Emil Asdurian: I PAUDHI QË S’E NXE GOJA
(Kërkesat, nevoja dhe Frika)
E thenë troç, më i rëndësishëm se vetë thelbi, parathënia dhe pasthënia, titulli dhe nëntitulli, ç’nuk u përmend në asnjë tetëpikësh, por përshpëritej, se qe e vërtetë. Se dhe kur shkrova ca gjatë, e lashë si duket në mes së “tepsisë” pasi u hëngrën anët: KORRUPSIONI!
Në Politikë: paritë, udhonjës dhe udhëheqës, parlamentarë, bashkiakë dhe këshilltarë, nënpunës, mbrojtës së rendit, ligjëvënës dhe shprishës së çdo njerës.
Në Arsim: kalbur nga “rryshfeti”, tarifa, pagesa, që gërryen cilësinë, n’emër të pjesëmarrjes. Seksi blerë dhe shitur kudo, si për Treg të lirë, sa dhe një fushatë e pafajshne për leximin e librit, kthehet në “mos e jep, pa libra në bibliotekë”, që çoi në rrënien drastike të lindjeve për frymë, dhe ca më keq. Pasuritë e rektorëve dhe dekanëve, dikur bij të Partisë, “vënë me djersën e ballit”, erdh deri atje kur nuk mban më, se ata në fund të butit, studentët, mbetën pa bukë, pa dritë, lakuriq të dhunuar, braktisur, të dridhen në mes të shihut, nën barelievin tallës q’i sheh nga lart:
“Katranjosë! Nuk shpenzojmë më për ju!” (harruan mesataret e tyre).
Nepotizmi i hapur, madje dhe partiak, disa shkallë më lart se Çaushesku!
Në Shëndetësi, shërbim apo çdo “industri” nga rrënja në gem, deri nga Lidhja në Panairin e Librit! E tmerrshme: mënyrë jetese! Është.
Dikush do ngrihet të më krejë sytë duke thënë: “Unë zotëri, me nder emigrat, s’kam faj për asnjë prej këtyre! Punoj, nënpunës, rrogëtar, (aha, mendoj, si intelektualët tradhëtarët e parë), shoh punën time, s’përzihem! S’jam ngatërruar kurrë!”
“Hidhe ti gurin i pari”, i them “o shoku Guri, hidhe, apo pret ta gjesh gati!”
“Ku hyn heshtja për ty? Me kë pajtohet ajo?” Është si dikur konformiste me të paudhin. Si atëhere, “miku”, një farë lloji i pranuar, si privilegji, kontrollohej me largëpamësi nga Byroja, siç bënte me zhvfletësimin e monedhës, inflacionin, sa kur erdhi fundi, s’kish as letër të priste kartëmonedha dhe vuri “triska”.
Edhe më keq, me Mbretin dhe Oborrin e ri! Si ai dhe me Rilindjen e gjatë!
KORRUPSION! Ç’simbol tjetër do t’i duhet lëvizjes?
Se kush ish ajo/ai, apo tjetri i fshehti, q’e shkroi për ta, qe pa asnjë dyshim, një dorë mendimtare! Nuk dua të ndih organet e rendit, por mban ërë që larg, së kush është! Frika dhe maturia për të shprehur “nevojat” e studenteve me takt, me gjysëm zëri nën jastëk, e tregon se i çfarë lloji! Kërkesa për pjesëmarrje në kërkime shkencore, me pagesë? Rritje të rolit e të vobektëve në drejtimin e institucioneve dhe në përzgjedhjen e udhërrëfyesve, kur s’kamja gëlon mizëri në qëndërr dhe rrethina? Këto janë çështjet kryesore në arsimin tonë bashkëkohor!
Gjuhë e butë, lepirëse, sa Kryeministri, sikur sapo u zgjua nga gjumi, thotë “Ejani ta bëjmë së bashku!” Si dikur, kur muri i reve dhe i qenieve përreth, të paaftët armiq, nuk e kish lënë të shihte poshtë nga Olimpi!
Pak a shumë kërkesat përmblidhen kështu:
* Rritja e buxhetit për arsimin, transparencë për shpenzimet, rrogat dhe të ardhurat e tjera shtesa.
* Rritja e rolit të studenteve në qeverisjen e arsimit të tyre.
* Rishikimi dhe verifikimi i punës, aktivitetit dhe gradava shkencore të pedagogeve. (duhej të ngriheshin studentët për këtë, apo “mendimtarët tradhëtorë” duan të nxjerrin gështenjat me duart e të tjerëve!)
* Pajisja e studenteve me kartë identiteti (sa kushton një e tillë? Ku humbi tarifa?)
* Ndërtimi i një biblioteke dhe libëri universitar on-line ( a s’është ky standart kombëtar dhe ndërkombëtar, që kontrollohet nga qeveria dhe organizatat përkatese? Nuk i kanë sytë në ballë?)
* Mbështetje ekonomike për studentet në doktoraturë. (“doktorat” quhen ende studente në Shqipëri?)
Ç’është ky tetëpikësh pambuk, sikur të ish shkruar në Vitet e Farit, kur fare pak kish mbetur për t’u kryer Revolucioni Socialist Shkencor! Pro apo kundër qeverisë?
“A jeni të marrë apo iu vrasin çorapet!”
Shvejku do kish vdekur së qeshuri, dhe pse xurxull, me këtë copë kartë!
E kishin parë ashtu, thuajse të padukshme, që vinte e sillej aty përreth si hije. Dhe pse shkarazi, e kish vënë re dhe spiuni Dullë. E kish ndjekur për ca kohë deri tek Shallvaret dhe pastaj s’di pse e kish lënë të ikte. Ndoshta si gjahtari, të zgjaste edhe pak agoninë e gjahut. Do t’i dilte prapë në shteg. Bënte ftohtë. Shiu hynte në asht! Nuk paguhej mjaft dhe kjo lloj mjeshtërie nuk i shtonte gjë prej gjëje xhepit. Po te kish qenë mjek, ndryshe puna! Spiunllëku s’kish bakshish. Megjithatë, kur s’ridhte, pikonte!
“Ej, çuno eja pak këtu! Si jeni loçkat e nonës? A keni ftohtë? Merri këto çadrra, merri dhe këto qeset me biskota! Ç’tjetër?” Dhe me fjalën “… ju ruajtë Zoti”, sikur e rrëmbeu era, humbi në terr! Qysh ditën e parë, ish aty. E ndjente se duhej! Ia thoshte diç brenda. E heshtur ndihte sa mundëte, trumcakët e tulatur zbuluar nën shi. Aty dhe ajo, herë nga larg dhe herë nga afër, e beftë, pa u vënë re, mëkonte e shkonte. Ndërsa …
“Fshehur pas një buzëqeshje kujdesi vëllazëror,
Ai përçmon lexuesin e gazetës, prenë e forcës dialektike.
Thotë: “Demokraci,” dhe shkel syrin.
Urren kënaqësitë e natyrshme njerëzore,
Plot kujtime me ata që po ashtu hëngrën, pinë, e u ndërzyen,
Por kokën ua pret në çast.
Në kopështe këshillon vallëzime dhe festa të shuajë zemërimin popullor.
Çirret: “Art!” dhe “Kulturë!” por në të vërtetë nënkupton lojra cirku.”*
Mjaft të hidhje sytë tek fotot marë nga “mjeshtrat” e Sulos, nga taracat me tejkqyrës, si një shekull më parë, apo me celular si padashje dhe më të shumtat, të vetëshpërndara nga dlirësia fëminore, per te kuptuar dhe ndjerë, q’ish midis peticionit tetësh, mendjeve, syve dhe pankartave. Dhe pse s’përmendej, kokën nxirrte, si bishtin djallëzor: korrupsioni:
Ora 11:00, dialog me Ukën/ Privati është me mu!
Harxhojmë lesht për t’u bërë kamarier/ Ah, ku na hodhi ZOTI!
UAT DHË FAK/ While (! Kërkesat {protesto ():}
Kafshatë që s’kapërdihet asht or vlla tarifa/ DUAM BARAZI!
Arsimi Publik Falas/ NA FALNI QË S’PO JU LEMË TË VIDHNI!
Dulla, ndali dorën, një çast, një dekikë, sa një arsye, të thyente mendimin, i cili kish më se një javë, që vërtitej, çukiste lëvozhgën e vezës, të shpërthente jashtë …”a duhej të shkruante për gruanhije q’u dërgonte dhurata, të “mbeturve”, diku përballë ish Komitetit Qendror të Partisë dhe Bllokut, rrethuar me policë ushtarë! Apo për trëndafilat e bardhë hedhur rëndom tek këmbët e Skënderbeut, shkelur nga shiu … apo për nënën që të bijën ndiqte nga larg pa u parë…., për grupet që mbidheshin thërrisnin, këndonin dhe shpejt treteshin si pikat n’ujë, thatheshemnajën varur mbi?”
Fletën në grusht mblodhi shuk dhe … ashtu e la të shtrydhur mbi tryezë.
“Nesër!
Ditë e re, nafakë e re!”
* PORTRET I MES-SHEKULLIT TË NJËZETË nga Czeslaw Milosz, poet, shkrimtar polak, i njohur si Lituanez, ku u rrit dhe u edukua.