetë vjet punë të rëndë në gulag. Krimi i tij? Kishte kritikuar Stalinin dhe Ushtrinë Sovjetike në letrat që shkëmbente me një shok shkolle në një front tjetër.
Kjo përmbysje dikensiane e fatit e zhyti Solzhenicinin në dëshpërim, por gjithashtu edhe i hapi sytë ndaj anës së shëmtuar të komunizmit sovjetik dhe i dha atij një panoramë të mbretërimit të terrorit dhe gënjeshtrave që e kishin mbajtur në këmbë për aq kohë. Ai kishte shkruar tashmë poezi, histori dhe gjysmë romani, shumica e tyre me tema patriotike; por zgjodhi t’ia kushtojë pjesën tjetër të jetës si shkrimtar ekspozimit të makinës monstruoze që, siç zbuloi më vonë, kishte vrarë ose burgosur miliona si ai.
Pas botimit të dy tregimeve që flisnin për gjendjen e fshatarëve, Solzhenicini u fut nga censorët në listën e zezë, por arriti të përfundonte dy romanet e mëdha autobiografike për të cilat ai kishte punuar: “Rrethi i Parë” dhe “Dhoma e kancerit”. “Rrethi i Parë” tregon historinë e një grupi të burgosurish të privilegjuar, duke përfshirë Solzhenicin, të zgjedhur për të punuar në një laborator të fshehtë të drejtuar nga autoritetet e gulagut, ndërsa”Dhoma e kancerit” përshkruan rrethanat në të cilat Solzhenicin, duke punuar si mësues në mërgim administrativ pas lirimit të tij, u trajtua me sukses për kancer të barkut në Tashkent.
Të dy romanet ishin ranë në sy për përshkrimin etik në detaje të shoqërisë sovjetike dhe diskutimin e krimeve të qeverisë. Të dyve iu mohua e drejta e botimit në Bashkimin Sovjetik. Ashtu si “Doktor Zhivago”, ata u trafikuan shpejt në Perëndim dhe, si “Doktor Zhivago” dhe “Një ditë në jetën e Ivan Denisoviçit”, ata u bënë menjëherë librat më të shitur.
Për qasjen e tij kritike ndaj jetës sovjetike, Solzhenicini u dëbua nga Bashkimi i Shkrimtarëve të sponsorizuar nga shteti dhe u bë i jashtëligjshëm në vendin e tij. Por ai ishte larg të qenit i vetëm. Shumë shkrimtarë të talentuar dhe të pavarur – Varlam Shalamov (një tjetër kronikan i Gulagut), Andrei Sinyavsky, Yuli Daniel dhe Joseph Brodsky – po shmangnin censurën sovjetike me një format të ri publikimi të quajtur samizdat. Ai përbëhej nga poema, tregime, romane, apele për të drejtat e njeriut dhe manifestime politike që qarkullonin fshehurazi në kopje të shtypura dhe të kopjuara; në shumë raste, këto kopje u dërguan edhe jashtë vendit.
Deri në fund të viteve ’60, shkrimtarët dhe aktivistët kryesorë u njohën si Lëvizja Disidente. Qëllimi i tyre ishte të sillnin lirinë e shprehjes dhe ndryshimin paqësor politik në Bashkimin Sovjetik dhe ata mblodhën një audiencë globale lexuesish. Përveç shkrimtarëve, radhët e tyre përfshinin shkencëtarë, inxhinierë, akademikë, avokatë, madje edhe punëtorë rebelë; udhëheqësi i tyre jozyrtar ishte fizikanti fitues i çmimit Nobel, Andrei Sakharov.
Solzhenicini bashkëpunoi me Saharovin dhe disidentët e tjerë, por ai nuk pajtohej gjithmonë me ta, dhe ai vijoi rrugën e tij. Në vitin 1973, ndërsa ndodhej ende në Bashkimin Sovjetik, ai dërgoi jashtë kryeveprën e tij letrare dhe polemike, “Arkipelagu i gulagëve”. Libri aspak fiksion rrëfente krimet e mëdha që kishin çuar në burgosjen me shumicë dhe masakrën e miliona viktimave të pafajshme, duke demonstruar se dimensionet e saj ishin në një nivel me Holokaustin. Gjesti i Solzhenicinit ishte një sfidë e madhe për shtetin sovjetik, që vinte në pikëpyetje legjitimitetin e tij dhe kërkonte ndryshime revolucionare.
Si përgjigje, pushteti ia hoqi Solzhenicinit shtetësinë dhe e dëboi në Perëndim; ai arriti në Amerikë dhe i kaloi shumicën e 19 viteve të ardhshme në Vermont. Ai tërhoqi çmimin Nobel që i ishte dhënë në vitin 1970 dhe shkroi katër romane më historike në serinë e tij të madhe të quajtur “Rrota e Kuqe”, e cila kishte në qendër Revolucionin Rus dhe pasojat e tij.
Ai vijoi të kritikonte udhëheqësit sovjetikë për korrupsionin e tyre dhe ofroi këshilla për të ardhmen, por kjo nuk ishte kohë krejtësisht e lumtur për shkrimtarin. “Predhat”e tij nga Amerika kishin më pak ndikim në Bashkimin Sovjetik sesa kur ai ende jetonte atje. Sulmet e ashpra mbi Amerikën dhe demokracinë perëndimore shumë shpejt i larguan përkrahësit e tij liberalë në Perëndim, ndërsa kritikat e ashpra të ish-aleatëve në kujtimet që shkroi e dëmtuan seriozisht reputacionin e tij në atdhe.
Asnjë nga këto nuk e zvogëloi dëshirën e Solzhenicinit për të parë sistemin sovjetik të binte dhe kur qeveria e Mikhail Gorbaçovit ra në vitin 1991, ai gëzonte edhe emocionet e suksesit dhe kënaqësinë se u provua që kishte pasur të drejtë në parashikimet e tij për katastrofat. Tre vjet më vonë, ai u kthye në Rusi dhe u prit me një mirëseardhje heroi. Por nuk e pëlqeu shumë atë që pa atje.
Qeveria e Presidentit Boris Jelcin ishte kaotike dhe Solzhenicini nuk binte dakord me atë atë që e shihte si nxitjen e regjimit të ri të Perëndimit dhe dëshirën e tij të marrë për të futur në vend një formë të demokracisë perëndimore. Ajo që ai mbronte ishte një lider i fortë, i cili të mbante vendin në qeverisje të të rreptë, inkurajoi më shumë besim fetar dhe mbështetje shtetërore për kishën ortodokse, së bashku me patriotizmin e ringjallur dhe kthimin në vlerat tradicionale.
U duk sikur iu plotësua dëshira në vitin 2000, kur Jelcin ia dorëzoi presidencën një njeriu që ndante pikëpamjet nacionaliste të Solzhenicinit dhe mishëronte idealin e tij të një lideri të fortë: Vladimir Putin. Udhëheqësi i ri rus bëri një shfaqje për të mirëpritur Solzhenicin në rezidencën e tij dhe i kërkoi këshilla. Në vitin 2007, ai dha një çmim shtetëror për shkrimtarin duke e vlerësuar për aktivitetet e tij humanitare (Solzhenicini kishte refuzuar çmime të ngjashme nga Gorbaçov dhe Jelcin).
Solzhenicini vdiq në vitin 2008, para se Putin të tregonte fytyrën e vërtetë me vrasjet pa mëshirë të figurave të opozitës, krijimin e një shteti autoritar, pushtimin e Ukrainës dhe Krimesë dhe shtypjen e demokracisë lokale në provinca. (Solzhenicini mund t’i kishte miratuar masat e Ukrainës, pasi vetë ishte gjysmë ukrainas në origjinë, por nuk do të ishte dakord për veprimet e tjera).
Pas vdekjes, Solzhenicinit iu bë një varrim i kushtueshëm dhe vendos të prehet në Manastirin Donskoy në Moskë. Në vitin 2010 “Arkipelagu i gulagëve” u fut në listën e literaturës së sugjeruar për lexim në shkollat e mesme ruse. Rruga e Madhe Komuniste e Moskës është riemëruar si Rruga e Aleksandr Solzhenicit. 100-vjetori i tij po festohet me madhështi të madhe këtë javë në Rusi dhe një statujë e tij në Moskë është ngritur këtë javë.
E gjithë kjo do ta kishte lumturuar pa masë shkrimtarin e madh. Por, megjithëse i marrosur dhe i shfrytëzuar nga aleatë të diskutueshëm, Solzhenicini duhet të mbahet mend për rolin e tij si njeriu që rrëfeu të vërtetën. Ai rrezikoi gjithë çfarë kishte për të goditur në zemër komunizmin sovjetik dhe bëri më shumë se çdo qenie tjetër njerëzore për të minuar kredibilitetin e atij sistemi e për ta ulur shtetin sovjetik në gjunjë.
Michael Scammell është autori i biografisë së Solzhenicinit
TemaTV/The New York Times/ Përgatiti: Gazmira Sokoli /