Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Gogen – në art duhet guxuar gjithçka!

 

«Gjithë ekzistenca ime ka qenë e tillë… Shkoj gjer në cep të greminës dhe nuk bie!» Nga letra që Gogen u shkruan miqve të tij.

Më së fundi diçka e mrekulluar ra në dorën time: fotografia e të dashurës së fundit indigjene të Pol Gogen, një vajzë gati adoleshente, por që piktori i famshëm, i cili kishte filluar të bëhej i njohur në Europë e kishte marrë në kasollen-atelier të tij në ishujt Marquise. Ishte Tikaomata, me aë lëkurë të lëmuar metise, aq e ngjashme me tablonë që më pas ka krijuar Guaguin për të. Në një letër që linte për të, ndër të tjera ai kishte shkruar: «Bëra një përpjekje të fundit duke shkuar të vendosem në ishujt Marquise. Besoja se atje, elementet e virgjër dhe vetmia totale, para se të vdisja do më jepnin zjarrin e fundit të entusiazmit që do ta rinonte imagjinatën time dhe do të ishte konkluzioni i gjithë talentit tim. Mjerisht jo… Jeta ime ka qenë veçse goditje të njëpasnjëshme shpresash dhe gjërash të papërshtatshme. Mendoja se atje, me lehtësinë për të gjetur modele dhe peizazhe të reja që do të zbuloja, do bëja tablo të bukura. Peizazhet e mia të Bretagne-s më dukeshin tashmë të zbehta për shkak të Tahitit dhe tashmë ato të pikturuara në Tahiti për shkak të ishujve Marquise. Po tani çfarë më pret? Tani nxitoj. Kam frikë dhe nxitoj. Por nuk do të tërhiqem. Në art duhet guxuar në gjithçka, ndryshe përse pikturojmë? Po, dhe siç shihet unë po nis nga e para. Eshtë koha për t’i lënë fjalët Tikaomata. Rreth meje është gjithçka dihej dhe çfarë nuk dihej…tani dua veç qetësi, vetëm qetësi. Dëshiroj të më lënë të vdes i qetë dhe të më harrojnë. Nëse kam bërë gjëra të bukura, asgjë nuk do mund t’i venitë ato. Ti e di që mua më pëlqejnë disa vargje të Verlaine të cilat doja t’i kopjoja për ty, vargje që më kanë shoqëruar që nga Parisi… Do doja që këto vargje të të shoqërojnë edhe ty në udhëtimin tënd jetësor dhe të kujtojnë njeriun tënd që të do… Lutu pra për të mjerin Paul! Tikaomata»!
————–

Atelieri parisian

Atelieri i dikurshëm i Gogenit (Paul Gauguin) në «Rue Vercingetorix» pranë Montparnasse, është dy hapa nga shtëpia ime, pasi ndërpritet me «Alfred Durand-Clay» ku banoj. Ishte befasuese për mua të gjeja fare pranë meje këtë piktor që e adhuroja që në mesin e viteve ’70. Ai më kishte zbuluar hapësira të panjohura nga bota, madje akoma më shumë nga ai planet ku jetonim ne! Një ditë shkova të shikoja se ç’bëhej me atë vend ku Gauguin punoi dhe jetoi gjatë dy vjetëve, para ikjes së tij përfundimtare drejt Polinezisë, oqeanit të largët dhe ishujve Marquise. Bashkëkohësit e tij e kujtonin shpesh atë atelier. Vështroja atë ndërtesë dhe imagjinoja kohën e ngjizur në të, përfytyroja atë piktor të dëshpëruar në kërkim të horizonteve të reja, edhe pse në zemër të Parisit.
Ishte fundi i viteve 1880. Paul Gauguin dhe Van Gogh e kishin lenë Parisin dhe kishin zbritur drejt brigjeve të ngrohta të Francës, në Mesdhe, drejt Arles dhe Saint Remy për të kërkuar imazhe të reja, diçka të re e moderne, larg akademizmit të pëlqyer në sallonet parisiane të artit. Ata ishin të ngjashëm me poetin e tyre bashkëkohës Arthur Rimbaud, i cili, ngaqë e kuptoi se poezia e tij nuk ishte e mirëpritur në rrethet poetike të kohës së «Parnasienëve» dhe nuk kuptohej, i bindur për vlerat e veçanta që kishte poezia e tij, ai i ktheu krahët Parisit letrar për të gjetur horizonte të reja, ashtu siç e shkruante dhe në poezinë e tij: «Po e lë Europën. Ajri detar do m’i përcëllojë mushkëritë. Klimat e largta do më kalisin…”
Po, kështu shkonin gjenitë kur nuk e gjenin veten e tyre dhe vlerësimin për artistin.
Edhe ikja e piktorëve Gauguin dhe Van Gogh drejt jugut të Francës ishte si shkas i moskuptimit, pasi piktorët nuk e gjenin vetveten në mjediset e artit. Ata flinin në të njëjtin apartament edhe pse krijimtaria e tyre ishte e ndryshme nga njëri-tjetri. Një natë, Gauguin kishte hapur sytë në gjumë dhe sipër tij kishte parë fytyrën e çoroditur të mikut hollandez.
– Çfarë ke Van Gogh! – i kishte thënë ai.
Por Van Gogh ishte larguar pa folur drejt shtratit të tij.
Një ditë tjetër, Van Gogh i kishte hedhur mikut të tij gotën e pijes së absintit në fytyrë e një herë tjetër, ato ditë kur Gauguin më së fundi po bëhej gati të largohej, në rrugë ai ndjeu hapa që nxitonin pas tij dhe i njohu që ishin hapat e mikut të tij. Ktheu kokën dhe pikasi Van Gogh-un me një brisk në dorë… Por Van Gogh-u kishte shkuar më tutje pa thënë asgjë… Po atë ditë, kur Gauguin i ishte afruar apartamentit të tyre, ai pa policët aty pranë dhe kur u ngjit pa Van Goghu-n e fashuar që rrinte në trisht me veshin e lidhur. Kishte prerë veshin. Një gjymtim që donte të bënte nga dhimbja për ikjen e shokut të tij, siç do ta shohim dhe më pas në një autoportret të tij. Menjëherë Théo, vëllai i Van Gogh, erdhi të kujdesej për të vëllain dhe disa ditë më vonë, pasi e lanë piktorin e sëmurë në spitalin e Arles për tu qetësuar psiqikisht, ata të dy u larguan drejt Parisit. Gauguin e kishte vendosur: do të ikte larg, sa më larg, edhe pse Van Gogh donte ta mbante aty, me çdo kusht, në strehën e tij; të shkonte nëpër ishujt dhe kolonitë, ndoshta në Madagascar, mbase në Saint Domingue apo Martinique… diku në Polynesie… larg, veç të ikte. Rrethi i piktorëve nuk e konsideronte fare dhe atë e mbanin për një piktor të vogël. Po kështu dhe gruaja me fëmijët e tij ishin larg në Kopenhagë… Braktisja e madhe i rëndonte shumë.
Gauguin ishte një lloj bohemi dhe ashtu, i përbuzur, me anijen më të parë që shkonte drejt Polinezisë, ai u nis i ngarkuar me telajo dhe kanavacë për krijimet e tij të ardhme. Hipur në anijen “Australien”, më së fundi u nis. Tre muaj më pas, në oqeanin e trazuar e gjithë dallgë, Gauguin dalloi brigjet e Tahitit ku do të fillonte një aventurë e re pikturale: ajo e diellit dhe ngjyrës ekarlate, e fortë, spikatëse, si e dalë nga një llavë vullgani të harruar në ato male që i ngjiteshin qiellit thikë, rrethuar nga një gjelbërim i pafund… dhe deti, deti, e kaltërta dhe ngjyra metise, okër-kafe e atyre indigjenëve të mirë e të paqtë, e banorëve të atyre ishujve që deri atëherë nuk e kishin gjetur veten në pikturën e metropolit francez, në penelat e një Monet, Degas, Van Gogh, Renoir… Dhe Gauguin kishte besim se një pikturë tjetër do të prezantonte atë me dinjitet në sallonet parisiane. Kështu, shumë shpejt, peizazhet dhe figurat e tahitianëve do të krijoheshin në telajot e tij, do të shfaqeshin vetvetiu me buzët e tyre të trasha dhe vështrimin e paqtë, të sinqertë, me gjinjtë e xhveshur dhe zemrën e hapur, ku mund të hyje pa trokitur. Kryeqendra, Papete, ishte atëherë me 3000 banorë. Aty gjeti një shtëpi të vogël druri, një verandë dhe filloi të mësojë gjuhën, folklorin, madje u vendos larg qendrës së banuar. Donte të ishte larg qytetërimit perëndimor që kishte mbërritur ndërkohë deri aty… donte sa më afër qytetërimit vendas… Në fillim në Parca, pastaj në Tetuani, ku ritet fetare indigjene ishin të gërshetuara me katoliçizmin, prandaj dhe Jezuja që krijoi ai ishte ndryshe nga ajo që bënin piktorët perëndimorë. “Je vous salue Marie”, ”Ju përshëndes Mari” dhe poshtë kësaj tabloje me këtë titull, ai vendosi fjalët tahitiane «Ia orana».
Edhe pse i dëshpëruar dhe larg fëmijëve të tij, ishte piktura që e shpëtoi atë: «Gjithë ekzistenca ime ka qenë e tillë, – shkruante ai në një letër drejtuar miqve të tij në Paris. – Shkoj gjer në cep të greminës dhe nuk bie!» Dhe që të ketë një model, por dhe të ketë pranë seksin tjetër, ai merr një nga ato vajzat brune dhe shtatlarta që në gjuhën e vendit i quajnë «vahine». Dhe Teha’amana shkon të jetojë me të në kasollen e tij.
– Ti nuk ke frikë nga unë? – i kishte thënë ai, duke shkruar për takimin e tyre parë.
– Aita! (Jo!)
– A do të banosh në shtëpinë time?
– Aha ! (Po!)
– Ke qenë ndonjëherë e sëmurë?
Ajo kishte mohuar me kokë.
Vitet kalonin dhe tablotë e tij, edhe pse vuante e jetonte gjithnjë në mjerim, shtoheshin dhe tashmë shumë prej tyre i kishte nisur te galeristi i tij në Paris. Tahiti ishte larg metropolit. Të tjerat mendoi t’i merrte me vete dhe madje mendoi të merrte vetë rrugën e Francës për të bërë të njohur punët e reja të tij. Një ekspozitë ishte hapur ndërkohë në Kopenhagë, nën kujdesin e gruas së tij, Mette. Dhe ai niset: «Kur lashë skelën, pashë për herë të fundit Teha’amana-n që kishte qarë disa netë rresht. E trishtë por e qetë ajo qëndronte e ulur mbi gur, me këmbët e varura mbi ujin e kripur!…». Gauguin kthehej drejt Francës me katër franga në xhep. Tablotë ishin pasuria e vetme e tij. Më 30 gusht 1893, ai mbërriti në Marseille, nga ku i dërgon një letër gruas së tij. Por e zemëruar me të, ajo nuk i ktheu përgjigje. Po kthehej me besimin që kishte patur poeti Rimbaud që shkruante në librin e tij poetik Një stinë në ferr: “Do të kthehem me këmbë hekuri, – kishte shkruar ai, – dhe me syrin e furishëm, e sipas fytyrës do më gjykojnë si pinjollin e një race të fortë”.
Vallë, si do ta priste atë Parisi i letrarëve dhe i artistëve?
Që nga viti 1877, ai kurrë nuk kishte ekspozuar në Paris. Tashmë piktura e tij ishte një tjetër pikturë, tablo me një intensitet e ngjyrë të jashtëzakonshme, me personazhe e subjekte të një bote të largët që zbarkonin aty në zemër të Parisit… Mallarmé që i pa tablotë me ato gra të fuqishme buzë detit e lumit, me shpatulla të mëdha, me gjinjtë e lëshuar dhe një sensualitet të fuqishëm, kishte shkruar: «Si mund të vendosësh kaq shumë mistere dhe kaq shumë shkëlqim në një tablo?!» Por kur Gauguin i kërkoi të shkruante diçka si parathënie të ekspozitës së tij, Mallarmé heshti… Ato kohë, Anne, një metise, «Anne javanaise» siç e quanin, erdhi të jetonte në atelierin e tij të habitshëm me ato xhama të lartë dhe shumë gjëra ekzotike që ai kishte sjellë nga Tahiti, ku dhe muret tashmë i kishte lyer me ngjyra të forta, veçanërisht të verdha. Në atelier mbante madje dhe një papagall. Aty i priste miqtë. Aty kishte shkuar një ditë dhe dramaturgu i madh August Strindberg, autori i dramës së famshme “Zonjusha Zhuli”… aty ishte ulur dhe miku arvanitas, poeti Jean Moréas, i cili e kishte deklaruar në një mbrëmje të tij festive si simbolistin e pikturës franceze. Idetë e Moréas-it dhe programi i tij për shkollën simboliste franceze që kishte themeluar e kishin joshur piktorin, i cili i kishte bërë madje dhe një karikaturë të bukur dhe mjaft të gjetur në portretin e tij. Ai i kërkoi Strindberg-ut t’i shkruante diçka për parathënien e ekspozitës së atyre ditëve, por Strindberg iu përgjigj: “Ju keni krijuar një tokë të re, një qiell të ri, por unë nuk e ndjej veten në mjedisin e krijimeve të tua…”. Atëherë Gauguin e shkroi vetë parathënien, duke botuar letrën e Strinderg dhe përgjigjen e tij, ku ndër të tjera, duke iu referuar figurës së pikturuar të Evës që ekspozonte atë kohë, ai i shkruante: “Eva, sipas konceptit tuaj të qytetëruar ju bën, apo pothuaj na bën të gjithëve mizozhinë. Por Eva e lashtë në atelierin tim, e cila ju frikëson, mund tu buzëqeshë një ditë më me pak hidhësi… Eva që unë kam pikturuar mund të qëndrojë nudo para syve tanë…”.
Parisi, Franca dhe Europa, i dukeshin atij të ftohta, mospërfillëse. Vallë pse kishte pikturuar njerëzit primitivë? Mikpritës e dashamirës ishte veçse Degas e dikush tjetër, që duke i blerë ndonjë tablo kërkonin ta ndihmonin që të mund të jetonte. I zhgënjyer nga ëndrrat se do të prezantonte në Paris një art të ri, Gauguin e gjeti veten të braktisur, të tepërt. Kohë e moskuptimit. Ç’vlerë kishin Eva-t e tij, ajo botë njerëzore dhe e largët që mbarte thelbin e vet njerëzor me ngjyrat e ngrohta të tokës, diellit, ngjyra që ai i shikonte si një muzikë inkandeshente të gëzueshme e jetëdhënëse.
Dhe përsëri ai u nis drejt Tahitit. Përsëri brigje, ishuj, diell dhe ata njerëz paganë me ritet e tyre shekullore. Me të zbarkuar gjeti një tjetër grua, të quajtur Vaeoho. Ajo ishte gruaja e shtratit dhe modelja e tij. Kohë më pas ai i shkruan miqve të tij në Paris se «së shpejti do të jem përsëri me fëmijë. Dreq o punë. Më duhet të mbjell farën ngado…» Ndryshe nga tri gratë e para të tij në Tahiti, që nuk i shohim aq në tablotë e tij, Vaeoho na shfaqet shpesh e gjerësisht, sensuale, si vetë dielli dhe bregdeti tahitian, femra e çlirët, pagane, ashtu siç ishte krijuar nga mëma e vet.
E vetmja lidhje që e mbante me familjen larg në Kopenhagë ishte Aline, vajza e tij e madhe, e brishtë, si një lule. Në krishtlindjen e vitit 1893 ai i kishte shkruar: «Tashmë je 16 vjeç, je rritur. Zonjushë, shko në ballo… A di mirë të kërcesh? A të kujtohet para tre vjetëve kur më thoje se do të ishe gruaja ime? Unë qesh tani me fjalët e tua dhe mendimin naiv. Ah, fëmijët e mi të varfër, mos e qortoni atin tuaj që nuk u sjell para në shtëpi. Por një ditë ju do të mësoni se ai ishte ati më i mirë në botë!…».
Por jo shumë kohë më vonë, një lajm i tmerrshëm tronditi ekzistencën e tij. Aline, vajza që donte më shumë nga fëmijët dhe që i shkruante letra shpesh, kishte vdekur. «Sapo më ka vdekur vajza, – shkruante ato ditë ai. – Tani nuk e dua më Zotin. Ashtu si dhe nëna ime, ajo quhej Aline. Çdo njëri do në mënyrën e vet: për disa, dashuria është e ekzaltuar në qivure, për të tjerë nuk e di… Ah, varri i saj atje… Lule! Por kjo është në dukje. Varri i saj është këtu, pranë meje: lotët e mi janë lule të gjalla!…
Dhe Gauguin mbytej në dëshpërim. Mjerimi i tij i përditshëm ishte gjithnjë e më i madh. Pikturat shiteshin rrallë. Një tablo e kishte blerë ambasadori turk, arnauti Halil Bey, ai që kishte blerë te piktori Courbet Origjinën e Botës. Tabloja quhej Jeta dhe vdekja. A ishte thua kështu për Gauguin? Më 1897, pas temës së tij të gjatë “Nevermore, o Taiti”, ai pikturoi një figurë vajze, interesante, të shtrirë ashtu si një odaliskë e Edouard Manet, por me ngjyra të ndezura, e vetmuar… një vajzë e shtrirë, një jastëk i verdhë, pas saj dy figura grash që bisedojnë dhe një korb që përgjon… mos vallë “Korbi” i Edgar Poe-s që poeti Mallarmé ua lexoi një mbrëmje gjithë entusiazëm grupit të simbolistëve?… Po kështu një tjetër tablo: një vajzë e shtrirë, një Venus i Lucas Cranache (i Vjetri). Piktura ishte e vetmja gjë që e bënte të harronte dhembjet e shpirtit dhe ato të trupit. Tabloja “Kur do të martohesh? (Nafeaa fa ipoipo) mbetet një nga tablotë e përkryera e më të mira të tij, ku spikat shpirti polinezian, sensualiteti dhe ai primitivizëm i dashur i tij, për çka nga të parët që do ta admironin ishin Matisse dhe Picasso (ky i fundit u influencua së tepërmi në tablonë e mëvonshme të tij Zonjushat e Avignon-it). Por një nga tablotë më tronditëse të Gauguin ishte padyshim dhe autoportreti i tij i gjetur në shtëpi pas vdekjes “Autoportret pranë Golgotës”, ku spikat dhembja e pakufishme e një njeriu që kërkon një lloj shpëtimi. Por ai e ndjen se asgjë nuk mund ta ndihmojë tashmë. Bota e artit të metropolit parisian ende e mban larg, në heshtje. Por ai e di se një ditë atje do ta duartrokasin, por ai s’do të jetë më. A nuk kishte ndodhur kështu dhe me mikun e tij Van Gogh?…
Kështu, vazhdimisht, gjithnjë e më shumë, ai mendonte të vriste veten. “Ah, gabim që nuk e vrava veten vitin që shkoi!” – shkruante ai. Në nëntor të atij viti, Gauguin shkruante se nga kjo botë “kërkon vetëm heshtje”. Le ta lenë të lirë, të harruar, diku, larg… Ai nuk ha, nuk ka uri. E vetmja gjë që mund ta shpëtojë është piktura dhe ai ngrihet sërrish të pikturojë një tablo të re edhe pse kanavaca tashmë i mungon gjithnjë e më shumë. Duhen para. Në vitin 1899 e dashura e re Pau’ura vjen të jetojë me të. Në prill lindi një djalë, e quajtën Emile dhe Gauguin ishte i lumturuar: ja më së fundi një fëmijë pranë tij. Ai kërkoi që të shkruhej në bashkinë e Papete-s si ati i tij, madje kërkoi të martohej me Pau’ura, por prifti nuk pranoi, meqë ai figuronte i martuar me dikë tjetër që ishte në Kopenhagë, edhe pse nuk kishte asnjë lajm për të. Në këtë kohë pikturoi dhe tablonë Mëmësia, pastaj Dy tahitianet e po kështu «Te Arii Vahine» (Vajza me mangë), me një të verdhë të bukur dhe kontraste të forta siç dinte t’i krijonte vetëm ai. E dinte se ishin vepra të përkryera, siç i shkruante dhe galeristit të tij në Paris për një tablo që sapo kishte mbaruar: «Sapo kam krijuar një tablo që besoj se është nga më të mirat që kam bërë deri tani… një mbretëreshë lakuriq, shtrirë në një lëndinë jeshile, me një shërbyese që këput fruta»… e pak më vonë ai shtonte: «Ah, sa e çmendur, e trishtë dhe e keqe, kjo aventura ime në Tahiti».
