Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri Blloshmi: TERRORI NË FERRIN E SPAÇIT MBAS 1973 (6)

ZEF ASHTA

Lindi më 1913 në qytetin e Shkodrës nga prindër Cin dhe Lule Ashta. Zef Ashta kishte arsimin e lartë, dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie në bazë të nenit 64-10 të Kodit Penal. Kohët e fundit e kishin sjellë në shkretëtirën e egër të Spaçit.

Vendim

N’emër të popullit shqiptar

Gjykata ushtarake e zonës ushtarake Shkodër e përbërë prej:

Kryetar Kapiten i parë, Misto Bllaci

Anëtar Kapiten, Përtef Alizoti

Anëtar Toger, Pandi Ashati

Duke qënë gati prokurori Kapiten Namik Qemali dhe Sekretar Shaban Qamil Dautaj.

Në audiencën publike me datën 23/6/947, ka dhënë këtë vendim.

VENDIM

Zef Cin Ashta, i biri i Cinit dhe Lules vjeç 33 i pamartuar i padënuar, me gjëndje ekonomike të varfër, me shkollë Akademi Ushtarake,ish oficer, nga Shkodra, i arrestuar me datën 26-xI-1946 dhe i përfaqsuar nga Av. Z. Ferdi Kumbaros. I pandehuri Zef Ashta gjatë dy okupatorëve Italo-Gjerman ka qënë oficer kuislig në formacionin ushtarak mercenar dhe ka shërbyer deri në fund duke patur njëkohësisht për meritë pune gradën kapiten. Ka marrë pjesë në përpjekje të ndryshme që bënin forcat fashiste kundër N.Ç. ka qënë antar i partisë fashiste dhe i ka qëndruar besnik interesave të saj. Në kohën e okupacionit Gjerman ka qënë antar i organizatës Balli-Kombëtar i inkuadruar në batalionin mercenar të organizatës Balli Kombëtar, ku atje ka shërbyer për stërvitjen e bazhibozukëve, që këta të përgatiteshin për luftë kundër popujve Jugosllave. E dënon Zef Cin Ashta me 10 vjet privim lirie e punë të detyruar. Por duke marrë parasysh se të pandehurit e sipërshënuar janë dorzuar brenda afatit të shpallur me dekret Ligjin nr. 335 datë 12-9-946 të presidiumit të kuvendit popullor mbi faljen e të arratisurve të akuzuar për faje penale simbas nenit 1 të kësaj dekret ligj në këtë përmbajtje u akordohet një falje.

4) – Zef Ashta, në dënimin e tij me 5 vjet privim lirie e punë të detyruar. Vendoset konfiskimi i pasurisë të tundshme dhe të patundshme për të gjithë të pandehurit. Të dënuarve u ngarkohen të gjithë shpenzimet e gjyqit dhe shpenzimet e avokateve mbrojtës. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e lartë ushtarake brenda tetë ditëve nga data 23- 6-947 që u shpall ky vendim.

Shkodër, me 23-6-946

Me shpërthimin e revoltës së Spaçit 21-23 maj 1973, në grupin e dytë u arrestuan 20 të dënuar midis të cilëve dhe Zef Ashta. Zef Ashta deklarohet I pafajshëm në revoltën e Spaçit. Zefi vazhdonte të vuante dënimin po në këtë kamp. Mosha dhe vuajtjet e kishin lodhur shumë. Unë e kam njohur në burgun e Spaçit dhe bisedonim shpesh me këtë plak të pastër moralisht dhe fizikisht. Ai nuk përtonte për të treguar të kaluaren e tij,përkundrazi gëzohej shumë “Pyet pyet sa të duash o Blloshmi” më thoshte shpesh. Zefi kishte mbaruar arsimin e lartë ushtarak dhe ka shërbyer kapiten i parë. Kishte qënë marrë me pregatitjen ushtarake dhe ishte kundërshtar i prerë i regjimit komunist. Një natë, edhe pa u bërë pushimi i mbrëmjes, Zefi, ashtu ngadalë ngadalë duke u mbajtur mbas hekurave të ballkonit u ul tek shkalla, u mbështet mbi to e nuk levizi më. Lajmi u përhap menjëherë nga të dënuarit. Doktori i dënuar i urdhëruar nga roja i brendshëm bashkë me disa të dënuar shkodranë vendosin trupin e tij tejet të ligur në një barrelë. Të gjithë u grumbulluam rreth barelës, shikonim Zefin gjithë nur, të shtrirë dhe pa frymë. Polici thërriste më të madhe “shpërndahuni, futuni në kapanon, pse shikoni ashtu sikur skeni pare ndonjëherë të vdekur.” Të gjithë sa ishim aty qëndronim me kokën varur e me sytë mbërthyer në atë trup mbi barrelë. Kishte dhe nga ata që flisnin: “shyqyr që vdiq se shpëtoi, këta qenër këtë presin nga ne”. Si të vdekurit e tjerë, në galeri ose jasht saj, Zef Ashta u gropos me të tjerët tek vendi në Shpal. Kemi një informacion të gjymtuar për Zef Ashtën. Jam përpjekur shumë dhe kam kërkuar pa rreshtur të takoj ndonjë të afërt të tij, por ka qënë e pamundur. Në burgun e Spaçit ka ardhur më vonë i dënuari Nikolin Kurti, nipi i tij. Por s`kam informacion tjetër, mbasi, me përmbysjen e sistemit komunist, edhe Nikolini si shumë të tjerë, emigroi në Sh.B.A.

Ja dhe proces verbali i vdekjes së Zef Ashtës.

Republika popullore socialiste e Shqipërisë Sekret

Ministria e punëve të Brëndshme Ekzemplar nr2

Komanda e repartit nr.303 E përkohshme 2 vjet

Nr.217 prot Spac me 5.6.1979

Landa: Mbi vdekjen e të dënuarit Zef Cin Ashta

Degës Punëve Brendëshme

Shkodër

Ju njoftojmë se më datën 30.5.1979 ora 20:30 në repartin e riedukimit 303 Spaç vdiq i dënuari për krime kundër shtetit Zef Ashta, i biri i Cinit edhe i Lules, i datlindjes 1913, lindur dhe banues në rrethin Shkodër, me arsim të mesëm, me profesion puntor me origjinë shoqërore fshatar i varfër, i arrestuar më datën 28.7.1965 dhe i dënuar me 17 vjet heqje të lirisë me vendim nr .30 të datës 8.10.1965 të gjykatës të rrethit Shkodër për krimin e tradhtisë ndaj atdheut, në bazë të nenit 64,10,14 të K.P. Vdekja u vërtetua nga organet e hetuesisë dhe mjeku ligjor siç tregohet në proces verbalin e bashkëngjitur. Lutemi njoftoni zyrën e gjëndjes civile përkatëse dhe degën ushtarake për të hequr nga evidenca lajmëroni gjithashtu të afërmit e tij mbi ngjarjen e ndodhur dhe porositni njëkohsisht të paraqiten në këtë repart për të tërhequr sendet personale të tij,sipas invetarit që ju bashkangjitet

Komisar i repartit, Komandat i rrepartit

Pjetër Cara Meto Kondi

 

MURAT MARTA

Ishte nga fshati Berzeshtë, kishte lindur në vitin1942 nga prindërit Jaho e Zare Marta. Në Bërzeshtë kishte mbaruar shkollën 7 vjecare. Kishte një vëlla i cili quhej Kujtim e një motër me emër Bejaze. Ka punuar në ndërmarrjen Rruga – Ura. Murat Marta duke qënë një djalë i hedhur e kuptonte shumë mirë se këtu me instalimin e komunizmit do të pllakoste mjerimi e varfëria. Me datën 2 qershor të vitit 1966 vendos për tu arratisur jashtë vëndit për ti shpëtuar vuajtjeve të përjetëshme. Mendoi të kalonte nga fshati Vulçan pa vështirësi, por nuk mundi t‘i shpëtonte syrit “vigjilent” të fshatarëve dallkaukë e këmbëzbathur të cilët edhe pse me barkun bosh e duar me kallo nga kazma e lopata e duartrokitjet për diktatorin që e uronin marsh nga ditët tona, i shërbejnë atij pa mend në kokë dhe në dëm të shokëve të vuajtjes. Edhe pse pylli ku Murati po kalonte ishte shumë I dëndur e larg çdo syri, mbas një ferre të madhe ishin në pritë dy fshatarë të çetës vullnetare që bënin dezhurn ditë-natë. (me përshkrimin që u bëmë më sipër). Ata dolën nga ferra me kazma e lopata, e ndalojnë Muratin, edhe pse ai u mundua të justifikohej,duke u thënë se për ku ishte nisur. E marrin me forcë, e lidhin me litar, dhe në këtë detyrë të qelbur, u erdhën në ndihmë edhe disa dhëmbëkrimbur të tjerë. Veç kazmës në dorë, ata në xhepin e pantallonave të arnuar andër mbi andër mbanin edhe nga një broshurë që e lexonin kolektivisht në kohën e ndonjë pushimi të shkurtër, me titull “Uji fle hasmi s‘fle” ose “të flemë me sy hapur që armiku të mos na sabotojë fitoret tona”. Murat Marta i lidhur me litar mbërrin në degën e punëve të brendëshme të Librazhdit, dhe përfundimisht e dënojnë për tentativë arratisje, parashikuar nga neni 64 e 10 të kodit penal. Më poshtë kam zbardhur vendimin për të cilin u akuzua e u dënua Murati, dhe në vazhdim do gjeni si e ndoqi fati deri sa mbylli sytë.

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË NR VENDIMIT 7

GJYKATA E QARKUT DURRËS DATË 6/8/1966

DEGA ELBASAN

NR.REGJ.THEMELTAR 7

DATA REGJISTRIMIT 27/7/1966

V E N D I M

NË EMËR TË POPULLIT

Gjykata e Qarkut Durrës Dega Elbasan e përbërë prej Kryetarit të seancës gjyqësore Abas Xhepaj, Ndihmës gjyqtarit Shaban Rexhepi, Ndihmës gjyqtarit Shefqet Çota, të asistuar prej sekretares Hajrie Zhuko, me pjesmarrjen e prokurorit Njazi Jaho, më dt 6/8/1966 shqyrtoi në seancë gjyqësore me dyer të

hapura çështjen e të pandehurit:

MURAT MARTA: i biri i Jahos dhe i Zares. i dt.1942, lindur dhe banues në Bërzheshtë, me kombësi shqiptare,me origjinë shoqërore fshatar i varfër dhe në gjëndje shoq. shofer, me arsim 7 vjeçar, me profesion shofer, me gjëndje familiare i pamartuar, i pa dënuar,i arrestuar më 2/6/1966 I akuzuar se ka tentuar të arratiset në Jugosllavi dhe se ka mbajtur pa leje armë të ftohta duke kryer krimin e parashikuar prej nenit 64 e 10 dhe 273/II K.P. Gjykata pasi shqyrtoi materialet e hetuesisë, provat e marra gjatë zhvillimit të gjykimit, pasi dëgjoi prokurorin i cili kërkoi për tradhëti 10 vjet heqje lirie për armëmbajtje 1 vit dhe përfundimisht 10 vjet heqje lirije, mbrojtjen e të pandehurit si dhe fjalën e fundit të tij i cili kërkoi mëshirë.

VËREN

U vërtetua se më dt.2/61966, i pandehuri Murat Marta, me qëllim kundër revolucionar ka tentuar të arratiset për në Jugosllavi, dhe se në të njëjtën kohë ka mbajt dhe armë pa leje të llojit bajonet. I pandehuri Murat, mbasi kishte marrë vendim për t’u arratisur në Jugosllavi, më dt.2/6/1966, në mëngjes herët me qëllim që të arrinte kufirin niset nga banesa e tij duke marrë në dorë dhe armën e mshehur bajonet. Si pikë kalimi i pandehuri kishte caktuar fshatin Vulçan Gjat udhëtimit nëpër pyll i pandehuri është parë duke rrugëtue nga fshtarët e Vulçanit nga Xhelo Stafa e Baki Stafa. Të dy këta fshatarë megjithëse e pyetën të pandehurin se në ç‘ drejtim ishte nisur ky nuk ju rrëfen të vërtetën duke justifikuar udhëtimin e tij gjoja për të shkuar pranë tezes së tij Rakipe Shehit pran së cilës siç tha i pandehuri Murat kish bujt natën e datës 2 Qershor 1966. Mirpo me qenë se drejtimi që ndiqte i pandehuri nuk të çonte pran Rakipes, fashtari Xhelo Stafa e Haki Stafa dyshuan dhe kësaj here këta e shoqëruan për në Degën e Brendëshme Librazhd dhe e dorëzuan këtë bashk me bajonetën që ja kishin hequr.

Me këto kushte vepra e të pandehurit përmban elementë të figures juridike të krimit të parashkuar nga neni 64 e 10 K.P. tradhëti ndaj atdheut të mbetur në tentativë dhe atë të parashikuar nga nga neni 273/ II të kodit penal të armëmbajtjes pa leje. Fajësia e të pandehurit, për të dy këto krime u vërtetua me pohimin e të pandehurit, me dëshmin e dëshmitarve Xhelo Stafa që e ka kapur gjatë udhëtimit,me thëniet e Sali Shehut që shpjegon se i pandehuri nuk ka qënë në shtëpinë e Rakipe Shehit prej më se katër vjet, kohë me letrën e ardhur nga Jugosllavia në drejtim të pandehurit, me kapjen e bajonetës, dhe me proçesverbalin e ekspertimit të kësaj arme. Në masën e dënimit gjykata ka parasysh natyrën e rëndë të krimit, shkallën e pregatitjes për ardhjen e pasojës, ajo ka parasysh në favorin e tij shpjegimet e dhëna për të dy krimet, gjëndjen e origjinën e tij shoqërore prej puntori si dhe moshën e re. Në kryerjen e krimeve nga ana e të pandehurit në rastin konkret gjykata çmon ky nuk tregon rrezikshmëri më të madhe, prandaj këto gjykata e ka parasysh në bashkimin e dënimeve

PËR KËTO ARSYE

Gjykata tue pa dhe nenet 278 e 279 K.P.P.

VENDOSI

Të deklaroj fajtor Murat Martën për krimin e tradhëtis ndaj atdheut të mbetur në tentativë dhe në bazë të nenit 64 e 10 të K.P. e dënon me 10 vjet heqje lirie

b: Fajtor për krimin e armë mbajtjes pa leje dhe në bazë të nenit 273/II K.P. e dënon me 6 muaj heqje lirije dhe në bashkimi të krimeve sipas nenit 48 K.P. përfundimisht e dënon me 10 (dhjetë) vjet heqje lirije duke filluar vuajtjen e dënimit nga data e arrestimit 2/6/1966. Vendoset konfiskimi i bajonetës në favor të shtetit. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurit. Kundër vendimit mund të bëhet ankimim brënda 5 ditve nga e nesërmja e shpalljes së tij pranë Gjykatës së lartë.

U shpall sot më 6/3/1966. Gjyqtari

(Abas Xhepaj)

Murat Marta pak para se te arrestohej në vitin 1966 i dërgon një letër mikut të familjes (Bardho Lekës) në Jugosllavi i cili ishte arratisur e jetonte në Prizren. Kur Bardho Leka i kthen përgjigjen e letrës Muratit, i cili nuk e mori e nuk lexoi kurrë se i kishin vënë prangat. Në kërkimet që kam bërë në bodrumet e errëta të sigurimit famëkeq më ra në dorë përgjigja e letrës. Eshtë thjesht një letër për një njeri që s‘e ke pare prej kohësh dhe ke mall për të. Asgjë politike s‘kishte ajo. Por frika që ushqente banda e kriminelëve që ishte në krye të pushtetit, e bënte të rrezikshme gjithshka. Mjaftoi kjo frikë që ta bënte tradhtar Muratin, pa asnjë bazë ligjore.

E K S T R A K T

Nxjerrë nga letra që i dërgonte Murat Jaho Martës Bardho Leka

(Dubrovnik)

DT.10.05.1966

Shumë i dashur Murat!

Me gëzim të madh e mora letrën tënde. Nuk mundem me ta tregue dot me letër gëzimin e madh që më ka krijue në shpirt letra juaj e dashur. Ju falenderoj shumë për kujtimin që më bëtë mbas kaq vjetësh. Jam gëzuar pa masë që jeni shëndoshë e mirë e paskeni një vëlla e një motër. I paçi me jetë të gjatë e jetë të lumtur.Dëshiroj të njoftoni se nana juaj a është e si është me shëndet dhe ku ndodhet? Ju lutem shumë sa më parë të jetë e mundur më njoftoni për Gjiskën e Manushaqen si janë me shëndet.Për Manushaqen më njofto se me cilin është fejuar, duke më treguar biografinë e tija(Ç.Djosit) Njoftomë të lutem edhe për Gencin e Rekon si janë dhe ku jane, se kam mjafte kohë pa marrë letra. Ti a je martuar a jo? Njoftom nga daja yt si janë ashtu si edhe nga vllazëria ime e nipërit e mi. Për Sal Hykën më ka ardhur mjaft keq që paska vdekur, por rrofshi ju dhe vëllai e motra. Pres sa më parë telegrafin tënd e letër me hollësi për sa të pyes. Unë deri më tash jam shëndosh e mirë, vetëm se më merr malli shumë për fëmijët andej. Ju dëshiroj jetë të gjatë e të lumtur me plot shëndet e ju përqafoj me shumë dashuri prindërore me shumë mall.

Si babai juaj, Bardho Leka.

  1. Dërguesi i letrës, Bardho Leka nga Dubrovniku 81

Prizren – Jugosllavi

  1. Marrësi i letrës, Murat Marta Kantieri Rruga – Ura Ura Vajgurore Berat. Albania

Murati është arrestuar 2- 6- 1966 në tentativë arratisje nga Bërzeshta.

Shënim:

  1. Letra u muar dhe u nxuar në ekstrakt më dt. 16.05.1967 nga punëtori operativ Razi Çina
  2. Të vendoset në dosjen e formularit të I- rë të “llafazanit” të birit të Bardhos

Dt. 17.6.1967

Punëtori operativ

Razi Çino

 

Arrestimi i dytë

Në revoltën e burgut të Spaçit e cila shpërtheu më 21 -23 maj 1973 ku u ngrit flamuri pa yllin komunist, u pushkatuan katër djem të rinj : Dervish Bejko nga Pogradeci,Skënder Daja nga Fieri, Hajri Pashaj nga Tepelena e Pal Zefi nga Durrësi dhe gjashtëdhjetë e dy të burgosur u riarrestuan, duke i torturuar e dënuar me dënime të rënda. Mes këtyre ishte dhe Murat Marta i cili pasi torturohet ridënohet me shtatëmbëdhjetë vjet të tjera. Kur vajta në burgun e Spaçit gjeta aty dhe Muratin. Ai më shpjegoi hollësisht se si ndodhi ngjarja e si i kishin torturuar, tmerrin që kishin ushtruar mbi ta forcat e sigurimit kur kishin hyrë në kamp.Operacionin e drejtonte krimineli Feçor Shehu.

VENDIM

Në Tiranë më 29 Maj 1973

Unë hetuesi i Ministrisë Punëve të Brëndëshme Vangjel Kote, mbasi studiova materialet në ngarkim të Murat Marta bir i Jahos dhe Zares, i datëlindjes 1942, i lindur dhe banues në katundin Bërzeshtë të rrethit Librazhd, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me profesion shofer, me arsim 7 vjeçar shtresë e varfër, i dënuar më 1966 me 10 vjet heqje lirie për krimin e tradhëtisë ndaj atdheut mbetur në tentativë për arratisje.

KONSTATOVA

Se i pandehuri duke vuajtur dënimin e dhënë në kampi e Spaçit,(Reparti Nr.303) ka marrë pjesë në një organizatë kundër revolucionare, e cila ka pasur për qëllim të sabotojë ekonominë socialiste dhe të agjitojë e prapagandojë për minimin dhe dobësimin e pushtetit popullor, krime këto që parashikohen nga nenet 72,73/II në kombinim me nenin 131 të Kodit të Pr. Penale.

VENDOSA

Izolimin e Murat Jaho Martës, i cili deri tani vuante dënimin në Repartin 303 Spaç, në një nga dhomat e para burgimit të Repartit Nr. 313 Tiranë. Ky vendim t’i njoftohet të pandehurt, duke i marrë edhe nënshkrimin e tij.

HETUESI

/VANGJEL KOTE/

Na dhanë afat që brenda 24 orëve duhet të dorzoheshim se kjo është një revoltë kundër shtetit. Mbas kësaj ka ardhur dhe Zv. Ministri i cili na tha të hiqnim dorë nga këto rrugë se do të kishim përgjegjësi, por përsëri neve nuk i’u bindëm. Zv. Ministrit i ka kundërshtuar Hajri Pashaj duke i thënë se ju jëni kriminela, juve kur ishit më rusët bënit falje, jeni të shitur e të tjera fjalë si këto. Në mbrëmje dhe natën kanë qëndruar disa të burgosur në tarracë megjithse urdhri ishte dhënë që të mos dilte njeri në tarracë, por ata përsëri qëndruan, ndërsa unë shkova e rashë në krevat e nuk qëndrova me ta. Është e vërtetë se unë gjatë ditës kam mbajtur me vete një sqepar të cilin e kam pasur të punës. Këtë e kam mbajtur me qëllim që mos më qëllonte njeri. Procesi mu lexua, thëniet e mia janë shkruar drejt dhe po i fimos me dorën time.

I arrestuari Asistuesi Hetuesi

Murat Marta Seit Sulaj Isa Balilaj

Akt – Akuza

I pandehuri Murat Marta ka marrë pjese në revoltën e organizuar në kampin e Spaçit,ka qënë një nga të burgosurit kryesorë që ka mbajtur lidhje me pjestarët e grupit organizues të kësaj rrevolte, ka hedhur parrulla kundër pushtetit duke u shprehur ja vdekje ja liri,poshtë komunizmi ,poshtë qeveria e Tiranës,u ka bëre thirrje të dënuarve që të bashkoheshin në këtë drejtim.U ka bërë thirrje ushtarëvë për të hedhur armët, të bashkohen me ta e të mos u binden urdhërave të komandës për të mos dalë në punë e për te mos stabilizuar gjëndjen në kamp. I pandehuri Murat Marta i biri i Jahos e i Zares i datëlindjes 1942 lindur në Bërzeshtë të Librazhdit ,arsim 7 vjeçar,shtrese e varfër dënuar  e dymbëdhjetë vjet heqje lirie në bazë të nenit 64;10 të kodit penal,akuzohet sipas neneve 76 në kombinim me nenin 72 dhe 73 /IItë kodit penal.

Akt – Akuza u përpilua në Tiranë më dt. 1.6.1973

Hetuesi

Koço Josifi

Mori njoftim për akt – akuzën

Sot më dt.1.6.1973.

Në bazë të nenit 72 të kodit penal, Murat Marta dënohet me 17 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe me humbjen e së drejtës elektorale për pesë vjet. Ne bazë të nenit 48 të kodit penal. Murat Marta dënohet me njëzetedy vjet heqje lirie,konfiskimin e pasurisë dhe me humbjen e së drejtës elektorale për pesë vjet. Në bazë të nenit 49 të kodit penal në bashkim dënimesh ,përfundimisht e dënon Murat Martën me 22 vjet heqie lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e se drejtës elektorale për pesë vjet.

Për këto arsye:

Këshilli gjyqësor i kolegjit penal të gjykatës së lartë në mbështëtje të pikës së I– rë të nenit 313 të kodit pr.p.

Vendosi

Lënien në fuqi të vendimit nr.29 datë 30.6.1973 të gjykatës së rrethit Rreshen

Tiranë më 15.8.1973

Antarë Antarë Kryesues

(H.Telegrafi)d.v. (J.Vasili) d.v. (A.Çela) d.v.

 

FILLIMI E FUNDI I NJË KALVARI

Murati dërgohet në kampin e Laçit për të vuajtur dënimin. Prej këtij kampi ai arratiset bashkë me dy shokë. Por ata kapen nga forcat e sigurimit dhe çetat vullnetare dhe dënohet përsëri me 20 vjet të tjera. E sjellin në kampin famëzi të Spaçit për dënimin shtes. Në vitin 1973, më 21 Maj, pra ditën në të cilën shpërtheu revolta nga të burgosurit e Spaçit, Murati ishte një nga pjesëmarrësit kryesorë. Arrestohet me grupin e dytë prej 20 vetash dhe dënohet me 22 vjet heqje lirie. Sa vjet i bëhen gjithsej? Në vitin 1977 kur unë Bedriu, u dënova me 25 vjet heqje lirie, u takova atje me Muratin. Kishin kaluar pra katër vjet nga ajo revoltë, por Murati ishte po ai, guximtar ndofta më shumë nga ç‘duhej, punëtor i pakrahasueshëm dhe shumë korrekt më shokët. Atij, më shumë se çdo të burgosuri, i punonte mendja vetëm për tu arratisur, prandaj ia kisha frikën se ç‘mund t‘i ndodhte. Një mbasdite kur ishim kthyer nga puna, të sfilitur si përherë, Murati më fton për kafe në kuzhinën private, e cila ishte gjithë tym nga qymyri që digjej me vështirësi në furrat e vogla siç i quanim ne. Pasi hëngrëm një tepsi me petulla të ngrohta të cilat i kishte gatuar vetë Murati, filluam të rrufisnim kafenë. Pas kafesë dolëm të bënim xhiro në taracën e banjos. Murati ia filloi bisedës:

“Bedri, E sheh atë rimorkion e makinës atje sipër tek kthesa e zones së dytë?”

“Po” i them “është e prishur; shoferët e kanë stakuar dhe e kanë lënë aty derisa ta rregullojnë.”

“Prit o prit” më thotë Murati duke e trashur zërin “nuk kam merakun e saj por dëgjo se ç´kam menduar. Po ta lëvizësh rimorkion dhe ta lëshosh për poshtë, ajo do të bjerë në telat e rrethimit.Korrenti do të shkëputet e kështu dritat e rrethimit do të fiken komplet e do të mund të arratisemi kollaj nga kampi.”

E kundërshtova në çast, duke i thënë:”Ja dolëm nga kampi, ku do të shkojmë? Terrenin nuk e njohim që t‘i ikim sigurimit dhe vullnetarëve . Duhet të kalosh kufirin, kjo është e pamundur. Murat, ti e di mirë që këta e ngrenë tërë popullin në këmbë, me polici me koperativistë, dhe kufirin do ta kesh gardh me ushtarë e fshatarë. Eshtë sakrificë e kotë, e parealizueshme. Ju e keni provuar, ti me shokë që e kini provuar, ishit jashtë, u nisët e nuk arritët dot qëllimit. E provove në burgun e Laçit dhe përsëri nuk arrite dot.”

“Mirë, mirë” më thotë Murati “por edhe gjithë jeta nuk durohet në burg. Për çfarë e do jetën kështu o Bedri? Tensione, ridënime, tortura. Për ç´farë duhet të shpresojmë? Le të vritemi më mirë sesa të marrim frymë gjithë jetën si zvarranikë.” Në atë minutë unë nuk e dija që ai po fliste për fatin që e priste.

Duke qenë fundi i muajit, me organikën e re, e cila bëhej çdo muaj nga zyra teknike,( me pjesëmarrjen e operativit e brigadierit të dënuar) Muratin e heqin nga zona e tretë dhe e çojnë tek zona e pestë,e cila ishte shumë afër objekteve ku banonim. Murati, siç e thashë edhe më sipër, ishte skllav i punës por edhe nuk donte të përplasej me policinë sepse sapo ishte ridënuar.Ndihma në burg nuk kishte, se prindërit i kishin vdekur, vëllai ishte i sëmurë dhe i paralizuar, ndërsa motra ishte martuar. Kështu që për të plotësuar nevojat e veta në ushqim, punonte për të marrë ndonjë lek.

Një ditë, muaji nuk më kujtohet me saktësi kur, sapo ra çanga e zgjimit të turnit të parë, ne si gjithmonë ngriheshim si të çmendur nga gjumi, të frikësuar nga thirrjet e policit “shpejt, shpejt në rresht”. Lëviznim si marauzhgat me tasat në dorë. Pantallonat veshur e pa veshur i mbërthenim rrugës duke shkuar në banjo. Disa iknin me vrap për t’u rreshtuar. Dikujt i binte tasi nga dora prej nxitimit e rrokullisej nëpër shkallë, një rrëmujë ku nuk e merrte vesh i pari të dytin. Një pjesë, pasi dilnin nga menca, me tasa në dorë shkonin në banjo duke e lënë tasin me supë tek shkallët ku shpesh herë vinte polici dhe i binte me shkelm, rrokullisej e derdhej. Teksa kaloja për në mencë, infermieri i cili kishte dalë në ballkonin përballë më thotë “ Mos shko në mensë, po hajde se të kërkon Murati!”

“Pse? Murati është turni i tretë. çfarë flet ti?”

“Hajde, hajde Bedri se Murati është aksidentuar në galeri.” E sollën në mesin e natës.”

“Çfarë ka? Është vrarë shumë?” e pyes me ankth, ndërsa po kapërceja hekurat e ballkonit të infermjerisë. Infermieri nuk foli më po priu atje ku ishte Murati. U kthye dhe më tha:

“Po, Bedri është vrarë shumë, ka thyer… është dëmtuar shumë në kurriz.” Kokëulur vazhdoi: ”Kam frikë s`ka për tu ngritur më në këmbë, po hajde futu se po të kërkon,është keq “.

Futem në infermieri, po ç´të shihja! Murati shtrirë, rënkonte e bërtiste nga dhimbjet. Mesa duket ishin të padurueshme. Sytë i mbante mbyllur, kokën e lëvizte sa majtas djathtas. Një curril i hollë gjaku i rridhte here pas here nga cepi i buzës, gusha ishte llangosur nga gjaku që i rridhte. Të dyja duart i kishte mbërthyer në hekurat anash krevatit, ballin e kishte tërë djersë.

I fola për t‘i dhënë zemër:

“Hë Murat si je? Duro, nuk bën burri kështu. Ku të dhemb? Ku je vrarë?” Vagoni të goditi apo je rrëzuar? Fol pra, mblidhe veten.”

I shkreti vetëm thërriste me sa fuqi kishte nga dhimbja. E kapa për krahu, e shkunda fort duke i thirrur: “Murat fol! Hapi sytë! Jam Bedriu. Më thuaj ç´të ka ndodhur”?

Hapi me shumë mundim sytë për gjysëm: “Kush je? Çfarë do, nuk shikon që po vdes, më lër rehat. Më sillni Bedriun, ku është?’ Ishte në kllapi. I them: “Bedriu o Murat, Bedriu jam, s‘po më njeh? Mbaje vehten.

“Ah rrofsh që erdhe Bedri! Jam vrarë në kurriz o Bedri. Shumë! U shemb galeria teksa po mbushja vagonin e fundit. Kaq! Nuk mbaj mend asgjë Bedri, po kam shumë dhimbje. Ishalla s‘ është shtylla kurrizore , se për fraktura s‘pyes, rregullohen. Nuk e di si do vejë halli im, pyete doktorin çfarë kam dëmtuar?”

Fjalët i dilnin me shumë vështirësi dhe herë pas here i ndërpriste duke rënkuar dhe kolla që e ngacmonte vazhdimisht. Më bëri me shenjë që ta afroj kokën, e kuptova se donte të më thoshte diçka në vesh. U përkula dhe afrova veshin tek buzët e tij që i dridheshin dhe i pengonin të folurit. Nuk kuptoja gjë ç‘po më thoshte, se rënkonte dhe kolla nuk i ndalej. Mblodhi fuqitë e më tha: “Bedri, dëgjo! Shko në depo merri  fotografitë e mia, ta lë amanet të mi dërgosh në shtëpi.” Ndaloi pak, dhe pas disa sekondash vazhdoi me mundim: “Unë e shoh veten që nuk do të shërohem. S´kam për të ecur më, këmbët e mia mbaruan, s‘i lëviz dot më, por mos harro një këshillë të fundit. Kujdes shumë në galeri! Mos puno aq shumë e ruaju, se të del si mua pastaj. Hajde tani qafomë se s´ besoj se takohemi më bashkë!”

Ndërkohë doktori i burgosur solli një barrelë e na u drejtua: “Kapeni ta vendosim në barrelë. Ka ardhur ambulanca, do e nisim për në spital në Tiranë.” Britmat dhe rënkimet e momentit kur e vendosën në barrelë i kam edhe sot në vesh dhe s´kam për t´i harruar. “Bedri ika”. Më shumë rënkonte se sa fliste. “Lamtumirë Bedri, kujdes. Ti do lirohesh, vetëm kujdes në galeri”. Me këto fjalë, u ndamë. Pyes doktorin e dënuar mbasi u nis ambulance: “Hë more doktor, si thua do shërohet Murati apo jo?” Çfarë ka dëmtuar”?

“Dëgjo Bedri! Murati ka thyer shtyllën kurrizore. Personat me dëmtime të tilla zakonisht jetojnë 10-12 vjet. Por ç´e do? Më mirë të vdesësh sesa të rrish 10 vjet në krevat shtrirë pa ndier kryerjen e nevojave personale. Madje dhimbjet sa vinë e shtohen, bëhen të padurueshme e organizmi do t´i bjerë .Vetëm me morfinë mund të qetësohet per të fjetur sadopak. S´ke ç´i bën Bedri, ky qe fati i tij. Nuk di, po qe se e lirojnnë, a ka njeri në shtëpi për ti bërë shërbim? “

Siç mora vesh shpejt, vetëm dy javë e kishin mbajtur në spitalin e burgut në Tiranë dhe më pas e transferuan në burgun e vdekjes së ngadalshme dhe të pashmangshme, në Ballësh. Në këtë gjendje, me ato dhimbje të padurueshme e duke marrë frymë mes dhimbjesh, i shtrirë në krevat, aty nga viti 1987 mbasi ishte tretur e zvogëluar, i pashpresë se do ngrihej në këmbë, Ministria e Brendshme vendosi ta lirojë nga burgu. Mbas kërkesave të përsëritura nga komanda e burgut të Ballshit, të cilat e bindën ministrinë e krimit, se Murati ishte drejt fundit të jetës së tij, s´kishin pse ta ushqenin e të harxhonin mjekime për një dëmtim të pashërueshëm siç ishte ai i shtyllës kurrizore. E dërguan në fshatin e lindjes, në Gurrë. në kasollen e tij të mbuluar me kashtë thekri, pa dysheme, e shtruar me dhé të zi. Ashtu ishte katandisur shtëpia e tyre, qëkur nëna i kishte vdekur, dhe i vëllai, Kujtimi, i paaftë për ndonjë gjë, me njerën dorë të paralizuar dhe këmbën që e tërhiqte zvarrë, mund të lëvizte vetëm me ndihmën e një shkopi. Dy vëllezër, të dy sakatë, pa asnjë krahë pune, pa asnjë të ardhur tjetër, as morfinën s‘ ia bënin dot më.

“Zemërgjerësia” e shtetit banditesk mjaftohej me një bukë misri të gatuar me ujë të ftohtë që ua jepte falas. Familja ime sapo ishte liruar nga internimi, shkonte shpesh tek Murati për ta ndihmuar si të mundej. Im vëlla, Nazmiu, më shkruante për gjendjen e mjerueshme të tij. Shpesh e ndihmonte duke e marrë në krahë, e nxirrte përpara kasolles nën hijen e manit. Aty Murati i ngratë, ai div i paepur dikur, tani lotonte duke soditur manin dhe rrugët para tij, që i kishte shkelur kur ishte me të vërtet i gjallë, e jo gjysmak si tani. Hidhte sytë përreth tij, azgani i dikurshëm, që tani nuk ecte dot. Një ditë në burgun e Burrelit marr një letër nga Murati. U gëzova aq shumë sa nga nxitimi për ta hapur, tek e nxirrja nga zarfi, e grisa pak. Nisa të lexoj. Mu mbushën sytë me lot e mu mblodh një lëmsh në grykë. Letra më ra nga dora. Menjëherë shokët e dhomës u ngritën, më morën për krahësh më ulën në krevat. “Hë Bedri” më thotë Luan Burimi “Si janë nga shtëpia? Pse u mërzite? Ç’ka ndodhur?”

“Lexoje vetë letrën Luke, nuk është nga shtëpia ime. E dërgon Murat Marta, me të cilin ti je dënuar në revoltën e Spaçit”.

“Po, po Bedri, ç‘i ka ndodhur Muratit?”

Luani filloi ta lexonte me zë që ta dëgjonte e gjithë dhoma e me njërën dorë fshinte lotët duke u dridhur. E gjithë dhoma u përlot, e njihnin Muratin, si në burgun e Laçit ashtu edhe në atë të Spaçit. Vazhdoi korrespondenca më shumë se një vit dhe Murati më thoshte vazhdimisht se vëllezërit e mi Selmani dhe Nazmiu shkonin çdo ditë kur linin punën, me radhë secili, dhe nuk e linin vetëm atje tek qante nën hijen e manit duke u lutur që vdekja ta merrte për të mos ndier dhimbjet sfilitëse dhe mjerimin. Një ditë kishte vendosur të zbriste ashtu zvarrë deri tek lumi Shkumbin për t’i dhënë fund jetës. Këtë ma tregoi një bashkfshatar i im mbasi dola nga burgu. E kishte marrë në kurriz dhe e kishte dërguar prap në kasolle. Pastaj, ashtu papritur, mu ndërpre korrespondeca me Muratin. Kur mora letrën nga familja ime, mes të tjerash më shkruanin “Murati ka ndërruar jetë. Vetëm ne morëm pjesë në varrim e tij, sidhe e motra me bashkëshortin”.

Më 29 mars 1991, kur më liruan nga burgu i Burrelit dhe u ktheva në shtëpi, të nesërmen nga ora 10 e paradites, desha të marr vesh ku e kishte banesën e fundit shoku im trim, dhe vajta. Varri siç më thanë, ishte ndonja 500-600 metra larg kasolles ku kishte jetuar ato tre vjetët e fundit, mes dhimbjeve e trishtimit. Shtëpinë e tij- kasolle, e gjeta drejt rrënimit. Në të jetonte në vetmi Kujtimi, vëllai i tij gjysmë i paralizuar. Eca drejt asaj kodre,ku nën hijen e një lisi të plakur me degët tek tuk të thara që duken si krahë të hapur, midis varresh të tjerë, gjeta varrin e thjeshtë ku pushon përjetësisht trupi i Muratit, djaloshit që i rezistoi trimërisht skllavërisë, pa u dorëzuar kurrë, që tentoi dy herë arratisjen nga rrethimet e trifishta të kampeve dhe iu “arratis” edhe mineralit që e mbuloi, rast shumë i rrallë ky, por në të tre rastet i dëmtuar rëndë, dy herë me dhjetra vjet burg në kurriz, të tretën me shpinë të thyer. U lirua dhe nga diktatura, rekord edhe më i rrallë, i pandodhur, i lëshuar nga hekurat për ta venitur pa ilaçe e pa ushqim në një kasolle të mjerë. Historia e tij është tipike e Shqipërisë komuniste, se tregon sa e mbërthyer me tela gjëmbash ishte dhe ç‘lloj shfrytzimi gjer në palcë u bënte bijve më të mirë të popullit atje në galeritë e thella Para varrit të tij, me zë të dridhur përshpërita: “Murat pusho në paqe! Sa të jemi gjallë do ju kujtojmë gjithmonë juve djemtë e kampeve e burgjeve, që rezistuat deri në fund. Ju jeni nderi i Shqipërisë, ju jeni garancia që ky popull rron dhe nuk jepet kurrë”. Kam shkuar vazhdimisht te varri,ulem mendohem, dhe i përlotur i flas Muratit. Asnjë zë nuk më përgjigjet, por s‘ka gjë:

“Murat, sa të kem frymën do vij të përkëdhel dherin që të mbulon, do ta shkriftoi e do të të flas edhe pse e di që kurrë s’do më kthesh përgjigje. Jam vërtet i lumtur që ti je pranë pridërve të tu. I lumtur që fitoi nderimi për ju, dhe që u mund, humbi ajo që deshën bishat, zhdukja e çdo shenje tuaj. Kjo është fitorja jonë. Jeta ashtu të erdhi, u ndatë për së gjalli, ti burgjeve, ata në mjerim. Gjithsesi tani jeni bashkë. Lamtumirë Murat.”

Bërzeshtë 30 mars 1991

Koha kalon dhe mund ti veshë gjërat

Por kurrë nuk mund t’i fshijë

 

VEHBI XHAFERRI

Ka lindur në qytetin e Shkodrës nga prindërit Ismail dhe Adile. I datlindjes 1948, ai ka banuar në qytetin e lindjes, lagjia “Vasil Shanto, rruga Enver Hoxha nr 106”. Arsimin 8 vjeçar e ka kryer po aty, ka kryer shërbimin ushtarak me profesion xhenerik. Në datën 2 nëntor 1979 Vehbiu arrestohet për bisedë arratisje e mbetur në kuadrin e fjalve bashkë me një shokun e tij. Mbas disa muajsh hetuesie përfundimisht e dënojnë me 7 vjet heqje lirie me akuzën agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit sipas nenit 73/1. Vehbiu dërgohet në kampin e Spaçit për të vuajtur dënimin. Caktohet për të punuar në zonën e IV si minator. Vazhdimisht e kam thënë se galeritë e Spaçit në të gjitha zonat ku punoheshe, puna bëhej jashtë çdo rregulli sigurimi teknik, Të dënuarit futeshin në fronte të rrezikshme për të realizuar normën. Plani duhej bërë me çdo kusht, brigada nuk ktheheshe në fjetore pa e realizuar, dhe personi që nuk e bëntë, lihej aty, të punote në turnin pasardhës. Gjatë punës shembet tavani i galerisë dhe zë nën vehte Vehbiun duke e lënë të vdekur në vend. Ka qëndruar nën peshën e shkëmbit që nga mesnata deri në orën 10 të ditës së nesërme derisa erdhi prokuroria për të bërë formalitetet e rastit, dhe rregulli i saj ishte të nxirrte me faj viktimën, mbasi paskish hyrë në frontet e pa armatosura për të marrë mineralin. Në proces-verbal shënohet se i dënuari është instruktuar disa herë për rregullat e sigurimit teknik, dmth të mos delte përtej zonës së armuar, dhe ai kishte dalë 1 m. përtej… Mirëpo kjo mënyrë të paraqituri bie ndesh me kërkesën e pangopur të komandës për mineral, me penalitetin e zgjatjes së orarit së punës kujtdo që nuk do ta realizonte, kështu shpjegohet edhe shkelja e rregullit teknik nga ky i burgosur, shkelje e përfunduar tragjikisht. Ajo vinte nga presioni i madh i komandës, për të mos folur për kushtet e tjera primitive dhe tejet armiqësore me të cilat përballohej fizikisht dhe psikologjikisht çdo i dënuar në këto miniera me policë e ushtarë të indoktrinuar egersisht kundra tyre. Këta janë faktorët kryesorë, bile përcaktues të aksidenteve, e jo pakujdesia e të burgosurit. Vehbi Xhaferri do t‘i shtohej fatalisht viktimave të tjera të galerive, të ekzekutuarve nga ushtari nga lartësia e karrakollit (me perspektivën e një dyjavëshi leje), pra nuk përjashrohet edhe qëllimisht, ose të vdekur në kamp për arsye sëmundje e moskurimi të tyre, të gjithë të varrosur në kodrën e mbuluar nga ferrat dhe nga harresa në Shpal.

REPUBLIKA POPULLORE SOC. E SHQIPËRISË

GJYKATA E RRETHIT SHKODËR

Nr. Rgj. Them. 34.d.p

Nr. i vendimit 35

VENDIM

N’emër të popullit

Gjykata e rrethit të Shkodrës e përbërë nga Nen Lloja gjyqtar, Eqerem Alushi nd. Gjyqtar, Haxhire Zaganjori nd.gjyqtar, t’asistuar prej sekretares Marjana Malaj, me pjesmarrjen e prokurorit Vladimir Kristo, sot me datën 19.02.1980 shqyrtoi në séance gjyqsore me dyer të hapura cështejn penale me nr 34 që i përket: të pandehurve:

1) Vehbi Xhaferri i biri i Ismailit dhe Adiles, me datl 1948, lindur dhe banues në Shkodër, lagjia “Vasil Shanto” rruga “Enver Hoxha” nr 106 me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me origjinë shtetas i mesëm, puntor me gjëndje puntor në sh, beqar, me arsim 8 klasë, pa parti, i padënuar, pa imunitet, i pa dekoruar, kryer shërbimin ushtarak, i arrestuar me datë 2 nëntor 1979. Akuzohet se në bashkpunim me njëri tjetrin kanë kryer krimin e agjitacionit e të propagandës armiqsore kundër shtetit, parashikuar nga neni 55/1 i k.penal.

Gjykata pasi shqyrtoi dosjen e hetuesisë, apologjinë e te pandehurve, provat, prokurorin që kërkoi të deklarohen fajtor të dy të pandehurit se kanë konsumuar plotsisht krimin e agjitacionit dhe propagandës dhe konform nenit 55/1 të K.P të dënohen: a) I pandehuri Vehbi Xhaferri me 7 vjet heqje lirie, b) I pandehuri Sali Ashiku pasi dëgjoi të pandehurit që në mbrojtje dhe në fjalë të fundit kërkuan mëshirë dhe si e bisedoi çështjen në tërësi,

Vëren

nga gjykimi I çështjes doli se I pandehuri Vehbi sëbashku me të pandehurin Salih janë njohur në jetë si tipa të shthurur, sidomos i pandehuri Vehbi. Duke qenë I tille, ai prej kohësh ka menduar që të plotësojë dëshirat e tija aventureske nëpërmjet arratisjes në Jugosllavi ku atje sipas tij do të bënte “qejf”. Fajsia e të pandehurit Vehbi për krimin e agjitacionti dhe propagandës kundër shtetit të diktaturës së proletariatit u provua plotësisht me deponimiet e tij në të gjitha fazat e hetuesisë e ne gjyq me theniet e të pandehurit Salih dhe të dëshmitares Fatmira Rakaj. Gjithashtu edhe veprën e kryer nga I pandehuri Salih, pra ajo e moskallzimit të krimit provohet me deponimet e tija si dhe me theniet e të pandehurit Vehbi. Veprat e kryera nga të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore sepse prekin drejt për drejt fitoret e arrituara nga pushteti ynë popullor, si dhe veprimtarinë normale e organeve të drejtsisë. Rrezikshmëri paraqesin edhe të dy të pandehurit siç del nga karakterisitikat e dërguara nga organizata e frontit bllokut njihen si të ri me personalitet të keq. Në caktimin e masës së dënimit gjykata ka përsa mësipër parasysh si dhe qëndrimin e të pandehurve në seancë gjyqsore, moshën e re, faktin se I pandehuri Vehbi ka nënën e moshuar në ngarkim se I pandehuri Sali ka babën e sëmurë dhe një fëmijë të mitur.

Për këto arsye:

Por dhe duke u bazuar në nenin 277-279 të K.Pr.P. gjykata, Vendosi:

Deklaron fajtor të pandehurin Vehbi Xhaferri se ka kryer krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër shteti të diktaturës së proletariatit dhe konform nenit 55/1 të K.P e dënon me 6 (gjashtë) vjet heqje lirie si dhe heqjen e së drejtës elektorale për tre vjet kohë. Vuajtja e dënimit i fillon për të pandehurin Vehbi që nga data 2 nëntor 1979 kundër vendimit lejohet ankim e protestë në Gjykatën e Lartë Tiranë brenda afatit ligjor.

Shkodër, me datë 19.02.1980

Sekretarja Gjyqtari

Marjana Malaj Nen Lloja

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

GJYKATA E LARTË

KOLEGJI PENAL

Nr. 82 i regj. Themeltar

Nr.78 i vendimit.

V E N D I M

“N’emër të popullit”

Këshilli gjyqsor i kolegjit penal të Gjykats së Lartë i formuar nën kryesinë e:

Lumturi Resnja antare e Gjykatës së Lartë, Me antarë: Liri Gjoliku antare e “ “,

Myftar Hoxha antar i “ “, në seancëne hapët gjyqsore me datën 12.03.1980 merr në shqyrtim çështjen nr.82 që i përket të gjykuarve 1) Vehbi Xhaferri i biri i Ismailit dhe i Adiles, i datëlindjes 1948, lindur dhe banues në Shkodër, me origjinë shoqërore qytetar i mesëm me gjëndje puntor, pa parti, me arsim 8 vjecar, beqar, i padënuar, i arrestuar me 2 nentor 1979 Të akuzuar se: në bashkpunim me njëri-tjetrin kanë kryer krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër shtetit dmth. Se kanë kryer krimin e parashikuar nga paragrafi i I-rë i nenit 55/1 në lidhje me nenin 13 të K.P. Me vendimin nr. 35 datë 19.02.1980 Gjykata e rrethit të Shkodrës i ka deklaruar të gjykuarët fajtorë dhe në bazë të paragrafit të I-rë të nenit 55 të K.P. i ka dënuar: Vehbi Xhaferrin, me 6 vjet heqje të lirisë dhe me heqjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë. Kundër këtij vendimi ka bërë protestë prokurori i rrethit të Shkodrës i cili ka parashtruar këto shkaqe për prishjen e tij. Këshilli gjyqsor i kolegjit penal të Gjykatës së Lartë pasi ndëgjoi relacionin e antarit Myftar Hoxha i cili njoftoi se prokurorori më i lartë hoqi dorë nga protesta dhe e anulloi atë. V ë r e n :

Para fillimit të shqyrtimit të çështjes në shkallë të dytë, këshilli gjyqsor njoftohet se prokurori më i lartë hoqi dorë nga protesta e paraqitur nga prokurori i rrethit. Për këto arsye: Keshilli gjyqsor i kolegjit penal të Gjykatës së Lartë në bazë të nenit 310 të K P P Vendosi:

Pushimin e gjykimit në shkallë të dytë lidhur me çështjen e përfunduar me vednimin nr. 35 datë 19.02.1980 të gjykatës së rrethit të Shkodrës.

Tiranë, më 12.3.1980.

Antari Antare Kryesuesi

  1. Hoxha L. Gjoliku L.Resnja

Njoftim vdekje

Komanda e repartit njofton Degën e punëve të brendëshme në Rrëshen mbi vdekjen e Vehbi Xhaferrit. Më pas i dërgon një informacion Ministrisë së Punve të Brendshme ku i përshkruan se si ka ndodhur ngjarja. Po ashtu është njoftuar edhe prokuroria për të bërë formalitetin e zakonshëm. Familja e të ndjerit nuk është njoftuar akoma, atë ditë që ndodhi vdekja ajo kishte ardhur në takim. Komanda nuk lejoi takimin por u justifikua se janë prerë takimet me të dënuarit për një periudhë të pacaktuar. Këtu kemi dhe një shkresë që komanda i dërgon degës së punve të brendwshme Shkodër që të njoftojë familjen e të ndierit. Familja kërkonte të dinte mbi shëndetin e Vehbiut dhe për këtë qëllim kishte dërguar tre telegrame, pa marrë asnjë përgjigje.

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë Sekret

Ministria e Punve të Brendshme ekzemplar nr.2

Komanda e repartit 303 e përkohshme 5 vjet

Nr.314 prot. Spaç, më 20.06.1981

Relacion

Mbi aksidentin me vdekje të dënuarit Vehbi Ismail Xhaferri

Ministrisë Punve të Brendëshme

Drejtorisë zbatim vendimeve penale

Tiranë

Siç jeni në dieni me datën 21.5.1981 ora 04:10 roja e punës e zonës së IV-të turni i tretë njofton oficerin e rojes së repartit se në pregatitje e trupit 550 furneli 17/114 horizonti 644, është aksidentuar me vdekje i dënuari Vehbi Xhaferri dhe plagosur i dënuari Xhevat Sadikllari. Mbasi u njoftua komnda e repartit dhe dega e punve të brendshme mbi ngjarjen e ndodhur, për vdekjen e të dënuarit Vehbi Xhaferri i biri i Ismailit dhe i Adiles, i datlindjes 1948, lindur dhe banues në Shkodër, i dënuar nga gjykata e rrethit Shkodër me 6 vjet heqje lirie datë 2.11.1979 për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor, u muarën të gjitha masat për të shkuar në vendin e ngjarjes sa më shpejt. Në vendin e ngjarjes menjëherë shkoi vetë komandanti i repartit së bashku me komndantin e togës së policisë dhe një polic, u muarën masa për sigurimin e vendit të ngjarjes e të vdekurit dhe i plagosuri u nis i shoqëruar për në rajonin e banimit për t’i dhënë ndihmën e shpejtë. Në vendin e ngjarjes vajti grupi operativo-hetimor i degës punve të brendshme dhe grupi ekspert me specialist nga ministria e industrisë minierave, të rrethit dhe të ndërmarrjes bakrit Spaçit, prej të cilëve u kryen veprimet hetimore dhe u mbajt proces verbal, u përcaktuan rrethanat e ngjarjes ku shpjegohet se i dënuari është instruktuar për herë të fundit me datën 5.5.1981, brigadier i lirë së bashku me brigadierin e dënuar i kanë dhënë urdhër pune që të mos mbushte mineral, por të punonte për të ulur mineralin e dyshemesë së galerisë në pjesën e armatosur, të bënte ndërrimin e një shtylle në krahun e djathtë, pastaj të bënte kontrollin me levë të pjesës së paarmatosur për të vazhduar armatimin. I aksidentuari ka mbushur përsëri mineral dhe pastaj ka vazhduar armatosjen. Gjatë armatosjes i aksidentuari dhe dy ndihmsat e tij kanë dalë jasht armaturës rreth një metër të cilët më parë nuk kishin bërë kontrollin me levë sipas porosive të dhëna dhe detyrave që ata kanë si minator. Gjatë punimit, nga tavani i galerisë shkëputet një bllok me peshë 1.5 ton i cili vret Vehbi Xhaferrin dhe plagos lehtë në kokë të dënuarin Xhevat Sadikllari. Shkaqet e ndodhjes së asidentit kanë ardhur si rezultat I mos kontrollit me levë të pjesës së paarmatosur të galerisë dhe i mos marrjes së masave mbrojtëse për të siguruar veten gjatë punës. Kjo është pasojë e një disipline të dobët në punë dhe zbatimin e rregullave të sigurimit teknik, në zbatimin e urdhrave si dhe nga kërkesa e dobët e llogarisë nga ana e personelit inxhiniero- teknik e drejtues të sektorit. Nga verifikimi dhe analiza që iu bë në bashkpunim me personelin inxhiniero-teknik të ndërmarrjes, u arrit në konkluzion me përgjegjsi për këtë aksident kanë edhe brigadier i lirë Preng Ndue Prenga dhe roja e punës polic Zef Marku të cilët nuk kanë ushtruar kontroll të plotë mbi gjëndjen teknike të frontit dhe prej tyre nuk është vendosur disiplinë në punë për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik nga ana e puntorve të dënuar. Ndaj polic Zef Markut u dha masë disiplinore “vrejtje me paralajmërim për qitje në lirim”. Ngjarja u analizua me ndjenjë të lartë përgjegjsie dhe në bashkpunim me ndërmarrjen janë përcaktuar masa të gjithanshme teknike, organizative dhe profesionale në bazë të një plani të veçantë. Me të gjithë të dënuarit në një mbledhje të veçantë, nga komanda e rrepartit dhe kryeinxhinieri i ndërmarrjes ushtruan konkluzione, detyra e porosi për domosdoshmërinë e njohjes, kuptimit dhe zbatimit me disiplinë të lartë të rregullave të sigurimit në punë nga ana e të dënuarve. Sipas regullave u kryen veprimet për njoftimin e degës së punve të brendshme të rrethit të tij dhe të familjes së të aksidentuarit për tërheqjen e sendeve personale. Varrimi u bë në varrezat e Shpalit me nr.36.

Komisari i repartit Komandanti i repartit

Pjetër Cara Meto Kondi

Republika popullore socialiste e Shqipërisë Sekret

Ministria e Punve të Brendshme ekzemplar nr.2

Komanda e repartit nr.303 e përkohshme 2 vjet

Nr.214/1 prot. Spaç më 26.5.1981

Lënda mbi vdekjen e të dënuarit Vehbi Ismail Xhaferri

Dega e Punve Brendshme

Shkodër

Ju njoftojmë se në datën 21.5.1981 në orën 04:00 në repartin e riedukimit 303 Spaç vdiq i dënuari Vehbi Xhaferri i biri i Ismailit dhe i Adiles, i datlindjes 1948 në lagjen Vasil Shanto të rrethit Shkodër e banues po aty, me arsim 8 klasë, me profesion xhenerik, me origjinë shoqërore punëtor, i arrestuar me datën 2.11.1979 dhe i dënuar nga gjykata e rrethit Shkodër me vendim nr.35 datë 19.2.1980 me heqje lirie 6 vjet për krimin e agjitacionit e të propagandës kundër pushtetit popullor. Vdekja u vërtetua nga organet e hetuesisë dhe mjeku ligjor siç tregohet në proces verbalin e dërguar zyrës së gjendjes civile. Lutemi njoftoni zyrën e gjëndjes civile përkatëse dhe degën ushtarake për ta hequr nga evidenca. Lajmëroni gjithashtu të afërmit e tij mbi ngjarjen e ndodhur dhe porositni njëkohësisht të paraqiten në këtë repart për të tërhequr sendet personale të tij sipas inventarit që i’u bashkangjitet.

Komisari i repartit Komandanti i repartit

/ Pjetër Cara / Meto Kondi

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë Sekret

Ministris Punve të Brendshme ekzemplar nr.3

Komanda e repartit 303 e përkoh. 2 vjet

Nr.214/2 prot. Spaç, më 4.7.1981

L ë n d a: Mbi të dënuarin Vehbi Xhaferri.

Degës Punve Brendshme

Shkodër

Me tonën nr.214/1 datë 26.5.1981 u kemi informuar mbi vdekjen aksidentale të dënuarit Vehbi Xhaferri që vuante dënimin pranë këtij reparti. Familja e tij për të tretin rastë, telegrafisht kërkon të dijë për shëndetin e tij. Lutemi thirreni të afërmin e tij (nënën) dhe lajmëroni mbi ngjarjen sipas njoftimit që i’u kemi bërë.

Komisari i repratit Komandanti i repartit

/ Pjetër Cara / / Meto Kondi /

EPILOG

Një kujtesë rreth disa hollësive burgu të pathëna akoma… Kur ktheheshim nga turni për në fjetore, tek porta na zbathnin për kontroll. Me këmbë zbathur në shi, dëborë apo baltë, do prisnim duke u dridhur që të vinte oficeri i rojes për të hapur portën e të na fuste brenda. Kur ishim turni parë e ktheheshim në fjetore, mbasi rrufisnim supën me presh të stazhionuar, shtriheshim në krevat për të mbledhur kockat. Sapo shtriheshim kërciste çanga dhe ulërima e tellalit lajmëronte për lexim shtypi duke dëgjuar dokrrat e diktatorit për dy orë rrjesht. Vuajtjet mblidheshin, njera mbi tjetrën, dhe për trupin tonë të ushqyer keq, e me gjumë të mangët, e them me plot gojën që ato e bënin atë kamp një kamp të shfarosjes. Torturë tjetër ishte qethja e kokës zero çdo muaj. Ashtu me kokë zbuluar do qëndronim në taracë tri herë në ditë për të bërë apelin. Në borë, shi e akull, në temperatura nën zero, ne do të rrinim aty një orë e gjysëm, ndonjëherë edhe dy orë duke u dridhur e përplasur këmbët në çimento, në pritje të oficerit të rojes që të fillonte apelin. Kur binte shi apo në ngrica, oficeri i rojes e kthente apelin mbrapsht për ta përsëritur dhe vetë futej në zyrën teknike dhe ngrohej pranë zjarrit. Kush guxonte të fliste për këtë qëndrim të tepëruar në taracë, oficeri e fuste 30 ditë izolim. Kjo ishte vetëm një hollësi e asaj gjëndje të padurueshme që i bënte njerëzit e stërlodhur të mos u dhimbsej më vetja, të binin në dëshpërim, dhe të vendosnin një ditë të hidheshin në telat e rrethimit ku i grinte mitralozi i ushtarit. Më e rënda nga të gjitha ishte ridënimi, i cili në vitet 70-80 u kthye gati në rregull. Dita e lirimit pritej me ankth të madh nga ata që mbushnin dënimin. Mirëpo sapo i liruari ligjërisht dilte tek porta e vogël, i hidheshin prangat përsëri. Autoburgu vinte pothuajse çdo dy javë me të dënuar të tjerë. U shtuam aq shumë , saqë nuk kishim ku të  linin. Një pjesë flinim në krevatet e turnit të tretë e një pjesë në ballkonet e çdo kati. Birucat ishin plot… Ne që mbetëm gjallë nga Apokalipsi enverist , bijtë, vëllezërit, e nipërit e atyre që u zhdukën nga plumbi komunist, që vdiqën burgjeve nën torturë dhe të uritur, duhet të flasim. Duhet të shkruajmë libra, të bëjmë dokumentarë, të çelim muzeume t’i mbushim me dokumente nga kampet e shfarosjes. Duhet të kërkojmë vrasësit tanë, t’i gjejmë ku kanë vrimat e tyre. T‘i detyrojmë mbrojtësit e tyre në qeveri mos t‘i përkrahin më. T‘i detyrojmë këta kriminelë që na munduan pa mëshirë, të përgjigjen e të tregojnë për ata që kanë zhdukur dhe për krimet ndaj nesh që jemi akoma gjallë. Kjo nuk është hakmarrje, është drejtësi. Ta tregojnë vetë se si i merrnin urdhërat, dhe sa shtonin nga vetja, t‘i themi dhe ne sa dimë e t’ia bëjmë të ditur opinionit botëror, i cili po mëson tani të tjera hollësi mbi krimet dhe masakrat e nazizmit, që janë të dokumentuara prej kohësh në filma… Kurse për krimet e komunizmit, pse të heshtet kaq gjatë? Janë më shumë se 5500 burra të ekzekutuar e urdhrin e diktatorit, më shumë se 550 gra, dhe një numër mbi 50 mijë të internuarish, fëmijët e tyre të porsalindur vdisnin nga shpërthimet, nga uria , sëmundja dhe nga kequshqyerja . Pjesa më e madhe nuk dihet se ku janë groposur. Kjo është një njollë për shoqërinë tonë; një turp i pashlyeshëm nëse fiton teza se “boll gjurmuam e kërkuam”. Jo o njerës ! Ata mijëra të vrarë që mbeten pa varr do na bëhen makthe në gjumin tonë. Një dobësi e tillë nga ana jonë dhe moskokëçarje e tillë e autoriteteve, e vendos Kainin vëllavrasës në vendin e nderit, dhe ashtu shenjtërohet zakoni i tij për të vazhduar të derdhë gjak shqiptari. Ne nuk do ta durojmë, do të kërkojmë në shi e dëborë, në stuhi, në rrebesh e nën dritën verbuese të vetëtimave, përrua më përrua e kudo; nuk do të ndalemi, do ecim në errësirë, në pellgje me ujë, asnjëherë të dyzuar e të trembur nga zakoni i lig që po zë vend, i rendjes pas vjedhjeve, kënaqësive, talljeve dhe harresës së vuajtjeve. Të rënduar nga dhimbja e kujtimet e hidhura, por të pamposhtur prej tyre, ne nuk do ndalemisa të kemi frymë, nuk do lodhemi sado gjatë të mbetet errësira komuniste rreth nesh.Ne do të luftojmë që ajo të marrë fund. Kohët kanë ndyshuar, diku duket dritë, përkrahja nuk na mungon, prandaj duhet folur! Vrasësit do t’i ndjekin hijet e krimeve nga pas gjithë jetën, do t’u zhukasin në kokë vaje e rënkime, dhimbje therëse dhe kurrë nuk do t’u fshihen nga mendja njollat e shkulmet e gjakut. Në qoftë se jo, le të bëjnë si të duan derisa t’i mbulojë përjetësisht ndërgjegjja katran. Ne do përpiqemi të luftojmë kundër realitetit të krijuar, të cilin ne e përballuam në kulmin e tij, të mbjellë nga popoviçët e mugoshët dhe të ushqyer e rritur nga përbindëshi gjeorgjian për 45 vjet me rradhë, dhe do ta përballojmë edhe sot në pasojat që la pas. Shumë gjëra që kam gjetur në llogoret e errëta të Sigurimit, tek dokumentat e tij gati në të mykur, prej disa dekadash po bëj të pamundurën që të shohin dritën. Po tu afrohesh edhe më, do të fundosesh në pellgun marramendës të tradhtisë, që fshihet ende në thelësitë misterioze të arkivave të pazbuluara akoma. Do të dalin ndonjë ditë në dritë ? Nuk dihet. Por tashti, le të përpiqemi t’i gjejmë njerzit tanë të vrarë, në gropat e tyre të panjohura, dhe të krijojmë rradhë të gjata arkivolesh, sepse ato janë dëshmi jo vetëm e krimit shtetëror mbi popullin, por dhe e rezistencës së popullit ndaj tij. Ato kocka janë dëshmitarë të heshtur të pulsit e gjallërisë në dejet e një populli që iu imponua vdekja për së gjalli.

Tiranë 31 janar 2011-2016

Please follow and like us: