Artur Roshi: Vota e tyre vidhet prandaj ata nuk vlejnë
Ne, partitë jo-parlamentare mblidhemi sërish sot për të bërë apelin e fundit Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në prag miratimit të kodit zgjedhor. E kërkojnë partitë e vogla se kërkojnë disa interesa dhe janë shumë në numër, që nuk ua plotësojmë dot thonë Partitë e mëdha. Mentaliteti i majtë ka mbërthyer çdo qelizë të mendimit politik shqiptar. Të jesh në kërkim të interesit mbi parime, mbi moral dhe mbi ide që ndryshojnë për mirë të ardhmen tonë nuk është mëkat, aq më tepër kur interesi që gjurmon shkon në kahun e interesit të shoqërisë dhe të fëmijëve tanë. Partitë e mëdha marrin përsipër një rol paternalist me mendësinë e partisë shtet, se nuk ka vend për të gjithë partitë. Kush janë këto parti? Janë ato që me këtë logjikë mbajnë peng sistemin tonë shoqëror duke mos lejuar votën e lirë, e për pasojë duke vënë nën kontroll të plotë jetën e çdo shqiptari. Për këto parti që Liria është babai i anarkisë. Këtë lloj evoluimi të themi që kemi sot, së pari duhet ta mbrojmë, sepse “përparimi” nuk është një ligj natyre. Ai mund të zhbëhet. Prandaj vota e lire garanton kontrollin e këtij zhvillimi që kemi sot dhe inkurajon evoluimin e shoqërisë. Të gjithë kemi vënë re se vendi ynë në gjithë këto vite është drejtuar vetëm me emotivitet, ka punuar si një motor në boshllëk. Vlerat janë karburanti të cilat i prodhon mëndja. Është krijuar bindja se e keqja është e destinuar të fitojë. Sot mentaliteti i qeverisë sonë dominohet nga adhurimi i kuletës, nga pushteti personal, kotësi veriake, jashtë vizionit të së ardhmes dhe qëndron në pushtet, jo për shkak të predikimeve, por për shkak të mëkateve. Pse studentët sot janë në gjendje kritike për të vazhduar studimet? Unë them se përgjigja e kësaj pyetje është mungesa e votës së lirë, sepse nëse nuk do të vidhej vota nuk do guxonte kryeministri të përçmojë 140.000 vota. Qeveritë ngrihen nga njerëzit për t’iu shërbyer dhe jo për tu përçmuar. Ata qytetarë nuk trajtohen as si emigrantë! Për qytetarët e Unazës së Re është e njëjta situatë. Vota e tyre vidhet prandaj ata nuk vlejnë. Pra, çmon vlerën. Vlera e mendimit ngrihet për atë që beson, mbi votën që voton. Kështu, ne nuk mund të nxjerrim tjetër model. Modeli që kemi parë në 45 vite ka qenë modeli që i ka shkatërruar shqiptarët në ekzistencën e tyre si qenie njerëzore, por është më e rëndësishme në mënyrën për të menduar.
Fjala e mbajtur në Tryezën e Koalicionit për Reformën Zgjedhore.