Trump, takim me udhëheqësit e Kongresit, qeveria ende e mbyllur
Presidenti i SHBA Donald Trump bëri përsëri thirrje të mërkurën për financimin nga taksapaguesit të një muri përgjatë kufirit me Meksikën, edhe pse deklaroi, pa përmendur ndonjë provë, se Meksika tashmë po paguan për murin nëpërmjet një marrëveshjeje të re tregtare dhe se një pjesë e mirë e barrierave në kufi kanë përfunduar së ndërtuari.
“Muret funksionojnë,” tha Presidenti Trump në një takim të Kabinetit. Ai tha, pa cituar argumente konkrete, se në Shtetet e Bashkuara jetojnë në mënyrë të paligjshme 30-35 milionë njerëz.
“Kufiri ynë jugor është si një sitë,” tha ai. “Ne kemi nevojë për barriera.”
Shefja e Sigurisë së Vendit, Kirsten Nielsen, i tha presidentit dhe anëtarëve të tjerë të Kabinetit se në Shtetet e Bashkuara po hyjnë “familje të rreme” në përpjekje për të qëndruar në vend.
Presidenti u takua të mërkurën pasdite me krerët e Kongresit në lidhje me kërkesën e tij për financimin e murit, një mosmarrëveshje kjo që ka lënë të mbyllura prej 12 ditësh një të katërtën e operacioneve të qeverisë amerikane.
“Mbyllja e qeverisë do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha zoti Trump.
Udhëheqësi i SHBA ftoi në Shtëpinë e Bardhë republikanët dhe demokratët më të lartë për atë që e quajti një “informim mbi sigurinë kufitare”. Bisedimet zhvillohen një ditë para se demokratët e opozitës të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve për dy vjetët e ardhshëm.
Presidenti Trump tha në Twitter se është “Meksika ajo që po paguan për murin nëpërmjet marrëveshjes së re tregtare USMCA”. Ai i bëri komentet edhe pse Kongresi ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen, e cila nuk ka hyrë në fuqi.
Presidenti shkruante gjithashtu se “Pjesa më e madhe e murit tashmë është rinovuar ose ndërtuar plotësisht”, edhe pse Kongresi asnjëherë nuk ka miratuar financimin e një muri, ndërkohë që riparimet janë bërë në barrierat kufitare ekzistuese. “Ne kemi bërë shumë punë; 5.6 miliardë dollarë që ka miratuar Dhoma e Përfaqësuesve janë shumë pak në krahasim me përfitimet për sigurinë kombëtare,” shkruante zoti Trump në Twitter.
Mosmarrëveshja për murin ka bërë që të mbyllet shumica e operacioneve në disa agjenci qeveritare. Rreth 800 mijë punonjësve qeveritarë u është thënë të qëndrojnë në shtëpi ose të vazhdojnë të punojnë pa pagesë derisa të arrihet zgjidhja.
Turistët në Uashington po shohin efektet e para. Të mërkurën në Uashington u mbyllën muzetë Smithsonian dhe Zooparku Kombëtar që shërbejnë falas për publikun. Galeria Kombëtare e Artit do të mbyllet duke filluar nga e enjtja.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë është i pari që Presidenti Trump zhvillon me ligjvënësit kryesorë demokratë që nga mesi i dhjetorit kur u deklaroi atyre se do të ishte “krenar” nëse mbyllte qeverinë në betejën për financimin e murit kufitar. Që atëherë, Shtëpia e Bardhë dhe ligjvënësit e opozitës nuk janë takuar, dhe Presidenti ka fajësuar demokratët për ngërçin.
Ndërsa demokratët marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve të enjten, Nancy Pelosi thotë se ka në plan të shtrojë për votim legjislacionin që do të financonte të gjitha agjencitë e mbyllura deri në fund të shtatorit, me përjashtim të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, që mbikëqyr sigurinë e kufirit, i cili do të financohej deri më 8 shkurt.
Legjislacioni i propozuar nuk përfshin 5 miliardë dollarët për një mur me Meksikën që ka kërkuar Presidenti Trump. Demokratët kanë ofruar më parë 1.3 miliard dollarë fonde për masa të tjera të sigurisë kufitare.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders tha në një deklaratë të martën vonë se plani i demokratëve nuk ka shanse për sukses; ai “nuk siguron kufirin dhe vë nevojat e vendeve të tjera mbi ato të qytetarëve tanë”.
Zonja Pelosi dhe udhëheqësi i demokratëve të senatit Chuck Schumer kanë hedhur poshtë planin e Presidentit Trump për murin, duke e quajtur “të shtrenjtë dhe të paefektshëm”. Ata thanë se presidentit i duhet të dalë me një plan që ka shansin për t’u miratuar në të dyja dhomat e Kongresit.
Përpara takimit në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump dhe ligjvënësja Pelosi bënë komente në Twitter.
“Siguria e kufirit dhe çështja e Murit apo mbyllja e qeverisë nuk janë këto gjërat me të cilat Nancy Pelosi duhet ta fillonte punën si kryetare! Le të bëjmë një marrëveshje?” shkruante Presidenti Trump.
Zonja Pelosi u përgjigj se Presidenti Trump “u ka dhënë demokratëve një mundësi të madhe për të treguar se si do të qeverisim me përgjegjësi dhe shpejtësi për të miratuar planin tonë për t’i dhënë fund mbylljes së papërgjegjshme të qeverisë nga zoti Trump”.
Para se mbyllja të hynte në fuqi, Senati miratoi një projekt-ligj që do të financonte operacionet e mbyllura qeveritare deri më 8 shkurt, por pa financim për murin. Dhoma e Përfaqësueve, deri dje e mbizotëruar nga republikanët, miratoi projekt-ligjin e vet që përfshinte financimin e murit.
Në një letër drejtuar kolegëve të martën, zonja Pelosi shkruante se ligjvënësit në Senat tani duhet të mbështesin planin e ri demokrat dhe, nëse refuzojnë, atëherë ata do t’i “bashkohen plotësisht kaosit dhe shkatërrimit” të shkaktuar nga mbyllja e qeverisë nëse ajo vazhdon./voa/