Albspirit

Media/News/Publishing

Solzhenicin, simbol i disidencës antikomuniste

“Arkipelagu Gulag”, kryevepra solemne e nobelistit të madh, fillimisht marksist kritik e më pas konservator antikomunist. Një monument kujtese të shenjtë, ku ndërthuren histori tronditëse reale personale, me fatin tragjik të popujve sovjetikë. Invektivë antidiktatoriale, me vlera humane të përhershme e të përbotshme. Osmozë e përkryer e të vërtetave të sistemit më gjakatar, me analizën mjeshtërore, të përshkuar nga imagjinata e pasur krijuese.Është tribunali qytetar që sjell mesazhin se dënimi i krimeve të diktaturës komuniste  përbën një akt drejtësie, civilizimi.

Kafka: “Arti i vërtetë është dokument, dëshmi, ekspeditë në kërkim të së vërtetës”. Në këtë shkrim modest gjenden edhe disa të dhëna arkivore plotësuese nga S.S. Montefiore. Menjëherë pas Revolucionit të Tetorit nisi ndërtimi i ferrit komunist. Thirrja ulëritëse “Të gjithë pushtetin sovjetëve” nënkuptonte sundimin e një partie ose diktaturën e një udhëheqësi (vozhd), analog me Duçen (dux), apo me Fyhrerin. Që në qershor 1918 u vendos dënimi kapital. Gorbaçov: “Lejen për terrorin komunist e ka firmosur Lenini”. Për 16 muaj u ekzekutuan 16.000 njerëz.

Më 15 shtator 1918 doli dekreti: Siguroni Republikën Sovjetike nga armiqtë e klasës, përmes izolimit të tyre në “kampet e përqëndrimit”. Ky term do të huazohej më pas nga nazistët. Në nëntor 1918 gazeta “Terrori i kuq” njoftonte startin e luftës së përbindshme kundër klasave të ndryshme shoqërore: “Ne po zhdukim borgjezinë si klasë”. Hapet kështu sipari i krimeve në shfaqjet e tij më mizore. BRSS kthehet në një burg popujsh. Në fund të vitit 1920 ishin ngritur 84 kampe të punës së detyruar. Arkipelagu, me mijëra ishuj të padukshëm, lindi e u maturua në Solovski. Metastazat e tij u përhapen drejt Detit të Veriut, si dhe në Siberi e Kazakistan.

Kish gulagë edhe për të huajt nga Lindja. Ishin 700.000 të burgosur, nga të cilët 180.000 hungarezë, 30.000 çekosllovakë etj. Edhe çifutët  konsideroheshin agjentë të SHBA. Në vitet 1920 -1930 ndodhi dhe shkatërrimi i fesë. Manastiret u kthyen në kampe pune. Me një realizëm rrënqethës përshkruhet murtaja e shfarosjes së fshatarëve, me dëbime, konfiskime, ndëshkime e vrasje, që nisi më 1929.  Në janar 1930 doli vendimi i KQ të PKBRSS për politikën e likuidimit të kulakëve si klasë. Me dekret të Stalinit u krye dhe  shpërngulja e kombeve të konsideruar tradhtare, natën, me mjete operacioni ushtarak. Më 1931 vdiqën nga uria 10 milion fshatarë.

Më 1931 u rebeluan fshatarët e Tambovit. U rebeluan edhe marinarët e Kronshtadit. Por familjet e tyre përfunduan në Arkipelag. Kaganoviç shtypi brutalisht revoltën e kozakëve në Kuban dhe atë të punëtorëve të Ivanovos. Në vitet 1934-36 policia sekrete NKVD zbatonte kuotat për numrin e arrestimeve. Në vitet 1937-38 pati mjaft arrestime të komunistëve në poste të larta. Arrestimi – një tmerr i vërtetë. Hetuesit- bisha të trajnuara. Hetuesi Miromenko i thosh të akuzuarit Babiç: “Nëse duhet, ju do të pushkatoheni, edhe po të jeni i pafajshëm”. Ana Skripnikova vdiq në qeli nga torturat. 52 metoda torturash. Leonid Zakovski kish shkruar manual për torturat.

Të dënuarit sipas nenit 58 (për agjitacion propagandë) cilësoheshin “fashistë”, ndërsa rebelimet e tyre “gangsterizëm”. Tolstoi të dënuarit politikë i quante “ajka e kombit”. Puna e rëndë, kequshqyerja e torturat, në kohëzgjatjen me më shumë vite se në vendet e Lindjes, u kushtuan popujve sovjetikë 66 milion jetë njerëzish. Në emër të Urdhrit 00447 u kryen 767.397 arrestime dhe 386.798 ekzekutime. Në vitet 1934-39 Stalini udhëhoqi “spastrimin e madh” të Partisë, qeverisë, ushtrisë, inteligjencës.  Në vitet 1939-40 u ekzekutuan 500.000 të burgosur politikë. Dostojevski: “Njeriu vdes në qenien e tiranit”. Stalini firmosi më 1940 një urdhër për 48.000 ekzekutime. Tërë garda leniniste u quajt deviatore. Komandantët më të mirë u etiketuan “spiunë”. Kaganoviç: “Të gjithë anëtarët e Byrosë Politike kanë urdhëruar krime”. Hijenat nuk jetonin dot pa gjak. Kështu Beria në Transkaukaz kreu 75.950 ekzekutime. Malenkovi 150.000. Hrushovi në Moskë urdhëroi pushkatimin e 55.741 funksionarëve, pasi kish goditur nacionalistët dhe kulakët në Ukrainë. “Por atdheu i lavdishëm fitonte në lojrat me dorë”-ironizon autori.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore Stalini, krahas luftës kundër pushtuesit, vijoi edhe luftën kundër “armikut të brendshëm”. Neni 58-Ib në kohë lufte parashikonte ekzekutime me pushkatim. Dorëzimi, paniku, tërheqja konsideroheshin “tradhti ndaj atdheut”. Stalini kish miratuar edhe dekretin famëzi të NKGB-së për shkatërrimin e familjeve të ushtarëve të zënë rob. Për këtë Beria kreu 931.544 arrestime në zonat e çliruara. Atdheu që vret ushtarët e vet s’është më atdheu i tyre. Në vitet 1944-45 trenat e të burgosurve nga vendet baltike, me vagona plot kufoma.

I paaftë si kryekomandant, Stalini që kish bërë një pakt mossulmimi, nuk e kish parashikuar, as besuar sulmin nazist kundër B.S, madje kish pushkatuar edhe informatorët që e kishin paralajmëruar. Paaftësia e tij solli shkatërrimin e vendit dhe humbjen e 2 milion njerëzve në 3 javët e para të luftës. 300.000 u zunë robër. Kur ra Kievi 452.720 robër. Në Luftën.I Botërore Rusia humbi 3 milion njerëz, në të dytën do të humbiste 20 milion. Shtoheshin humbjet, vetëlartësohej Stalini, i cili tashmë do të quhej “suprem”(vjerhovnëj). Ndërsa shkrimtari diktatorin aziatik e quan ironikisht: Babai i kombeve, Korifeu i shkencave, Mësuesi i madh, Gjeniu brilant i njerëzimit i të gjitha kohëve, Arkitekti i madh, Kopshtari i lumturisë njerëzore.

Dhelpër, kur simulon dorëheqjen pas humbjeve të rënda, tigër në çdo rrethanë tjetër. Kur i vdiq gruaja e parë Ekaterina Svanixe, Stalini u shpreh se tek ai “vdiqën të gjitha ndjenjat për njerëzimin”. Vëllain e saj Aleksandër, komunist, gjeneral i aftë, e burgosi më 1938 dhe e liroi kur kish nevojë, me kusht që të kërkonte falje. A.Svanixe, jo vetëm s’kërkoi falje, por pështyu në fytyrë hetuesin kriminel. E pushkatuan më 20.8.1941. Pas një viti pushkatuan dhe gruan e tij, Marie.

Krimet e përbindshme staliniane nisën të zbulohen që gjatë luftës. Në maj 1943, kur gjermanët ishin në Vinica, u zbuluan 39 varre masive. Në qershor 1943 afër varrezës së Pirogovit u zbuluan 42 varre të tjera. Në parkun “Gorki” 14 varre masive. Në periferi të Moskës u zbuluan më vonë 13 varre masive, ku në gusht 1937 deri në tetor 1938 janë ekzekutuar 20.760 persona. Stalin: “Fitimtarët nuk janë kurrë fajtorë”. (Edhe E.Hoxha do të pranonte në plenumin e Beratit se “gjatë luftës terrorizmi në popull, në parti e në ushtri  kish qenë vija e PKSH”-së, por më pas do ta konsideronte Luftën N.çl. si “epopenë më të lavdishme në historinë e Shqipërisë”. Ndërsa pasojat e sundimit të “komandantit legjendar”, pas luftës, do të ishin: lufta e klasave (genocidi), varfëria ekstreme, izolimi, shkëputja nga Evropa, bunkerizimi, mungesa e të gjitha lirive.)

Pas vdekjes së Stalinit, në B.S sunduesit ndryshuan, por Arkipelagu mbeti. Hrushovi: “Te secili nga ne ka nga një Stalin”. Edhe revoltat e fuqishme në kohën e Hrushovit i përshkonte tema e qëndresës dhe ideja e madhërishme e lirisë. Mosbindja e madhe nisi më 16 maj 1954  në Kengir nr.3. Për 40 dit 8.000 të burgosurit që kishin eleminuar spiunët e tradhtarët, ndjeheshin të lirë. Vetëm në agimin e 25 qershorit revolta u mposht nga tanket, parashutistët dhe avionët që qëllonin me mitralozë. Përmes një përshkrimi të detajuar, të gjallë e tërheqës, jepen veprimet e Georgi Tenos, të dënuar me 25 vjet. Fataliteti ia ushqeu heroizmin. Ai tentoi të vriste hetuesin e pashpirt, major Levshinin. Vihet re kontrasti i sadizmit me stoicizmin e rrallë.  Më pas u arratis me Kolia Zhdanokun dhe përjetoi 1 muaj jetë në liri. Më 2 qershor 1962 nisi rebelimi i një qyteti të tërë, Novoçerkaskut. U vranë 80 vetë. Familjet e të vrarëve e të plagosurve u dërguan në Siberi.

LETËRSIA

Në disidencën e Solzhenicinit shfaqet refuzimi i tij politik dhe estetik. Ai sfidon letërsinë socrealiste, shërbyese të politikës dhe ideologjisë së Partisë e për të cilën sinqeriteti ishte i dënueshëm. Shkrimtarët panegjirikë i këndonin, jo realitetit aktual, por Utopisë së ardhme e të lumtur komuniste, ku do të shkohej me luftë klasash të pandërprerë, të zhvilluar nga “njeriu i ri” hipokrit e spiun, nën udhëheqjen e bandës së privilegjuar, mashtruese e gjakatare.

“Për një çerek shekulli letërsia sovjetike ka qenë e dehur me gjak. Obeliskë, poema, këngë, romane-flakë hyjnore. Nuk ish botuar asnjë libër për vdekjen nga uria të 15 milion fshatarëve (shtyllës së kombit rus). As për gulagët nuk ish shkruar. Pra letërsia nuk ka ekzistuar në B.S në vitet 30, 40, 50, sepse pa të vërtetën dhe moralin nuk ka letërsi”. Por autori krenohet me shkrimtarët rusë që botuan në Perëndim dhe ata që u anatemuan në BS se thanë të vërtetën.

KOLABORACIONIZËM APO ANTIDIKTATURË?

Tri armata iu kundërvunë U.Kuqe, në një luftë civile në Ukrainë. Edhe Vllasovi, gjenerali më trim në dy vitet e para të luftës, i rraskapitur e i pështirosur nga gabimet trashanike dhe sjellja inkuizitore e Stalinit dhe e diletantëve gjakatarë, bashkëpunoi përkohësisht me gjermanët. U vu në krye të 700-800.000 të rinjve 20-30 vjeçarë, me ideale perëndimore që mendonin se, pa ndihmën e pushtuesve, nuk mund të rrëzohej diktatori. “Kush duhet fajësuar, pyet shkrimtari, ata të rinj idealistë, apo ata që krijuan gulagët dhe që vranë më shumë se çdo diktaturë tjetër në botë”?

Anglo-amerikanët ua dorëzuan mbështetësin e tyre Vllasov komunistëve, të cilët e varën, sëbashku me bashkëpunëtorët e tij, më 1 gusht 1946. Popujt e B.S besonin se ardhja e një ushtrie të huaj do të thoshte përmbysje e tiranisë komuniste. Kjo na kujton tragjedinë “Makbeth”për kriminelin diktator. Në parathënie Noli thotë: “Malkolmi merr fronin e Skotlandës, me ndihmën e një ushtrie të huaj angleze dhe salutohet prej parësisë e prej popullit si liberator”.

“A duhej t’u bashkoheshin partizanëve të dënuarit në kampe dhe të harronin torturat, ekzekutimet? Askush nuk u dha shpresë që, kur të ktheheshin nga lufta, nuk do të burgoseshin e pushkatoheshin. Prandaj nuk duhej të habiteshim që shumë njerëz i mirëpritën gjermanët. Apo të habiteshim që kaq pak njerëz e bënë këtë gjë?- pyet autori. Kishat ishin mbyllur. Kur erdhën gjermanët, kishat i rihapën. A duheshin mallkuar për këtë? Shpirti i drobitur i Irina Tuçinskajas ish lutur në kishë për vdekjen e Stalinit dhe ish dënuar 25 vjet. A duhej të shpresonte te gjermanët”?

Po e shkruajnë edhe sot historinë tonë ata që e deformuan dje, duke e përdorur termin “kolaboracionizëm” për të damkosur si tradhtarë të gjithë nacionalistët, edhe dëshmorët e luftës kundër pushtuesve, vetëm pse nuk u bashkuan me Frontin, se aspironin një demokraci pluraliste. Politika e luftës civile, e nisur me 1.6.1943, u pasua nga lufta e klasave, duke mbajtur gjallë përçarjen e popullit e të kombit edhe sot. Në një vend më të civilizuar si Finlanda, komunistët dhe nacionalistët u bashkuan kundër pushtuesve sovjetikë. Ndërsa në Francë, për hir të unitetit të kombit, më 1953 De Gol shpalli amnistinë për të gjithë kolaboracionistët.

Në fakt modelin më ekstrem të kolaboracionizmit  e dhanë vetë krerët komunistë. Në qershor 1940 Molotovi uroi Shulenbergun për pushtimin e Holandës dhe Francës. Më 14 nëntor 1940 Molotovi takoi Hitlerin në Gjermani, por oreksi i çmendur për pushtime i Stalinit, e indinjoi Hitlerin. Më 17 nëntor 1944 E.Hoxha bëri një marrëveshje me gjermanët që kishin nisur tërheqjen, por marrëveshja nuk u zbatua. Ndërsa më 14 mars 1948 E.Hoxha vendosi bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, pra shitjen e atdheut. Sipas Marksit komunistët internacionalistë nuk kanë atdhe. Prandaj edhe K.Gotvaldi, në një çast dehjeje, i pat propozuar Stalinit bashkimin e çekosllovakisë me B. Sovjetik. Pas luftës Stalini kolonizoi Lindjen me 200.000 divizione e krijoi kordonin e shteteve diktatoriale komuniste, me kuislingët e kuq, si  M.Rakoshi, i cili u vendos nga rusët më 1956.

QËNDRIMI I ALEATËVE PERËNDIMORË

Popujt sovjetikë besonin se Aleatët kishin luftuar për lirinë në përgjithësi, por ata mbrojtën lirinë e tyre, ndërsa B.S dhe Lindjen i lanë në skllavëri.Nëse në luftë mbështetën Stalinin kundër Hitlerit, pas lufte s’duhej të ndihmonin Rusinë komuniste, armike për sovjetikët e për njerëzimin. Aleatët tradhëtisht ekstraduan një korpus kozakësh prej 45.000 vetësh. Një linjë tjetër nga Italia transportoi 35.000 kozakë (ushtarë, pleq, fëmijë) që s’donin të ktheheshin në atdhe. Me besim te Stalini, i cili doli nga lufta më mizor se kurrë, edhe në vitet 1946-47 vijuan të dërgonin sovjetikët drejt kampeve të punës. Ndërsa trupat sovjetike në Lindje e në Ballkan, arrestuan emigrantët rusë të L.Civile e të L.Patriotike.

DEMOKRACIA TOTALITARE

E.Sabato: “Diktaturë të mirë s’ka, demokraci të keqe po”. Në dhjetor 1990 Solzhenicin u shpreh: “Sot asistojmë në instalimin e një demokracie totalitare oligarkike”. Ndërsa bashkëshortja dhe bashkëpunëtorja e tij e ngushtë N.Dimitrievna thoshte: “Udhëheqësit postdiktatorialë nuk e deklaruan komunizmin sistem kriminal, as Stalinin kriminel”. “Ata që na shtërngonin prangat në diktaturë, tani na thonë :pse i hapni plagët; a nuk ju mjafton ajo që keni pësuar? Në heshtjen tonë ndaj së keqes-vijon autori-ne jemi duke e shartuar atë, që të mijëfishohet në të ardhmen. Të rinjtë mendojnë se të këqiat nuk dënohen dhe rriten indiferentë ndaj krimeve, pesimistë për progresin dhe ikin në perëndim…Janë ricikluar personazhe me prejardhje e mendësi diktatoriale, por politikanë  të aftë në artin e pasurimit. Makiavelistë që kanë si model Zh.Fushenë, i cili më 1790 ish mësues feje në manastir, më 1792 sekuestronte pasurinë e kishës, më 1793 ishte komunist, më 1798 u bë multimilioner dhe më pas dukë”.

Komunizmi e nazizmi-sisteme politike të bazuara mbi terrorin dhe ideologjinë totalitare. Por Gjermania dënoi në Nyremberg 86.000 nazistë, Rusia (dhe Shqipëria) asnjë. Për Kinën, por edhe për Shqipërinë,”bastionin gërmadhë të stalinizmit të ashpër”, Solzhenicin thonte se ato e vlerësojnë lart Stalinin, si “mik të popujve dhe mbrojtës besnik të komunizmit”. Në maj 2012 M.Kallashnikovi, shpikësi i armës vrastare AK-47, në letrën dërguar patriarkut Kirill, kërkonte falje që arma e tij nuk u përdor vetëm për mbrojtje, madje përmend Shqipërinë dhe Kubën, që e prodhojnë dhe e eksportojnë. Ndërsa Rusia e sotme i ngre monument gjigant Kallashnikovit. Brezi i ri duhet ta njohë të vërtetën; vetëm ajo të bën të lirë. Ndriçimi i historisë përbën një detyrë qytetare, patriotike, kombëtare. Vepra aktuale e Solzhenicinit, këtij apostulli të lirisë, drejtësisë, moralit, humanizmit e të vërtetës, përbën një testament vigjilence ndaj çdo diktature dhe na përcjell mesazhin se, pa u dënuar krimet e komunzmit, s’do të ketë drejtësi e paqe sociale.

Please follow and like us: