SHQIPËRIA NË KRIZË! KËRKOHET NJË KANDIDAT PËR KRYEMINISTËR
Mentor KIKIA
Referuar protestave, refreni që kam dëgjuar më shumë ndër biseda këto ditë ka qenë dilema: Mirë po e heqim Ramën, po kush të vijë?
Të kesh një qeverisje të keqe, është një problem. Por të mos kesh asnjë alternativë për ta zëvendësuar atë, është një mijë herë problem. Shqipëria nuk është thjeshtë e varfër dhe viktimë e korrupsionit, por është një shoqëri në krizë totale, e paaftë të prodhojë alternativa të reja politike. Të gjithë mendojnë se gjithçka rrotullohet mes PS-së e PD-së (akoma më keq, mes Ramës dhe Bashës), të cilat bëjnë thjesht rrotacion. Ndërsa ne bëjmë bilancin se kush vodhi më shumë dhe kush më pak.
Dhe për këtë nuk është aspak faji i kastës politike. Por i shoqërisë, njerëzve që sot struken nëpër kafene dhe presin që studentët konviktorë që lahen me sapllake, t’u ulin edhe çmimin e naftës, të rregullojnë edhe reformën zgjedhore, edhe korrupsionin në drejtësi…. Faji është i atyre që jo vetëm votojnë verbërisht partitë e tyre, por edhe e fotografojnë votën për t’ja treguar shefit se e përmbushën detyrimin.
Sepse jemi një lukuni intrigantësh e thashethemexhinjsh, që çdo kujt që do të guxojë të dalë me një ide, do ia vënë një bisht. Do i gjejnë një “pisllëk” që ka bërë kur ka qenë student, a një foto kur ka qenë në shkollë dhe mësuesja i ka çuar në mitingun e PS-së apo PD-së. Nëse jo, kur ka qenë në kopsht patjetër që e ka bërë shurrën në brekë, s’ka ku shpëton.
Nëse ai (ajo) do të jetë pjesë e klasës politike, do të themi: Hë mos se nuk ka marrë kockën e vet, e tani bën si atdhetar.
Nëse nuk është pjesë e klasës politike, do të themi: Po ky nga doli, e kush e njeh këtë?
Nëse vjen nga jashtë, do të themi: Po ky vjen nga jashtë e bën sikur ju dogj barku për Shqipërinë. Ku e njeh realitetin ky?
Nëse është nga brenda, do të themi: Njësoj është edhe ky, nga i njëjti moçal ka dalë.
Nëse do të ketë shtëpi të mirë, do të themi: I korruptuar edhe ky!
Nëse jeton modestisht, do të themi: Ky nuk është për vete, do jetë për ne.
Nëse ka makinë të mirë, do të themi: Eshtë hajdut.
Nëse ka makinë modeste, do ta përqeshim: Po ky ku shkon me këtë “Benz 190”, me këtë do të bëjë karrierë ky?
Nëse ka dalë në televizor, do të themi: Po aman dhe ky, bëri gam-gam nëpër ekrane e tani do të merret me politikë.
Nëse nuk ka dalë askund, do të themi: Po ky nga mbiu, kush e ka futur?
Pastaj do të shpërthejnë konspiracionet: E ka futur Rama, që të duket si opozitar. E ka futur Veliaj kundër Ramës, se Sorosi i vogël është zënë me Ramën dhe e ka mirë me Veliajn. Eshtë njeriu i Bërishës, që të duket si rival i Bashës. Ose e mbështet Basha që të thotë ca gjera kundër Berishës, meqë ai nuk i thotë vetë.
Dhe pastaj në zgjedhje bëjmë sikur zgjedhim të keqen më të vogël sërish.
Kështu që unë them, që atyre studentëve t’u rregullohen ato konvikte se janë gjynah dhe ta lëmë Ramën aty derisa të mërzitet, se do mërzitet një ditë. Pastaj, nëse Berisha do jetë gjallë, e rikthejmë edhe një herë, nëse Basha nuk do të jetë mërzitur duke pritur. Më tej, kismet, do jenë rritur ata freshistët që bërtisnin në protestë: “Mos kaloni nga kryeministria”, “Nuk duam politikë”.
Jeni të lutur ta shpërndani këtë shkrim si një “fletërrufe” për vete dhe për gjithë popullin e Facebook-ut dhe të kafeneve.