Albspirit

Media/News/Publishing

Raporti në SHBA: Rusia dezinformoi me rrjetet sociale për të votuar Trumpin

Një raport paraprak, që po përgatitet për Senatin amerikan, tregon se Rusia ka përdorur çdo platformë kryesore të medies sociale për të dezinformuar votuesit, në mënyrë që të zgjidhej president Donald Trump.

Raporti ka rënë në duart e gazetës “Washington Post”, e cila thotë se, shtetas rusë që punonin për një grup të quajtur Agjencia për Kërkime në Internet (IRA) filluan të eksperimentojnë në forma të ndryshme në medien sociale për të ndikuar te zgjedhjet vendore të 2009-s, e i zgjeruan operacionet e tyre në zgjedhjet e 2013-s, duke përdorur “Twitter”-in.

Gradualisht, puna e tyre u shtri në platforma të tjera si YouTube, Facebook dhe Instagram.

Për fushatën presidenciale të vitit 2016, nga sa theksohet në dokument, rusët u përpoqën të mobilizojnë votues konservatorë për të mbështetur Trumpin, duke theksuar tema si “të drejtën e armëmbajtjes” dhe “emigracionin”.

Në të njëjtën kohë, operativë të Moskës u dërgonin mesazhe dhe informacione të tjera votuesve afrikano-amerikanë, me synimin për t’i ngatërruar për procesin zgjedhor, përfshirë informacion çorientues mbi mënyrat e votimit.

Edhe grupime të tjera si liberalët, gratë, latino-amerikanët dhe veteranët u vunë në shënjestër nga kjo fushatë, me informacion që ose theksonte bindjet e tyre, ose përpiqej t’i shkurajonte të votonin.

“Washington Post” nënvizon se raporti del në përfundimin e qartë se, të gjitha mesazhet ishin dukshëm në favor të Partisë Republikane dhe sidomos Donald Trumpit, ndërsa paralajmëron se media sociale po shndërrohet nga një mjet për “ndarje të eksperiencave të përbashkëta shqetësuese dhe koordinimit të angazhimit qytetar”, siç ndodhi në Lindjen e Mesme, në një kërcënim për demokracinë, nga “konsulentë politikë dinakë” dhe nga “politikanë, si në vende demokratike, ashtu dhe në regjime diktatoriale”./tch/

Please follow and like us: