Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Territoret e sunduesve në librin e Kadaresë

Libri i fundit i Ismail Kadaresë, “Kur sunduesit grinden” me nëntitull ‘Rreth misterit të telefonimit Stalin-Pasternak’ ka tërheqjen e një thrilleri dhe lexohet me një frymë. Duke dashur të zbulojë një mister, atë se çfarë fshihet pas një bisedë që ka zgjatur në pak minuta, libri me anketimin racional të varianteve të së njëjtës bisedë të fut në një labirint pa rrugëdalje. Në fund mbetesh nën tronditjen e përjetimit të një ankthi tragjik.
Sunduesit nuk i lëshojnë territoret e tyre, sunduesit…. grinden.
1.
Si me librin poetik “Shekulli im”, 1961, (poema “Rrugëve të Moskës” etj), si me romanin “Dimri i madh”, 1972, me novelën “Një verë në Dubulti”, me romanin “Muzgu i perëndive të stepës”, 1978, me poezinë ‘Lora’ te libri “Ftesë në studio”, edhe me këtë libër të ri, “Kur sunduesit grinden”, autori të çon në Moskë. Moska, kryeqyteti i Rusisë, dikur ishte kryeqyteti i ish-Bashkimit Sovjetik, qendra e komunizmit botëror, qendra e kampit socialist, e botës Lindore, botë e ndarë si me perde të hekurt nga bota tjetër, nga blloku i vendeve atlantike, i Perëndimit.
Cila do të ketë qenë ajo shtysë që dhe tani në thellësi të moteve e kthen Kadarenë në vitet e studimeve, në Institutin “Gorki”, në Moskën e fund viteve ’50 të shekullit që shkoi? Çfarë ka mbetur ende e pa thënë nga librat e mëparshëm me temë Moskën? A nuk janë trajtuar drejtpërdrejtë e gjerësisht njgarjet e atyre viteve në romanin “Muzgi i perëndive të stepës”? Ky roman së bashku me “Kamaren e turpit”, botuar në Shqipëri më 1978, të përkthyer anglisht tani pas 40 vjetësh, janë pritur shumë mirë nga kritika në ShBA, madje ‘Kamarja e turpit” u rekomandua si një ndër 10 librat më të mirë të vitit 2018.
Bashkëbisedimi Stalin-Pasternak ka ndodhur më 23 qershor 1934, ka zgjatur tre-katër minuta, por ka sjellë moskuptim dhe mjegull që po vazhdojnë si të tilla edhe sot pas dhjetra vitesh. Stalini i bën disa pyetje Pasternakut për shkrimtarin Mandelshtam, të cilin e kishte arrestuar KGB-ja. Pasternaku përgjigjet disi, por Stalini i pakënaqur ia mbyll telefonin. Pasternaku rreh të flasë prapë me sunduesin, por rruga i është mbyllur. Mandelshtami që kishte shkruar një epigram ku e stigmatizonte Stalinin si “maloku i Kremlinit”, në burg torturohet, rreh të vetëvritet. Më pas lirohet, por arrestohet prapë dhe vdes në internim pas disa vitesh më 1938. Kjo histori, siç shkruan autori, “do të jetë një zile alarmi që nuk e lë të flejë kurrë ndërgjegjen njerëzore”. Mandelshtami nuk duhet të jetë i vetëm në pavdekësinë e tij.
Pas 20 vjetësh nga vdekja e Mandelshtamit, Pasternaku nominohet të marrë çmimin ‘Nobel’ me një korpus veprash dhe kryesisht romanin “Doktor Zhivago”, botuar në Perëndim. Udhëheqja e lartë e Bashkimit Sovjetik i kërkoi që të mos e pranojë Nobelin. Pasternaku kështu e ka vënë veten në zonën e vdekjes: ta marrë, mos ta marrë Nobelin, të rrojë a të mos rrojë? Me javë ai u anatemua, u sha si Judë e tradhtar, si i shitur te Perëndimi. E refuzoi Nobelin, por i urryer dhe i kryqëzuar publikisht nga i gjithë Bashkimi Sovjetik, nga një e gjashta e botës, ai u sëmur dhe vdiq mbas gati një viti.
Kadareja, student në Moskë, ka qenë dëshmitar i fushatës linçuese kundër Pasternakut dhe e ka pasqyruar te “Muzgu i perëndive të stepës”. “Pastenaku për të ishte bërë i pashmangshëm”. “Ishin të dy nga i njëjti fis, ai i shkrimtarëve”. Dhe Kadareja kur shkruante “Muzgun…” sapo ishte nominuar për Nobelin. Zhurmat e urrejtjes publike ndaj shkrimtarëve në Tiranë e në Moskë vazhdonin po njësoj.
I rikthyer prapë te kjo dëshmi ai vëren se poeti rus Boris Pasternak është i pari shkrimtar në botë që u vra nga çmimi ‘Nobel’.
Vdekjet e këtyre dy njerëzve dhe sot të lavdishëm, vdekja e Mandelshtamit dhe e Pasternakut, duket kanë rënduar në ankthin e gjatë dhe të pandërprerë të shkrimtarit. Që ta zbusë disi këtë ankth, ka shkruar këtë libër për sivëllezërit e tij letrarë, shkrimtarë me rrezatim botëror si Pasternak, Ahmatova, Mandelshtam… U referohet dhe autorëve shekullorë si Horaci, Seneka, Shekspiri, Pushkini, Blloku… Është në fushën e tij. E ka jetuar mbi 45 vjet diktaturën. Është si i familjes midis të mëdhenjve. Prej gati një gjysmë shekulli (që vitit 1975) vazhdon të nominohet për çmimin Nobel.
2.
Libri është një meditim për autorin e shquar nëpër shekuj, për shkrimtarin e madh që me lavdinë e tij të pavdekshme nxit zilinë e sundimtarëve shtetërorë dhe vihet nën dhunën e shtetit.
Autorët e mëdhenj me ndikimi përtej vendit dhe përtej kohërave të tyre me prurjet e tyre të panjohura më parë, lartësohen e njësohen me fuqitë planetare të pazhdukshme, me fuqitë botërore… Termi “fuqi botërore” ngjan si i egzagjeruar për një shkrimtar, për një person të vetëm. Fuqi botërore janë quajtur perandori të mëdha si ajo Romake, perandoria Bizantine, Otomane, perandoria Britanike, perandoria ruse etj. Në kohët tona fuqi botërore janë quajtur Bashkimi Sovjetik, SHBA… Këto fuqi shtetërore historikisht kanë sunduar me legjionet, armatat, flotat, potencialin ekonomik dhe bankar, me shtrirjen e influencës në sipërfaqe kolosale të globit.
Si mund të matet një shkrimtar me fuqi të tilla të stërmëdha shtetërore? Një shkrimtar si Homeri, një poet si Horaci, Pushkini, një tragjedian si Eskili a Shekspiri, një romancier si Servantesi a Tomas Mani, një poet si Dantja a Pasternaku, individë të vetmuar me ca libra të shtypura në fletë letre mund të jenë fuqi konkuruese me fuqitë shtetërore që zotërojnë tokat e detet, që zotërojnë armatimet më të sofistikuara e më shkatërruese që ka shpikur mendja?
E vërteta është se shkrimtarët e shquar që u përmendën më lart janë fuqi planetare. Ismail Kadare në fillim të librit citon ‘Exegi monumentum’ të Horacit (një monument i ngrita vetes). Një monument i ngrita vetes ka shkruar edhe Pushkini. Një monument jo prej duarsh, por prej shpirti. Monumenti im, thotë Pushkini, ngrihet më i lartë se shtylla e Aleksandrit, e Carit. Në ballafaqimin e pushteteve midis poetit dhe perandorit, shkrimtarët, duan apo nuk duan, rivalizojnë. Lavdia e tyre e tejkalon atë të Carit. Perandaoritë e Cezarëve rrëzohen, edhe gjuhët në të cilat dikur kanë shkruar gjenitë vjetërohen a vdesin si greqishtja e vjetër dhe latinishtja, por veprat e tyre mbeten ende të gjalla. Jo si relike, jo si fakte historike, por si modele artistike të patejkalueshme nga kohët.
Ky libër me titullin “Kur sunduesit grinden” shtjellon atë se shkrimtarët si fuqi e butë, si fuqi e kulturës së lartë, nëpër shekuj kanë bashkëjetuar dhe kanë rivalizuar me pushtetin e perandorit.
Ata janë sundues të ndarë, sundojnë mbi territore të veçanta: dikush sundon mbi lëndën, tjetri mbi shpirtin. Atëherë pse grinden sunduesit? Ata që kanë në dorë forcën shtrënguese të shtetit, ligjet, burgjet, prangat, spiunët, policët, torturuesit, telat e kampeve të internimit i kanë në dorë jetët e artistëve, shkrimtarëve. Shkrimtarët janë më të pambrojturit. Ndodh që sa më të lavdishëm të jenë, aq më përzishëm e vuajnë lavdinë. Shpesh ajo i ka çuar nën pranga, në internim, në çmendinë, në litar a përballë skuadrës së pushkatimit. Është fama një mallkim i racës së shkrimtarëve? Lavdia u paguaka shtrenjtë? Lavdia qënka njëherësh dhe ogur i mirë dhe short fatal që shpesh të merr jetën? Pse ndodh kjo?
Mos, duke qenë të lavdishëm shkrimtarët vetiu u bëjnë hije sundimtarëve të pushtetit shtetëror, apo shkrimtarët e ‘kruajnë vetë kurrizin’, i bëjnë karshillëk, e stigmatizojnë keq sundimtarin, monarkun, perandorin a Sekretarin e Parë?
Fuqia e butë e kulturës, e letrave është fuqi binare me atë të pushtetit shtetëror që sundon nëpërmjet sanksioneve të detyrueshme. Që me figurën e Janusit romak në kopertinën e librit jepet kjo ide e dy profileve të të njëjtit trup. Epokës i duhen dhe poeti dhe perandori. Kultura madje i jep cementin lidhës një qytetërimi, një kulture. Në se themi kultura antike greke kemi parasysh dhe Perikliun si shtetar, dhe Akropolin, dhe tragjedinë greke. Poeti dhe perandori janë nyja lidhëse e materiales me shpirtëroren, lidhje që i jep fytyrën reale një epoke. Këto dy fuqi nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Janë në fusion: pa Mikelanxhon, pa Da Vinçin nuk kuptohet epoka e tyre, nuk mund të kuptohet monarkia absolute në Francë pa Rasinin, Kornejin, Molierin.
Atëherë kush nga këto dy forca nuk e duron tjetrën? Në rastet e pushteteve absolute, e absolutizmit oriental, apo e diktaturave ideologjike a teokratike, poetët, artistët shihen si rivalë prej natyre, rivalë edhe kur nuk i kundërvihen hapur sistemit.
Në libër përmendet tragjedia e Senekës, filozof e dramaturg që me urdhër të Neronit vetëvritet, pret venat. Pushkini po jep shpirt në shtrat të vdekjes kur poeti Zhukovski, i dërguari i Carit, kërkon poezinë ‘Exegi Monumentum’, për ta censurar, për të hequr emrin e Car Aleksandrit.
Epoka e komunizmit ka qenë padyshim më e ashpra. Rastet e Pasternakut, Ahmatovës, Mandelshtamit, Cvetajevës, të Solxhenicinit, të Brodskit flasin për përndjekjet, për atë rivalitet për jetë a vdekje të shkrimtarit me shtetin.
Për herë të parë në letrat tona shkruhet se klasikët e marksizmit, krerët më të lartë komunistë si Marksi, Stalini janë armiqësorë me shkrimtarët. Po vend të veçantë i jepet Leninit, për nihilizmin, për helmin e tij antiletërsi. Ky udhëheqës i lartë i komunizmit botëror, i vizatuar si paqësor nga propaganda servile, sipas këtij libri që kemi në dorë, ka qenë një monstër, një kryeterrorist i pashenbullt. Ai është vrasësi i familjes së Carit dhe i një fëmije hemofil si careviçi. Me urdhërin e tij pushkatoheshin pa gjyq me mijëra e mijëra vetë në mbarë Bashkimin Sovjetik. Ky sifilistik me një portret të mjerë fizik e moral ka qenë frymëzuesi i urrejtjes shtetërore dhe i nihilizmit më të zi ndaj shkrimtarëve të mëdhenj, ndaj stërshkrimtarët siç i quante.
3.
Libri i bën një homazh madhështor një shkrimtari si Boris Pasternak. Ai vizatohet në raportet me shtetin dhe kolegët. Autoriteti i tij ishte i ndjeshëm dhe i qëndrueshëm përpara sunduesve dhe përpara shkrimtarëve të kohës. Me naivitetin e gjeniut u qëndronte larg intrigave. Me mikun e tij Mandelshtam ai është i ndershëm. I thotë që zëre se nuk e kam lexuar këtë poezi stigmatizuese për Stalinin. Atë e kanë akuzuar sikur Mandelshtami vdiq prej tij dhe menjëherë pas bisedës së famshme me Stalinin më 1934. E akuzojnë se nuk e mbrojti mikun. Ai ndërhyri te Buharini për ta liruar, këmbënguli që të bisedojë përsëri me Stalinin por ia mbyllën rrugën. Pas daljes nga burgu ata takohen dhe Mandelshtami i lexon tani një ode lavdëruese për Stalinin. Madje flasin se Stalini, sado mizor në një moment, kur i vdiq gruaja, e tregoi veten njeri si gjithë ata që i zë fati i keq. Eci pas arkivolit të gruas i vetëm, larg të tjerëve, i kërrusur, me kokën futur midis dy supeve. Si burrë i mjerë, burrë që i ka vdekur gruaja. Kjo nuk e shlyen tmerrin e purgave dhe të gulagëve të kohës staliniane.
Pasternakut ia internojnë të dashurën, Olgën. Prangat në duart e saj ishin pranga poshtërimi në duart e atij.
Botimi në Perëndim i romanit “Doktor Zhivago” e ndërlikoi ndërkombëtarisht jetën e tij. Ky roman u përdor si armë propagandistike në luftën mes dy blloqeve, midis Lindjes dhe Perëndimit. Zhivago i Pasternakut me humanizmin, me lirinë individuale, pavarësisht nga politika, me të drejtën për mbrojtjen e jetës private u kundërvihej pikëpamjeve komuniste mbi mënyrën e jetesës. Atij i thanë larg nga ai helm, larg nga fama në Perëndim. Një kërcëllim i tillë dhëmbësh dëgjohej dhe në Plenumet e Lidhjes së Shkrimtarëve në Tiranë.
Stili i këtij libri vjen i ngjeshur dhe me ritëm të përshpejtuar. Një stil plot reliev në gdhendjen e argumenteve, në skalitjen e situatave të rrëshqitshme. Argumentet këmbehen me kundërargumentet, hipotezat me kundërhipotezat, faktet me hamendësimet. Kjo të bën të ndalesh, të marrësh frymë, të kthehesh pas ndonjëherë. Nuk ka si të ndodhë në një kohë kur sundon pabesia, kur të përgjon e të ndjek shteti, kur nuk dallon dot provokimin a intrigën nga një ftesë miqësore për çaj, nuk e ndan dot të mjegulltën nga e vërteta, skenën nga prapaskena, kur miqtë e rremë këmbehen me trokitjet e agjentëve të policisë në derën tënde.
Kur e mbaron librin, të ngjan se ai mund të vazhndonte dhe pak. Autori ka vënë një shënim për mundësinë e një botimi të ardhshëm më të plotësuar.
Nuk e dimë seç mund të sjellë më tej pena e Kadaresë. Ne si lexues jemi në pritje.

Please follow and like us: