Albspirit

Media/News/Publishing

Dashuria e konteshës ruse për Shqipërinë

Drita Lazri

Është befasi e këndshme që pas afro dy shekujsh na mbërrijnë komplimente kaq të përzemërta për shqiptarët, jo nga gjuhëtarë, apo studiues, apo vizitorë të dhënë pas udhëtimeve, po nga një poete ruse, madje nga një konteshë! Ajo ishte Evdokija Petrovna Rostopçina, e shastisur pas brigjeve të Jonit, pas bujarisë së shqiptarëve, e mahnitur nga hijeshia e veshjeve tona popullore, e joshur mbase nga ndonjë trim apo palikar, siç e quan ajo luftëtarin shqiptar.
Emri i saj nuk do t’u thoshte ndonjë gjë admiruesve të poezisë lirike në Rusinë e sotme, po dikur atë e mbanin për poete me ndjeshmëri të fortë romantike.
Evdokija Rostopçina, autorja e këtyre vargjeve plot ëndërrim romantik, ka jetuar në gjysmën e parë të sh. XIX, në epokën e artë të poezisë ruse. Bashkëkohëse e Pushkinit, Lermontovit dhe e gjithë asaj plejade të famshme, nuk kishte si të shkëlqente pranë tyre e as të krahasohej, por ja që me shumë syresh ajo pati njohje e miqësi. Ata e kanë pëlqyer, ia kanë mbështetur talentin, i kanë kushtuar madje poezi (Tjutçevi, Ogarjovi, e ndonjë tjetër). Poeti Zhukovski e ka admiruar aq shumë, sa u bë mentori i saj poetik. As kritikët e kohës, ndër ta edhe V. Belinski, nuk lanë jashtë vëmendjes dhuntinë e saj poetike. Rostopçina ishte gjithashtu e njohur dhe e pëlqyer midis lexuesve. Por vetëm kaq e kjo deri në njëfarë kohe. Pak e nga pak popullariteti i saj zuri të bjerë, dhe ja përse:
Bijë e një funksionari të lartë në administratën e carit, ajo u rrit mes guvernantesh europiane, mori edukim të mirëfilltë e të shumanshëm për kohën, zotëronte disa gjuhë të huaja, ishte e dhënë me pasion pas leximit. Edhe pas martesës, kur u bë “kontesha Rostopçina”, ajo i mbajti të forta lidhjet miqësore me botën letrare e kulturore. Ndër të njohurit e saj po përmendim Pushkinin, Gogolin, Lermontovin, Vjazemskin, Odojevskin, Glinkën, Listin e shumë të tjerë.
Në sallonet letrare Evdokija apo Dodoja, siç e thërrisnin, ishte një mikeshë e preferuar jo vetëm për hijeshinë, por edhe për gjallërinë në debate. Ishte me karakter të fortë, e pavarur në gjykimet, kurajoze në vendimet. Bie fjala, në moshën 20-vjeçare shkroi poezinë e saj të pare të titulluar “Martirëve”,plot me admirim për aktin patriotik e vetëmohues të dekabristëve*. Dhe as që pyeti për telashet që mund t’i hapeshin të atit nga car Nikolla I. Ato vargje që nuk mund t’i lejonte censura ajo i kopjonte natën me shokët e saj për t’i përhapur dorazi.
Guxim edhe më të madh qytetar shfaqi kur botoi me kryeneçësi poezinë “Martesë me dhunë”, një metaforë transparente ky titull për marrëdhëniet midis Polonisë e Rusisë. Ishte shprehje solidariteti me kryengritjen popullore në Poloni kundër vendimit të car Nikollës I , cili e ndëshkoi rëndë atë vend liridashës, duke e kthyer në një provincë të Rusisë. Ama cari nuk ia fali konteshës këtë ‘herezi’, duke e dëbuar nga Sankt-Peterburgu.
Dodoja kish edhe një zemër të butë: i dhimbseshin njerëzit në nevojë e i ndihmonte me sa mundej. Ishte i njohur në publikun rus gjesti i saj bujar për t’ua dhuruar shoqatave bamirëse të gjitha honoraret që i takonin nga botimet .
Mirëpo për fat të keq Dodoja pati një martesë të palumtur. Konti Rostopçin qëlloi njeri cinik e arrogant. Kontesha ndihej e lënduar, e trishtuar; nisi ta ndante jetën e saj midis salloneve mondane, nga njëra anë, e të jepej pas të pirit, dëfrimeve e zbavitjeve të tepruara, nga ana tjetër, gjë që u dha shkas thashethemeve e komenteve dashakeqe. Për t’u harruar ajo bënte shëtitje nëpër Europë, po sidomos pëlqente edhe udhëtimet e gjata në vendet ekzotike, nga ku e ka burimin edhe poezia që kemi fatin ta kemi sot në dorë.
Rostopçina la shumë poezi në frymë romantike, disa komedi satirike në vargje , tregime dhe jo pak përkthime. Shumicën e shkrimeve e botoi në shtypin e kohës. Jo se nuk u pëlqye nga lexuesit. Por popullariteti i saj në publik erdhi duke u mehur. Publiku, bartës i paragjykimeve të kohës , i ndikuar nga thashethemet dashakeqe që qarkullonin për jetën e saj private, pak nga pak e la në harresë veprën e saj.
Kështu Dodoja i ngrysi vitet e fundit e në Moskë, ‘einternuar’ nga cari, e vetmuar, e shpërfillur, e fundosur nga lëngata e rëndë,e sidomos e zhytur në harresë.
E gjora konteshë! Të kishte lindur në një kohë tjetër, nuk do ta kishte paguar atë haraç të rëndë, që i nxiu jetën. Askush s’do të guxonte të fuste hundët në jetën e saj private për t’u vënë kryq krijimeve të saj letrare.
E prapëseprapë Rostopçina me veprën e saj ka mbetur në historinë e letërsisë ruse. Ajo, siç thuhet, ‘ e hoqi këmbën zvarrë’, duke ua hapur shtegun poeteshave që do ta pasonin pas disa dekadash, si Ahmatova, Cvetajeva, të cilat do ta ngrinin në piedestal poezinë ruse e që sot rrugën e tyre e ndjekin dhjetëra e dhjetëra të tjera.
Kurse ne, si shqiptarë, i jemi asaj mirënjohës për këtë relike të bukur e të çmuar poetike.
Duke përmbyllur këto radhë, desha të falënderoj përzemërsisht prof.Nikollaj Leonidoviç Suhaçovin, mikun e shqiptarëve në Institutin e Gjuhësisë të Sankt-Peterburgut, që pati mirësinë të na i bëjë me dije këtë gjetje, dhe të na i dërgojë.

 


 

1-Dekabristët ishin pjesëmarrës të kryengritjes kundër Monarkisë (më 25 dhjetor 1825) të cilën cari e shtypi barbarisht, me varje dhe internime.

*Përkthyese e njohur

Kam veshur kostumin shqiptar

Nga E.P.ROSTOPCINA
(1811-1858)*

Kostum shqiptar plot hijeshi
Nga ngrica e dimrit më shpëto,
Më sill pak paqe e lumturi,

Nën diell të jugut më shkarko.

Moj feste, gjithë nur shqiptarke
Më bëj që t’i harroj vërtet
Dëfrime e sjellje lajkatare,
Çfarë na zë frymën në qytet!..

Ah, veç një ditë të fluturoja
Si zog i lirë në hapësirë,
Në breg të Jonit të ndaloja,
Të ngopesha me erë të dlirë!…

Do t’i dërmoja vetë me këmbë
Zakonet, kodet e pështira,
Mes trimash t’egër hijerëndë
Do të shijoja orë të lira.

Tej malesh do ta gjeja vetë
Kasollen që mban hapur derën
Dhe bujarinë e vërtetë
Te miq fisnikë e zemërgjerë.

Do gjeja paqe e lumturi
Që s’i kam njohur në pallat,
Një palikar, një trim të ri
Me sytë tërë flakë e zjarr.

( Moskë, 1835 )

*Përktheu nga origjinali Drita Lazri

Please follow and like us: