Albspirit

Media/News/Publishing

Sulejman Mato: Tritoli i fjalëve

Të flasësh sikur ke tritol në gojë,   ose të flasësh për tritol duke menduar se fjalët me tritol në gojë të thëna në parlamentin shqiptar do nxitin të nesërmen hedhjen në erë të një shtylle tensioni. Dhe kjo sillet si një fakt se ja, KESH-i nuk ecën si duhet, pasi me tritol në gojë e nxit kundërshtarin për terrorizëm.

Me votat tona kemi krijuar një parlament, i cili ka humbur kuptimin, pse është zgjedhur dhe çfarë duhet të bëjë. Çfarë bën sot parlamenti ynë? Çdo të ënjte bën një luftë të ndezur fjalësh. Është një parlament i tipit “Albanistan”. Gjatë viteve tridhjetë, kur në Europë dominonin dy diktatorë të mëdhenj, Hitleri dhe Stalini, sipas filozofit G. Sartori, “as njëri dhe as tjetri nuk kanë pretenduar kurrë që regjimet e tyre të ishin demokratike”. Në ato vite, sipas Sartorit, nuk kishte debate, ndonëse duhet thënë që të dy këta diktatorë, përfshi dhe Musolinin, e nisën rrugën drejt pushtetit diktatorial si anëtarë të partive të tyre   socialiste. Stalini e nisi rrugën e tij drejt diktaturës duke qenë anëtar i një partie komuniste, një parti ekstremisht e majtë. Shtetet e tjera të Europës, gjer në vitin 1945, me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore ishin të kënaqura me “demokracinë” e tyre. Fjalët “demokraci” dhe “demokraci popullore” u shfaqën pas fitores ndaj nazizmit.

 “Pa mbaruar përleshja e armatosur, nisi lufta e fjalëve”, – thotë A.Sartori. Është  kjo luftë e ftohtë fjalëve që vazhdon edhe sot në parlament, në media dhe midis formacioneve të kundërta politike.

Në këtë pikë janë të ngjashëm si dy pika uji, socialistë dhe demokratë… Njëra forcë nxin, forca tjetër zbardh. Njëra forcë akuzon, tjetra shpif dhe shantazhon. Kjo quhet lufta e ftohtë e fjalëve. Filozofi Karl Poper thotë: “S’kemi pse të zihemi për fjalët dhe për ca pseudo probleme të tilla si kuptimi i vërtetë, thelbësor i fjalës demokraci. Secili mund të zgjedhë emrin që dëshiron”.

Sigurisht që në parlamentin tonë, por edhe në debatet publike nuk zihen për fjalët, as për platformat e tyre të përafërta, grinden me fjalët dhe për fjalët. Lufta e fjalëve ka rëndësinë e vet, mirëpo kur largohesh nga thelbi, debati kthehet në një banalitet të plotë: “Kush ishit ju e kush jemi ne”, “Kush jemi ne e kush ishit ju”, “Sa vodhët ju e sa vodhëm ne”…

Materialistet dhe pragmatistët i përdorin fjalët në kuptim materialist, që nënkupton se çfarë mund të përfitohet nga kjo luftë fjalësh. Idealistëve të Partisë Socialiste, si dikur Blushi e tre-katër të tjerë, ose i vetmi, i dikurshëm, Blushi, u mbetet ta përdorin fjalën si artin e lashtë të bindjes, për të parë poshtë, në popull, realitetin e hidhur.

Edhe pse fjalët shprehin mendime dhe emocione, ato nuk duhen marrë seriozisht, kur lufta behët vetëm në kuadrin e fjalëve. I humbur në luftën e fjalëve është vetëm ai që  nuk e njeh artin e oratorisë. Padyshim, edhe kur fjalët nuk përçojnë ide dhe fakte, ato lënë gjurmët te kundërshtari, por edhe te populli i thjeshtë, i cili nuk e ka intelektualitetin e oratorëve për të  shtrembëruar të vërtetën. “Populli përbëhet nga mendje të thjeshta”, -thotë G.Sartori, te libri “Edhe një herë për teorinë e demokracisë”. Populli i thjeshtë priret të besojë dhe ka të drejtë të besojë ato çfarë thonë oratorët e politikës. Populli di vetëm një gjë, që jeton në një sistem demokratik dhe që sipas rrotacionit të qeverisjes, qeveriset nga socialistët dhe jo nga demokratët. Ai nuk e ka të qartë se ku është ndryshimi midis kuptimit të fjalëve “socialist” dhe “demokrat”. Ata janë ndarë midis tyre në këtë luftë fjalësh, ashtu siç ndahen tifozët në një ndeshje futbolli,  dikujt i pëlqen fanella e kuqe, dikujt i pëlqen ngjyra blu. Preferenca, padyshim nuk është kaq e thjeshtë. Ka edhe arsye të tjera, si për shembull, për shkaqe mentaliteti apo të trashëgimnisë familjare. Në fakt, preferencat duhet të ishin sociale, për shkak të platformave ekonomike. Mirëpo, platformat e tyre janë gati të njëjta, madje duket sikur Partia Demokratike në luftën e saj për pushtet, ofron më tepër një reformë ekonomike më të majtë se e majta. Ku është ndryshimi? Kam idenë se këtë gjë nuk e dinë as vetë oratorët, pasi fjalët “demokraci” dhe “socializëm” përmbajnë në vetvete kuptime konvencionale.

Në fjalorin politik ka shumë fjalë që shprehin në vetvete konvencione. Fjalët fashizëm, nazizëm janë pjellë e partive socialiste në vendet e tyre, të cilat tashmë kanë hyrë në fondin e fjalëve pegiorative. Po kështu, edhe fjalët “ballist” dhe “zogist”, për arsye që nuk dua të zgjatem me këtë histori, kanë hyrë në këtë fond pegiorativ. Në fondin e fjalëve pegiorative ka hyrë pjesërisht dhe vetë periudha e socializmit, ku u ndërtua shteti dhe u zhvillua shoqëria. Pra, është fare e thjeshtë të etiketosh me fjalë një njeri, një shoqëri, një sistem qeverisje. Qeverisje popullore e kemi quajtur kohën e socializmit, qeverisje popullore e quajmë qeverisjen që kemi sot. Ku qëndron  ndryshimi? “Demokracia lidhet me socializmin, – thotë Tokëvili, vetëm nëpërmjet një fjale-barazi, por duhet pasur parasysh dallimi: Demokracia është barazi me liri, kurse socializmi kërkon barazi me varfëri dhe skllavëri”.

Socializmi sot është një socializëm liberal-demokratik, ku një nga cilësitë e tij është që individit t’i jepet e drejta të mbrohet me avokat. “Ku qëndron ndryshimi midis një avokati dhe një hajduti?”, – më pyeti një ditë një avokat, si me shaka. Dhe më pas u përgjigj. “Ndryshojmë shumë. Ne jemi hajdutë me licencë”.

Lufta e fjalëve thotë Ch.Stevenson ka të bëjë me vlerat e tyre emotive”. Poeti sovjetik, Evtushenko kur erdhi në Shqipëri dhe u takua me disa shkrimtarë dhe artistë, shoqëruesi e prezantoi si një poet disident. Jo. tha ai, duke u ngritur me vrull në këmbë. Unë nuk jam disident. Unë jam  intelektual i lirë. Kritikoj dhe sot çdo padrejtësi, kur shoh që gjërat nuk shkojnë mirë. A e dini se çfarë ndodh tek ne? – vijoi ai – Tek ne është krijuar një parti, që mban emrin popullore. Ajo i ka zyrat në një kazermë ushtarake dhe vetëm emrin ka “Popullore”. Ishin ato vitet e para pluraliste, ku edhe te ne mbinin partitë si kërpudhat pas shiut.

Qytetarët çdo të enjte shohin spektakël  me luftë fjalësh. Një luftë e ashpër me fyerje, presione, trillime dhe  shpifje djathtas-majtas. Nxij e ndrit, nxij e ndrit. Njëra palë nxin, pala tjetër ndrit. Mirëpo jashtë parlamentit, pas luftës së fjalëve, rrinë gati bodigardë, vrasësit e paguar, hajdutët e pronës shoqërore, kriminelë të lidhur me pushtetin dhe trafikantë. Lufta e ndezur e fjalëve nis në parlament dhe vazhdon në jetën e përditshme. Ajo i ka rrënjët në parlament. Ajo ka tribunarët e tij në parlament, pasi jashtë tij ka nga ata që e ushqejnë atë dhe e shumëzojnë atë luftë.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është teorik. Edhe lufta e fjalëve e çon përpara mendimin dhe progresin. Ajo që dua të theksoj në këtë shkrim është kjo: Është tepruar shumë me këtë luftë të ashpër fjalësh. Jemi lodhur me këtë parlament. Jemi lodhur me këtë spektakël luftarak. Jemi mërzitur me këtë luftë të tipit: Unë shaj, ti shan, ai shan. Lufta e fjalëve duhet të jetë e tillë që të vlerësohet fakti dhe të mospërjashtohet kundërshtari. Je i lirë të flasësh. Je i lirë të debatosh, je i lirë të thuash mendimin tënd. Je i lirë të këmbëngulësh në mendimin tënd. Por, nuk ke të drejtë dhe nuk je i lirë për t’i imponuar kundërshtarit mendimin tënd me çdo kusht. As të kërcënosh me levat e verbra që të shoqërojnë. Në qoftë se ajo që bëhet sot në parlament është një luftë e ftohtë fjalësh, pa prapavijë, ajo duhet të mbarojë me një paqe dhe shtrëngim duarsh midis dy kundërshtarëve. Lufta është luftë. E ashpër dhe e fortë, por debati  duhet të jetë një debat intelektual, që do të thotë, në fund të ndeshjes  kundërshtari politik duhet t’i shtrëngojë duart kundërshtarit, ashtu siç ndodh në një ndeshje boksi. Boksierët nuk janë intelektualë, por pas grushteve dhe shqelmave vjen shtrëngimi i duarve. Në fund të ndeshjes boksierët qetësohen, i japin dorën njëri-tjetrit. Në fund të ndeshjes, edhe lojtarët e lojës “lufta e fjalëve” duhet të qetësohen dhe t’i japin dorën njëri-tjetrit, në qoftë se kjo luftë fjalësh në parlament është vetëm një lojë./gsh.al/

Please follow and like us: