Grupimi “DHJETOR ’90”, DEKLARATË PËR MEDIAT
Grupimi “DHJETOR ’90” si një bashkësi idealistësh që nuk është pajtuar kurrë me padrejtësitë dhe arrogancën e qeverive, si një grup njerëzish që e çmojnë lirinë dhe demokracinë, që e respektojnë dhe velerësojnë institucionin e protestës përgjatë këtyre dy javeve ka mbështetur pa asnjë rezervë protestën e studentëve të universiteteve të Shqipërisë. Kërkesat tuaja jo vetëm që janë të drejta dhe plotësisht të realizueshme. por ato janë minimaliste aq sa në hierarkinë e nevojave të Maslout ato shtrihen në rendin e parë, tek nevojat bazike të mbijetesës fiziologjike. Ne e kemi vlerësuar dhe çmuar kushtin ultimativ që ju i keni vënë qeverisë; Jo negociata-Plotëso kërkesat. Ky kusht ultimativ tregon seriozitetin, pjekurinë dhe vendosmërinë tuaj për të realizuar në mënyrë shterruese 8 kërkesat.
Dialogu me arrogancën, me monologistët, me muret e ftohta të pronarit të bunkerit në Surrel do të ishte dështimi i kauzës tuaj. Gjithashtu ne e kemi vlerësuar maksimalisht thirrjen dhe qëndrimin tuaj për tu distancuar nga politika e vjetër, për të qendrua larg poltikës së korruptuar, larg poltikaneve të qokave, larg partive që janë përgjegjëse të drejtëpërdrejta për këtë gjendje kolapsi të shoqërisë shqiptare. Që protesta juaj të prekë suksesin e plotë Ju duhet të vazhdoni ti mbani larg politikanët që i kanë futur duart në xhepat e prindërve tuaj, ti mbani larg politikanët që po i detyrojnë shqiptarët të braktisin masivisht vendin e tyre, ti mbani larg politikanët që ditën dalin nëpër konferenca shtypi në mbështetje tuaj dhe natën flirtojnë me njëri tjetrin duke ndërruar karriget e pushtetit.
Ne ish-studentët dhe pedagogët e Dhjetorit të 90-ës në atë dhjetor të largët lirie dhe shprese sakrifikuam dhe bëmë gjithcka që Shqipëria të ndahej nga diktatura. Me vendosmëri, kurajo dhe guxim të jashtëzakonshëm ja dolëm ta thyenim diktaturën, ti jepnim Shqipërisë pluralizmin politik, t’ja celnim rrugën drejt Europës dhe zhvillimit. Por produktet e atij dhjetori heroik ne i dorëzuam në duar të pasigurta dhe të dyshimta. Ndaj e çmojmë fort qëndrimin tuaj të prerë që t’i mbani larg politikanët që janë përgjegjës për kolapsin politik, ekonomik dhe social që ka mbërthyer vendin prej kohësh. Liria, demokracia, energjia dhe zhvillimi që çliroi Dhjetori i brezit tonë është konsumuar plotësisht, është koha për një Dhjetor të ri.
Këtë Dhjetor e kemi parë të projektuar në sytë tuaj këto dy javë. Mos u ndalni, mos u dekurajoni, qëndroni , jeni shpresa e vetme, vetëm ju mund ta thyeni Trekëndëshin e Djallit, Trekëndëshin e të keqës, Trekëndësin e Bermudës shqiptare, Trekëndëshin Rama-Basha-Meta. Ne s’duam, dhe s’mund t’ju mësojmë por gjithë eksperiencën tonë të gabimeve, lëshimeve dhe tolerimeve do t’jua vemë në dispozicion, që ju ta fitoni kauzën tuaj, kauzën tonë, kauzën e shqiptarëve të lirë dhe të ndershëm. Shqiptarët janë me ju, idealistët janë me ju, njerëzit që e cmojnë lirinë dhe demokracinë janë me ju. Grupimin “DHJETOR ‘90” do ta keni mbështetje për cdo sakrificë.
KRYETARI: Bislim AHMETAJ