Unë do të jem në protestë, por jo për të kërkuar dorëheqjen e Ramës
Mentor Kikia
Unë e mbështeta protestën e studentëve, por nuk iu bashkova asaj. Kërkesat e tyre mbetën vetëm në kuadër të universitetit dhe mendoj se është një mision që duhet ta çojnë përpara studentët dhe pedagogët.
Unë do të jem në datën 28, në protestën që kanë thërritur një grup emigrantësh. Por, nëse aty do të kërkohet thjeshtë dorëheqja e kryeministrit, unë nuk do të qëndroj. Sepse kjo nuk zgjidh asgjë. Edhe nëse aty lëshohen akuza të tilla si: Shqipëria është vendi më i korruptuar në Evropë, Shqipëria është vendi më i varfër i Evropës, shqiptarët po e braktisin Shqipërinë etj, unë sërish nuk do të qëndroj. Sepse më të tilla fjalime këtu as skuqet e as zverdhet njeri më. Edhe nëse bëhen kërkesa modeste si rritje pagash e pensionesh, apo shpërblime për Vitin e Ri, unë sërish nuk do të qëndroj. Sepse unë mendoj se vendi është në nevojë urgjente për të adresuar çështje që ta prekin problemin në gjenezë, të godasin sistemin.
Unë po rendis disa çështje(kërkesa). Edhe pse më shumë se të tilla, ato janë një përpjekje për të ngjallur në debat në nivel intelektual dhe ekspertësh, për çfarë duhet dhe mund të bëjë shoqëria sot.
1-Duhet përmbysuar ligji zgjedhor!
Ligji zgjedhor ka nevojë për një rishikim rrënjësor.
Sepse ligji aktual nuk garanton transparencën e financimit të partive dhe mundëson që politika të ushqehet me para të pista, duke blerë vota e duke deformuar demokracinë. Sepse partitë janë sot ndërmarjet më të zeza në vend.
Sepse ligji aktual u mbyll derën partive të vogla, duke siguruar dominimin e skenës politike nga dy paritë e mëdha, PS e PD(me LSI-në sa majtas-djathtas).
Sepse ligji aktual, përmes listave të mbylluar, u garanton kryetarëve sundim absolut mbi partitë e tyre, duke i shndërruar ata në drejtorë ekszekutivë. Populli voton partinë dhe partia(kryetari) emëron deputetët. Për këtë arsye, asnjëra palë nuk dëshiron ta ndryshojë këtë ligj, sepse ai u garanton atyre rrotacion dhe sundim në skenën politike. Pa ndryshimin e këtij ligji, këtu nuk ka zgjedhje të ndershme dhe nuk ka garë reale politike.
2-Duhet ndryshuar ligji për prokurimet publike
Ky ligj është çelësi i të gjitha aferave korruptive me fondet publike. Ai është hartuar në mënyrë të atillë që u jep liri enteve prokuruese të vendosin kritere secili sipas “qejfit” të vet, duke paracaktuar fituesit e tenderave. Besoj e keni parasysh tenderin tashmë të famshëm, i cili kishte si kriter që kompania të kishte një inxinier që ta kishte marrë diplomën fiks në vitin 1971, dhe këtë e kishte vetëm një kompani, ajo që ishte paracaktuar ta fitonte tenderin.
Pikërisht për këto arsye, në të tre tenderat në Unazën e Madhe të Tiranës, ku paraja derdhej lumë, morën pjese vetëm nga një konkurent për çdo segment.
Me këtë ligj ka shitur tenderat qeveria e demokrateve dje, dhe po me këtë ligj vazhdon të shese tenderat qeveria e socialistëve sot.
3-Të ndalohet me urgjencë përfshirja e kompanive offshore në tendera publikë.
Ato janë sot forma më flagrante e zhvatjes së pronës publike dhe pasurisë kombëtare. Skandali i madh i një segmenti të unazës së Tiranës ishte dëshmia më e fortë. Por, prej 15 vjetësh, përmes këtyre kompanive fantazëm të regjistruar në parajsat fiskale, zhvatet sektori i naftës në Shqipëri. Kompani që e blejnë, e shfrytëzojnë, akumulojnë dhjetra miliona Euro taksa të papaguara, falimentojnë dhe zhduken. Pastaj e blejnë të tjerë, që sërish e shfrytëzojnë, nuk paguajnë taksat dhe sërish zhduken me dhjetra miliona Euro. Ato shfaqen si kompani nga Teksasi, nga Çikago, nga Azerbajxhani, nga Malazia apo nga Singapori, por që në fakt janë vetëm oligarkët e qeverive, dhe që nuk i kanë zyrat as në Teksas e as në Singapor, por vetëm 200 metra larg në vijë ajrore nga selia e qeverisë.
4.Të ndalohet dhënia e shërbimeve dhe veprave publike me koncension.
Sepse vendit dhe shoqërisë po i faturohen investime deri edhe për vitin 2035. Sepse akush nuk di të thotë se cila është leverdishmëria e tyre. A ia vlen të shkatërrohen parqet natyrore e kombëtare për HEC-e që furnizojnë vetëm një fshat me energji? Ai ia vlen një super autostradë nga Thumana në Kashar që kushton 260 milion Euro? Padyshim që të gjithë do të donim që rrugët ti kishin të gjëra sa një pistë aeropoirti. Por a ia v len barra qiranë?- pyet populli.
5-Duhet të vijojë reforma në drejtësi!
Me gjithë handikapet që mund të ketë, kjo reformë duhet të vazhdojë. Sepse shteti dhe institucionet e drejtësisë, nuk kanë qenë kurrë në këtë derxhe, që nga viti 1912. Sepse askush nuk mban mend se kur ka qenë urdhërarresti i fundit që ka firmosur Prokuroria e Shtetit.
E keni dëgjuar ndonjëherë opozitën të adresoje të tilla kërkesa apo çështje? Padyshim që jo, sepse ajo është bashkëhartuesja dhe bashkëpërfituesja e kësaj maskarade. Ajo kërkon vetëm që të ikë Rama, për të qeverisur me po të njëjtat ligje e të njëjtat praktika.
E mbani mend si e akuzonte PD-ja qeverinë e Nanos, apo “ansamblin babëzia”, sic thoshte Berisha? Kur në 2005 Berisha u rikthye, stafi i kryeministrit kishin marrë viza dhe ikën me urgjencë nga Shqipëria pasi menduan një revanzh denoncimesh apo arrestimesh. Kujtoni dot ndonjë emër se kush është arrestuar e dënuar nga ajo qeveri?
E mbani mend si e akuzonin socialistët qeverisjen e Berishës? Aq rëndë sa thonin se duhen ndërtuar burgje të reja, se nuk do të ketë vende. Kujtoni dot ndonjë emër ish zyrtari të arrestuar apo dënuar? Veç Spiro Kserës që kishte vjedhur lekët e festës së fëmijëve romë. Madje një nga më të akuzuarit e kohës, ish minitrin e financave, socialistët e vlerësuan si aset finciar dhe e votuan për në Këshillin e Bankës së Shtetit.
E shikoni çfarë akuzash u bëjnë sot demokratët socialistëve? Mendoni se do të përfundojë ndonjëri në burg nesër kur të bëhet rrotacioni i pushtetit?
Dhe a e dini pse? Jo vetëm sepse drejtësia është kontrolluar sistematikisht nga partia në pushtet, por sepse, këtu pakkush e shkel ligjin, sepse të gjitha vjedhjet dhe zhvatjet bëhen me ligj. Për këtë arsye nuk është dënuar askush për skandalet me ARMO-n, për këtë arsye, askush ndër zyrtarët e shtetit, nuk do të mbajë përgjegjësi edhe për skandalin e D.H.Albania.
Për këtë arsye, unë nuk mendoj se është zgjidhje ikja e kryeministrit, apo e krejt qeverisë dhe mazhorancës qeverisëse. Sepse, nëse ikën Rama dhe PS do të mandatojë një tjetër kryeministër, ai do të vazhdojë të qeverisë mbi të njëjtat ligje dhe praktika që mbështesin abuzimin. Nëse vendi futet në zgjedhje të parakohshme, me këtë ligj zgjedhor, ose do të rikonfirmohet PS, ose e shumta do të vijë në pushtet PD. Dhe ajo do ta vazhdojë të qeverisë po me të njëjtat ligje që i hartoi vetë dhe ia la trashëgim PS-së, dhe me të njëjtët oligarkë.
E keni vënë re ku ka degjeneruar debati politik? Kur opozita akuzon qeverinë për afera korruptive me tendera e koncensione, ata i përgjigjen: Edhe Basha ka vjedhur tek Rruga e Kombit.
Kur opozita e akuzon sërish, ata sërish thonë: Po Basha ka një kat pallati pa leje.
Kur opozita akuzon sërish, ata sërish thonë: Po Basha ka një makinë luksoze që si ka paguar taksat.
Beteja këtu është kush të bindë popullin që ka vjedhur më pak. Dhe teoria jonë, që në zgjedhje votojmë të keqen më të vogël, ka rezultuar fatale.
Ndaj mendoj se zgjidhja nuk është më rrotacioni politik. Çdo qeveri që ka ardhur me premtimin e luftës ndaj korrupsionit, e ka zhytur me keq vendin në korrupsion. Dhe sot problemi i madh është se populli nuk ka më besim tek askush dhe nuk shpreson më tek askush. Ndaj duhen adresuar çështje konkrete, që ta prekin në rrënjë problem, e jo ti shkundin gjethet.
Unë kam renditur disa çështje, që nuk janë të vetmet. Kjo është një përpjekje për të tërhequr në një debat intelektualë, specialistë të fushës, ekonomisë, studentë, artistë, këngëtarë, shkrimtarë, pedagogë e kushdo tjetër që mendon se ka edhe një alternativë tjetër për të jetuar, veç asaj të largimit nga Shqipëria.PS dhe PD duhen vënë para presionit për ti ndryshuar këto ligje dhe jo të ndërrojnë rolet.
Unë kam një lutje për këdo që do ta lexojë këtë shkrim, që ta shpërndajë, në mënyrë që sa më shumë njerëz të ftohen për t’iu bashkuar kauzës së vetme, asaj të denoncimit dhe korrigjimit të sistemit politik e ligjor që garanton dhe mbron vjedhjen e votës dhe zhvatjen e pasurisë.