Emil Asdurian: EJA MBLIDHUNI KËTU, KËTU!
(Drejt asaj që duhej, jo asaj që pritej)
Po të kërkoje me vëmendje në internet nuk do të gjeje shumë të dhëna për të. Këtë e dinte, pasi kish bërë ç’ishte e mundur për ta lënë ashtu siç ishte. Për të do fliste vepra, ajo që bënte, fotografitë dhe memet, një formë e re e shprehjes së ndërgjegjes shoqërore me lidhje dhe efekt të drejt për drejtë mbi një masë të gjerë njerëzish, me plotë kuptimin e fjalës pa kufij. Ishte si një farë mendimi që lindte nga nën-ndergjegja dhe po ashtu nëpërmjet dritareve më të mëdha, syve, hynte si hushtë e ngulej aty ku mendja e kthjellët dhe emocinet flinin sëbashku. Ajo që si vetëtimë degëzohej pa rrapëllimë për të arritur në mendimin e plotë, deri sa te shuhej apo të ngelej varur siç qe: në fjalë ku ndërthurej tingulli por edhe në ngjyra dhe gjeste, klithma të egra dhimbjeje. Jo këto miku im nuk i dinte, dhe nuk kish patur kohë të mbërrinte kaq thellë, se edhe unë me të lexuar e kam, me ndjesinë e padijes, kur ka kaq shumë sa as një grimë s’shijoj dot nga ai mjaltë. E ndjente nevojën për punën e tij, lidhjen dhe nga larg tepër të fortë, aq sa i bënte njerzit të ngriheshin më këmbë dhe si bashkëluftëtarët e Spartakut para kryqit të thonin: “Jam Spartak! Dhe unë!”. Në atë rrjetë tashme pa fije, në re, një goditje gishti mbi një dritare si “ca pika shiu rënë mbi qelq”, me parësinë e një instinkti, me ndjenjën ujkore në lukth, merrje një vendim për të mbajtur një qëndrim shoqëror dhe politik, bëheshe pjesëmarrës i një lëvizjeje dhe prapë mbeteshe i pacënuar si individ. Me shpirt të vendosur artisti, me një goditje të lapsit si një poet, që gjithë poezinë e mbështet në një fjalë, në më të parën a më të fundit, ndjesi pas ndjesie ai ngrinte memet e tij. Proçesi ish i gjatë, si ai i mjekimit me një bar zgjedhur nga mjeku, të cilin vetë lehtësimi i të sëmurit vërtetonte se ish i duhuri, si ndërthurja e ngjyrave në një telajo ku secila kish vargun e vetë për të recituar, si çdo muzikë e skalitur, edhe pse memet janë thjesht pamore, veti kryesore e species, art, si çdo vepër mjeshtëri. Pas ngjizjes duhet të lindte me thirrje, ndryshe ish dështim i pa vlerë. Ai ishte rritur me të, si me revoltën, që i dukej se e kish pirë me gjakun dhe vuajtjen e nënës, në një kohë kur ndëshkimi kolerë nuk pyeste të shfaroste pleq apo fëmijë, brez pa zbrezi, sa dhe ata që linte pa korrur, lëngonin nën barrën e pashlyeshme të makthit pafund. Kështu mes kësaj dhimbjeje, kish mësuar të derdhte veten në një bronz letre a mijra e mijra mendje. Niste me historinë a ndodhinë e dikujt, diç e bërë që u nda me të vetët, si ai, i cili dorën e gjakosur ngjeshi mbi shkëmb ta damkoste, ai dikush që u ngrit dhe në sy u tha të gjithëve ç’u kish marrë frika. Si ai dhe të tjerë, lajmin që fluturimthi u erdhi, e shtrydhnë në poret e një site shpirti, deri sa të mbeteshin ca fjalë, gjeste a vegime, që një u bënë pa qenë të njejta, deri sa dhe ato të shkriheshin, as sa për një varg të plotë edhe pse fjalitë mund të jenë një fjalëshe. E plaste pastaj këtë baltë mbi një mur thurrur me purteka si dikur, në një askund internimi, për të parë se sa i shtonin njëra tjetrës, kush heshturazi thërriste më shumë a zemrën çirrte me të vërtetën e thelle dhe aty duke hequr ose shtuar në një farë përspiatje midis ditës dhe ëndrrave arrinte të kryej e gjitha. Shpesh si hetues duhej të shkonte në vendin e ngjarjes ta prekte me dorë gjakun, rrembat e tij të gërvishura mbi dhe apo në ndonjë tapet të përdorur moteli mes shumë njollash pakujdesie dhe ish aty që ndodhte shpesh të mbinte si pakuptuar një e re, krejt e paparë. Por si duket këtë radhë do të ish vetë ai memi, bëma e tij, folja dhe ajo më e rëndësishmja pamja ku do gdhëndte veten. Pse jo, kur në krye shteti kish një pinjoll dështak në artin që ia kish falë i ati!
Por edhe kjo s’kish vlerë përpara asaj që duhej të krijohej. Këta, ishin po ata, në mos pinjollët e pinjollëve të atyre që sytë i kishin nxjerrë axhës para se ta vrisnin. Ata që u përpoqën t’ia shuanin farën. Por as kjo hakmarrje e drejtë s’ish më e rëndësishme sa vetë ndryshimi. E ndjente se ish një nga ato pika, që ngado të sillej qark historia, si qeni që rreket të kafshojë bishtin e vet, do të qëndronte tek ajo, si në një ndalesë treni, të shkarkonte të verteta të shfrynte, për çdo vinte më pas. Edhe sikur të mos ndodhte asgjë!
“Lëvizjet e pesë viteve të fundit tregojnë një qasje të re në promovimin dhe shpërndarjen e lajmit—duke përdorur një simbol për të bërë të dukshëm një koncept apo një pjesë së çështjes, se sa vetë të tërën… Në çdo moment të dhënë, shumë shkaqe mund të kërkojnë vëmendje dhe prapë s’do mund të jenë kurrë të aftë të shndrrohen në lëvizje. Ata që arrinë, i kanë të dyja, lajmin me thirrjen bashkuese dhe mbështetjen nga simboli.”*
Në atë bashkëflakje (sym-bolon), sikur të ishin zaret e një loje fati, rastiste që dy faqe të formonin numrin e pritur apo dhe të ishin të njejta, si “dopio gjashta”. Kjo rastësi e stisur me statistikë, krijuar në thellësinë e saj sikur një dorë diku nga fshehtësi misteri, i kish vënë në çasting e duhur, sic duhej. Aq sa njerëzit i faleshin, madje i puthnin dorën, ta merrnin me të mirë sikur të qe një grua e bukur, hyjni tekanjose. Lidhja në këtë çast bashkonte frymorë dhe jofrymorë, zhurmën dhe heshtjen, që ajo dorë të kryente magjinë e saj, të quajturin fat. Çuditërisht në flakje, në një pështjellë të ruletës përziehishin numra, rrokullisja e tyre, kërcimi në fytyrat gojëhapura dhe sytë në shkelqimin e ekstazës në pritje, kish përfaqësim dhe përkatësi. Të gjithë prisnin të ndarë në grupe, bashkë me të panjohur, për hir të një basti a tërheqje çasti. Grupi i atyre të tjerëve, aspak demokratik, kish ndjekur pas atë që thuhej se ish i përzgjedhuri i Zotave! Me të tilla gjëra nuk bëhej shaka, ish vetëm një fije fjollë ajri a një copëzë kohe, që ndante historinë nga një hedhje e rëndomtë zari. Dhe më së fundi vetë ngjarja, ish ajo që do të ngrihej gjuhë pas gjuhe, sy pas sysh, vesh pas veshi, siç kish asi të marrësh, si Kullufi, i cili veçanërisht mbante mend erërat kundërmuese të ngjarjeve, siç ish ajo e barutit të djegur nga fishekzjarret apo qitjet pushkatuese mbi turmë. Ish kjo kuintesencë e zjerrë disa herë, që mundej të mbartej e mishëruar në një shenjë të vetme, të quajtur simbol. Siç ish: fjalë, gjest a klithmë memeci. Ndërthurja ish çelësi!
Simboli, është ajo shenjë-gjurmë-damkë, ndërthurur rastësisht në një thelb veçorish të qenësishme, që ngjall ndjenja të forta, nxit bashkim dhe lëvizje!
Ndoshta magjinë e formimit të saj, po aq herët sa u shfaq dhe mendimi, e dinin ata të parë që gjuhën krijuan për të shprehur ndoshta më shumë së vetë fjala, më tepër se gjesti, se frika e vetmisë i trembte qysh në bark të nënës dhe bashkë me të ndarja. Ndaj ata shamanë dije zbritën tek të vdekurit, të mësonin, nën nëmë, vlerën dhe forcën e tij ta ndanin me grigjën që i priste: shkronjën a hieroglifin, gjënë e vërtetë a në ëndërr stisur, emrin a foljen, pamjen a tingullin,(shije-erën për qentë), përshtypjen a kujtimin, dogmën a korën, poezinë. Ç’domosdoshmërisht është i yni, duke qenë veçmas i vetes.
Për të, siç mendonte shpesh për memet, nuk kish rëndësi sasia e njerëzve, as gjinia apo shtresa shoqërore, si as fisi, nga vinin dhe as nëse ishin vendas apo diasporistë, se ç’kuptim kish kjo ndarje, kur sot, shumë e shumë kombe dhe kontinente të tërë mblidhen rreth një ideje. Memi apo para-simboli dhe në fund, vetë simboli, s’ishin veç shpirti i kësaj ideje. Shtiza ku ngrihej flamuri rreth të cilit do mblidheshin …. dhe pse e pamundur t’i bashkonte të gjitha në një: Lirinë, Drejtësinë, Krimin(bijsh dhe etërish), Korrupsionin dhe Vdekjen. Vallë a do mundej? Kish tre ditë ta bënte!
Dërgoi dhe një tekst të fundit, pa për disa “like” që për dreq s’po vinin … dhe u nis.
*Derrik Feldmann: How Companies and Causes Build Viral Movements for Good. Published by John Wiley & Sons, Inc., Hoboken, New Jersey. 2016