Albspirit

Media/News/Publishing

Dialogë humori nga Viron Kona

 

 

 

 


 

 

Hunda

 

-O babi, përse e ka hundën aq të gjatë Pinoku? – pyeti vogëlushi.

-Sepse gënjen. Sa më shumë gënjen, aq më shumë i rritet hunda.

-Edhe hunda ime po rritet dhe po bëhet e gjatë, o ba?

 

Kënaqësia më  e madhe

 

-Cila është kënaqësia jote më e madhe, o bir? – e pyeti babai.

-Që të sëmurem, o ba!

-E pse qenka kënaqësi e madhe të sëmuresh?

-Sepse kur sëmurem, ju m`i plotësoni të gjitha dëshirat, më blini gjëra shumë të mira dhe gjithnjë më thoni:-Hë, do gjë tjetër xhan i babit!? Por, veç këtyre, kur sëmurem unë kam edhe një kënaqësi tjetër  akoma më të madhe…

-E cila qenka?

-Se, kur sëmurem, nuk shkoj në shkollë, o ba…

 

ADN-ja

 

-More, Zeqo! Di ti se kush janë këta birbo, që po grinden dhe sa s`po vriten me njëri-tjetrin?

-E di or, si s`e di! Janë dy vëllezër. Janë në sherr të madh për  pronat që kanë nga babai. Secili thotë:  “Janë pronat e mia” dhe asnjëri si hap rrugë tjetrit…

-Jo more!? Po këta po sillen sikur  janë armiq! Je i sigurt që janë vëllezër?!

-Po, shumë i sigurt jam! Po s`besove, shikoju  certifikatat…!

-Certifikatat?! Certifikatat, kollaj fare! I them nipit, që është në klasë të parë dhe i  gjen ai fët e fët në internet, po unë them se, mbase, atyre dyve u duhet parë ADN-ja…

 

Politikani profesionist

-Do që ta kuptosh nëse ai është politikan profesionist?

-Pa hë, ma thuaj.

-Thjesht, pyete për një nga premtimet e tij gjatë fushatës. Nëse ai i shmanget pyetjes dhe të përgjigjet për diçka krejt tjetër, atëherë të jesh i sigurt që është profesionist…

 

Politika në Shqipëri

-E di ti çfarë `është politika në Shqipëri?

-E di or, si nuk e di. Politika në Shqipëri është përrallë me ujqër e me dhelpra…!

 

Gjej një gomone

-Do që të bëhesh i pasur?

-Si or s`dua, pyetje është kjo?

-Atëherë, gjej urgjent një…gomone, mbushe me … dhe, po arrite të kalosh matanë, ke shanse të bëhesh edhe… pushtetarë…

 

Libër me sharje

-Urime! Paske shkruar një libër të shkëlqyer.

-Po më lavdëron sinqerisht?

-Po. Ndonëse kisha shumë punë, s`mundja ta lëshoja dot librin nga dora për asnjë çast. Sapo lexoja një faqe, ku ti shaje me rrënjë e me degë kolegët, të njohur dhe të panjohur, unë bëhesha kureshtar të lexoja emrat e atyre që do të shaje në faqen tjetër…

 

Aforizëm bashkëkohor

 

“Kur vjedh shumë, vetëm të përflasin, kur vjedh pak në burg të rrasin…!”

 

 

Koalicion

 

-S`po të kuptoj, ti po lëvdon po ata politikanë, që në zgjedhjet e mëparshme i shave sa t`u ngjir zëri, i quajte kriminelë, hajdutë, vrasës…!

-Po, ke të drejtë, por kësaj radhe nuk po i shaj sepse jemi bërë bashkë në një  koalicion, kemi një qëllim të përbashkët…! 1)

 

——————–

1)Koalicion: Lidhje e përkohshme ndërmjet shtetesh,partish etj.,që bëhet për të mbrojtur interesa të njëjta ose për t`ia arritur një qëllimi të përbashkët…

 

Please follow and like us: