Albspirit

Media/News/Publishing

Qeveria vendos për 8 kërkesat e studentëve, ja afatet

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, u miratuan vendime konkrete lidhur me kërkesat e studentëve, të cilat për më se dy javë dolën në protestë. Më poshtë gjeni të detajuara edhe vendimet e qeverisë:

Kërkesa e parë e studentëve:

Rritja e buxhetit të arsimit në 5% të GDP, me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e infrastrukturës dhe mësimdhënies (universitete dhe konvikte).

Situata aktuale:

Kostoja për student për çdo IAL dallon në varësi të programit dhe IAL-së, duke shkuar nga më e vogla prej 55,000 lekë në Universitetin e Durrësit deri tek ajo më e larta në 470,000 lekë në Universitetin e Arteve në Tiranë.

Kontributi i buxhetit të shtetit tek kjo kosto shkon nga 54% tek kostoja më e ulët deri në 91% tek kostoja më e lartë.

Si rezultat, studenti paguan 25,000 lekë tek programi me koston më të ulët deri tek 40,000 lekë tek programi me koston më të lartë.

Çfarë u vendos sot:

Për sa më lart sot u miratuan 4 Vendime të Këshillit të Ministrave:

Për përcaktimin e kategorive të individëve që plotësojnë kriteret e pranimit në një program të ciklit të dytë të studimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, që përfitojnë ulje të tarifës vjetore të studimit;

Për disa ndryshime në vendimin nr. 903, datë 21.12.2016 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kritereve për përfitimin e bursave nga fondi i mbështetjes studentore për studentët e shkëlqyer, studentët që studiojnë në programe studimi në fushat prioritare dhe studentët në nevojë”, i ndryshuar;

Për disa ndryshime në vendimin nr. 288, datë 21.5.2018 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kufirit maksimal të tarifës vjetore të shkollimit për studentët që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit të lartë, në një program të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale me kohë të plotë”, i ndryshuar;

Për disa ndryshime në vendimin nr. 269, datë 29.3.2017 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kategorive të individëve që plotësojnë kriteret e pranimit në një program të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale, që përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit”,i ndryshuar.

Shpjegimi i vendimmarrjes:

Tarifat në Nivelin e Parë të Studimeve (Bachelor) të paguhen nga Qeveria për këto kategori:

Përkrahja:

Studentët nga familje në ndihme ekonomike, si edhe të verbrit dhe studentët paraplegjikë e tetraplegjikë, përfitojnë financimin 100% të tarifës së regjistrimit.

Studentet nga familje me ndihmë ekonomike, të verbër, paraplegjikë e tetraplegjikë përfitojnë bursë 10.000 lekë në muaj.

Ekselenca:

Studentët me notë mesatare mbi 9, në çdo program studimi, përfitojnë financimin 100% të tarifës së regjistrimit, nga tarifë e plotë që paguanin përpara këtij vendimi.

Studentët me notë mesatare mbi 9, në çdo program studimi, përfitojnë bursë 10.000 lekë në muaj, ndërkohë që kjo masë ishte në nivelin 8,100 lekë dhe vetëm për studentët me mesatare 10.00.

Një mundësi e ndershme për çdo student:

Të gjithë studentët e tjerë përfitojnë financimin 50% të tarifës së regjistrimit, me pranimin në universitet, të cilët deri përpara këtij vendimi paguanin tarifën e plotë të regjistrimit.

Studentët e humbasin këtë mundësi nëse nuk mbajnë gjatë studimit një mesatare mbi 6 në vitet pasardhëse.

Tarifat në Nivelin e Dytë të Studimeve (Master) të paguhen nga Qeveria përkëto kategori:

Studentët me notë mesatare mbi 9 në hyrje, studentët nga familje në ndihmë ekonomike, si edhe të verbrit dhe studentët paraplegjikë e tetraplegjikë, jetimë, fëmijët e policëve të vrarë dhe të gjithë grupeve të tjera të përcaktuara në këtë vendim, përfitojnë financimin deri në 50% të tarifës së regjistrimit, kategori të cilat deri përpara këtij vendimi paguanin tarifë të plotë.

Sistemi i Konvikteve në Arsimin e Lartë Publik

Situata aktuale

Aktualisht, funksionojnë 8 shoqëri për akomodimin e studentëve (shoqëritë e trajtimit të studentëve) 3 prej të cilave janë në Tiranë dhe 5 të tjera në Vlorë, Shkodër, Elbasan, Gjirokastër dhe Korçë.

Problematikat:

Mbështetja buxhetore që marrin nga buxheti i shtetit në shumën 350 milionë lekë duhet të rishikohet në rritje, pasi është në masë të ulët dhe i referohet çmimeve të përcaktuara me udhëzimin e vitit 2003.

Zgjidhja:

Në Aktin Normativ të buxhetit 2018 që pritet të miratohet së shpejti, janë parashikuar rreth 300 milionë lekë shtesë për kryerjen e investimeve në infrastrukturën e konvikteve për vitin 2019.

Nëpërmjet një financimi total prej 16.8 milionë euro si më sipër, dhënë nga Qeveria Gjermane, do të mundësohet rehabilitimi i një numri maksimal prej 13 godinash të rezidencave studentore universitare në Tiranë (nga 37 godina që përllogariten të jenë në total në qytetin e Tiranës).

Ministria e Financave dhe e Ekonomisë është duke negociuar me KFW për të vazhduar rehabilitimin e banesave studentore, për një projekt me vlerë 27 milionë euro nga të cilat 7 milionë euro grand dhe 20 milionë euro kredi.

Afati i realizimit:

Brenda një periudhe 3-vjeçare për ndërhyrje në rikonstruksione.

Please follow and like us: