Albspirit

Media/News/Publishing

PËRÇARJA MIDIS SHQIPTARËVE, NUK I SHËRBEN ÇËSHTJES KOMBËTARE…!

 

 

Në një sallë luksoze, sot në Tiranë do të mblidhet Konferenca e rradhës apo Kongresi i Adam Ullurit.

Një vit më parë, në Prishtinë, me përpjekje të mëdha e në mes të një rrëmuje të madhe u bë Kongresi i UGA-së, Kongresi i Unitetit Global Alban. Një emër i madh që e dëgjonim për herë të parë.

U përpoqëm ta ndryshonim e ta thjeshtësonim, por nuk patëm sukses.

Na thanë se kështu është regjistruar e kështu do të hyjë në historinë e shqiptarëve.

Edhe ne që shkruajmë këto rradhë ishim në mesin e delegatëve, punuam shumë dhe ndjemë kënaqësi që arritëm të ishim bashkë, shumë e shumë shqiptarë, nga të katër anët e mëmëdheut.

Po nga të katër anët na inçizuan, na filmuan e na fotografuan.

Vetë Adami i Ullurve, qendronte tek qendra e zërit, komandonte zhvillimet në sallë e replikonte me delegatët.

Më vështirësi arritëm ta mbyllnim veprimtarinë dhe mblodhëm Këshillin e zgjedhur Alban për të promovuar bashkëkryetarët.

Kërkuam të vinte në takim edhe sponzori i Kongresit, organizatori, njeriu që qëndronte në prapaskenë, Adam Ulluri.

Na thanë që ishte larguar menjëherë, për në Gjermani.

Ishte larguar pa na përshëndetur, pa u bërë pjesë e analizës dhe rezultateve të Kongresit, për të cilin edhe ai, kishte punuar.

Nuk e njihnim mirë dhe në ato ditë të ngarkuara me punë, nuk arritëm të kishim një portret të saktë, të këtij njeriu që promovonte dashurinë për atdheun me disa skema hyjnore, me të cilat sygjestiononte dëgjuesit.

Pas 365 ditëve, sot ai shfaqet përsëri, këtë rradhë në Tiranë, në mesin e disa shqiptarëve të mirë të cilëve do të vazhdojë t’u tregojë përralla me atdhedashuri.

Kjo është fasada e pas saj, ai do të marrë me vehte përsëri inçizime, filmime e fotografi të shumta, me të cilat do të shesi punë, sakrifica e përkushtim, në dobi të atdheut e të bashkimit kombëtar të shqiptarëve.

E mërgata shqiptare, kurbetqarët e mundqarët e devotshëm do t’i japin përsëri para, me të cilat ULLURI, do të vazhdojë ciklin e Konferencave mbarëshqiptare, ku gjithmonë do të shitet atdhedashuri…!

Shkak për të shkruar këto pak fjalë, u bë një ftesë e cila na erdhi pak ditë më parë, nga një grua lajkatare.

Ajo ftonte kryetarin e zgjedhur të Këshillit Alban të Shqipërisë në Konferencën e Tiranës, ftonte të zotin e shtëpisë, në dasmën e vet.

Shumë gjëra na erdhën në kokë dhe shumë gjëra kishim për të thënë.

Nuk fola dhe nuk gabova thotë populli e dikush tjetër me siguri do të ja jepte reston.

Mblodhëm anëtarët e kryesisë dhe i njoftuam për ngjarjen.

Ishim të sigurtë se do të përsëritej skenari i Prishtinës dhe i disa kongreseve të tjera, të bërë më parë.

Do të kishte përsëri biseda e fjalime, do të kishte gra të veshura bukur qe do të trokisnin gotat me buzë në gaz.

Do të kishte edhe njerëz seriozë që do ta kuptonin paradën e modës e do të kredheshin në mendime.

Më i kujdesshmi do të ishte “stafi i konferencës” i cili do të marrë me vehte bujën e eventit, filmimet e fotografitë e rradhës për t’i a paraqitur përsëri mërgates si provë për punën e madhe që po bëhet, për çështjen kombëtare.

Këto materiale do t’i shërbenin njëkohësisht organizatorve si provë, për të siguruar para të tjera për Kongresin e dhjetorit të vitit 2019.

Në Tiranë, ka intelektualë të mirënjohur që ruajnë filmime e fotografi të një Kongresi më të hershëm, atë të vitit 2015.

Me disa prej tyre, ne kemi biseduar.

Aty shihen njerëz të nderuar por të zhgënjyer nga “farsa Ulluri”, të larguar për të mos u kthyer kurrë më, në UGA-në e tij, të rrathëve e “skemave hyjnore”.

Thuhen shumë fjalë për zotin ULLURI, thuhet se grumbullon “para me okë”, për çështjen kombëtare e “shpenzon me dërhem” e restoja mbetet në xhepin e tij por ne, nuk do të merremi me këtë çështje.

E rëndësishme është të evidentojmë se organizatorët e këtyre aktiviteteve, nuk janë realisht njerëz të shoqërise civile, por anëtarë të stafit elektoral të Partisë Demokratike të Unitetit të Kosovës, të drejtuar nga Adam-Adem Ulluri.

Këto njerëz, në kundërshtim me statutin dhe Programin e UGA-së, janë bërë pjesë e mashtrimit dhe në emër të shoqërisë civile, punojnë për një Parti Politike të caktuar dhe liderin e saj.

Edhe këtu në Tiranë, njerëz të paautorizuar, në emër të Këshillit Alban të Shqipërisë, që nuk përfaqsojnë asgjë në këtë organizatë, kanë shpërndarë ftesa, për një konferencë të pamiratuar dhe natyrisht të mohuar e në kundërshtim me veprimtarinë ligjore, të UGA-së.

Organizimi i veprimtarive të tilla, në kundërshtim me programin dhe Statutin e Unitetit Alban të Shqiptarëve së bashku me transparencën e fondeve dhe konton bankare të UGA-së, në Prishtinë, do të jenë një ditë, pjesë e detyrave të organeve të specializuara hetimore, në Kosovë.

Të gjithë këto probleme u bënë pjesë e analizave të kryesisë së Këshillit Alban të Shqipërisë i cili është distancuar nga Konferenca e sotme e Tiranës apo “zijafeti ULLURI”, duke e konsideruar në shkelje të programit, qëllimeve për të cilat është ndërtuar UGA e veçanërisht në shkelje të statutit të kësaj organizate, të miratuar në Konferencën e Shkupit, të Marsit 2018.

Sot në takimin e Tiranës do të mungojnë, kryesia e Këshillit Alban të Maqedonisë, Kryesia e Keshillit Alban të Shqipërisë, do të mungojnë sekretarët dhe kryetarët e këshillave Alban; do të mungojnë themelues të kongresit të Prishtinës, përfaqësues të Kosovës lindore e shumë të tjerë.

Ata nuk do të vinë se janë kundër lojrave me atdheun, kundër pehlivanëve të çështjes kombëtare shqiptare…!

 

Dashamir Uruçi

Bajram Ibraj

Eduard Mullaraj

Nuri Dragoi

 

Tiranë, 21 Dhjetor 2018.

Please follow and like us: