Albspirit

Media/News/Publishing

IRMA KURTI: Dritat e fikura të festave

 

 

 

 

 

  • Në vend të një përqafimi – dedikim prindërve të mi, Hasan Kurti e Sherife Mezini

 

 

Sikur 2018-a të mos më kishte marrë përgjithmonë babain, do të kishte qenë me siguri një vit i lumtur: me udhëtime, përshtypje dhe emocione nga prezantimet e librave në qytete të ndryshme në Itali, takime me njerëz që s’i ke njohur kurrë e megjithatë i ndien afër dhe, mbi të gjitha, me një të përditshme, që edhe pse në një vend të huaj të duket e bukur kur e ndan me njerëzit e tu. 19 prillin (2018) dhe 25 tetorin(2006)- datat kur babai e nëna u nisën në udhëtimin pa kthim i kam shënuar me të zezë në kalendarin e zemrës.

Kur humb një prind, me ty vdes një pjesë e rëndësishme e shpirtit; kur i humb të dy, kupton se ke mbetur vetëm në një botë që nuk heziton të të tregojë kthetrat, ligësitë dhe të shtypë me forcë mirësinë që mban brenda vetes.

Rrugët e Bergamo-s janë të mbushura me ndriçime shumëngjyrëshe dhe pemët bashkohen me vargje dritash si në një përqafim gjigand. Krahët e mi të etur për përqafime duken si dy degë të thara që dridhen në ajër. Ka çaste kur mungesa e prindërve dhe malli për ta më dhemb, më vret aq shumë sa më duhet kohë që t’i jap ditës ritmin e zakonshëm. E evitoj lulishten ku ulesha me tim atë, i shmang udhët, ku më thërrasin kujtimet me ata të dy.

Në vargun pafund të llambave që ndizen e fiken si sy dinakë unë shoh dritat e fikura: janë njerëzit që kanë ikur dhe s’mund të festojnë me ne, karriket bosh ku ata s’do të mund të ulen kurrë, janë lotët që s’i shmang dot edhe kur jam e lumtur.

Dua të shndërrohem në fëmijë. Të eci në parkun e qytetit të Elbasanit dorë për dore me prindërit, të ulem në tokë dhe të ndiej gishtat e nënës – krehërin më të butë që kam provuar ndonjëherë, të më lidhë flokët apo të m’i bëjë gërshet. Nuk kam nevojë për shumë drita, as për një tavolinë të mbushur përplot; dua të kem pranë një çast mamin dhe babin e t’i gëzohem dhuratës së zakonshme: një qese me portokallë e mandarina.

Dua të shndërrohem në fëmijë. Të shikoj tim atë të veshur me rrobat e plakut të Vitit të Ri tek më jep këshilla për të mësuar e për t’u sjellë mirë. Dikur më mërzitnin, sot do të doja t’i dëgjoja sërish e sërish. Të shoh nënën që ecën nëpër shtëpi me hapa të lehtë – ato janë muzika më e bukur që kam dëgjuar në jetë!

Dua të trokas veçse një herë gotat me ta e t’u them: “Ju dua shumë!”; të kujtojmë kur festonim Vitin e Ri nën dritën e qiririt dhe kur e përditshmja na lodhte aq sa fjalët e dashurisë ishin të pakta si pikat e shiut në verën e thatë.

Rrokullisen sekondat, minutat, orët në fundin e vitit. Lërmëni ta shikoj atmosferën e gëzueshme, dritat, vrapin e çmendur të njerëzve dhe breshërinë e urimeve, ashtu siç dua unë: përmes një pike loti.

 

Please follow and like us: