Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: DHE NJË DITË TJETËR DIMRI 

 

(Udhëheqje pa heqës)

U nisa të dilja për një vrap shkrifës dhe u ndala pak për të zgjedhur atletet. Të vjetrat pak të rrjepura, të ngrëna majë përpjetë apo të rejat që ende u shkëlqenin lidhëset e bardha, ngaqë s’ishin larë asnjëherë. “Sigurisht të rejat”, i thashë vetes, “viti i ri”, por bash për këtë, se mu duk marrëzi të kushtëzohesha prej ksi lloji arsyesh dhe as se të rejat mund të më vrisnin, kur si një herë e një kohë i blinim një numër më të madh që t’i vishnim me çorape të trasha pambuku për të thithur djersën, por edhe ato ku t’i gjeje. Zgjedhja qe e prerë dhe zbrita në të njejtën rrugë parku për ç’duhej.

Sheshi ishte i pastruar, s’kish më brigadë fsheshas me bisht të gjatë që përfundonte me një copë metalike me bazë të gjerë që përdorej për të shkolitur bajgat e shtypura të pajtonëve, kish disa të tillë që të çonin për gjatë bulevardit tek stacioni i trenit apo nga qerret tek Pazari i Ri, më vonë, Tregu i Fshatarëve, por makina të mëdha që s’e kishin kurrë bukurinë e asaj brigade zeshkane dhe të zhurmshme, që shpesh shante më ndyrë se marinarët. Për fat të keq as erën e kuajve. Mbaj mend të mblidhja përdhe lëvozhgat e kartonit të fishekzjarrëve. U mbaja erë, s’di pse më fuste në ëndrra filmash lufte apo i vështroja nga kërshëria, te dija se si bëheshin dhe i hidhja prapë diku më tej, të merrej me to brigada. Një dritë e ftohtë kish rënë në sheshin, kur më në fund, pa asnjë fjalim të bujshëm mendjembushës u hodh nga dikush, pak më tej nga megafoni buçues, parrula “poshtë qeveria!”, “poshtë” përsërita dhe unë instinktivisht dhe u ktheva të shoh veten, që s’di pse nuk mu duk as si vendas (venali) dhe as si diasporist, kur ia kisha ndaluar rreptësisht të merrej me politikë në këtë fund viti! Si të gjithë, kisha atdhur këtej për më shume së një arsye, siç bënim thuajse gjithmonë ne shqipot sqimëtarë, dorëshpuar në aheng.

U: Jo dhe jo, ki mendjen të shkosh të blesh një shishe vere, se nuk shkohet duarbosh!
V: Gjithandej nuk shkohet duarbosh, pse duhet të shkojme me plot, pastaj ty mor m… nuk të kanë ftuar, je i ftuar lëng stërlëngu… dhe në Galat e bashkisë a qeverisë, si dikur në Pallatin e Brigadave (Mbretëror) shkonin më të zgjedhurit, madje pa miq të tjerë, si puna jote, dhe pa bashkëshortët. Pastaj nesër do shkosh tek dentisti dhe dp qelbesh erë përç a verë të thartuar siç ndosh rëndom pas mbrëmjes, s’është e drejtë.
U: Unë erdha për tjetër gjë, pa çka qe ty s’të pëlqen! Do e blej një shishe!
V: Nuk të lënë me shishe o tutkun, (mua mu kujtua Kadareja) e merr vesh. jo vetëm që është turp, por edhe masë sigurie! Pastaj ç’të duhet Gala ty, s’ke dhe frak për të qenë ose të paktën t’i afrohej diku asaj gjinie!
U: Ti nga i di këto, se s’ke qenë ndonjëherë? Si do i thuash pastaj zonjës M… që nuk do shkosh me të, apo t’a dhj….sh edhe atë promovim libri për të cilin erdhe!
V: Cifut, mos m’u hiq idealist dhe revolucionar në pleqëri. Erdhe për qejf! Fund viti dhe një rrugë e plotë punë! Por kujt i thua, pastaj nga na dole ti i diasporës, ti nuk ke shkelur një herë në ambasadë mor malukat! Ç’tjetër ke bërë që kur ke ikur, ke shkruar?
U: Në dreq vafsh ti dhe zonja M…, gala, fustani tepër i gjatë, si tek opera La Boheme (me bisht që rreshiste me një psherëtimë gjarpëri, që Evës i prishi mendjen, t’i marre virgjërinë e pafajshme Adamit, shko ta hash edhe ti mendova fshehtas) apo dekoltetë e bëshme shpërthyese. Do vete të pi tek Tymi, aty ku kam shkuar i ri. Të pi tym!
V: Vetes i bën dëm, raste të tilla nuk para vinë sa herë të duash! Veten paç më qafë… vetes ia heq… (nuk e di por ndoshta nga inati nuk e mbaroi fjalinë me “nga goja” apo enkas sikur lexoi tek unë mendimin për “mollën e Evës”! Pse mollë, kur në ish kopshti i Eden, duhet të kish dhe pemë të tjera. Mirë rushi ka dy kuptime dhe bananja bën muuu si qafa e patës, po pse jo pjeshka apo hurma? Nejse punët e Perëndisë këto.)

Po ecte dhe këmbët e shtynin atje edhe pse ishte i bindur se nuk do gjente asnjeri, por si një vrasës Dostojevskian, ose më mirë të gjithë ata dhe hajna, por edhe ata të nderçmit donin të shihnin të përgërën e tyre dhe ktheheshin si kalimtare të shkujdesur në vendin e krimit, shpesh vidhnin tinez edhe ndonjë kujtim të rastit. Jo, dhe pse ndoshta ish pjesa më trunore e kësaj lëvizje, nuk kish dashur dhe nuk donte që kurësesi të ishte edhe fytyra e saj. Duhet të ishin të ndara, ndryshe jo vetëm do të ndëshkohej lehtë nga pushteti, por do të kthehej në pikën ku ishte në hapin e parë, tek një diktaturë e re. Ndaj as ai dhe as unë, që i shkoja pas si një Sanço i bindur, sa nuk mbaja as shënime nga frika se mos i tërhiqja vëmendjen, nuk do ua them. As mos u lodhni kot as s’do ua përshkruaj, që si të tjerët me pak fantazi dhe kërkim mund t’i gjenit diku, se në të fundit çfarë rëndësi kanë për lëvizjen, kur ajo si qenie e gjallë ka tharmet e saj (enzimat) që veprojnë me ligjet e tyre dhe jo me emra apo fise individësh të shquar. Shihni këtë tonën dhe personazhet e saj realë dhe nuk do të mendonit të ishin ndryshe? Për shembull kryeministri, të ishte pak më shumë harbut ose jo dhe aq babaxhan, më shumë ushtar dhe më pak artist! Ministria e arsimit të ish më seksuale dhe të këlrkonte me këmbëngulje një lendë të tillë, si fill ideologjik. Jo, ai do mbetet hije, një farë lajmësi i panjohur, ose më mirë i njohur nga mrekullitë që bëri. Udhërrëfyesi i panjohur, dashuria që la mes nesh, e tjera e tjera, kësisoj.
“Që gjithë kjo ish stisur gabim qysh në fillim, e nervozonte dhe më shumë, por si nga pritja e gjatë pa berë asgjë, ajo ndjenjë vdekjeje në mpirje, kur nuk guxonte të eksitohej as me mendje, e kish tërhequr me atë hov rinor. Tutkun, si nuk e kishe menduar se të gjitha lëvizjet dhe betejat, si dhe fushatat e pushtimit fillonin në pranverë dhe mundësisht të mbaronin para se të binin tamburët e shiut të vjeshtës. Dhe arabët, që kanë përgjithësisht mot të thatë lëvizjen e tyre përbysëse e filluan në pranverë. Kush ka fituar në shi dhe baltë, bulevard a kal-drom, kush në thellim dhe borë. Kush përpara festave të fundvitit!” Sigurisht nuk qe as koha për Mea Culpa, se tani nuk e hanin as qentë.”
Sheshi bosh i ftohtë, i mardhur, dukej sikur edhe ato pak drita që pasqyroheshin nga muri prej shtufi i kryeministrisë dhe ngrohnin disi, si për ti dhëne goditjen e mëshirës, atë pas paketës së ndryshimeve, i kishin fikur, veç atyre të cepave.
“Nuk bëhej kështu, kish folur pa mbarim me studentët e tij, por edhe me diasporistët, se u kish ikur koha thirrjeve dhe fjalimeve teatrale në shesh, bujshëm të njejtat gjëra. Parrulla poshte s’ngriti lart, as një flamur. Ç’ish kjo lidhje e flamurit si pelerinë? Ata s’ishin aq të mëdhenj dhe as flamuri aq i vogël dhe i parëndësishëm. Mbante erë nacionalizëm stadiumi! E kish lexuar Rex-in*, që tani ndoshta mund të dukej i vjetëruar por s’ish, si dhe më rishtazi Christiansenin, dhe i vinte rëndë dhe të pëlciste kur mendonte qe kish vrapuar shumë përpara mendërisht në fazën e tretë të lëvizjes, kur s’kish mbaruar e para. E kish gënjyer zhurma ujkun plak! S’ish një ndjenjë pakënaqësie e përgjithëshme, që pasi tejet e shtrirë në gjithë shoqërinë, të përqendrohej e digjte si lazër me kërkesa themelthyese. Një mjaftonte: VETINGU I POLITIKANËVE, qeveria është flluskë sapuni para saj. Njerzit as që kërkonin llogari se kush dhe cfarë kish vrarë një ëndërr dhe 30 vjet më kot. Ç’demostrata apo bëma të tjera të qenësishme jug e veri, lindje e perëndim. Të gjithë pinin bujtinave hidhërimin e tyre që e blinte një votë. Udhëheqje, cilën udhëheqje kur s’kish as mendimtarë për një strategji kaq të thjeshtë, që Evropa që e shanin, ua kish s’jellë ta hanin gati! O Zot, shpëtona nga një Nano apo Sali, Lul a Ed tjetër? Asnjë.“
Në fakt s’ishte as kjo, dhe çuditërisht filloi të ecte me hapa të mëdha dhe kokëulur si Saliu! Ngaqë s’ish i gjatë s’dukej se po rrëzohej. Po unë ç’bëja aty?

 

*Rex D. Hopper (1950. “The Revolutionary Process,” Social Forces, 28: 270-279.
**Jonathan Christiansen “Theories of Social Movements, Pg. 14 to 18.

Please follow and like us: