Albspirit

Media/News/Publishing

A jeni gati për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020?

Ruben Avxhiu

Një teori është që fushata për zgjedhjet e ardhshme mbaron në momentin që numërohet vota e fundit e zgjedhjeve të tanishme.
Që në momentin që Hillary Clinton humbi në 2016, shumë Demokratë mund të kenë filluar të mendojnë se kush do të ishte kandidatura më e mirë katër vjet më vonë.
Në praktikë, etika e do që përgatitjet të mos fillojnë pa mbaruar zgjedhjet e ashtuquajtura të mesmandatit, për Kongresin Amerikan.
Një pikë tjetër fillimi i garës mund të jetë anketimi i parë tradicional nga gazeta “Des Moines Register”, në shtetin ku bëhen edhe zgjedhjet e para brenda partive, në Iowa (Ajua).
Pikërisht mbrëmë, 14 muaj përpara zgjedhjeve të ardhshme, anketimi në bashkëpunim me CNN dhe një agjensi sondazhesh zbuloi se figurat e vjetra të partisë mbeten më të preferuarit, pavarësisht nga një valë figurash të moshës së re në parti.
Ja lista e mbështetjes për Demokratët që mund të konkurrojnë Presidentin Trump në 2020:
Joe Biden 32%
Bernie Sanders 19%
Beto O’Rourke 11%
Elizabeth Warren 8%
Kamala Harris 5%
Cory Booker 4%
Mike Bloomberg 3%
Amy Klobuchar 3%
Sherrod Brown 1%
Hickenlooper 1%
Julian Castro 1%
John Delaney 1%
Me nga më pak se 1% kanë marrë Senatorja Kirsten Gillibrand, ish-prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Holder si dhe Inslee, Steyer, Swalwell, Yang, Bullock dhe Garcetti.

Në pamje të parë është si një zgjatim i fushatës së vitit 2016. Në mungesë të Hillary Clinton, Joe Biden që ishte gati të hidhej në garë nëse tërhiqej ajo, është tani personazhi më i preferuar, i ndjekur nga Senatori Bernie Sanders që konkurroi deri në fund.
Nga grupi i kandidateve gra, që janë përfolur për këto zgjedhje, vetëm Senatorja Elizabeth Warren ka një mbështetje të dukshme, po edhe ajo është një nga figurat që pritej të kandidonte në 2016 dhe nuk e bëri.

Që të tre këta, janë shquar në Senat, Biden përpara se të bëhej zv-president, që të tre janë të brezit më të vjetër të Demokratëve.
Në një anketim paralel, Demokratët në Ajua u përgjigjën në mënyrë të ngjashme, kur 49% thanë se preferonin një kandidat me ekpseriencë të gjatë dhe vetëm 36% thanë se preferonin një figurë të re. 15 ishin të pavendosur.
Nga emrat e rinj, supriza është Beto O’Rourke, ish-kandidati për Senator të Amerikës që humbi në Texas përballë Ted Cruz, po që fushata e të cilit tërhoqi vëmendjen e të gjithë vendit. Të shumtë janë ata që e kanë krahasuar me Senatorin Barack Obama. Mirëpo, siç u shpreh me ironi, një komentator politik, dallimi është se Obama u bë Senator kurse O’Rourke jo.
Vetëm këta katër kandidatë kanë marrë më shumë se5%.
Ajua është e rëndësishme sepse voton e para dhe ndikon në votën e të tjerëve. Po ajo nuk është vendimtare. Tradita tregon se mund të fitosh në Ajua dhe të humbësh zgjedhjet, në pjesën tjetër të vendit. Po ashtu është tepër herët për të nxjerrë përfundime të sigurta për një garë që nuk ka nisur ende.
Për shembull, as Biden dhe as Sanders, ku 70 e ca vjeçarët që udhëheqin garën sipas këtoj anketimi, nuk ka deklaruar se do të kandidojnë për President.
Shumë janë ata që po flirtojnë me idenë, përfshi edhe miliardierin Michael Bloomberg, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut (që mori 4% në këtë anketim), po puna e vërtetë nuk ka nisur ende.
Në këtë fazë, ajo që ndihmon më shumë është njohja e emrit. Pak kush në botën politike në Ajua mund të mos e njohë Joe Biden apo Bernie Sanders. Ja përqindjet e njohjes së emrit sipas të njëjtit anketim: Biden 96% Sanders 96% Warren 84% Bloomberg 71% O’Rourke 64% Booker 61% Harris 59% Gillibrand 45% Broën 31%.
Është e qartë se disa kanë epërsi që në fillim e të tjerë do të duhet të punojnë më fort që të prezantojnë veten.
Kandidatët si Biden dhe O’Rourke shihen si figura që mund të tërheqin klasën punëtore të bardhë që votoi për Donald Trump në 2016. Sanders dhe Warren si figura që të mund të mobilizojnë të majtën progresive. Mirëpo, që të katërt duhet të provojnë se mund të mobilizojnë pakicat racore në SHBA që kanë qenë blloqe vendimtare votimi për Demokratët në dekadat e fundit.
Gjithnjë e më shumë në krahun e majtë të Partisë Demokrate po diskutohet mbizotërimi i gjatë i “burrave të vjetër e të bardhë”. Kjo revoltë do të jetë pjesë e pashmangshme e garës së ardhshme të Demokratëve. Republikanët shpresojnë se një betejë për identitetin e partisë do t’i lërë Demokratët tepër të përçarë për të marrë mbrapsh Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Trump ka deklaruar se do të kandidojë në 2020, mirëpo edhe kjo nuk është e sigurtë. Hetimet e pandalshme kundër njerëzve të tij, mosha e faktorë të tjerë mund të bëjnë që në fund, të ndërrojë mendje e të rikthehet në biznesin privat.
Demokratët e kanë perceptuar garën që po vjen si një fushatë kundër Presidentit Trump, nëse ai nuk është kandidati që të gjithë e presin, çdo mund të ndryshojë./ylliria press/

Please follow and like us: