Albspirit

Media/News/Publishing

Hermes Nikaj: Kam lindur në luks, shpenzoj shumë, nuk di ta ruaj paranë

Egla Xhemali – Ai është një nga personazhet më të dashur për publikun shqiptar. E kemi fjalën për Hermes Nikajn që për shumëkënd njihet me nofkën “Zogu i Tironës”. Pas një mbyllje të suksesshme në “Aldo Morning Show”, ai vjen çdo ditë në emisionin “Dita e re” në “Ora news”, ku interviston të famshmit. Ka vetëm tre muaj që Hermesi ka festuar 25-vjetorin në një festë gjigante. Gjithçka është perfekte për sa kohë ai dhuron vetëm energji pozitive. Për “Gazeta Shqiptare” Nikaj tregon detaje nga ditët e tij, se kur e quan një femër pa shije, deri ku e lejon të dashurën që të ndërhyjë, raportin që ka me paranë, festën madhështore që organizoi për ditën e lindjes, si dhe atmosferën e dhjetorit në shtëpinë e tij. Ai është i lidhur fortë me punën, që është njëkohësisht edhe pasion i tij. Hermesi pohon se është rritur në luks dhe raportin me paranë nuk e ka dhe aq të mirë pasi shpenzon shumë. Festa e ditëlindjes që u mbajt larg syve të medias qe një organizim i jashtëzakonshëm. Duket se televizioni do jetë edhe më tej shtëpia e tij e madhe. Për të gjitha i falet Zotit. Sukseset arrihen vetëm me besim dhe duke punuar!

 

Si është një ditë për ty?

Një ditë me mua është plot energji dhe plot me punë të planifikuara me parë. Zgjohem rreth orës 6:00 të mëngjesit, ndërkohë që pi kafen dhe lëngun e portokallit, pastaj vishem dhe dal nga shtëpia. Rreth orës 7 e 45 më duhet të jem gati pasi filloj transmetimin në “Ditë e re”. Pjesën më të madhe të ditës e kaloj me regjistrime dhe duke planifikuar temat apo personazhet e programit. Megjithëse jam i zënë, gjej kohën për të takuar miqtë herë për kafe ose për darkë. Më pas koha dedikuar familjes.

Karriera po shkon mirë, po jeta private si shkon?

Jeta private shkon shumë mirë.

Kur një femër për ty është pa shije?

Kur është fodulle, e paedukatë dhe jo e veshur mirë.

Deri ku e lejon partneren tënde të ndërhyjë?

Çdo gjë e ka një limit, gjella me kripë dhe kripa me karar thotë populli.

Kemi parë që bën një jetë tejet luksoze, cili është raporti yt me paranë?

Unë kam lindur dhe jam rritur në luks. Luksi është pjesë e imja. Shpenzoj shumë, nuk di ta ruaj paranë. Faleminderit të madhit Zot për gjithçka!

Para tre muajsh festove 25- vjetorin, çfarë synon më tej në punën tënde në televizion në këto vite maturimi që të presin?

Po, festova 25-vjetorin në një festë plot zhurmë, por private dhe jashtë kamerave. Jam i lumtur dhe i kënaqur me çfarë kam arritur në televizion. Sigurisht që synoj më të mirën dhe mendoj se ia kam dalë mbanë deri tani.

Si festohen festat në shtëpinë e Hermesit?

Me drita, me ngjyra, me këngë Krishtlindjesh, me panetone e bakllava, me dëshirë për të dhuruar etj..

Ku e gjen frymëzimin në jetë dhe çfarë ju apasionon?

Te njeriu që dua. Është forca ime. Te gjërat e bukura… Shmang energjitë e këqija dhe konfliktet që lindin nga mendjet e cekëta.

Cilat janë idealet e tua?

Dashuria për familjen. Ai është habitati më i mirë për një shpirt të lumtur. Është dashuri e pakushtëzuar.

Ç’është elegancë për ty?

Eleganca për mua është sjellje, është stil dhe qëndrim.

Përveç gazetarisë, profesioni me të cilin ke menduar të sigurosh jetën?

Jam shumë i lumtur për çdo mundësi që më është dhënë në jetë. Mendoj se në çfarëdo profesioni të isha, do të bëja më të mirën time që të arrija sa më lart. Televizioni besoj se do të jetë një pjesë e imja për një kohë të gjatë në të ardhmen./gsh.al/

Please follow and like us: