Albspirit

Media/News/Publishing

Studentët protestues i dërgojnë letër Kuvendit

Studentët protestues i kanë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë disa kërkesa që duan të plotësohen me buxhetin e vitit 2019, të cilat kanë në bazë 8 pikat e parashtruara prej tyre që në fillimet e protestës. Si pikë të parë në këtë letër drejtuar Kuvendit, studentët rendisin kërkesën për rritjen e buxhetit të arsimit në 5% të GDP-së, me qëllim përgjysmimin e tarifës për çdo nivel studimi. Po ashtu studentët kërkojnë përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës në universitete dhe konvikte si edhe transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Institucionet e Arsimit të Lartë dhe publikim të shpenzimeve online.

Një kërkesë tjetër në letrën e studentëve drejtuar Kuvendit është rritja nga 10 në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për Dekan dhe Rektor si dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në Senatin Akademik. Gjithashtu studentët protestues kërkojnë rishikimin e titujve akademikë dhe verifikimin e plagjiaturave dhe teksteve mësimore. Ndër kërkesat e tjera janë pajisja me kartën e studentit, ndërtimi i bibliotekave me standarde europiane si dhe vlerësimi i performancës së pedagogëve në mësimdhënie dhe kërkim shkencor./abcnews.al

Please follow and like us: