Albspirit

Media/News/Publishing

Lazër Stani: Universi paralel i Zija Çelës

 

Shkrimtari Zija Çela me romanet e tij të njëpasnjëshëm të botuar në këto vite, ngjan me një shkrimtar që e ka zënë gjithë hapësirën e tij krijuese, korpusi i tij letrar ngjan i përplotësuar, ku as mund të shtosh e as mund të heqësh gjë prej gjëje. Megjithatë me Zija Çelën ngjet si me hapësirën që zgjerohet; hapësira e tij krijuese zgjerohet nga romani në roman, sa fundi i romanit të sapobotuar ngjan sikur mbjell farën e një romani të ri. Dhe në këtë hapësirë krijuese që zgjerohet, secili roman pasardhës është më gjithëpërfshirës, më total. I tillë është edhe romani i sapo botuar, “Djalli Komik”; një roman total, gjithpërfshirës.

 

Milan Kundera në esenë e tij të gjatë “Arti i Romanit” shkruan se “Romani është një meditim për ekzistencën siç shihet ajo nëpërmjet mediumit të karaktereve imagjinarë”. Zija Çela me imagjinatën e tij magjepsëse dhe me energjinë e tij të pashterrshme krijuese pikërisht këtë ka arritur: të shkruajë një roman tronditës për ekzistencën tonë të mbushur me pasiguri, absurd, tragjizëm, ku jetët dhe fatet njerëzore, luhen në një skenë groteske, herë herë qesharake.

Si edhe në romanin e tij të mëparshëm, në procesin e tij krijues, Zija Çela krijon një univers paralel me universin në të cilin jetojmë, një univers që është vetëm i tij, ku shkrimtari gëzon lirinë e tij të pakufizuar nga modelet, traditat, shkollat letrare, imponimet që të bën realiteti mbytës dhe historia me dëshmitë e saj kokëforta, të patjetërsueshme. Në këtë univers të tij krijues, paralel me tonin, Zija Çela është i gjithi vetvetja në nivelin më të lartë të shfaqjes, në formën më të lartë të ekzistencës, atë të demiurgut, krijuesit.
Kur kam shkruar për romanin para-ardhës “Ora e Zooparkut” kam thënë se Zija Çela nuk është një shkrimtar që ne e lexojmë; ai është një shkrimtar që na lexon ne njerëzve, lexuesve të tij. Në romanin e ri “Djalli Komik” shkrimtari ndjek një procedurë tjetër: Ai vë në objektivin e syrit të tij shoqërinë shqiptare, por edhe shoqërinë njerëzore në tërësi, ashtu sikurse një mikrobiolog vë në objektivin e mikroskopit një koloni bakteresh dhe e vëzhgon, e deshifron dhe e përshkruan me një gjuhë drithëruese, ku spikat imagjinata magjepsëse dhe stili mjeshtëror i rrëfimit. Kolonia njerëzore në romanin “Djalli Komik” është një koloni e vështruar me një sy pa perde, me një sy depërtues, që sheh thellë e më thellë në qenien tonë individuale dhe në organizimin tonë social e shtetëror, zbulon raportet ngjethëse të individëve, në të shumtën e herës të degraduara, të molepsuara nga mungesa e idealit, bjerrja e virtytit dhe çthurja, të dekompozuara deri në një shkallë të frikshme, aq sa të vjen të ulërasësh: këta jemi ne, kjo është shoqëria në të cilën jetojmë, kjo është bota groteske në të cilën ekzistojmë. Universi paralel i Zija Çelës, edhe pse fiction i pastër, është në të njejtën kohë universi ynë tragji-komik, veçse shkrimtari me aftësinë e tij, arrin të na çlirojë disi nga verbëria kolektive.

Eshtë zakon që në shkrimet për librat, të flitet për subjektin, karakteret, të argumentohet se përse ky roman duhet lexuar. Dhe nuk është zakon i keq. Por në rastin e Zija Çelës kjo është e tepërt. Sepse Zija Çela nuk të zhgënjen në asnjërin nga krijimet e tij, qofshin tregime të shkurtër prej disa faqesh, apo romane qindra faqesh. Mjafton të lexosh disa paragrafë për të kuptuar se sa madhështore e magjepsëse është gjuha e shkruar, se çfarë bukurie tronditëse dhe imponuese bart në vetvete fjala, sa urtësi dhe dije universale ruhet në kodet e saj. Fjalët në penën e Zija Çelës jo vetëm krijojnë me perfeksion një univers paralel, por edhe na bëjnë të jetojmë e të ndihemi të shpëtuar brenda këtij universi.
“Romanet janë për njerëzit e tjerë, kurse poezitë shkruhen për vetveten”, thoshte poeti amerikan Filip Larkin.
Duke çmontuar gurët e shtëpisë së jetës së tij, Zija Çela, projekton dhe ndërton krijimet e tij për ne, njerëzit e tjerë, lexuesit e tij, përçka ne i jemi thellësisht mirënjohës.

Please follow and like us: