Ilir Levonja: Pedagogëve ilegalë, këtyre dashnorëve të errësirës
Në internet po qarkullon një dialog mes studentëvet të Kamzës dhe atyre në shesh. Shkurt ata të Kamzës janë zënë gafil nga kërcënimet e pedagogëve dhe ardhja si kuti dhuratë e kryeministrit Edi Rama. Midis të tjerave ata thonë se nuk mund të dalin në protestë pasi nuk lejohen, duhet të dëgjojnë ”dialogun” e kryeministrit. Një dialog që e konfirmon edhe faqja në fb e Ramës dhe ERTV e tij, televizioni më brutal i kohëve të fundit, një tregues që e afron me kuvlinë televizive të viteve të partisë së punës. Dhe ajo çfarë është absurde është makineria e propagandës e cila e quan këtë dialog. Flitet në emër të studentëve etj…, po ashtu siç flitej në emër të popullit në kohën e Enverit.
Unë e kam thënë edhe më parë se diktaturat, këto forma të mbajtjes së pushtetit me dhunë, nuk bëhen vetëm. Enver Hoxha nuk vrau e preu vetëm, por me shokë, me petritat e tij etj. Kësisoj edhe sot Edi Rama, nuk po sundon e shantazhon i vetëm. Eshtë një rracë brenda shoqërisë që kuletën a titullin si profesor e më the e të thashë, e kanë mbi interesat e vendit. Këta janë shtuar shumë këto tri dekada demokraci. Pllisnin e shisnin me shumicë diploma aq sa mundën ritin kërpudhor a fenomenin natyror me dhënie titujsh e diplomash pa brerjen e ndërgjegjes. Pllisnin e pllasin për arsimin shqiptar megjithëse vetë i dërgonin fëmijët e tyre me haraçin më të lartë në katundet e botës, mjaft të diplomoheshin jashtë, si moda më vrastare karshi asaj shtrese prej 140 mijë frymësh që ripej nga blerja e detyruar e dispensave dhe provimet e mbartuara.
Kjo rracë e mbrapshtë shtoi serat dhe hormonet e doktoraturave po me shumicë sa sot vendi ynë ka në një masë fiktive 95% kodoshë që presi tu shërbejnë dhe jo ata t’i shërbejnë vendit. Mos u qeshni me broçkullat e Ramës karshi doktoraturës së Monika Kryemadhit, shikoni së pari rreth vetes tuaj se deri aty është kalbëzimi, pasta shefat tuaj a liderët me metodat e leprit karshi lepurit dhe gomarit për punën e veshëve. Edi Rama ka palosur edhe doktoraturat e tij ”shkencore”, mjaft t’i referoheni rrjetit bankar dhe koncesioneve etj. Janë karvanë me bote ari karshi kënaqësisë suaj perverse karshi asaj doktoraturës së Monës. Pra krimi nuk bëhet i vetëm. Jo, jo, aspak, por me petritët e tij. Dhe ta dini ata janë të shumtë. Kjo një nga arsyet që herë më herë luhen këto lojra me rrethimin e kryeministrisë a konfliktin e dëshiruar me forcat e rendit e plot të tjera. Me mbledhjet urgjente të ”dialogut”. Një turp kombëtar i radhës.
Ja u drejtoj këtë mllef njerëzor pikërisht atyre pedagogëve të tredhur që u impojnë studentëve këto forma të dhunëshme për mbytjen e demokracisë, mbytjen e vendit. Atyre pedagogëve me kostume jeshilë që i tmerron sekretari i partisë, partia etj. Mos u bëni ilegalë, mos vrisni e dhunoni se nuk ju a ka borxh Shqipëria. Vendi që sot konkretisht, konsideron 2018 si vit të Skënderbeut dhe hedh arka me para në blerjen e filmave nga Anadolli. Vendi i dhimbjes a atdheu është dhimbje siç e quan një Fatos poet shqiptar.