Në vitin 1901, ai shkoi të jetojë në ishullin pranë, HivaOa, ku ishin vetëm 500 banorë. Peizazhi i ri e mrekulloi, po kështu figurat njerëzore dhe shtëpia e tij të re, e drunjtë, që ai e quajti «Shtëpia e gëzimit». Paleta e tij tahitiane ishte e kuqja, okra, roza si dhe jeshilja e bluja e detit. Por ai gëzim ishte i përkohshëm. Ndërkohë ai u largua akoma më tej nga qendra e banuar për në ishujt Marquises, një nga vendet më të virgjëra, më të bukura e më të vetmuara ndoshta të gjithë botës, ku ishin vendosur dhe disa misione fetare. «Në dritaren time, – shkruante ai, – këtu në Autona të Marquises, gjithçka po errësohet, vallet kanë mbaruar, meloditë e ëmbla janë shuar. Por nuk është qetësi. Në kreshendo, era vërtitet nëpër degë dhe vallja e madhe fillon. Cikloni gjëmon. Olimpi shfaqet. Jupiteri ua dërgon rrufetë, titanët bien nga shkëmbenjtë dhe lumi del nga shtrati…». Një dekor i vërtetë vagnerian. Pranë tij, e dashura 15 vjeçare Titakaoma, fjalëpakët, e ëmbël, me gjinjtë e saj të njomë dhe një seksualitet të n jë natyre plot gjelbërim…e adhuruar nga Gauguin.
Ishte 2 janari i vitit 1902. Shira të tmerrshme ranë mbi shtëpinë e tij. Erërat e forta të furtunës apo të një cunami, i morën kasollen dhe ia çuan tutje, mbi një shkëmb. Ishte forca e papërballueshme e natyrës. Një stuhi e paparë. Dhe për më tepër sëmundja e tij tashmë ishte bërë kritike. Ekzema e këmbëve e pengonte të ecë dhe mjekimet e pareshtura nuk e mposhtnin atë sëmundje të tmerrshme, ku për më tepër vuante dhe nga sifilisi. Tani merrte morfinë që të qetësonte dhembjet. Ashtu nëpër delirin e dhembjeve, ai vazhdonte të pikturonte. E megjithatë ishte i kënaqur që pikturat e tij ndërkohë po i vlerësoheshin dhe galeristi i tij Vollard i kërkonte piktura të reja. Madje tashmë ai kishte dhe një pagesë mujore. Degas kishte blerë një tablo të Gauguin! Ja më së fundi vlerësimi. Piktorin e handakosur tutje botës, tashmë po e vlerësonin dhe për më tepër piktorë me emër si Degas e të tjerë. I sëmurë dhe në dhembjen e madhe të vetmisë, ai pikturoi një tablo të madhe, më e madhja e tij ku poshtë shkruante: «Nga vijmë? Kush jemi? Ku shkojmë? Një problem i përhershëm që godet krenarinë tonë. O dhembje, ti je Zoti im!»… Dhe tabloja do të quhej «Nga vijmë? Kush jemi? Ku shkojmë?» (D’où venons-nous? Qui sommes nous? Où allons nous?)… Një pyetje filozofike e ekzistencës njerëzore. Një ditë ai u ul dhe shkroi: «Mbrëmjen që shkoi pashë se kisha vdekur dhe u habita sepse ishte momenti kur vërtet e ndjeva veten të lumtur!»…
Tashmë sëmundja po e dërmonte gjithnjë e më shumë. Dhembjet ishin akoma më të mëdha. Morfinë, zvarritje, bojra, telajo, pikturë… atje i rrethuar nga tablotë, nderur në atë kasolle të mjerë. Ç’bënte ky piktor në fund të botës? Një mëngjes, një indigjen e gjeti pa frymë dhe shkoi të lajmërojë të tjerët: «I bardhi ka vdekur!»… «I bardhi ka vdekur!» Ishte data 8 maj 1903. Arkivolin për në varreza e shoqëroi prifti i ri dhe katër njerëz të mjerë të atij ishulli vullkanik që e mbanin për ta çuar në varrezat e misionit katolik në majë të kodrinës.
Më vonë, një pllakë guri ishte vendosur në varrin e tij: «Ci-gît Paul Gauguin, artiste français, juin 1848 – mai 1903, Société des études océaniennes» (Këtu prehet Paul Gauguin, artist francez, qershor 1848-maj 1903, Shoqata e studimeve oqeanike»). Kur tablotë e Gauguin erdhën në Francë dhe një ekspozitë u hap në Paris, bota e artit të metropolit zbuloi atë që nuk e kishte kuptuar si dhe dramën e tij, zbuloi Gauguin-in si një artist të madh…
Mjerisht, unë do t’i shikoja vonë riprodhimet e tablove të tij në botimet franceze që qarkulluan fshehurazi në Tiranë në vitin 1973-1974. Ndërsa ngjyrat e pikturave të tij, ato që të rrëmbejnë dhe të çojnë larg Francës, i pashë veçse kur erdha në Paris, në sallonet e Musée d’Orsay… Ai ishte atje, në një sallë më vete, me hiret dhe lavdet e piktorit të madh, me ngjyrat e forta që për një kohë të gjatë nuk më shqiteshin nga kujtesa…

Fotografia e Luan Rama

Fotografia e Luan Rama

Fotografia e Luan Rama

Fotografia e Luan Rama

Fotografia e Luan Rama

Please follow and like us: