Përjashtimi nga Shqipëria i Ambasadorit të mullahëve dhe shefit të stacionit të Ministrisë së Inteligjencës
Përjashtimi nga Shqipëria i Ambasadorit të mullahëve dhe shefit të stacionit të Ministrisë së Inteligjencës është një hap i nevojshëm për t’iu kundërvënë terrorizmit dhe diktaturës fetare që sundon Iranin
Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, e ka mirëpritur përjashtimin e Ambasadorit të regjimit iranian dhe të shefit të stacionit të Ministrisë së Inteligjencës në Shqipëri. Ajo e ka përshkruar këtë akt të guximshëm si një hap të nevojshëm për t’iu kundërvënë terrorizmit dhe diktaturës fetare që sundon Iranin, si dhe një domosdoshmëri për sigurinë e vendeve europiane.
Prillin e shkuar, Kryeministri Edi Rama pati shpallur se ishte parandaluar një komplot terrorist i kurdisur nga regjimi klerikal kundër Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK). “Ne jemi në anën e duhur të historisë. Jemi mes vendeve europiano-atlantike të cilat gjenden nën të njëjtin kërcënim. Besoj se të gjitha këto vende do të veprojnë kundër kërcënimeve terroriste,” pati deklaruar z. Rama më 19 prill 2018.
Gholamhossein Mohammadnia, ambasadori i regjimit në Shqipëri, dhe Mostafa Roudaki, shefi i stacionit të Ministrisë së Inteligjencës (MOIS) në atë shtet, janë të dy zyrtarë të lartë të MOIS, të cilët u ekspozuan nga Rezistenca Iraniane në vitet 2016 dhe 2017. Mohammadnia ishte përfaqësuesi i MOIS në delegacionin e kryesuar nga Ministri i Jashtëm i regjimit Javad Zarif gjatë bisedimeve bërthamore që çuan në krijimin e paktit bërthamor me Iranin, i njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA).
Në letrën e tij më të fundit, Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka falenderuar qeverinë e Shqipërisë për “përpjekjet e saj të patundura për të ngritur krye ndaj Iranit e për t’iu kundërvënë veprimtarive të tij destabilizuese dhe përpjekjeve për të heshtur disidentët në mbarë globin.”
Znj. Rajavi tha se mullahëve që sundojnë Iranin duhet t’u tregohet se “veprimtaritë e tyre terroriste në Europë e në mbarë botën do të kenë pasoja serioze.”
Ajo shtoi, “Që tre dekada më parë, Rezistenca Iraniane e ka theksuar gjithmonë se Ministria e Jashtme e regjimit iranian dhe diplomatët e ambasadat e saj janë pjesë thelbësore e makinerisë së terrorizmit të regjimit. Tre komplote të mëdha terroriste nga mullahët në Shqipëri në mars 2018, në Francë në qershor 2018, dhe në Danimarkë në shtator 2018 kanë qenë të planifikuara nga këto ambasada e diplomatë.”
“Regjimi klerikal e ka gjetur të vetmen rrugëdalje nga krizat e ngërçet e pandreqshme të brendshme e të jashtme në shtypjen e popullit të Iranit, luftënxitjen në rajon, kërcënimet me raketa, si dhe në shpërndarjen e lajmeve të rreme, denigrimin, dhe terrorizmin, veçanërisht kundër Rezistencës Iraniane, të cilën e sheh si një kërcënim ekzistencial,” tha znj. Rajavi, duke shtuar, “Regjimi në Teheran është kumbari dhe epiqendra e terrorizmit nën flamurin e Islamit në botën e sotme. Për këtë arsye, etiketimi i Ministrisë së Inteligjencës si një entitet terrorist dhe përjashtimi i diplomatëve terroristë të mullahëve nga SHBA dhe Europa është i domosdoshëm për sigurinë e këtyre vendeve dhe kërkohet gjithashtu nga populli iranian”,
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit