Koço Kosta: Qebiri
Domosdo që unë e njoh. Ai është vëllai i Sheremetit, kunatit tim. Sa herë që veja në fshat te motra, ai shfaqej: zinte vend pranë oxhakut dhe s’ngrihej. Motra insistonte që unë t’u ngulja veshin budallallëqeve të tyre. Po ato budallallëqe për mua ishin fjalë të sinqerta. Janë bark i madh dhe, kur vijnë, mbushet pragu i shtëpisë me opinga, thoshte ajo.
Unë mendoja një çast për Hatijen, motrën time. Prindërit, veçanërisht nëna, kishin dashur ta martonin me një burrë nga qyteti, po erdhi një çast delikat dhe ne e ngjitëm në fshatin matanë përroit, që i thonë Allak.
Burri i motrës punonte në fshat. Motra e kishte merak që ai jetonte në fshat, po të shoqin e donte. Ajo thoshte për të dhe për vëllezerit e tij se ata ishin njerëz të mirë, po që të mbushnin oxhakun me budallallëqe. Dhe qeshte.
Në të vërtetë, ajo dëshironte që unë apo ndonjë tjetër të dallonim cilësitë e mira të burrit të saj apo të njerëzve të tij dhe t’ia thoshnim këto.
Të tërë njerëzit e tij, pa përjashtim, e donin koperativën dhe pushtetin. Falnin jetën për të. Kur u ngrit kooperativa në fshatin e tyre, babai i Sheremetit, domethënë vjehri i motrës, pasi dëgjoi të deleguarin, u ngrit, befas, dhe thirri:
Rroftë Pushteti, rroftë Pushteti!
E duan me shpirt këtë pushtet, thoshte motra ime.
Kunati i motrës e kishte emrin Kardhash.
Si ta kanë ngjitur këtë emër? i thosha herë pas here për ta ngacmuar. Ai ngrinte supet.
Ku di unë? thoshte. Ama, përnjëherësh i pritej gazi, goja i mbetej pakëz e hapur, syte m’i ngulte drejt dhe mollëzat i skuqeshin.
Unë filloja bisedë tjetër. Ai qëllonte gjurin me pëllëmbë dhe rregullohej mirë që të rrinte gjer në fund, gjersa të vinte palca e natës. Madje, deri në mëngjes. Sigurisht nuk vinte për të ngrënë. Se edhe gruaja e tij, Kanakarja, hynte në muzg te ne dhe sillte herë pjatën me lakror, herë me mish, ullinj. Etj. Ka qejf të madh të vijë e të bëjë muhabet me ty, më thoshte ajo mua.
Nganjëherë na shikonte i trembur, se mos atë natë na mbaroheshin fjalët shpejt. Dhe i dukej sikur duhej të qeshte me çdo gjë që thosha unë.
Ishte vërtet krim të spekulloje me të.
Unë e kisha qejf zjarrin në oxhak, zjarr me dru lisi që digjen përbrenda dhe kërcasin. Dhe paqllëkun që mbretëronte në atë odë.
Ne rrinim anës kllanikut pra, afër zjarrit dhe bisedonim.
Ata vërtet kënaqeshin. Po gjithmonë duke pritur diçka më të bukur, të re.
Të dy vëllezërit interesoheshin shumë dhe ndiqnin me vëmendje fjalët për mbarimin e spiunëve dhe tradhtarëve. Unë u flitja për Gjyqet e Popullit! Ata pastaj donin të dinin se si ishin pushkatuar të dënuarit.
E sigurt që u pushkatuan?- pyeste Kardhashi me naivitet.
Ata bëheshin tërë veshë dhe dëgjonin. Motra hiqte thellë nga zemra. Ashtu ajo dëftonte mërzi dhe pakënaqësi. Sigurisht dëshëronte që të ishim vetëm dhe të këmbente ndonjë mendim jashtë pranisë së tyre. Por as i shoqi dhe as kunati s’e përfillnin pakënaqësinë e Hatijes.
Atëherë motra, fare papritur, qeshte. I shoqi e shikonte drejt me sy të zgurdulluar. Kardhashi vështronte i hutuar. Inati i të shoqit dhe hutimi i kunatit sikur i injektonin edhe më shumë gaz motrës sime.
Eh, ia bënte i shoqi dhe hungëronte. Ç’t’i bëj këtij (për mua), pa…!
Këto thoshte hungërima e tij. Me siguri.
Pikërisht atë kohë qeshja edhe unë. I shoqi i sime motre rrotullonte kokën një çast fare të shkurtër, më shikonte me habi dhe njëherësh qeshnin edhe ai, edhe vëllai i tij.
Qeshnim të tërë.
Pastaj motra shtronte darkën. Kardhashi hante pa kujdes, ashtu siç dinte ai, ndërsa Sheremeti mundohej të përdorte pirunin. Por e përdorte ligsht. Atëherë motra ime ulte kokën, qeshte e gurgullonte si për vete, dhe fliste si me kast:
– Ëëë, hamë me kulturë ne këtej nga Mëhalla jonë!
– Ëh, ëh, … e pastaj! – ia bënte Sheremeti dhe zgurdullohej e niste të hungëronte. Sikur!
– Si ta kanë shpikur këtë emër? – i thosha unë përnjëherësh Kardhashit që të fillonim bisedë tjetër dhe të shuaja zemërimin e kunatit.
– Hë de, – thoshte ai. – Hë, si ma kanë stisur?!
1.
Kardhashin e takoja shpesh. Ai shkonte bari me bravaret e fshatit. Dispononte kokë të vogël, të gjatë paksa, ballë të gjerë e të qëruar nga flokët. Nuk mbante shapkë. Në kokën e tij, në flokët, në ngjyrën e fytyrës pati diçka prej shtufi, diçka të hirtë. Qafën e kishte të gjatë, të hollë. Dejet nga pas qafës: të kuq në mavi. Mavi ishte gropa nga mbrapa saj. Supet qenë sajuar të shtrembëra. Dimërverë mbante xhaketë shajaku. Kur binte shi, dilte me llabane. Me llabane shkonte pas kopesë, me llabane dilte nëpër udhët e fshatit, hynte e shfaqej nëpër dyqan apo në vatrën e kulturës.
Në qytet, në ditë shiu, s’e kisha parë me llabane.
Kur më pyeste për gruan apo fëmijet e mi, shikonte matanë, jo si njeri tinzar, po si katundar që kërkon fjalë të përshtatshme.
Një pasdite e takova poshtë nën fshat. Dëgjova zilet e dhive dhe u ngjita mbi ledh pranë udhës. Në të majtë ishte një pyll me dushknajë e drurë të tjerë. Midis qenë përhapur dhitë. Disa kishin hedhur dhe rëndonin këmbët e para nëpër dumbrushe. Dhe më tej: … Kardhashi!
Këta njerëz vërtet kanë diçka të bukur që të tërheqin. Nuk mund të kaloja pranë tij pa i folur. Atij i bëhej gëzim në shpirt. Unë gjithashtu ndihesha i mrekulluar.
Nuk i flisja përnjëherësh. Vështroja. Me dukej se gjithçka përqark, i tërë dekori ishte në funksion të tij, të lëvizjeve dhe të veshjes së tij. Sikur të mos ishte ai, aty diçka do të mungonte. Siç do të mungonte diçka, po të mos ishte ai guri i bardhë, pranë trungut të një dushku të vjetër, apo ai zogu që u ul me nxitim te një degë thane e nisi të këndonte duke tundur bishtin e duke dredhur puplat.
Atëkohë Kardhashi ndolli një dhi. Ajo ngriti kokën dhe e shikoi drejt. Ai zgjati përsëri dorën me pëllëmbën e hapur përgjysmë dhe vazhdoi ta ndillte. Dhia eci drejt tij. Unë shikoja dy lemenjte e vegjël të gjunjëve te të dyja këmbët e holla të dhisë. Kur iu afrua bariut, dhia kërreu gjuhën dhe nxori ca zëra të përhumbur, ndërsa mjekrën e bridhte nëpër shajakun e tij sikur donte ta lëpinte. Bariu e kapi nga zverku, pastaj e mbërtheu nga këmbët e pasme, theu mesin dhe uli ballin dhe e mbështeti nën bishtin e saj. Ajo lojti kryet anash, e lëpiu te flokët dhe leshoi virrmë sikur ta pyeste se ç’kishte ndër mend t’i bënte. Ai nxori opingën e djathtë dhe e uli nën gjinjtë e dhisë. Dhe zgjati krahët, dhe gjinjtë e saj i mblodhi midis shuplakave të plasaritura.
Filloi ta milte. Qumështi çlirohej nga kalemat e gjinjve duke ia bërë pëzhzh, pëzhzh, pëzhzh! Dhe binte në opingë duke kërcyer stërkala të bardha dhe duke ngritur avull të bardhëm si tym nga pluhuri i gëlqeres.
Pas ca, Kardhashi e lëshoi dhinë. Ajo iku katër çape, pastaj ndaloi, tundi kokën, lëshoi virrmë të lehtë dhe goditi me turi vendin midis bishtit dhe gjinjve.
Bariu fërshëlleu, sikur të ndillte një qen. Nga hija e një trëndafili të egër nxori gjuhën dhe tundi bishtin një këlysh, i cili provoi të lehtë dy herë dhe vajti tek i zoti e iu fërkua midis këmbëve.
Kardhashi uli opingën, e mënjanoi pak dhe këlyshi nisi të pinte qumësht, duke nxjerrë sa mundte gjuhën e gjatë, të njomë e të kuqe.
Pas ca bëri më tej, kapi një dhi tjetër, e moli edhe atë në opingë dhe qeni e lëpiu gjer në fund lëngun brenda te opinga.
Njeriu i vetëm atje midis dushqeve të unjtë dhe kopesë së dhive, seç mërmëriti nëpër buzë një varg të një kënge popullore, mbathi opingën dhe kërceu e qëndroi në këmbë.
Këlyshi lëpinte buzët, ndërsa Kardhashi theu pak mesin, përkuli gjurin dhe e uli përpara. Dhe me të përkëdheli këlyshin.
Unë i fola Kardhashit. Ai solli kokën me njëfarë përtese, po, kur më dalloi, fytyra iu gëzua dhe nëpër lëkurë iu këmbyen ngjyra njerëzore.
Shkuam drejt njeritjetrit dhe u takuam me mall. Gëzimi i tij ishte prekës.
Unë vëreva përqark që të ulesha dhe ai nxitoi të shtronte pallton e vet të shajaktë. Sigurisht që nuk pranova.
I dhashë një cigare PARTIZANI. Ai e thithte dhe unë shikova gropën që iu bë te qafa. Sytë e tij kishin dritë.
– Mos ik sonte! – tha.
Unë nuk fola. Pranë nesh erdhi qeni. Kardhashi lëshoi pëllëmbën në shpinë të tij dhe qeni u ul. Mbi këmbët e para të shtrira përpara uli qafën dhe gushën dhe mbylli sytë.
– Kam kulish të mirë, – tha ai. – Tani që është i vogël, e ushqej me qumësht. Gjatë ditës mjel nga pak një dhi timen dhe një të Sheremetit. Sheremeti e di, po Hatijes s’i themi.
Kur tha: po Hatijes s’i themi, fytyra i shprehu faj dhe buzët u munduan të qeshnin. Mua m’u kujtua Hatija, motra ime.
U ngrita. Ai donte që të rrija ende.
– Ja, ka edhe një çikë diell, – tha. – Edhe një çikël! pastaj prishet dhe unë e mbledh kopenë.
Dielli atje tej në krifën e malit ishte i madh dhe i kuq. Ai qe i bukur. Aq i bukur! I gjallë! Aq i gjaaallë!
– Akoma s’i bëmë dhitë kolektiv, – tha.
– Kur do t’i mblidhni?
– Po, do t’i mbledhim! – mërmëriti.
Unë shikova përsëri në perëndim te pluhuri i zjarrtë qe hidhte dielli. Kardhashi më shikonte drejt, pastaj u përhumb dhe përsëri me vërejti ngulshëm.
– A ka gjë të re? – pyeti.
– Çfarë?!
– Për Ata?
– Për kë?
– Tradhtarët? – tha.
– U bënë pleh, – thashë. Fola shuar.
Ai u mendua që përbrenda dhe belbëzoi:
– Mor, po të kemi mendjen se, pa shih si dalin?
– Sigurisht të kemi mendjen, – belbova përhumbur.
– Qënat! – tha. – Rri ca. Aty përposh ka një burim dhe ka lule.
– Të ngjitem, – thashë. – Po iki. Takohemi në mbrëmje.
Gjoksi dhe fytyra e tij brufulluan nga gëzimi, sakaq.
– Ja, kapton dielli dhe erdha, – tha.
Ai vërtet u gëzua që unë thashë: Takohemi në mbrëmje.
Ky fakt më përhumbi. Këta njerëz gëzohen shumë kur u rrimë pranë, kur i pranojmë dhe bisedojmë me ta. Këta na linden dhe na rritën, duke punuar në fushë apo duke kullotur delet në dimër e në verë. Na dërguan në shkollë dhe na ushqyen, na veshën. Në karakterin dhe në dijet tona, padyshim, kërkojnë pjesën e vet: atë që s’mundën ta arrinin. Ështe krim i madh, shpërbërje e qënies njerëzore, t’u mënjanësh krahët të këtille njerëzve, t’i mohosh. Na rriti e na lindi kjo baltë dhe, sa herë që ndodhemi ngushtë, këtej e sjellim kokën. Shikojini me vëmendje: Këta janë ashtu: Të virgjër; diçka që të kujtojnë dheun, drurët dhe ujërat. Ç’arsye mund të ketë një dykëmbësh i diplomuar që t’i mohojë, që të ngrihet diku në një katedër apo prapa një tavolinë dhe t’ju largojë hallet dhe gëzimet e vërteta; t’i sjellë ndryshe në filma dhe në faqet e librave?
– Të t’i mbledh ca lule?
– Faleminderit, po iki, – thashë duke shkruar diçka përbrenda vetes.
– T’i sjellë në shtëpi te Sheremeti, – tha. – Dëgjo!
Unë u ktheva nga ai. Bariu shikoi në tokë te rrënjët e një sherebeli: E përshëndeta me dorë dhe u largova.
Mbrapa meje, atje në kulmin e malit, dielli qe tërbuar fare. Qe i bukur dhe, duke e kundruar për një çast, ndieje se premtonte ditë edhe më të bukur. E kërkonte qënia e shpirtit të tillë gjë! siç duket!
2.
Unë banoja në qytet dhe aty punoja si gjykatës. Atë ditë isha me shërbim në një qendër të një koperative bujqësore në periferi, pranë stacionit hekurudhor. Kur mbarova punë, akrepat e sahatit të madh atje Te Kalaja shënonin orën dy pasdite. Isha bërë tërë pluhur. Pluhuri më bezdis shumë.
Zbrita nga autobuzi dhe zura të ecja me nxitim. Bashkë me mua shpejtonte edhe Vjollca, që punonte si mësuese e marksizmit në shkollën e mesme bujqësore, te stacioni hekurudhor. Ajo s’ishte martuar ende.
Atëkohë po flisnim për dushin. Ne lëvdonim shpikjen e tij. Ishte vërtet vapë e pamëshirshme. Vapë shkretëtire. Isha zyrtar dhe xhaketën e mbaja me vete. Ajo më rëndonte dhe e ndieja se si më kullonte djersa në qafë. Përqark vërtitej pluhur, të cilin e trazonin dhe e ngrinin edhe më makina të ndryshme, dhe kjo edhe mua më torturonte.
– Fol, po mos më ngacmo me dorë te bërryli, – i thashë Vjollcës.
Ajo qeshi me zë dhe tha:
– Pse?
– Më bezdis qoftë edhe një grimë pluhuri, – i thashë.
– Vërtet?! – tha ajo dhe qeshi.
Vjollca ishte vajzë shumë e mirë. Ne ishim komshinj.
Nxitonim. Befas, nga mbrapa dikush uli krahun te supi im. Lojta kokën: Kardhashi!
Ai qeshi me të madhe, gjithë çiltërsi. Ishte qethur e rruar taze. Nëpër qafën e hollë i kullonin rrekëza djerse dhe këmisha i qe ngjitur vëndevënde ndaj trupit. Nëpër gropat e fytyrës, prapa veshit dhe te gusha i ishin kolisur qime të prera.
Ai m’i hodhi të dyja duart në të dy supet. Thërriste dhe qeshte.
– E hodha, – tha.
Unë e pashë drejt dhe e hetoja: Çfare hodhe?
– Sot e hodha atë djall emër, – tha.
Mjekrra ime u mpi e ngritur lart.
– E rregullova, – tha. – Pagova 500 lekë të vjetër dhe e fshiva.
U kujtova ta përqafoja dhe buzët e mia u hapën, që t’i thërritnin në emër, po ai ma mbylli gojën me pëllëmbë.
– Mos! Qebir më quajnë tani. Ja, kështu.
Pas kësaj më përqafoi fort, sa deshi, më puthi pa druajtje në buzë, në mjekër, në faqe dhe në gushë.
– Tani folmëni Qebir! – tha. – Gjyshit tim Qebir i flitnin. Mua më kishin shpifur atë emër! Po kjo?!
Ai u kthye i tëri nga Vjollca.
– Një shoqe, – i thashë.
Ai i zgjati dorën dhe e shikonte drejt.
– Punoni, se luftë e madhe bëhet, – i tha Vjollcës. – Vriji armiqtë!
Sakaq e përqafoi dhe i foli:
– Kur me polli mëma, sekush më mgjiti një emër si të lig, kështu: të përçmuar. Unë linda më 1922. Tani kam emër tjetër. Emrin e gjyshit. Pati një që më foli në vesh e më tha se mund ta rregulloja në gjyq këtë punë. Fët 500 lekë të vjetër! dhe tani u bëra i tëri Qebir! Pa eni!
Ai na hoqi zvarrë gjer te pastiçeria dhe na gostiti me pasta dhe arançata.
– Iku Qebiri, – tha ai për vete kur u ndamë.
E tërë qënia e tij me ngjau sikur këndonte. Sa ndenjëm me të, përsëriti shumë herë emrin Qebir. Që ta bënte sa më të qëndrueshem.
Dhe humbi në bërrylin e rrugës me plepa.
Vjollca vazhdonte të qeshte pa të keq. Pastaj e fiku gazin dhe tha:
– Sa njeri i mirë!
Une s’fola.
– Pse? – tha ajo. – Pse?! Kështu janë njerëzit. Të ndershëm: një ashtu, një kështu; ca përpara, ca më pas. Është njeri i mirë ai Qebiri.
Unë përsëri s’fola. Çapet tanë çukitnin në trotuar.
– Ç’mendoni? – i thashë.
– Kishim një shok në kurs, – tha. – I pëlqente shumë të dukej modern dhe hiqej se dinte. Që të dukej i tillë, e mundonte veten edhe duke heshtur. Në ca gjëra ndihej se kishte informacion, po seç nuhasja diçka që s’më pëlqente tek ai njeri.
Unë nuk fola. Ajo ngriti supet për të përsëritur: seç kishte diçka që s’më pëlqente tek ai njeri!
– Seç …! diçka! Lexonte dhe, për shumë libra, fliste me mospërfillje, … me përçmim. S’e kam këtu, xhanëm, po se si është, sesi është ai njeri! Ja, do ta vërente me mospërfillje këtë fshatar, do ta shikonte nga larg. Ose do të shtirej hapur. Po gjithmone m o d e r n! Nëse do të shkruhej tamam kështu për këtë katundar, ai do të kundërshtonte. Ky është fshatari ynë i dikurshëm. S’është kështu fshatari i shekullit të njëzetë! Ai s’do ta kuptojë se ky është Qebiri, janë njëzet apo dyqind Qebirë të tillë, apo edhe më shumë, dhe edhe këta kanë jetën e vet. Tërë katundarët duhet të ndërrojnë: të bëhen si i kërkon ai. Çudi e madhe! Dhe heshtte si kapacitet. Vuan nga deliri i madhështisë. Bosh, po, gjithsesi s’janë pa dëm të tillët!
– Qebiri është njeri i mirë, që nuk shtiret dhe e fiton bukën me djersë, – i thashë.
– Edhe unë kam njohur të tille, – tha ajo. – Ka edhe ashtu, edhe kështu.
Mbrapa nesh ndali urbani. Unë hipa dhe Vjollca më përshendeti me pëllëmbën e vogel.
3.
Përjashta binte shi. Një javë rrjesht që shiu s’pushonte. Një javë që s’ndalonte. Isha në ditën e fundit të lejes së zakonshme dhe qesh ngujuar brenda. Atëkohë po lexoja librin KUJTIME PËR KAPITALIN.
Dikush perjashta derës shtypi butonin e ziles. E ngjishte rëndshëm dhe s’e hiqte mollëzen e gishtit! Korridori dhe dhomat u mbushën me alarm.
U ngrita dhe hapa derën. Ishte Sheremeti, burri i motrës sime, i Hatijes. Qe lagur. Çadrën me bisht druri të trashë dhe pa dorezë e mbante nën sqetull. Mushamaja ushtarake i kullonte.
Rrinte dy këmbë tej pragut të derës.
– Hyr! – i thashë.
Ai kqyri veten dhe tha:
– Ku të hyj, jam bërë ujë.
– Hyr, ore!
Çapi me ngathtësi. Mezi i gjeti vend çadrës dhe hoqi mushamanë. Përpara këmbëve të tij dhe përqark, ujërat që kullonin nga çadra dhe veshjet e tij sajonin ca figura abstrakte në dysheme. Pastaj zgjati buzët dhe më puthi fort. Streha e kapelës së zezë kadife më njomi.
Sheremeti qeshi si në ngërç. Kur po hynim në kuzhinë, tha:
– Do të iki në spital.
– Pse?
– Pse?!
– Seç i ra në një anë të gjoksit dhe ka të dhëmbura.
Pimë kafe me surba dhe dolëm.
– Heee! – ia bënte rrugës Sheremeti.
Sheremeti ishte trupbëshëm e i lartë. Çapitej i sigurt dhe qe veshur mirë.
Arritëm në spital. U ngjitëm në katin e dytë dhe kthyem në të majtë.
– Te dhoma katër, – na tha një sanitare.
Dera qe hapur. Kishte pesë shtretër. Pranë njërit shtrat, mbi një stol ndodhej Ka… Qebiri. Koka i dukej e gjatë dhe e hollë. Mbi kofshët e shajakta, te prehri, kishte shtrirë krahun e zhveshur të zverdhur të së shoqes, mbështjellë me një peshqir të lagur. Një peshqir tjetër, po të lagur, ia pat shtrirë mbi ballë dhe në tëmtha.
Kapakët e syve të saj ishin të rënduar. Të mbyllur.
Unë dhe Sheremeti vërenim Qebirin. Gjithmonë, kur isha përballur me të, Qebiri, që në çastin e parë, gazmohej. E qeshura e tij pat qënë tërë mirësi.
Por ato çaste s’fytyrëqeshi. Na shikonte edhe ai drejt. Ngulshëm. Pa folur. Sheremeti hodhi dy çape. Ate kohë Qebiri lëvizi pak kryet nga e majta, uli pëllëmbën në faqe e te buzët e së shoqes dhe diç mërmëriti. Pastaj ngriti kokën, e uli dhe gropat e syve e tij u mbushën me lot. Qante si femijë. Nyja e grykës hyri në punë të madhe.
– Po mbahu, mbahu! – i foli i vëllai, Sheremeti.
Po supet e Qebirit kërcenin.
Vetëm pas një farë kohe heshti. Fshiu dosido fytyrën e lagur dhe iu lut së shoqes që të hapte pak sytë dhe të shihte Sheremetin, të më shihte mua!!!
– Pa hapi sytë…, hë, Kanakare! Ështe Seferi; Seferi, moj, Për kokën tende!
Ajo merrte frymë thellë. Sheremeti hoqi nga zemra.
Dikush solli dy stola dhe u ulëm pranë shtratit, afër gjunjëve të Qebirit.
Njëzet minuta më vonë Kanakarja mërmëriti:
– Erdhi Seferi?
– Ëhë, erdhi, ja Seferi, Seferi, moj! – i pëshpëriste Qebiri.
– Bën be, – arriti të mërmërinte ajo.
Qebiri u betua: Për kokën tënde dhe të fëmijëve. Beja ishte prekëse, qe … dhëmbje.
Ajo s’foli. Pasi u ngop me frymë thellëthellë, ndryshe nga më parë, belbëzoi:
– Qebir, ngremë kapakët e syve që të shoh Seferin!
Zemra ime u drodh si kurrëherë.
O njerëz të mirë, më falni! Më falni për pajkujdesitë! Më ndjeni nëse ju kam lënduar ndonjëherë padrejtësisht! Ndjeeesë!
– Ngriji! – mërmëriti ajo përsëri.
Mund të mos i kisha shkuar në spital, dhe ateherë s’di në do të më kishte rënduar kaq shumë në ndërgjegje. Tani e dija mirë, më mire se kushdo tjetër se qenia e saj, shpirti i saj e lypte këtë.
Unë isha njeriu me shkollë të lartë në fisin tim. Motra ime ishte martuar në fshatin tjetër. Njerëzit e Sheremetit, të burrit të motrës, gëzoheshin me mua. S’kërkonin asgjë materiale. Veç që të isha i tyre. Edhe i tyre! Se ata ende s’kishin një njeri me shkollë të lartë në fis. Unë isha ëndrra e tyre, si duket. Dhe ata më përqafonin me mall e dashuri.
Buzët e së sëmurës u drodhën. Qebiri mundohej t’i shkoliste kapakët e syve.
– Mos e mundo, – i thashë.
Nëpër grykë më kullonin lotë të hidhur.
Qebiri arriti t’ia ngrinte kapakun e sipërm të syrit. Sytë e saj ishin të zbërdhultë, të veshur nga njëfarë mjegull e turbullt.
Ajo, më duket, shikoi tek unë dhe u mundua të buzëqeshte. Shqiptoi emrin tim dhe, tërë mundim, me dorën tjetër preku dorën e Sheremetit.
Sytë e Sheremetit u bënë pellg.
– E sheh, ja Seferi! – i thoshte Qebiri. – Foli një fjalë Seferit!
Ajo u gëlltit dhe belboi:
– Si e ke gruan?
– Hë, hë, fol! Po gruaja e Seferit i mban sytë hapur! – i tha. Ajo tundi pak kokën me një mendim të zymtë.
– Oh, – ia bëri ajo.
– Ç’ke, ç’ndien?! – i pëshpërita.
– Një orë gjumë, një million lekë! – mërmëriti ajo.
– Çfarë thotë? – fola unë.
– S’flë dot, s’flë dot, – tha Qebiri. – Ngordhi për gjumë, po s’fle dot!
Asaj i ranë kapakët e syve. S’foli më.
Hyri mjeku kardiolog. Pas ca dola me të në korridor.
– Ç’të të them! – tha ai.
U ktheva brenda. Sheremeti më vështronte drejt.
– Ç’të foli doktori? – më pyeti Qebiri.
Si t’i thosha? Si t’uuu thooosha?!
Një çikë me vonë, gruaja e Qebirit s’ndjehej hiç mirë. Erdhën me nxitim infermierët dhe kryeinfermieri. Thirrën mjekët. Bënë përsëri konsultë. Kur dolën në korridor më thanë se ishte rëndë. Sërish e kishte goditur infarkti.
Brenda, në tërë dhomën, ndihej frymëmarrja e rëndë e gruas së Qebirit. Qebiri e fërkonte te kyçet e duarve e në qafë dhe fliste si me vete:
– Vdekje, o vdekje! Po hiqu, moj, nga gruaja ime. Hiqu, mos më bjerr në qafe, mos më lër pa short!4.
Atë pasdite u nisa urgjent me shërbim në Tiranë. Atë mesnatë gruaja e Qebirit qe shuar.
Oh! Sigurisht, kur e kanë varrosur është bere qetësi dhe Qebiri, në heshtje, do t’i ketë folur së shoqes që të mos kishte merak se djemtë do t’ia martonte. Do i martojmë.
Unë i vajta për ngushëllim në fshat, gjashtë ditë më vonë.
Qebiri u ngrit i pari në këmbë, buzagazi shkurt, zgjati gojën dhe më puthi me përzëmërsi.
Folëm për të ndjerën dhe Qebiri tha:
– Atë ditë, natën vonë ndali frymën. Po hë, ç’kemi? Si i ke femijët? Si e ke gruan? Po ajo shoqja që e njoha atë pasdite në anë të asfaltit në qytet? Sa vajzë e mirë! Më shihte mua, atje tek hëngrëm nga një të ëmbël, me sy të ngrohtë. Merri nganjëherë shokët e dilnani këtej. Me ç’të na ndodhet.
Përjashta ishte bërë natë. Kuiste me të madhe një qen.
– Vraje atë qen! – mërmëriti plaka e shtëpise. – Vraje, se më mori nusen.
Qeni, si për inat, kuiste kobshëm.
– Vrajeni, – klithi plaka.
Qebiri shikoi nga ajo me dhimbje, vështroi nga unë dhe më tha:
– E vjetër Nëna, tetëdhjetëenëntë bukë, dhe i këndon mendja se qeni na lëshoi vdekjen. Helbete, plakë!
Qebiri vështroi radion. Ajo kishte një mbulesë të qëndisur me fjalët MIRË SE ERDHËT, një vazo dhe një tufë me lule butaforike. Te muri ishte fotografia e shokut Enver.
Qebiri shikoi andej, u zgjua, si të kujtonte diçka, dhe përplasi pëllëmbët sikur nxitoi të trembte heshtjen e ligë.
Ai qeshi, po si tjetërlloj! Dhe foli për të mbjellat.
Te shkallët përjashta u ndien çape. Po ngjiteshin njerëz njerëz të tjerë.
Era vazhdonte të rrinte zgjuar te xhamat.
5.
Në mëngjes nuk tundej ajri: s’kishte erë. Në kasolle buluriti një viç. Qebiri i kerkoi të birit telegramet e ngushëllimit dhe m’i dëftoi mua. Unë i kalova me rradhë. Kur mbarova, Qebiri zgjati një telegram tjetër dhe tha:
– Po ky telegram, mor vëlla! nga vjen! se s’e kërrejme dot?!
Ai numëroi djemtë me rradhë. Njeri prej tyre tha:
– Ne s’e njohim këtë emër!
Unë lexova telegramin dhe m’u ngroh gjoksi. Telegramin e dërgonte Vjollca.
– Jo, moreee! – ia bëri Qebiri. – Hëk, hëk, hëk, më i lumtë! Bravo i qoftë! Hallall Mëmë e Babë, hajr shkolla!
Ai u mendua thellë dhe sytë iu rrëmbushën me lot (më ngjau sikur në gjithë trupin e tij buisën lotët).
– Hajde, shkolle, hajde! E paç të gjatë, o vajzë, e paç të gjatë, o Parti e madhe, që rrit të këtilla vajza e të tillë djem! Qofshi!
Ai hoqi hundët dhe qau i papërmbajtur. Unë, gjithashtu, thava sytë. Në përlagien e të pamit tim lëvizte imazhi i bukur i Vjollcës.
Qebiri rreshti dhe më pyeti gjatë për Vjollcën dhe prindërit.
– Është martuar? – tha ai.
– Po, – i thashë.
– Ashtu? Ka marrë ndonjë si vetja, apo…
– Ka marrë një djalë shumë të mirë, – thashë.
– Të rrojnë, – tha. – Po ku?
– Në Tiranë.
– Jo more! Po nga Tirana vjen telegrami?
– Nga Tirana.
Sytë dhe fytyra e tij shprehën habi, dhe njëherësh u mbushën me dritë.
– Po ku mësoi për hatanë tonë?
– Unë isha atë pasdite në Tiranë dhe që andej fola me spitalin këtu në rreth. Përjashta, rastësisht gjeta Vjollcën dhe i thashë.
– Ashtu, thuaj!
Qebiri uli kokën dhe trazonte prushin me një copë dru.
– Hë, ç’vajzë ka pjellë barku!
Pas ca, ata hapën bisedën e varrit.
– Po, po, do t’i bëjmë varr të mirë, – tha Qebiri. – Tërë jetën ka punuar.
– Do ta bëjmë, – tha edhe djali i madh.
– Varri është gjë fisnike, – shtova unë.
– Gjë e bukur, – tha Qebiri. Ai foli me krisma, sikur do të kërcente.
Djali i madh mori një letër mbi oxhak dhe lexoi fjalët e epitafit.
– M’i përpiloi shkrimtari Altin, – tha i biri.
– Cili?! – pyeta unë.
– Një flokëdrudhë. U ndodha në qytet, kur ai po grindej me disa që s’e respektonin. Unë jam poet, u thoshte ai i shkreti, por ata talleshin. Unë, ia gjeta anën dhe e hoqa mënjanë dhe e shpura në kafene. Ai tha se ishte poet dhe kishte botuar katër libra, dhe gjashtëmbëdhjetë të tjerë i kishte në shtyp. I dhashë kafe e fërnet dhe ai m’i shkroi në minutë vargjet për pllakën e varrit të Mëmës.
Qebiri rrinte si pa frymë, si në ajër. Ai kishte shtrembëruar mjekrën, dhe dëgjonte me vëmendje. Fytyra i qe trishtuar. Gur.
Në fund lëvizi kokën dhe më shikoi drejt.
– Si thua, ti, Sefer? – mërmëriti.
Unë s’dija ç’të flisja. Isha në mëdyshje. Por epitafi i atij shkrimtari të shpifur, llafazan e të paskrupull, që thërriste nëpër rrugët dhe zyrat e qytetit, s’më pëlqente. Ato fjalë ishin turp. Për herë të dytë s’mund ti dëgjoje.
Qebiri sikur nuhati diçka dhe lëvizi dhe më pyeti përsëri. Dukej sheshit se atij s’i ngjitnin ato fjalë.
Hyri motra ime dhe pyeti përse bisedonim.
– Ç’mendon ti? – më tha prapë Qebiri.
Motra më nguli vështrimin. Unë kujtova diçka, kujtova edhe të ndjerën dhe thashë:
– Ajo qe punëtore.
– Punonte kiamet dhe ishte pa gojë, – tha Qebiri me nxitim. – Bam e bum në punë, tërë jetën.
– Pra, ishte e ndershme, – thashë sikur t’i flisja vetes. – Njeriu që punon, shpesh është i ndershëm.
– Hë, të paça!
– Ajo gjithashtu i donte njerëzit, se njeriu që punon e do njeriun, atë që punon.
– Pyet kë të duash, – tha Qebiri.
– Ndofta mund të bëhet kështu epitafi, diçka tjetër!
Ata më shikonin të heshtur, me ngulm, drejt, pa lëvizur.
Thashë:
– Këtu prehet KANAKARE LLAKATURA. Lindi në këtë vit dhe vdiq në këtë vit. E donte punën, pra qe e ndershme. I donte njerëzit që punonin. I donte shumë bashkëshortin dhe fëmijët. Diçka e tillë, mbase!
Qebiri ngriu. Thellinat e syve iu lagën përsëri. Paskëtaj brofi dhe më përqafoi.
– Jemi të punës ne, – mërmëriti. – Kështu po, – tha pas pak dhe u ul.
Ndjeva se qafa ime ishte njomur nga lotë të vakët.
Djali i madh heshti dhe foli si të gdhendte:
– Kështu do ta bëjmë.
U ngrita. Dolëm përjashta. Qebiri më ndiqte. Kur zbritëm shkallët, ai më propozoi:
– Dalim pas shtëpisë të shikojmë kopshtin?
Ai ecte përpara. Drurët e pemëve ishin të zhveshur, po limfa, e ndjeja: lëvrinte.
Qebiri ndaloi dhe preku me dorë një fidan.
– Kjo është hurma e re, – tha. – S’ka ca që e mbolli Kanakarja. Ja, po çel, shih sa e ka mbufatur sythin.
6.
Pranvera po vinte nga sythet.
Gjirokastër: Nëntor, 1980.