Ndue Ukaj: Gjergj Fishta dhe kahet e injorancës shqiptare
Para se ta përdorni Fishtën për ta sharë Europën, lexojeni veprën e tij në plotëni, për ta parë ç’dashuni të madhe ushqen ai për kombin, shtetin dhe për Europën…
…
Gjergj Fishta, ka shkruar një vepër të madhe letrare e publicistike, në të cilën ka transmetuar dashuninë e pafund për kombin. Po, ai i është blatuar dashunisë për kombin, gjuhën, identitetin, aq sa e tejçon ligjërimin e tij në botën e përtejme, duke i premtuar Shqipërisë se, “edhe n’vorr ka me parmendë”.
Por kjo dashuni, nga bashkëkombësit e tij, nuk është se është kuptuar si duhet, e ndonjëherë mund edhe t’iu ketë penguar.
…
Nuk di të ketë ndonjë rast kur Fishta citohet e përmendet më shumë sesa kur ka ndonjë mosmarrëveshje apo keqkuptim ndërmjet shqiptarëve dhe Europës.
Dhe, janë disa vargje të tij, ku ai shpërthen nga pezëm e dhimbja për atdheun e tkurrur dhe e kritikon ashpër Europën. E, ato vargje, të cilat duket se i di secili shqiptar, përdoren sot e gjithë ditën, për t’i helmatisë shigjetat me urreje kundër Europës.
Por, shqiptarë e shkretë në punë të dijes e të leximit, nuk është se e kanë lexuar sa duhet veprën e tij, sidomos atë publicistike, ku ai flet për tema që lidhen me shtetin, kombin, raportet me të tjerët, etj.
Prandaj, sot, shumë s’e dinë ose s’duan ta dinë se, Fishta në të vërtetë e ka dashtë Europën, si atdhe të vetin, ashtu siç e ka dashtë Shqipërinë, të cilës i premtoi se edhe në vorr ka me përmendë.
Për ma tepër, Fishta ka vuajtë pse Shqipëria nuk është si krejt Europa. Dhe këtë e ka dëftue në shumë vargje e tekste publicistika.
Po, ai ka vuajtë shumë, pse shqiptarët janë këputun nga rrjedhat artistike, kulturore dhe politike të Europës, e vuajtet i ka transmetuar në art, por sidomos në publicistikë. Prandaj, para se ta përdorni Fishtën për ta sharë Europën, lexojeni veprën e tij në plotëni, për ta parë ç’dashuni të madhe ushqen ai për kombin e shtetin dhe për Europën.
E unë jam i sigurt se, sikur Fishta të lexohej përnjëmend, dhe, sikur shqiptarët të këshilloheshim nga mendimet e tij shumë të vlefshme, qëmoti do të ishim si krejt Europa, për ç’kauzë, sa qe gjallë, ai luftoi me tana fuqitë e tij shpirtërore dhe intelektuale.
Fishta, ka shkruar një duzinë shkrimesh fantastike, në të cilat flet me dashuni e pietet për vlerat e qytetnimin perëndimor dhe për nevojën që shqiptarët të rihyjnë në vallen e bukur të këtij qytetënimi.
E, sot, po ta shihte Fishta sesi citohen vargjet e tij poetike kundër Europës, kishte m’u trishtue, e kishte m’e t’ia krisë satirës së ashpër kundër halldupëve e zuzarëve.
…
Një intelektual i madh i asaj kohe, Vangjel Koça, duke e parë atmosferën e rëndë intelektuale, shkruante: “Siberia mendore shqiptare na ka falur shumë kufoma mendore…”.
Po, më duket se këto mendime, në jetën shqiptare nuk po vjetrohen asnjëherë ose, thanë më ndryshe, po u ngjajnë venës. Sepse, kanë kaluar shumë vite prej kohës kur ka shkruar Fishta e Koça, por shqiptarët nuk është se kanë evoluar shumë.